
President i Seksionit Kombëtar Shqiptar të CIOFF/
Intervistë me klarinetistin e Sazeve të Përmetit, Josif Shukallari.
Fundi i vitit po afron dhe, me këtë rast, artistët krijues e interpretues të trashëgimisë sonë kulturore bëjnë bilancin e punës së tyre, duke evidentuar dhe inkurajuar vlerat që kanë sjellë në skenë apo në veprimtari kombëtare e ndërkombëtare.
Ndërsa mendoja të rikujtoja disa prej tyre, veçanërisht në veprimtaritë ku është pjesë edhe CIOFF Albania, më doli përpara klarinetisti i Sazeve të Përmetit, “Mjeshtër i Madh”, miku im Josif Shukallari, të cilin e kam parë shumë aktiv në dhjetëra veprimtari promovuese, i cilësuar nga media dhe specialistët e muzikës si një ndër klarinetistët më të talentuar të Jugut shqiptar.
Duke qenë se të dy jemi disi larg atdheut, telefoni në këto raste të afron dhe e bën informacionin më konkret. Andaj ngrita smartfonin dhe shënova emrin e tij. Dëgjoja zilen që binte dhe përfytyroja se ku mund të ndodhej në këto ditë funddhjetori, kur koha ka filluar të ftohet dhe erërat e forta që zbresin nga malet e Pindit deri në fushën e Janinës apo në luginën e Vjosës, mbase ia vështirësojnë edhe punën e përditshme.
Sapo dëgjova zërin e tij, që vinte disi i largët, ndjeva menjëherë atë të qeshurën e tij të shkujdesur dhe, si gjithmonë, nuk harroi të më drejtohej i pari:
— Hë, mo drejtor, ç’kemi?
(Këtë “drejtor” e ka që nga koha kur u njohëm, kur ai u bë pjesë e formacionit të sazeve të Shtëpisë së Kulturës në Përmet, në kohën kur unë isha drejtor i saj, dhe e ka të vështirë ta evitojë edhe sot.)
E pyes se ku ndodhet, ku është këto ditë dhjetori. Ai, pak serioz e pak me shaka, ma kthen:
— Ku ndodhem, thua? Po në sinoret e Epirit jam, me punë e me halle, por gjithmonë me klarinetën pranë.
— Po si ta kuptoj këtë togfjalësh “sinoret e Epirit”? — e pyes.
Dhe ai fillon të rrëfejë, me fjalët e tij, të cilat po mundohem t’i sjell këtu ashtu siç m’i tha:
— Dëgjo, drejtor. Kur zgjohem në mëngjes dhe dal në oborrin e shtëpisë, sytë më shkojnë larg dhe ndalen te Melesini, mali i Leskovikut, për të cilin ka edhe këngë, ashtu siç ka për vetë Leskovikun. Vetvetiu më vijnë në mendje sazet e Leskovikut: Asllani, Selimi, Ajdini dhe bashkë me ta edhe Hafizeja e famshme, këngëtarja e madhe që kudo ku shkoi e këndoi, e mbajti emrin e qytetit të saj si një gur të çmuar. Kaba e Selim Leskovikut dhe këngët e Hafizesë ma gjallërojnë shpirtin.
Pastaj shikimi më shkon majtas, ndjek rrjedhën e Vjosës që përplaset nëpër gryka dhe zbret drejt Përmetit, duke marrë me vete jo vetëm ujë e gurë, por edhe lavdinë e sazeve të Leskovikut. Duket sikur thërret usta Laverin me shokë që t’i mbledhin ato avaze e t’ua mësojnë sazeve të Përmetit. Mund të duket legjendë, por kështu ka ndodhur, thonë edhe burra të ditur.
Pas meje, ndërsa qëndroj si statujë në oborr, janë grykat dhe majat e Nemërçkës, tashmë të mbuluara me borë. Pas tyre shtrihet Pogoni, lugina e bukur me njerëz punëtorë e të mençur, por edhe me artistë të njohur. Aty pranë është Delvinaqi, një qytezë e vogël që ka nxjerrë nga gjiri i saj një gërnetar të madh: Petro Lluka.
— Po, e kam dëgjuar — i them — madje kam qenë edhe në Delvinaq, me një grup sazesh të Përmetit, në festivalin “Karvani i Polifonisë”.
— Janë dy gërnetarë legjendarë të këtyre sinoreve, secili në sinorin e vet — vijon ai — por muzika e tyre dëgjohej në të dy anët e kufirit, ashtu siç e ke shkruar edhe ti në librin “Virtuozi Laver Bariu”.