– NË VEND TË URIMIT PËR 80 VJETORIN E LINDJES TË”KULLËS” SË HUMORIT, LETËRSISË DHE PUBLICISTIKËS SHQIPTARE-
Sot është Dita e Lindjes e Pëllumb Kullës. Sido që ta formuloj urimin nuk mund ta gjej të plotë formulën që të përcaktojë staturën e Mjeshtrit të Madh. Thjesht po i uroj: Jetofsh gjatë; për vete, për Familjen, por edhe për ne! Në vend të”dhuratës” zgjodha të ripublikoj një kritikë letrare të hershme timen të shkruar 12 vite më parë për romanin e tij”Vdekja e Enver Hoxhës”, publikuar në Gazetën ILLYRIA në New York, por edhe në gazetat e Tiranës.
E gëzofsh Ditëlindjen MJESHTËR!
****
Kulla, Vdekja e Enver Hoxhës dhe Realitet butaforik i shoqërisë shqiptare
*Romani i Kullës “Vdekja e Enver Hoxhës”, -një shëmbull i bukur se si historia bëhet drith, për mokrat e krijimtarisë letrare
*Vdekja e diktatorit i ka shërbyer Kullës si një prozhektor i fuqishëm për të ndricuar tërë shtresat e shoqërisë shqiptare të fundshekullit që kaloi: veteranë të devotshëm dhe anëtarë të Byrosë Politike, artistë, poetë, ushtarakë…
Nga Dalip Greca*
Një dhuratë të hidhët i ka rezervuar shkrimtari Pëllumb Kulla
diktatorit Enver Hoxha, në përvjetorin e 100 të lindjes, tetor 2008. Ndërkohë
që e veja e Hoxhës rreket që të arrijë qëllimin e një rehabilitimi vlerësues
historik, sic e proklamoi në intervistën e shumëpërfolur me Rudina Xhungën,
Kulla sjell një realitet butaforik, ku parakalon shoqëria shqiptare, e
shformuar, militante, e shtirur, dyfytyrëshe, që duket e shushatur nga vdekja e
diktatorit dhe ku secili vrapon që të përlotet e të duket i pikëlluar. Kulla
nën titullin “Vdekja e Enver Hoxhës – shumë romane në një”, na çon 23 vite të
shkuara, kur diktatori sapo ka vdekur, por Shqipëria nuk është gati që ta
gëlltisë lajmmortin dhe partia ende nuk e ka përgatitur opinion që ta përcjell
me ligjërime vaji, ku tekstet i përgatit ajo vetë me militantët. Kulla nuk shan
në roman, nuk mallkon, nuk përqesh, por ka arritur, që edhe pa këto, t’na japë
një shoqëri kufomë, ku frika e mban në këmbë ngrehinën që ka ngritur
partia-shtet dhe i pari i saj, që vajtohet. Pasi e lexon romanin krijon
përshtypjen se shkrimtari Kulla nuk merret me karikaturizimin as të diktatorit
as të ngrehinës së frikshme që ngriti ai brenda telave me gjemba të 28 mijë
kilometrave katrore, ku e ndërtoi Mbretërinë e tij gjysëm shekullore. Natyrisht
Kulla nuk zë në gojë as mbret as mbretëri, as diktaturë as diktator. Nuk është
e nevojshme: diktatura jo vetëm nënkuptohet, por ajo është e pranishme kudo.
Autori nuk shpenzon asnjë fjalë për analizën e mbretërimit enverist. Rrëfimi i
tij nis në kufirin historik, kur mbreti sapo ka mbyllur sytë. Natyrshëm derdhet
në roman imponimi i një pikëllimi të përgjithshëm, gati ushtarak në qendër dhe
në provincë. Ashtu sic ndodhte me cdo direktivë të Partisë, ku nga
qendra-kryeqyteti, vraponin kasnecët në provincë, po ashtu zbret dhe direktiva
e shfaqjes së pikëllimit për udhëheqësin. Në roman tekstet e vajtimit dhe të
dhimbjes zbresin nga Tirana nëpër rrethe ose e kundërta nga rrethet në qendër,
ku bashkë me ata që do të vajtojnë kanë ardhë edhe ata që thurin vargjet e
vajit. Për këtë qëllim mobilizohen poetët e Realizmit Socialist, të cilët
prodhojnë vargje, fraza të ngarkuar me dhimbje, që ua vënë në gojë të
përzgjedhurve, që natyrisht janë edhe ata me biografi të skanuar mirë e mirë.
