
( Pjesë nga parathënia e librit: “Në rrënjët hasjane të Shkrimit shqip- Besim Muhadri-poet dhe studiues”, botoi Adriatic Press”, New York, 2024)
Nga Mëhill Velaj
Shkak i botimit të këtij libri me punime të zgjedhura në fushën e studimeve letrare, por edhe të vlerësimeve të veprës së Besim Muhadrit, të këtij krijuesi dhe studiuesi letrar, por edhe profesori universitar, u bë promovimi i katër librave të tij në ambientet e Federatës Panshqiptare “Vatra”, më 29 janar 2023, i organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe “Vatra”. Ishte një ndër promovimet më të organizuara dhe më relevante të bëra ndonjëherë në “Vatër”, ku përveç shumë të tjerëve, për katër veprat e Besim Muhadrit folën krijues dhe studiues eminentë të komunitetit shqiptarë këtu në Amerikë.
Librin “Në rrënjët hasjane të shkrimit shqip” e kemi konceptuar në katër kapituj:
– Në kapitullin e parë kemi bërë një hyrje dhe studim në pika të përgjithshme për Besim Muhadrin;
– Në të dytin kemi prezantuar punimet e lexuara në ditën e promovimit të librave të Besimit në “Vatër”, më 29 janar të vitit 2023;
-Në pjesën e tretë, punime vlerësuese të autorëve të ndryshëm, të cilët ndër vite e kanë përcjellë veprimtarinë e këtij studiuesi dhe krijues, si Prof, Dr. Agim Vinca, prof. Prend Buzhala, Dr. Nexhat Çoçaj, Dr. Alban Dobruna, akademik Mehmet Halimi, profesor Halil Haxhosaj, profesor Pal Ndrecaj, Prof. Besim R. Cengu, Prof. Dr. Agron Fico, Dalip Greca, Murat Gecaj etj.;
– Në kapitullin e fundit, të katërtin, kemi përzgjedhur disa nga punimet studimore të Besim Muhadrit të botuara nëpër revista shkencore, por edhe në librat e tij të kësaj fushe.
Libri po botohet në 60-vjetorin e lindjes së autorit dhe 30-vjetorit të botimit të librit të tij të parë.
Poetit, studiuesit dhe profesorit Besim Muhadri i dëshirojmë shëndet dhe suksese në punën e tij krijuese dhe shkencore.