-Në ceremoninë zyrtare të shenjtërimit të Nënës Terezë, sot në Selinë e Shenjtë, në Vatikan, morën pjesë edhe krerët e shtetit të Kosovës: Populli ynë i dha botës një nënë të dashur për gjithë popujt/
-Media e Kosovës përkujton çka tha Presidenti Amerikan Bill Clinton në qershor të vitit 2002: “Nëna Terezë ishte e para që më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”/
-Për nder të Shën Terezës, një meshë u mbajt sot në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 4 Shtator 2016/ Në Kosovë është atmosferë feste për shqiptaren Nënë Tereza e shpallur sot shenjëtore nga Papa Françesku në Vatikan, në meshën e shenjtërimit që u ndoq nëpër familje e kudo në transmetimet televizive.
Në ceremoninë zyrtare të shenjtërimit të Nënës Terezë, sot në Selinë e Shenjtë, në Vatikan, morën pjesë edhe krerët e shtetit të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa e kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji dhe shtegtarët tjerë të nisur nga Kosova rrugës Prishtinë-Durrës-Bari-Romë. Mbrëmë, në Vatikan, morën pjesë në koncertin e madh të artistëve shqiptarë me famë botërore dhe Filarmonisë së Kosovës, organizuar me rastin e shenjtërimit të Nënës Terezë.
“Kemi fatin që të jetojmë në kohët më të mira për shqiptarët”, është shprehur presidenti Thaçi duke theksuar shenjtërimin e Nënës Terezë ndër ngjarjet më të mëdha dhe më të rëndësishme në historinë tonë.
“Populli ynë i dha botës një nënë të dashur për gjithë popujt. I dha një mrekulli, që me rrugën e saj fisnike ishte simbol i mirësisë dhe mishërim i vetive më të mira njerëzore. Sot, bashkë me shenjtërimin e Nënës Terezë u shenjtërua edhe prejardhja e saj shqiptare”, theksoi presidenti Thaçi. Deklarata u dërgua nga ceremonia e shenjtërimit e drejtuar nga Papa Françesku në bazilikën e Shën Pjetrit, ku u mblodhën liderë dhe personalitete të shumta botërore.
Më tej theksohet se, për nder të humanistes shqiptare, mbrëmë në Selinë e Shenjtë u mbajt edhe koncerti “Himni i Nënës Terezë”, ku morën pjesë artistë të njohur shqiptarë dhe botërorë.
Nëna Terezë ishte dekoruar me çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979, ndërsa ishte lumturuar nga Papa Gjon Pali në vitin 2003, pasi që Selia e Shenjtë kishte pranuar se falë ndërhyrjes së mbinatyrshme të saj, ajo kishte shëruar një grua indiane.
Në vitin e kaluar, më 17 dhjetor 2015, Papa Françesku ia njohu Nënës Terezë edhe mrekullinë e dytë, përkatësisht shërimin e jashtëzakonshëm të një të riu brazilian, më 9 dhjetor 2008.
Njohja e mrekullisë së dytë nga Selia e Shenjtë i hapi rrugë shenjtërimit të sotëm të Nënës Terezë.
“Ky vit, i shpallur si viti i Nënës Terezë nga qeveria e Kosovës, na ka sjellë shumë mbarësi, i cili do të kulmojë me shenjtërimin e Nënës Terezë”, ka theksur kryeministri Kosovar Mustafa.
“Isha shumë i nderuar që mora pjesë sot në ceremoninë zyrtare të shenjtërimit të Nënës Terezë.
Jeta dhe vepra e jashtëzakonshme e Shën Terezës në shërbim të njerëzimit, u nderua nga qindra mijëra njerëz të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Shqiptarët tashmë e kanë shenjtoren e tyre e cila do të vazhdojë të na prijë në përsosjen e vlerave shpirtërore, morale e humane.
Bota mbarë ka simbolin e shenjtë të dashurisë, besimit, humanizmit, vetëmohimit”, shprehet kryeministri Mustafa.
“Jemi popull me fat që botës i dhamë Nënën e paqes dhe dashurisë në gjithë botën”, është shprehur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Veseli.
“Jemi krenarë që nga sot Shën Tereza shton radhën e shenjtorëve që populli shqiptar i dha botës, duke lartësuar misionin e paqes dhe dashurinë. Shën Tereza dhe trashëgimia e saj tashmë janë shenjtëruar! Misioni i saj buroi nga ndjenja më fisnike, e mbrojtur në lashtësinë e traditën e popullit tonë, solidarizim me të pafuqishmin, kujdes për të pambrojturin dhe dashuri për të përbuzurin. Nga sot, ne dhe gjithë bota i përkulemi jetës dhe veprës së saj në dobi të njerëzimit”, thekson kryeparlamentari kosovar Veseli.
Për nder të Shën Terezës, një meshë u mbajt sot në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, ku Don Izidor Lukiç, drejtor i Qendrës “Don Bosko” falënderoi Zotin për “dhuratën më të madhe që na e dhuroi, Nënën tonë të shenjtë”.
Profesori në Fakultetin e Studimeve Islame në Universitetin e Prishtinës, Dr. Xhabir Hamiti, shprehet se ndihet i nderuar për kanonizimin e Gonxhe Bojaxhiut, e njohur tanime ne bote me emrin Mother Tereza.
“Si qytetar shqiptar, ndihem i nderuar me respektin dhe konsideraten me te larte qe po i bene selia boterore katolike ne Vatikan, misionares dhe humanistes se shquar te shekullit te kaluar, me gjeneze shqiptare.
Suksesi yne individual shqiptar ne bote, historikisht eshte shume me i shquar sesa ai kolektiv.
