NGA SOKOL PAJA-DIELLI-
17 vjet më parë Nënë Tereza, fituese e Çmimit Nobël për Paqen në vitin 1979, u lumturua nga Papa Gjon Pali i Dytë. Nënë Tereza tashmë e shpallur e Shenjtë nga Vatikani më 4 Shtator 2016 në Sheshin Shën Pjetër nga Papa Françesku, sot është një simbol i paqes botërore dhe dashurisë së pashtershme, Nëna shpirtërore e të varfërve, të braktisurve, të sëmurëve, jetimëve. Një Nënë universale, që nuk rreshti për asnjë moment, me qëllimin e vetëm ti përkushtohej botës dhe shërimit të shoqërisë. Nënë Tereza, Shenjtorja shqiptare është një nga figurat më të ndritura të Kishës Katolike universale dhe të popullit shqiptar. Me Nënë Terezën, Shenjtore, kombi shqiptar i dha botës një mesazh të fortë dashurie për njeriun, një dashuri aktive, të cilën as vetë nuk e kishte ndjerë ta merrte aq shumë nga bota, duke kapërcyer kufijtë shtetërorë dhe largësitë kontinentale, fetë, racat, orjentimet e ndryshme apo dhe interesat. Nënë Tereza, Shenjtorja shqiptare është shenjti i gjallë, lapsi i Zotit në shëmbëlltyrën njerëzore. Gonxhja shqiptare e dashurisë së pashterrshme u shndërrua në gjuhë, fjalët e së cilës njeriut i thanë dhe i provuan se dashuria është e mundur. Shembulli i Nënë Terezës për botën është universal. Misionarja shqiptare, Nënë Tereza na lë testamentin e fesë së patundur, të shpresës së pamposhtur e të bamirësisë së jashtëzakonshme. Ajo u bë Misionare e bamirësisë, “Nënë e të varfërve”, simbol i mëshirës për mbarë botën e dëshmitare e gjallë e dashurisë së etshme të Zotit për njerëzit. Nënë Tereza, Shenjtorja shqiptare iu përkushtua të gjithë familjeve të botës. Nënë Tereza e mahniti botën me luftën e saj unike në zhdukjen e varfërisë, plagëve të shoqërisë dhe më kryesorja, në dobi të respektit dhe dinjitetit të qenies njerëzore. Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza është pa dyshim bijë dhe nënë e gjithë njerëzimit. Ajo përballoi e vetme me forcën e mbinatyrshme të Perëndisë garën me të keqen që shfaqej në padrejtësitë ndaj të braktisurve, të sëmurëve, të pastrehëve e të pashpresëve. Nënë Tereza është pjesë e krenarisë kombëtare, pjesë e identitetit tonë kombëtar shqiptar. E gjithë bota do të ketë nevojë gjithmonë për Nënë Terezën, për mesazhet e një jete, që ushqeu me dashuri dhe shpresë jetën e njerëzve, të cilëve u mungonte dashuria, shpresa e besimi. Nënë Tereza me atë ç’ka i ka dhënë universalizmit është një figurë e shquar edhe kombëtare ku futet pa dyshim në kolonën e njerëzve më të rëndësishëm të kombit shqiptar. Me veprimtarinë e saj, Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza është mbrojtësja më e guximshme dhe më e madhe e jetës, kultura e jetës dhe qytetërimi i dashurisë. Nënë Tereza u përket vlerave universale të njerëzimit. Kryetari i çmimit Nobel të Suedisë, profesor Xhon Sanes, pati deklaruar në ceremoninë e nderimit teksa qe shprehur me fjalë prekëse: “Veçoria e punës së saj ka qenë respekti për njeriun, për vlerat dhe dinjitetin e tij. Më të mjeruarit, më të vetmuarit, fatkeqët që po vdesin, lebrosët e braktisur janë pranuar nga ajo dhe motrat e saj me dashuri dhe ngrohtësi, pa përbuzje por të mbështetura mbi respektin për Krishtin te njeriu”. Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza edhe pse prej shumë kohësh nuk jeton pranë nesh, jeton e gjallë vepra e saj. Ajo na lë testamentin e fesë së patundur, të shpresës së pamposhtur e të bamirësisë së jashtëzakonshme. Nënë Tereza ishte një misionare, me të cilën shqiptarët identifikohen kudo në botë. Shqiptarët duke u identifikuar me Nënë Terezën, identifikohen edhe me vlerat e saj, me humanizmin, empatinë dhe zemërgjerësinë. Nënë Tereza, për shqiptarët, mbi të gjitha është një shenjtore e vetëmohimit, e dashurisë për njeriun, që me veprën e saj humane i ka shërbyer mbarë njerëzimit, por edhe e ka nderuar emrin e kombit shqiptar. Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza është një simbol i bashkimit të kombit tonë dhe identifikimit të shqiptarëve në botën e vlerave universale.