
Ne Foto:Artur Kice ne kohen e arrestimit, 11 tetor 1976/
…. PËR ISH TË BURGOSURIN POLITIK , ARRESTUAR NE MOSHEN 14 VJECARE, ARTUR KICE, NDARË NGA JETA ME 6 DHJETOR 2019…./
Arturi ishte 14 vjeç, nxënës i klasës së tetë, kur u arrestua me 21 tetor 1976 për shkak se kishte shkruar trakte kundër udhëheqjes lokale, kundër partisë, Enver Hoxhës dhe pro Amerikës e presidentit Ford-
Nga Dalip Greca/

Në shenjë homazhi e dhimbje për ikjen e parakohshme të avokatit Artur Kice, që u përcoll për në jetën tjetër me 6 dhjetor 2019, po risjell një shkrim të para 24 vitesh, shkruar prej meje me rastin e një veprimtarie kushtuar mbrojtjes së fëmijëve prej dhunës, veprimtari që kishte në qendër Artur Kice, organizuar në 19 vjetorin e arrestimit të tij, kur ishte nxënës i klasës së tetë në qytetin e Lushnjës.

Shkrimi është botuar në gazetën”Ora e fjalës” me 13 Nëntor 1995, ndërkohë që pata shkruar edhe gjatët vitit 1993 nje shkrim ne “Republika”.
Shkrimi, që po i referohem, mbanë titullin “19 Vjet pas aventurës”…
Citoj: Kanë kaluar 19 vjet që nga ai mëngjes i alarmuar, kur mendja e një fëmije përpëlitej mes reales dhe absurdes, mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës, realitetit dhe absurdit. Ecejake të zhurmshme të operativëve dhe sigurmsve që nxitonin nëpër korridoret e shkollës; mësues të habitur, e fëmijë të tmerruar; ç’po ndodhte? Dukej si një film me dedektivë që po shfaqej në shkollën e tyre.

Artikull i publikuar ne Gazeten”Ora e Fjales”( Gazeta e themeluar nga Shpend Sollaku dhe Gezim Hajdari, nisi botimin ne shtator 1991 ne qytetin e Lushnjes)/
– Ja ky është- kishte thënë njeriu që i printe eskortës! Prangat u shtërnguan pamëshirshëm në duart e njoma.
Lamtumirë shkollë!
Pastaj vetëm errësirë dhe qelia e errët. Pastaj…? Jetë në terr; vetmi, kurthe, presione, provokime, kërcënime, …Jetë qelie….Përgjumje gjatë seancave të hetimit, kotje, uri, etje per nje pike uje, dhe hetuesi që nuk stepej: S’ka gjumë sonte! Po deshe të flesh na trego… Ti vetëm na thuaj-Kush të tha t’i shpërndaje ato trakte? Ti nuk i ke shkruar vetë apo jo? Ne e kuptojmë, vetëm dora është jotja, dikush tjetër ti ka diktuar. Na thuaj dhe ne do të çojmë në shtëpi të flesh i qetë, nesër të shkosh në shkollë, të mesosh, të luash, të bashkohesh me shokët dhe shoqet e shkollës, të përqafosh mamin , motrën, dhe babin….
FOTOGRAFI QË AKUZON
Shiheni këtë fotografi fëmije. Një fotografi që akuzon. Shihini
sytë e pafajshëm, fytyrën engjëllore, Si mund t’a dënosh si armik një fëmijë?
Shiheni me kujdes fytyrën njomzake që donte të përmbyste “pushtetin
popullor”. Sapo kapërcente të 13 vjetët dhe po hynte tek të 14-tat. E
pikërisht ky do t’i përmbyste ata; do të përmbyste”shtetin e Vogël në
Lushnje” dhe “shtetin e madh” në Tiranë.
Kjo fotografi akuzon ata që e kurdisën skenarin e atij arrestimi absurd:
– Ç’patët me atë fëmijë?
Si patët zemër e shpirt për ta torturuar?