Uroj qe ne te ardhmen te jemi me te bashkuar per te miren tone te perbashket”, ka shkruar profesori i shkencave islame Hamiti.
Nëna Tereze u shenjtërua sot, ne na bën krenarë, shprehet kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri. “Ishte nder të marrim pjesë në Ceremoninë e shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës”, shkruan nga Vatikani kryetari i Vetëvendosjes, subjektit më të madh opozitar në Kosovë.
Ndër deklartatat e para është edhe ajo e Gruas Demokratike të PDK-së, e cila “përshëndetë shenjtërimin e Nënës Terezë në Vatikan si një vlerë kulmore që i bëhet një bije shqiptare, misionare e veprave të bamirësisë në shërbim të njerëzimit”.
“Nëna Terezë ishte sinteza e vlerave më të mira të civilizimit shqiptar dhe me të drejtë u cilësua si nëna e shekullit”, shprehet nga Vatikani, kryetarja e Gruas Demokratike Justina Shiroka-Pula.
Në atmosferën e festës në Kosovë, media sot shumë herë ka theksuar se Nëna Terezë u bë urë lidhëse në mes të shqiptarëve dhe botës.
Ish-Presidenti Amerikan Bill Clinton në qershor të vitit 2002 ka thënë se: “Nëna Terezë ishte e para që më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.
Papa Françeskut në Meshën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, sot në Vatikan, i kanë shërber edhe diakonët e Kosovës, Don Daniell Markprekaj dhe Don Meriton Dedaj.
“Ky privilegj i bukur i dy diakonëve të Ipeshkvisë sonë është një shenjë e kujdesit që Selia e Shenjtë tregon për popullin e Nënë Terezës në festën e madhe të 4 shtatorit”, theksohet në Ipeshkvinë e Kosovës.
Në 26 gusht, në Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë, organizuar nga InfinityArt dhe Ipeshkvia e Kosovës u hap ekspozitë punimesh të artistëve të rinj të Kosovës me portretet e Nënë Terezës për të shënuar ditëlindjen e saj dhe për festën e shenjtërimit të të njohurës në botë edhe si laureate e Çmimit Nobel për Paqe, për ndihmën të varfërve, shqiptares Gonxhe Bojaxhiu, e lindur në 26 gusht 1910 në Shkup.
Prizreni, qyteti më i madh jugor i Kosovës, afër kufirit me Shqipërinë, është qyteti i prindërve të Nënë Terezës. “Unë jam prej Prizreni, prindërit e mi kanë lindur në Prizren”, kujtonte fjalët e Nënë Terezes, nga takimi në vitin 1975, Kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës Don Shan Zefi, derisa bisedonim në verën 2010 në Prishtinë – Katedralën në ndërtim, ku udhëheqte punimet.
“Edhe të mitë janë nga këto vende, diku”, ishin fjalët e Nënës Terezë në Prishtinë, të kujtuara në 3 shtator 2010, rreth 30 vjet pas vizitës, nga akademik Pajazit Nushi, i cili kishte organizuar pritjen si një nga drejtuesit e lartë të Kosovës.
Në 10 dhjetor 1979 Nana Terezë, pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo, siç ka shënuar në atë kohë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…”
Ishte viti 1995, kur në 7 dhjetor Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, gjatë rrugës për në Uashington, në Aeroportin e Romës, ka pasur një takim, të vetmin, me nobelisten shqiptare Nënë Terezen. “Do të lutem për popullin e Kosovës”, i ka thënë Nëna Tereze.
Në 2 korrik 2002, Presidenti Rugova ka zbuluar shtatoren e Nënës Tereze në sheshin me emrin e saj në qendër të Prishtinës. “Simboli i Nënës shqiptare, Nënës Tereze, do ta ndiçojnë zemrën e Prishtinës dhe të Kosovës së lirë, ashtu siç e ka dashur ajo”, shprehej Presidenti i parë i Kosovës, Rugova.
Në 26 gusht 2005, gjatë ceremonisë së vënies së gurthemelit të Katedrales katolike në Prishtinë, Presidenti Rugova theksonte: “Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”.
Gurthemeli i Katedrales u vu për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Tereze nga ana e Presidentit Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik, në oborrin e Gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Katedralja nisi të ndërtohet në 600 vjetorin e lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu
Presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, në ceremoninë e inaugurimit në 8 prill 2016 theksonte: “Vendi ynë është krenar që sivjet po bëhet e shenjtë një grua e bekuar, që para 90 viteve, si 17-vjeçare në Kishën e vogël të Letnicës, ndjeu urdhrin e Zotit dhe nga Gonxhe Bojaxhiu u bë Nënë Terezë, humaniste me përmasa globale”.
Viti 2016 është Viti i Nënë Terezës në Kosovë, i deklaruar në 15 janar nga qeveria kosovare, e cila më pas në mbledhjen e 22 korrikut vendosi të ndajë mjete financiare me qëllim të mbështetjes së aktiviteteve që lidhen me kanonizimin dhe shpalljen e shenjtërisë së Nënës Terezë.
Kosova ka shpallë 5 Shtatorin “Dita e Bamirësisë – Nëna Terezë”. Për këtë, Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën plenare në 11 korrik, me votim unanim, ka miratuar propozimin e Kryesisë së Kuvendit.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2012 ka shpallë datën 5 shtator, ditën kur kaloi në amshim Nënë Tereza, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.
Rezoluta e OKB-së bënte thirrje që në 5 shtator, të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, organizatat e Kombeve të Bashkuara, organizatat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale, shoqëria civile, si dhe individët, të përkujtojnë Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.