REKUJEM PËR TESKËN TIME – NË VEND TË BUQETËS ME LULE!–
NGA ELIDA BUÇPAPAJ- Si sot një javë më parë, ndërsa po flisja në viber me një miken time në SHBA, më kërkoi në messanger Teuta, vajza e tezes. I dërgova mesazh se do ta merrja më vonë. Tezja ime e vetme jetonte me vajzën e dytë dhe familjen e saj, ndërsa dy vajzat e tjera i ka jashtë Atdheut, e vogla në Shtetet e Bashkuara, e madhja në Suedi. Vajza e dytë mësuese, gjeti punë si edukatore kopshti në Tiranë dhe, dy vjet më parë, lanë Bilishtin dhe u vendosën në kryeqytetin e stërpopulluar. Teska, kështu e thërrisja, e priti me dëshirë kthimin në Tiranë, ku ka studiuar në Institutin Pedagogjik dhe ka jetuar me gjyshen time deri sa u martua me Xhaxhi Muharremin dhe e la Tiranën për në Stravaj, një fshat i thellë malor në rrethin e Librazhdit, ku të dy bashkë me të shoqin jepnin mësim në shkollën e fshatit dhe rritën tre vajzat e tyre.
Një herë të vetme shkuam dhe i vizituam me mamin. Unë sapo kisha mbaruar maturën. Jetonin në një shtëpizë fshati të vogël me dy dhoma dhe te ajo ku rrinin ishte një sobë e madhe, ku Teska piqte byrekë, ndërsa poshtë sobës kishte arra të shpërndara dhe tri vajzat të vogla ishin mësuar t’i thyenin dhe i hanin. Arra na sillnin çdo vit edhe ne sa herë që vinin në Tiranë, se në Stravaj kishte shumë dhe ishin shumë të mira. Për të larë rrobat, Teska shkonte tek një burim i rregulluar me disa rrasa guri. Aty i lante rrobat në vjeshtë, dimër dhe në pranverë pasi verën e bënin në Bilisht, në vendlindjen e Xhaxhi Muharremit. Ishte jetë shumë e vështirë. Shkolla ku jepnin mësim ishte shumë larg dhe rruga kalonte nëpër pyll. Vajzat e vogla, që ishin lindur njëra pas tjetrës kalonin me orë të tëra vetëm. Teska dhe Xhaxhi Muharremi rrinin me gjak të ngrirë kur jepnin mësim. Pastaj bindnin veten se çupkat i mbronin ëngjëjt. Dhe ëngjëjt i mbronin vërtetë. Dikur u ndërtua një pallat afër shkollës në qendrën e fshatit dhe familja u vendos aty. Jeta u përmirësua disi. Kur ndodhën ndryshimet e regjimit ishin kthyer në Bilisht. Vajzat mbaruan shkollat, u martuan, krijuan familjet e tyre, lindën fëmijët dhe Teska e Xhaxhi Muharremi gëzonin vajzat, nipat e mbesat deri kur një ditë tek ne në Zvicër ra zilja e telefonit. Xhaxhi Muharremit i kishte pushuar zemra tak-fak në mes të rrugës. Sa ishte lodhur në jetë Xhaxhi Muharremi, sepse biografia e keqe e kishte degdisur mësues deri në Stravaj. Gjithë jetën ishte mundur, ishte një bashkëshort dhe baba i shkëlqyer, që ishte përkujdesur për tre vajzat të vijonin shkollimin e tyre. Për shembull Marjana shkollën e mesme e bëri në Vlorë. Xhaxhi Muharremi shkonte në Vlorë rregullisht. Nga Stravaj deri në Librazhd lëvizja ishte zakonisht nëpër makinat e mëdha që transportonin trungje drush nga pyjet e pafund të Stravajt.
