Aktivistët e të drejtave të njeriut, politikanë dhe personalitete tjera u mblodhën më 4 qershor për të përkujtuar George Floyd, 46-vjeçari afrikano-amerikan, vdekja e të cilit, derisa ishte nën arrest të policisë, ka nxitur një valë protestash për drejtësinë racore në Shtetet e Bashkuara.
Organizimet përkujtimore për Floyd, do të mbahen për gjashtë ditë ne tre shtete, tha avokati i familjes Floyd.
Disa nga protesta për vdekjen e Floydit kanë qenë të dhunshme, me zjarrvënie dhe plaçkitje, por protestat më të qeta u zhvilluan më 3 qershor pasi prokurorët në Minesota akuzuan tre oficerë të tjerë të policisë dhe ngritën një akuzë të re, më të ashpër kundër Derek Chauvin, policit kryesor të përfshirë në këtë rast.
Chauvin tani përballet me akuzën për vrasje të shkallës së dytë, dhe mund të dënohet deri në 40 vjet burgim. Më parë ai, u akuzua për vrasje të shkallës së tretë për të cilën parashihet dënimi deri në 25 vjet.
Prokurori i Përgjithshëm i Minesotas, Keith Ellison ka thënë më 3 qershor se tre zyrtarë policorë, Tou Thao, 34-vjeçar, J. Alexander Kueng, 26-vjeçar, dhe Thomas Lane, 37-vjeçar, janë akuzuar për ndihmë dhe bashkëfajësi në vrasje, andaj janë lëshuar fletarrestet për secilin prej tyre.
Në njoftimin për akuzat e reja, Ellison i quajti protestat mbarëkombëtare të nxitura nga vdekja e Floyd-it si “dramatike dhe të domosdoshme”, duke u zotuar se do të kërkonte drejtësi për Floyd.
Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, William Barr, gjithashtu mbrojti të drejtën e amerikanëve për të protestuar, duke e quajtur atë “të shenjtë”, por tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump e kishte udhëzuar atë, të mos kursente asnjë përpjekje për të siguruar që të mos ketë dhunë.
Si ndodhi vdekja e Floyd?
Disa video të publikuara treguan sesi një polic i bardhë, gjatë arrestimit të George Floyd, bëri presion me gju në qafën e tij, ndërsa Floyd dëgjohej duke bërtitur “të lutem, nuk mund të marr frymë” dhe “mos më vrit”.
Protestat filluan në Mineapolis, por shumë shpejt ato u zgjeruan në shumë qytete të SHBA-së, përfshirë Uashingtonin, Nju Jorkun dhe Los Anxhelosin , ku protestuesit u kanë vënë flakën veturave të policisë dhe kanë thyer xhamat e dyqaneve.
Presidenti Trump më 30 maj e quajti vdekjen e George Floyd një “tragjedi të rëndë” që e ka mbushur vendin me zemërim dhe pikëllim, por ai tha se administrata e tij nuk do të tolerojë që demonstratat të shëndrrohen në dhunë.(Kortezi Radio Europa e Lire)