
Virgjil Kule/
…Pas vdekjes së të shoqit, Zonja Skënderbega bashkë me djalin e saj të vogël Zotin Gjon, u vendos në Mbretërinë e Napolit. Bashkë me të edhe dy motrat e mia, burrat e të cilave ishin vrarë në luftra. Njëra ishte Zonja Maria, e shoqja e Zotit Muzakë Kominit që ndryshe thirrej Muzaka i Angjelines, kurse tjetra ishte zonja Helena, që kishte qenë e martuar me zotin Gjergj Karles. Zonja Maria mori me vete vajzën e madhe të quajtur zonja Donna Porfiria, kurse tjetra, Zonja Donna Helena mori të bijën, Zonjën Donna Vojsava. Erdhën edhe zonja të tjera (Ne Napoli) të cilat u mirëpritën nga Mbreti.
Unë mbeta në vendin tim. Edhe disa zotërinj të tjerë qëndruan në viset e tyre tashmë të zvogëluara ku, me përkrahjen e venecianëve, për rreth 6 vite u munduam për të mbrojtur ato pak territore që na kishtin mbetur pa u pushtuar (nga osmanet). Dhe në kohën kur Mbreti Federik i Aragonës, asokohe princ, u nis me ushtrinë e Mbretit Ferrante për t’ua marrë Durrësin venecianëve, unë ndodhesha në vendin tim, në Muzakinë e Vogël që quhej Tomonishtë. I thirrur nga proveditori i Sinjorisë së Venecias, cili ndodhej në Durrës, unë shkova me shumë këmbësorë e kalorës për të ndihmuar venecianët dhe e clirova qytetin nga i sipërpërmenduri Princi Don Federiko.
Por kur venecianët bën paqe, nuk deshën të më përfshinin edhe mua në të, madje më lanë që të më arrestonin. Ja ky ishte shpërblimi, megjithëse më parë Mehmeti, Princi i Turqve, më pati shkruar disa here duke me thene tekstualisht se në rast se do të doja të shkoja te ai sëbashku me ju, o bijtë e mij, më premtonte me shumë përbetime se do të më linte guvernator të të gjithë atyre viseve dhe do të na mbante në oborrin e tij si zotërinj të medhenj. Por unë nuk desha kurrë që të braktisja fenë time të shenjtë e të vërtetë dhe as t’ju lija juve pa u njohur me të. Me gjithë këmbënguljet e tij, unë nuk ia lejova vetes të pushtohesha nga lakmia dhe etja për pozitë. Por edhe Turku, kur bëri paqe me venecianët pasi ata i dorëzuan Shkodrën (1479-V.K.) nuk deshi të më përfshinte edhe mua (në atë paqe), madje u premtoi se do të më arrestonte. Për këtë më bënë me dije disa fisnikë durrsakë dhe u detyrova të arratisesha. Ika natën i maskuar. Ashtu i panjohur shkova te një varkë që për fat ishte gati për nisje dhe, (i zoti i varkes) duke mos më njohur, më kaloi në këto anë. Duhet të ketë qene rreth vitit 1476 (Muzaki e ka gabim sepse Shkodra ra ne vitin 1479 -V.K.). Kështu ndodhi edhe me zotërinj të tjerë të Shqipërisë, dikush u arratis dikush u bë turk (mysliman), gjithcka u rrënua.
Asokohe ime shoqe, nëna juaj e quajtur Maria Dukagjina, ishte shtatzanë në muajin e fundit me Don Andrianon. Ajo shkoi në Durrës ku u fsheh në shtëpitë e disa fisnikëve miq tanët, dhe aty lindi të sipërpërmendurin Andriano, i cili u cua për pagëzim gjoja si të ishte fëmija i braktisur nga ndonjë varfanjak pa e marrë vesh nuni se biri i kujt ishte. Po kështu edhe Don Teodori dhe Donna Helena u fshehën në shtëpitë e disa fisnikëve të tjerë. Kur ia behën pastaj papritur komisarët turq që po kërkonin nëpër qytet nënën tuaj dhe fëmijët e saj, ajo u fsheh menjeherë poshtë një jorgani të trashë mbushur me pendë, të hedhur crregullt mbi shtrat. Qe hatri i Zotit që komisari turk nuk e pikasi. Kështu ajo i shpëtoi tërbimit të turqve pa rënë në duart e tyre mizore. Derisa, një muaj më pas, fisnikët e sipërthënë me disa burra që kishin qenë vasalët tanë pajtuan një anije me të cilën ajo dhe të bijtë shpëtuan përfundimisht duke u hedhur në Pulia….