Për të shmangur keqkuptimet, autori na ndihmon me nje shënim të shkurtër, që në
hyrje të librit: “Ky libër tregon për Shqipërinë, por nuk është histori. Është
një sprovë mbi një nga temat e saj qëndrore, morale. Kam përdorur vetëm dy emra
të vërtetë: atë të sovranit dhe të gruas së tij. Emrave të sundimtarëve nuk ke
se si t’u shmangesh. Është një lloj haraçi që ata u paguajnë krijuesve, kur
rrinë aq gjatë në krye të vendit. Për vërtetësinë e ngjarjeve unë ve dorën në
zjarr dhe ndryshe nga të tjerët, unë e ve edhe sikur ai të jetë i ndezur! Vetëm
titulli i librit mund të shkaktojë diskutime. Sepse ka gjithnjë e më shumë zëra,
që thonë se Enver Hoxha nuk ka vdekur ende”. Megjithatë Kulla na e sqaron
njëherë e mirë se Enveri vdiq, por udhëheqja e lartë ka vendosur që ta mbajë
sekret derisa të rivendosë sigurinë e plotë të vazhdimësisë dhe deri sa
Shqipëria të bëhet gati që ta përcjellë atë me madhështi e pikellim. Romani nis
me përgatitjet që bëhen në shtëpinë e grimjerit, që pret të shoqen, që të
festojnë së bashku me djalin, përvjetorin e martesës. Grimjeri krejt papritur,
e le festën në familjen e tij dhe rrëmbehet për një shërbim të pazakontë:
zbukurimin për publik të fytyrës së udhëheqësit të vdekur. Mjeshtrin e
makiazhit vijnë dhe e marrin njerëz të panjohur, që u heq udhën drejtori i
Kinostudios, ku ai punon. Askush nuk di gjë për vdekjen e madhe deri në atë
çast. Madje në sheshin e Universitetit vazhdojnë të bëhen prova për koncertin
me këngë e valle, ku flitet që do të marrë pjesë edhe vetë …Enver Hoxha!
Valltarë e këngëtarë janë në errësirë të plotë për gjëmën. Makina me xhama të
zinj që sjell grimierin te shtrati i të vdekurit të madh, kalon mes sheshit,
teksa nga jashtë hyn zëri i këngëtares: “Kush më merr mua/Merr yll, jo grua…”
Duket se asgjë nuk ka ndodhur, jeta vazhdon, por sapo grimjeri ka hyrë aty ku
mbahet kufoma, njeriu të cilit i është besuar sekreti, jep njoftimin e mortit:
“Duhet të ta themi dhe ty një lajm të hidhur, që pak e dinë: Enver Hoxha nuk
është më! U nda nga ne! Komandanti na la! Mua m’u mor fryma. Sikur m’u shemb
tavani përsipër. – Komand… Koman… – përsërisja unë i mekur. – Po, po – tha
Teloja. – Gjëmë e madhe u gremis mbi atdhe. U nda nga gjiri ynë. Ja, siç e pe,
atje, nën çarçaf! Unë kisha ngrirë i tëri. – Këtë gjë e di vetëm familja. E
dinë anëtarët e Byrosë Politike. Dhe ata, jo të gjithë. Vetëm Sekretariati. E
kupton? Askush tjetër. – Mjekët! – më shpëtoi mua. – Më të besuarit – plotësoi
ai. – Kirurgu që bëri zbrazjen e trupit nuk e di se cili është i vdekuri. Ai
nuk e di se kujt ia hoqi të brendshmet. Ne i hapëm dhe i shfaqëm atij vetëm
pjesën që i duhej për punë. Ty po ta themi të fshehtën, se na duhesh. Atdheu
përgatitet. Lajmi nuk është i lehtë. Armiqtë e brendshëm dhe ata të jashtmit
duhet ta marrin këtë lajm atëherë, kur gjithçka të jetë bërë gati, që jeta e
vëndit dhe fatet e popullit të mos kenë asnjë rrezik edhe pa shokun Enver. E
kupton tani, se çfarë lloj të fshehte të kemi besuar ty?”… Romani rrjedh