Po sikur të ishte fëmi i juaj?
Pastaj, ç’ndodh me psikqikën e një fëmije përballë seancave të pafundme të
hetimit ?
DIALOG ME ARTURIN

E pyes Arturin:-Si e kujton momentin e arrestimit? Ç’ditë ishte?
Sa ishte ora…
ARTURI:- Më duket se ende e shoh atë ëndërrë të frikshme. Sapo çoj në mend
sistemi nervor alarmohet dhe ndjej dhimbje, ja këtu, dhe çon dorën në gjoks,
mbi zemër. Ishte ditë e Hënë. Ora e parë e mësimit. Kishin kaluar rreth 10 ose
15 minuta nga fillimi i orës së mësimit. Kishim hartim. Erdhën dy civilë dhe më
morën nga banka ku qëndroja. U tremba. Më shtynë brenda një makine të errët dhe
më dërguan në hetuesi.
Unë: – Po le të kthemi tek aventuara e trakteve. Si dhe kur nisi aventura që Ju
çoi në qeli?
ARTURI: Po, duhet të kthehemi 6 muaj para arrestimit. U arrestova në tetor 1976,
ndërsa traktet i kisha shpërndarë herët, por si duket nuk i kishin gjetë
gjurmët e shkrusit. Ka qenë muaji Maj, kur nisa aventurën e trakteve. Kishte
kohë që më ishte fiksuar ideja që të shkruaja traktet. Një fëmij e ndjenë shumë
padrejtësinë dhe kundërshton në mënyrën e vet. Më dukej se kishte shumë
padrejtësi në shoqërinë tonë. Kishte diferencë mes udhëheqësve komunistë dhe
qytetarëve të thjeshtë.Traktet e mia godisnin udhëheqësit lokal. Gjeta letër të
bardhë, jo me vija, dhe i shkrova.
Parullat ishin të tilla:”Poshtë Miti Rrapo”(Ishte kryetar i Komitetit
Ekzekutiv),
– “Poshtë Partia!”,
– “Poshtë Enver Hoxha”,
– “Rroftë Amerika”!
– “Rroftë Presidenti Ford”!..
Shkrova dhe shpërndava rreth 80 letra të tilla, në rrugët e qytetit, tek
Kinemaja, tek elektriku, tek një lokal ngrënie-vetshërbim… dhe në vende të
tjera publike gjatë natës. Në mëngjes po prisja me ankth-çfarë do të ndodhte?
Mirëpo asgjë nuk ndodhi.Qetësi. Me shokun më të ngushtë që kisha atë kohë
shkuam deri tek elektriku. Më shkoi në mend që t’ia tregoja atij aksionin, por
ndërrova mendje, e kyça thellë sekretin, brenda vetes…
Unë: Artur, si u ndjeve në qeli?
ARTURI: Në fillim nuk po orientohesha,u tremba nga errësira e saj. Nganjëherë
më dukej se po luaja me moshatarët e lagjes “symbyllurazi”…por jo,
qelia ishte aty, dhe unë brenda saj, i mbështejllë me shumë pikëpyetje
misterioze.
– Ç’po ndodhte me mua? Nganjëherë ëndrroja përgjumësh siç ëndrrojnë të gjithë
fëmijët, por ftohtësia e qelisë ma përzinte ëndrrën.
Zëri i hetuesit S. Korriku më sillte në realitet. Fillimisht ai më mori me të
mirë; më premtonte se gjithçka do të kalonte, ai do t’më nxirrte nga qelia dhe
unë do të shkoja në shtëpi tek pridërit e mi. Madje, si për të më mbushë
mendjen se ai ishte në anën time të pafajësisë, i gërthiti fort një polici, që
shërbente pranë qelisë time: Pse e keni futë kot djaloshin në qeli? Por unë nuk
flisja. Atëherë ngrinte zërin dhe më bërtiste me zë të lartë dhe qëllonte me
grusht tavolinën. Pastaj më ngrinte kurthe, tamam siç u ngremë leqe zogjëve në
kodrat e qytetit…
Unë: Ju kujtohet numri i qelisë?