Gjyshja dhe gjyshi im nga mami patën katër fëmijë. Dy djem dhe dy vajza. Fëmijët e Gani Pretushës ose Mr. Ganes si e quanin në Pogradec dhe Safije Starovës. E thërrisnin Mr.Gane sepse emigroi në Amerikë në vitin 1907 kur ishte adoleshent. U vendos afër Detroid, në shtetin e Miçiganit, atje ku Henri Ford posa kishte themeluar Ford Motor Company. Gjyshi ishte anëtar i Vatrës, njihte Fan Nolin dhe paguante kuotizacionin e shoqatës. Në vitin 1919 kthehet në Pogradec të martohet me një vajzë shqiptare, gjyshen time, të bijën e Abdullah Starovës, nga një familje me emër dhe shumë e pasur në Pogradec. Abdullah Starova kishte qenë ish zyrtar i lartë i perandorisë turke dhe midis pronave të tij është edhe gjithë Driloni i sotshëm. Ai ishte vëllai i madh i Sulejman Starovës, disa herë ministër financash në qeveri të ndryshme pas krijimit të shtetit shqiptar. Mr.Gane shkoi në Pogradec të martohej dhe të kthehej me nusen në Amerikë ku kishte hapur biznesin dhe kishte pasurinë. Në Pogradec lindën katër fëmijët e tyre. Të bukur yje dhe më të mirët e botës. Kështu thonë të gjithë ata që i kanë njohur. I pari që u largua nga kjo botë ishte dajo Gaferi, në moshën 64 vjeçare, pastaj dajo Fatmiri, pastaj Lili, mami. E fundit e fëmijëve të Safijes dhe Mr.Ganes ishte teze Bukurija ose Teska si i thërrisja unë deri një ditë më parë. Se Teska tani nuk është më.
Iku sa hap e mbyll sytë, duke na shokuar e tronditur të gjithëve ne njerëzit e saj më të afërt.
Si sonte një javë më parë ra zilja e celularit. Më kërkonte Teuta, ndërsa unë po flisja në viber. Mendova se Teskën e kishte marrë malli për mua. Flisnim përmes messanger-it. Një moment e harrova telefonatën e Teutës. Pastaj u kujtova dhe i rashë telefonit menjëherë. Mbeska e Teskës, Adela, m’u lut që ta merrja tek telefoni i saj se i Teutës kishte difekt. Sapo më doli më tha se Nëna ka disa ditë që nuk ha ushqim, vetëm pi ujë dhe pak lëngje. Dhe menjëherë më tregoi me kamerën e celularit Teskën e shtrirë në shtrat. U preva në çast. U trondita shumë, u shemba. Fillova të bëj pyetje, njëra pas tjetrës, po si nuk ha, po pse nuk ha, po çfarë ka ndodhur, po çfarë i dhemb, po si është e mundur ? Teuta dhe Adelka më thanë se Teska nuk pranon të hajë. Në sekondë m’u kujtua koha kur Babi papritmas ra në depresion dhe refuzonte të hante dhe sa mundohej Mami që ta ushqente. Ideja e vdekjes më tmerroi. E largova tutje mendimin se vdekja kishte ardhur për të marrë Teskën time. Fillova që t’i lutem e t’i përgjërohem. Ajo ishte e qetë, nuk dukej e sëmurë, ngjante si në ditët e shkuara kur kishin folur dhe ishim parë përmes telefonit, vetëm kishte një ngjyrë pakëz të verdhë, pasi kishte rreth një javë pa ngrënë. Mendjen e kishte top dhe kishte ende energjinë e një njeriu normal, faleminderit Zotit nuk kishte asnjë dhimbje. Fillova të qaj me të madhe sa tremba Prizrenin që erdhi menjëherë në dhomë, se Endriti kishte dalë me shokët. Skënderi