lirshëm, rrëfimi është i natyrshëm, dramatik, dialogu dinamik dhe ngjarjet
rrokullisen marramendshëm. Gjithandej bëhen përgatitje, tamam si në një shfaqje
për të cilën punojnë skenaristë, regjisorë. Partia në provincë, ashtu si edhe
në qendër, teston se si do ta presin vdekjen e të madhit. Secili nga ata që
pyeten e quan provokim testimin dhe betohet se për të Madhin nuk ka vdekje
kurrë. Madje të gjithë ata që dalin nga takimi me sekretarin e parë të Partisë
shkojnë dhe e denoncojnë atë në Degën e Punëve të Brendshme. Skenat e krijuara
janë thurur mjeshtrisht në funksion të idesë të zbërthimit të butaforisë
kolektive të udhëhequr nga partia, asaj të paradës së pikëlluar, që i parapriu
dhe e shoqëroi vdekjen e liderit komunist. Kulla operon bukur me detajin: Në
provat gjenerale për vdekjen e mundshme të udhëheqësit, Komiteti i Partisë ka
dërguar në Shtëpinë e Pushimit mjetin që të marrë poetin, që do të krijojë
vargjet elegjiake që populli ia thur udhëheqësit të madh. Poeti ndodhet me
pushime së bashku me të shoqen. Autori i elegjisë është figurë e realizuar
artistikisht.Atë e ndeshim edhe në kapitujt më pas, ku poetët e rretheve janë
thirrur që të furnizojnë me fraza pikëllimi e qëndrese bashkëkrahinarët e tyre.
Vargjet e gatshme, që thurin muzat e vjershëtorëve, plotësojnë dekorin e
vdekjes dhe ushqejnë turmën me pikëllimimin e nevojshem. *** Direktiva për
thirrjen e grumbullimin poetëve lokalë ka ardhur nga Komiteti Qendror.
Komitetet e Partisë në rrethe shpallin mobilizimin e tyre të përgjithshëm.
Grimjeri bëhet dëshmitar i ngjarjeve që zhvillohen lart, tek shtëpia e zotave,
nga dalin edhe udhëzimet se sa pikëllim do të shfaqin fytyrat e anëtarërve të
Byrosë Politike. Grimjeri do të vizatojë e pikturojë faqet e tyre, aq sa
pikëllimi të duket i besueshëm sipas shkallëve dhe posteve që mbajnë. Nga ana
tjetër, udhëzimet përmbajnë edhe detaje të tilla, si kush do të qajë i pari,
kujt do t’i bjerë të fikët, kush do të qëndrojë më gjatë para arkivolit. Vdekja
që përgatitet të shpallet është në dorën e një super-regjisori, që natyrisht,
publiku mund ta ndjejë, por nuk do ta shohë. Të tërë ata që e dinë të vërtetën
u duhet ta mbajnë sekret. Edhe grimeri nuk duhet t’ia tregojë as të shoqes kur
kthehet në shtëpi, por e ka të vështirë ta ruajë të fshehtën. Ndërkohë, në
ndihmë të fshehtësisë, televizori përcjell kronikën e po asaj mbrëmje, në të
cilën Enver Hoxha sapo ka pritur një delegacion nga Brazili. Edhe vetë grimjeri
habitet: ”Nuk po e kuptoja isha në ëndërr tani, apo kisha qenë në ëndërr tërë
ato orë që kalova pranë të vdekurit. Enver Hoxha dukej i hequr, fytyra e tij
shfaqej mjaft e tretur, megjithëse jo aq sa ishte para një ore, kur unë e
prekja me gishta duke bërë plane të merresha me të. Ishte një efekt i
çuditshëm, si një shaka e egër. Dukej sikur ai pat pritur sa të zhdukesha unë
nga porta e sallës së nëndheshme, pat palosur çarçafin e në majë të gishtave
kish nxituar të përgatiste pritjen e brazilianit. Një ndjenjë e çuditshme, kjo.