Arturi- Po si mund ta harroj. Isha në qelinë nr. 9…Aty qëndrova jo pak, por 6
muaj.
Unë: Ju kujtohet dita e gjyqit?
Ai: Ahhh, si JO. Ishte një ditë e dhimbshme. Kam qarë shumë atë ditë.Lotët e
kursyer në qeli shpërthyen ditën e gjyqit.
Unë:- Cili ishte shkaku?
Ai- Përballja me njerëzit e familjes. M’u dhimbën ata më shumë se vetja. Sapo
hidhja sytë nga nëna, baba dhe motra, lotët nuk përmbaheshin.Si nëpër mjegull
dëgjoja prokurorin trupmadh N.Cani, që formulonte aktakuzën për agjitacion e
propogandë kundër pushtetit popullor, dhe kërkonte heqje liri për 6 vjet, si
njeri i rrëzikshëm për shoqërinë, dhe shihja sytë e nënës.
Oh, ç’dhimbje….!
Babai më dukej i mpirë.
Motra qante….Duke qenë se isha i mitur, dëgjova gjyqtarin që shqiptoi
shifrën: 4 vjet heqje lirie!
Unë: Dhe ku e kryet dënimin?
Ai:- Nga burgu i Lushnjës më përcollën tek burgu i Tiranës, me të dënuarit e
tjerë të rritur, politik; e më pas që andej në Lezhë, mes të dënuarëve
ordinerë. Zoti më ruajti nga veset e njerëzve me vese.
NGA “SHIRITI” I KUJTESËS
Rikthim në sallën e aktivitetit-JO DHUNË KUNDËR FËMIJËVE!:Tetor
1995 ne Shkollen Foto Puka- Kujtesa nuk shlyhet. Ish bashkënxënësit e
rikujtojnë dhimbshëm arrestimin e Arturit dhe propagandën pas ikjes së tij në
qeli. Mësuesit nuk e kanë të vështirë të rikujtojnë, por jo pa dhimbje. Ndërsa
prindërit, mjaftohen me zbrazjen e dhimbjes prej shpirtrave të lodhur. Ata i
luten Zotit që ia ruajti mendjen djalit….Si mund të duronte një fëmijë tortura,
qeli, burg…
Por le ti sjellim disa nga prononcimet e atyre që e patën përjetuar ngjarjen
dhe që e patën pranë Arturin:
– Dhimitrulla Duri:- Atë kohë kur ndodhi ngjarja isha mësuese e Arturit. T’ju
them të vërtetën atë kohë nuk guxonim të flisnim me njeri-tjetrin për
arrestimin e nxënësit tonë. Veshët e sigurimit ishin të zgjatur kudo. Veçse me
vete i mallkonim ata që ishin marrë me një fëmijë dhe e ia kishin shkatërruar
jetën. Arturi ishte një djalë i mbarë, pak çapkën, i pëlqente veshja e pastër,
e bukur, estetika. Nuk mund ta harroj atë ditë kur njerëzit e sigurimit na
tromaksën me zhurmën e tyre dhe arrogancën e shfrenuar, sikur kishin përpara
një grup armiqësh dhe jo një fëmije të klasës së tetë.
Mësusja Vera Karalliu:- Atë ditë klasa e Arturit kishte hartim në dy orët e
para. Ata të sigurimit erdhën me zhurmë e kërcitje çizmesh nëpër korridore e
klasa. Kur e morën forcërisht, dukeshin triumfatorë-kishin zbuluar armikun e
rrezikshëm.