nuk më ndahej. Edhe ai ishte tmerrësisht i tronditur teksa shihnim e dëgjonim Teskën e vendosur për të vdekur. Unë e kam jetuar jetën, më thosh. Jam 83 vjeç. Ka ardhur koha të vdes. Ju mos u mërzisni. Mua po më plaste shpirti. Teska ime njihej në fis për vendimet e saj, që kur i merrte, nuk hiqte dorë prej tyre. Teuta dhe Adelka më thoshin se Nëna nuk ua dëgjon lutjet, se nuk ua pranonte ushqimin. Unë pyesja veten se çfarë u thye në shpirtin e Teskës time, që hoqi dorë prej jetës, ashtu pa provuar asnjë dhimbje fizike. Nuk kam biseduar ende me Teutën dhe Adelën që t’i pyes me hollësi. Nuk kam fuqi ta bëj. E mbaj dhimbjen për veten time. Ndofta kishte vështirësi në fyt, më tha më vonë vajza e dajës së madh, Moza. Si sonte një javë më parë, si tani në mbrëmje, fola gjatë me Teskën. Ajo më qeshte dhe më bindte se vendimi i saj ishte i drejtë, sikur do të shkonte për banim në ndonjë qytet tjetër, jo në botën e përtejme. Unë kisha marrë fund. Ajo pamje nuk më shqitet më nga sytë. Më në fund, biseda jonë duhej të mbaronte. Filluam të putheshim. Unë e afrova telefonin tek faqja e saj dhe e puthja, ajo më dërgonte të puthura me dorë, nuk lodhej duke më dërguar të puthura me dorë, deri sa dikur Teuta i tha, po mjaft mama, se u lodhe.
Dhe kështu u ndamë të dyja përgjithmonë, për të mos u parë më në këtë botë. Nuk munda më ta merrja në telefon Teskën. Nuk kisha fuqi. Ajo ishte gjallë por unë nuk mundja t’ja ktheja mendjen për ta ndalur nga rruga që kishte marrë. Nuk kisha asnjë mundësi nga Zvicra. Nuk kam parë njeri në këtë botë që të shkojë drejt vdekjes me atë qetësi dhe vullnetplotë. Mami im donte të jetonte, e donte jetën me mish e me shpirt. Babi po ashtu, edhe në depresion. Ndërsa Teska ime shkonte drejt vdekjes sikur po e priste një jetë e re. Si ndodhi kjo përmbysje? Veçse kur folëm, si sonte nje javë më parë, i thashë se do t’i lutem Mamit që t’ia kthente dëshirën për të ngrënë. Lutju më tha dhe qeshi. Nuk e di se çfarë do të thoshte me atë të qeshur. Të nesërmen u lidha që në mëngjes me Adelkën. Është njëlloj, më shkruajti në inbox. Kishte pirë më pak lëngje frutash se zakonisht dhe forcat i kishte me të pakta se kur folëm të dyja. Në mbrëmje u lidha përsëri me Adelkën dhe fillova që t’i tregoj historitë e fëmijërisë time me Teskën. Unë shkruaja, ajo i lexonte me zë dhe Teska qeshte. Dikur Adelka më tha se Teska nuk po qeshte më dhe kishte mbyllur sytë.
Këto ditë ishin të një ankthi të pafund. Që më kthyen ditët kur u ndanë nga kjo jetë Babi dhe Mami. Teskës time për çdo ditë forcat i dobësoheshin. Deri sa nuk mundi më të shkonte në banjë e shoqëruar natyrisht nga e bija. E megjithatë Teska ime jetonte. Nuk e disa sa ditë jetoi vetëm me ujë dhe lëngje. Ndofta tri javë! Pastaj i preu edhe lëngjet. Pinte vetëm ujë. Pastaj edhe ujin nuk po e përcillte dot më. Dhe ndërsa po gdhihej e premtja e 2 tetorit mora mesazhin nga Adelka se Teska ime nuk jetonte më.