Isha si i çakërdisur nga ajo që po shihja”… Situata të tilla e bëjnë tërheqës
romanin. Më pas mësojmë se ata që po organizojnë skenën e madhe të homazheve,
shohin në video ceremoninë e varrimit të Josif Stalinit, dhe e marrin andej
përvojën për përcjelljen e nxënsit të tij besnik. Skenari tirret me vizitën në
ekspozitë, ku i pari i partisë zëvendësohet nga sozia, dublanti, i tij. Sozia
do të asistojë dhe në koncertin e të rinjve, ku do të duket pak si i sëmurë.
Plani është që të ikë para se të mbarojë shfaqja, dhe të nesërmen të jepet
lajmi zyrtar se ndërroi jetë. Grimjeri merret gjatë edhe me fytyrën e atij që
po zëvendëson në detyrat e mbrame liderin e vdekur. “Në mes të programit,
shoqja Nexhmije e thirri edhe një herë Telon. Këtë radhë dukej se ishte diçka
serioze, që nuk kish të bënte … Ajo i shprehu njeriut me mustaqe të hijshme një
shqetësim. Ne e pamë se si, ai, i alarmuar, foli me dikë në radio. Disa
trupruajtës erdhën me një frymë, e rrethuan udhëheqësin (lexo: dublantin) dhe e
morën atë për krahësh, duke i bërë me shënjë veturës kryesore të afrohej deri
afër tribunës. Gruaja u ngjit me të shoqin në veturë, ndërsa kryetari i
Presidiumit të Kuvendit Popullor i u drejtua zyrtarëve të lartë, që qenë
ngritur në këmbë të shqetësuar. Ai i bëri ata me dije, se nuk ish gjë për t’u
alarmuar dhe i siguroi se shoku Enver do ta merrte veten menjëherë. Ata nuk
kishin shkak të krijonin panik të panevojshëm e të turbullonin me rrjedha të
pakëndëshme atë koncert të bukur rinor. Bile ata duhet të vazhdonin të
vallëzonin tok me artistët. Këtë porosi pat lënë dhe shoku Enver, ndërsa ish
duke hipur në veturën e tij….” Në kapitullin e dytë me titull “Vargje për gra
që dinë të vajtojnë”, përcillet për lexuesit atmosferën se si u punua në rrethe
për të përgatitur masën që të vajtonte udhëheqësin. Përgatitja, që u bën
Sekretari i parë i rrethit atyre që do të mbajnë peshën e inskenimit dhe
zbatimit të pikëllimit të turmës, ku është thirrur edhe poeti, është nga pjesët
më të bukura të librit. Përmes dialogut, ai përcjell thelbin e militantizmit.
Kur sekretari pyet se si do të pritej vdekja e udhëheqësit, ata reagojnë: –
Vetëm ai nuk vdes! – ia ktheu Namiku me zë shpelle. – Nuk ka vdekje për Enver
Hoxhën, shoku Aziz! – kish menduar një përgjigje edhe poeti, Moisi Dhëmblani. –
Për ne, po. Për të, jo! Sekretari i Parë pa të dytin. I dyti qeshi dhe ia mori
fjalën. – Hë, mo, lerini folklorizmat, tani! – Ligoraqi i ftoi të qetësoheshin.
– Le që ju të tërë të zanatit të folklorit jeni. Mirë e ka pyetjen shoku Aziz.