Babai i Arturit-Mësues Leonidha, që e humbi punën e mësimdhënies: Zoti qenka i
madh. Habitem sot se si kam arritë të ruaj mendjen nga ajo çfarë i ndodhi
djalit. Edhe sot më duket se pamjet e arrestimit dhe të gjyqit, nuk i takojnë
djalit tim, nganjëherë më duket se i kam parë në një film të frikshëm. Pas
arrestimit më thirrën menjëherë në degë. Unë nuk nuk dija ç’kishte ndodhë. E
kisha nisë djalin në shkollë. Oficeri i Sigurimit më gërthiste sa fuqi kishte:
Keni rritë një krimiel kundër pushtetit popullor!
Unë i zverdhur në fytyrë, pyes: Po më thoni, çfarë ka ndodhë?
Ai ma kthente, ju e keni frymëzuar që të shkruajë e të shpërndajë trakte kundër
Partisë.
Kur e pashë në sallën e gjyqit, të lodhur, të dobësuar, nuk e di se si e mbajta
veten, si nuk rashë në dysheme!
Nëna e Arturit- Lefteria: Atë ditë, pasi kishin rrëmbyer Arturin nga shkolla,
erdhën në shtëpi; operativi i Sigurimit, hetuesi, policë dhe përmbysën
shtëpinë. Kontrollonin gjithçka. S’po merrja vesh asgjë. Nuk kisha informacion
për arrestim.
Po i them atij të Këshillit:-Po më tregoni çfarë ka ndodhë?
– Do ta marrësh vesh shpejt, -ngriti zërin operativi i Sigurimit.
Kur e mësova të vërtetën sa nuk më ra pika. Rashë pa ndjenja.
VEPRIMTARIA- JO DHUNË KUNDËR FËMIJËJËVE- SI SHKAS
Artur Kice, pas 19 vitesh, pikërish një të Hënë(Si ajo e hënë e
11 tetorit të vitit 1976, ditë kur u arrestua) u vu në qendër të një
veprimtarie të organizuar nga Drejtoria Arsimore e Lushnjës(Kur unë punoja si
inspektor për Letërsinë dhe drejtoja njëkohësisht gazetën “Ora e
Fjalës”), veprimtari që i kushtohej mbrojtjes së fëmijëve nga dhuna. Edhe
Arturi që kishte kaluar përmes ferrit të dhunës, ashtu i emocionuar, përmes
emocioneve të forta dhe një kontraktimi të pashmangshëm, përcolli mesazhin e
tij:
JO DHUNË KUNDËR FËMIJËVE!
Veprimtaria pati për zot shtëpie Shkollën “Foto Puka”, ekzaktsisht
Klasën e 8b, klasë kur pati mësuar edhe Arturi, nga ku e shkëputi dhunshëm
diktatura. Dhe nxënsja Irida Hasalla(Tash mjeke ne SHBA), më e shkëlqyera e
shkollës, tek do të merrte bashkë me shoqen e saj një dhuratë simbolike për
klasën, të dhuruar nga Arturi, do të përcillte mesazhin:
JO DHUNË KUNDËR FËMIJËVE!
EPILOG
Ngjarja që pat për personazh Artur Kicen u bë publike fillimisht
nga Gazeta”Ora e Fjalës”, pastaj tek”Republika”, më pas në
ekranet e TV, dhe sërish tek “ORA…” si apel kundër dhunës.
Heroi i aventurës, Arturi, qe shprehur: S’kërkoj asgjë, përveç pendesës prej
atyre që më ndërruan klasën e mësimit me qelinë dhe burgun, që më rrëmbyen
lodrat duke m’i këmbyer me dhunën…Dhe së fundi Apeli im:
JO DHUNË KUNDËR FËMIJËVE!
PS: Në kohën që u shkrua ky shkrim, nëntor 1995, Arturi ishte punësuar në
Gjykatën e Lushnjës, ndërkohë që studionte në Fakultetin Juridik, pa shkëputje
nga puna.Shume domethense, ish femija i denuar nga padrejtesia e diktatures, po
studente per DREJTESI…
Me 6 Dhjetor 2019 Arturi shkoi të pushoi në përjetësi. Pusho në Paqë ti shpirt
i vuajtur padrejtësisht!