-Seancë solemne e Kuvendit të Kosovës, në 10 Qershor 2018, në 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit/
-Kuvendi i Kosovës miratoi rezoluta për romingun dhe vendkalimet kufitare me Shqipërinë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 31 Maj 2018/ Në 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kuvendi I Kosovës do të mbajë seancë solemne në 10 Qershor 2018 në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Këtë e vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të kryesuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës po vijon sot seancën, gjatë punimeve të së cilës dje miratoi rezolutën për heqjen e Romingut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, e cila mori mbështetjen e grupeve parlamentare dhe të qeverisë.
Kuvendi miratoi edhe rezolutën e harmonizuar midis grupeve parlamentare për hapjen e tërësishme të kontrollit për hyrje/daljet e shtetasve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikave të kalimit kufitar në Vërmicë, Qafë-Prush dhe Qafë-Morinë.
Kuvendi i Kosovës dje miratoi edhe Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit 2018-2022, ndërsa punimet e seancës sot i nisi me votimin me shumicë pro të Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e 6 anëtarëve të Bordit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Seanca vijoi me votimin e Propozim-Rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me luftimin e korrupsioninit si kriter për liberalizim të vizave, si dhe me pika të tjera në axhendë.
Në 11 Qershor 2018 bëhet një vit nga zgjedhjet e parakohëshme për përbërjen aktuale të Kuvendit të Kosovës, të gjashtat në liri, të tretat pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008, të njohur deri tani nga 116 shtete anëtare të OKB-së.