Ja, i mbylli sytë! Me folklore do të mburremi?! Të papërgatitur do të na zerë
gjëma?! Kurrë mos vdektë, me ju jam dhe unë! Po ja, ta zemë, vdiq?! Poeti,
rebelohet, dhe betohet: “E thyej penën dhe nuk shkruaj për vdekjen e
Udhëheqësit!” – thotë. Është po ai, që më pas do të krijojë elegjinë: Si t’i
ngrë ligjet e tua,/nga t’i nisim ligjërimet?!/ “’të janë hapur kështu duart/sa
s’t’i mbajnë më dot gjëmimet/o baba e o biro! Oi, oi! Ai që si unë, merr
përsipër të rrëfejë tërë shtjellën e ngjarjeve në libër, do të riskojë të
zbulojë të papriturat e shumta që janë përgatitur për lexuesin dhe kurrsesi,
nuk do të arrijë, në dy faqe, atë, që një autor i njohur për rrëfimin
mjeshtëror, për pikturimin e karaktereve tërheqës dhe për stilin e tij të
veçantë ka bërë përgjatë romanit të tij. Vdekjen e Enver Hoxhës ai nuk e ka
keqpërdorur dhe nuk ka abuzuar me të, siç mund të mendojë çdokush sapo sheh mbi
ballinën e librit emrin e një profesionisti të satirës dhe humorit. Vdekja e
diktatorit i ka shërbyer Kullës si një prozhektor i fuqishëm për të ndricuar tërë
shtresat e shoqërisë shqiptare të fundshekullit që kaloi: veteranë të devotshëm
dhe anëtarë të Byrosë Politike, artistë, poetë, ushtarakë, të deklasuar dhe
martirë të ndryrë burgjeve. Kolonat e gjata të vajtonjsve të ndërtuara nga
organizatat e masave gjarpërojnë nga viset më të largëta drejt kryeqytetit për
t’i lënë lamtumirën udhëheqësit. Përcjellja për varreza është dhënë në libër si
një rit religjoz: “Atë ditë në orën njëmbëdhjetë, ranë për pesë minuta në
gjunjë dhe në heshtje gjithë shqiptarët, jo vetëm në Tiranë e jo vetëm në
sheshin Skëndërbej, por kudo ku i zuri ajo orë: në fabrika, në rrugë, në ara,
në klasa shkollash, në vagonët e trenave, në stallat e bagëtive, në radhët
ushqimore, në qelitë e burgjeve. Lajmet televizive i treguan gjerësisht këto
pamje në orët e mbrëmjes”. Me këtë vepër Pëllumb Kulla shënon një rritje të
mëtejshme në krijimtarinë e tij dhe jep një shëmbull të bukur se si historia
bëhet drith, për mokrat e krijimtarisë letrare. Libri është realizuar nga
Shtëpia Botuese Arbëria. Redaktor është Roland Gjoza ndërsa ballina mban emrin
e piktorit të njohur Maks Velo. …
*E risjellim me rastin e ditëlindjes të autorit si dhe Dielli për shkak të aktualitetit, folklorizmit
dhe butaforizmit të shoqërisë shqiptare e cila luftën kundër komunizmit, diktatorit
e bën me fushata, sa herë i duhet politikës aktuale për të larguar vëmendjen
nga realiteti i sotëm….(Marre prej Gazeta 55 Online-11-10-2008)
***
DISA NGA BOTIMET E SHKRIMTARIT PELLUMB KULLA
– “Ëndrra ime Rina”/Duart dhe Thikat
– Skënder Sallaku, ose, Si qeshnim nën diktaturë
– Rrëfenja nga Amerika : përjetime dhe portrete shqiptarësh në mërgim
–Vdekja e Enver Hoxhés : (shumë romane në një)
– Luftë pa fund : shtegtime nëpër qiellin politik
–Jo gjithë të vdekurit prehen në paqe : (Jetëshkrim i një familje nga Zëmblaku i Korçës)
–Jo gjithë të vdekurit prehen në paqe : (Jetëshkrim i një familje nga Zëmblaku i Korçës)