Kisha një javë që merrja çdo ditë qetësues, sikur gjatë kohës kur u sëmur dhe u nda nga kjo jetë Mami. Nuk desha të komunikoja me askënd. Nuk i ngushëllova vajzat. U mbylla me dhimbjen time. Kujtova gjithë kohën kur isha fëmijë dhe Teska ishte pjesë e jetës time. Të dyja me gjyshen kishin një apartament në rrugën Bardhyl ku kam kaluar ditë të mrekullueshme të fëmijërisë time. Kur shkoja aty kisha liri të plotë. Apartamenti i tyre ishte në katin e parë. Unë bëhesha aq trime sa hidhesha edhe nga dritarja për në oborr. Megjithëse isha një fëmijë pa oreks, kur shkoja tek gjyshja dhe tek Teska më vinte oreksi. Tek Rruga Bardhyl ishte një treg i vogël fshatar. Gjyshja ime blinte zarzavate dhe fruta të freskëta dhe i gatuante në mënyrën e saj të jashtëzakonshme. Teska ime kishte një trup të vogël, por si skulpturë, vepër arti. Numrin e këmbës e kishte 34 dhe, kur ajo ishte në punë, unë ia provoja këpucët me taka dhe i vishja rrobat e saj. Një kohë Teska shiste libra në Librarinë që ishte ku sot është 15 katëshi. Atje më çonte mami dhe Teska më jepte libra me figura për fëmijë. Libra më sillte edhe në shtëpi. Edhe sot e kam parasysh apartamentin e thjeshtë ku jetonin të dyja. Në njërën nga dhomat gjyshja kishte një sënduk të madh të mbyllur me çelës. Unë bëja rrëmujë gjithë shtëpinë, por nuk e gjeta kurrë dot çelësin. Ndofta gjyshja e mbante në ndonjë xhep të rrobave që vishte. Unë merrja ndonjë gozhdë dhe e hidhja në vrimkën e çelësit dhe i thosha gjyshes: “E dëgjove zhurmën si bëri “trink”. Aty ti Nënka ke florinjtë”. Gjyshja ime dhe Teska qeshnin me të madhe. Dhe pastaj filluan ta tregonin si historinë e Lidës me sëndukun dhe florinjtë. Erdhi dita që Teska u martua dhe u largua nga Tirana. Edhe gjyshja iku tek daja i madh në Pogradec. Për mua dhe mamin ishte një trishtim i madh se na u mbyll një derë aq e dashur. Vajzën e parë, Marjankën tezja e lindi në Tiranë. Marjana lindi shumë e vogël, premature dhe të dyja me Teskën ndejtën tek ne deri sa bebja u rrit pak dhe një ditë erdhi Xhaxhi Muharremi i mori që të dyja. Nuk kaloi pak e Teska lindi Teutën. Pastaj vdiq gjyshja dhe vajzës të tretë në kujtim të nënkës Teska ia vuri emrin Sofi. Ishte viti 1974. Kur lindi Marjana unë fillova të mendoj se tani Teska nuk do të më donte mua më shumë, por këtë bebkën që edhe unë e desha aq fort dhe kur na ikën të tre nga shtëpia, unë qava me të madhe.
Këto histori kam kujtuar këto dy ditë që kur Teska tani prehet pranë Xhaxhi Muharremit në Bilisht. Kujtoj se si sonte një javë më parë ajo më dërgonte të puthura pa u lodhur fare, duke më porositur që të mos mërzitem kur ajo nuk do të ishte më midis nesh!
Tezja ime kishte qenë gjithmonë një shpirt i lirë, ishte një njeri shumë i veçantë, ishte ëngjëllore, asnjëherë nuk më kishte sharë kur unë u bëja rrëmujë në shtëpinë kur jetonte me gjyshen, vetëm më përkëdhelte. Por ajo asnjëherë nuk kishte lejuar që të tjerët të merrnin vendimet në emër të saj. Kishte vendosur vetë për fatin e saj deri në momentin e fundit!
Teska ime, nuk e di nëse më shikon tani që po i shkruaj këto rradhë për ty! Fluturat nuk po shfaqen në këtë natë të ftohtë tetori. Por mua do të më mbetet kujtim i gjithë jetës se kur u ndamë bashkë, shkëmbyem plotfuqishmërisht, në atë kohë të shkurtër, dashurinë që kishim patur për njëra tjetrën gjatë gjithë jetës, duke marrë me vete gjithmonë mallin që na ndau për së gjalli!
U prehsh në Paqe Teska ime!