“Si 25 vite më parë i mblodha, plotësova dhe “çiftëzova” kostumet qindra vjeçare”!
Mbresa nga takimi i koleksionistes Besnike Zelka me Vatra Miami dhe Klubin Flas Shqip!
Vatra Miami dhe Klubi Flas Shqip pati një takim të veçantë dhe shumë mbresëlënës me një ndër koleksionistet më të hershme të kostumeve dhe relikeve folklorike nga të gjitha trevat e Shqipërisë, zonjën Besnike Zelka. Ishte vërtet interesante sesi kjo zonjë në vitet e para të demokracisë shqiptare bridhte nga qyteti në qytet apo fshati në fshat që të mund të mblidhte kostume të cilat banorët në më të shumtën e rasteve i kishin harruar nëpër sunduqe. Pasioni për traditën nga të gjitha zonat ku jetojnë shqiptarët shpaloset qartë tek koleksioni i saj që mban kostume qindra vjeçare që nga Gallobordë e deri tek Çamëria, nga Dardania e deri tek Lunxhëria. Të bën përshtypje që zonja Zelka ka një pasuri gati të barabartë për nga kostumet poshtë apo mbi Shkumbin, ashtu sikur ajo ka mbledhur bizhuteritë, brezat, shamitë apo opingat që janë pjesë e veshjeve përkatëse. Sikur u shpreh në një moment krejt sinqerisht: “As vetë nuk e di si gjithmonë arrija të gjeja pjesën që i mungonte kostumit që kisha blerë, ndonjëherë edhe shumë vite më parë. Pasioni për të gjetur më të bukurat dhe më të vjetrat kostume më kishte kthyer gati si të fiksuar pas tyre. Bashkëshorti më thoshte: Grua, mos harro kartën e identitetit pasi ti nisesh për Durrës dhe përfundon në Shkodër”. Më pas ajo vazhdoi rrëfimin sesi shpesh “gjurmonte” në tregun e fruta – perimeve gra të fshatrave të ndryshme të zonës dhe i pyeste nëse kishin ndonjë kostum apo relike të vjetër dhe nëse donin t’i shisnin. Njëra që vendosi të shesë, thotë ajo, më bëri të eci me të deri prapa Dajtit, por kur ja pashë kostumin nuk u bëra aspak pishman për mundimin. Është vërtet për t’u adhuruar pasioni i kësaj zonje për të mbledhur kostumet më të vjetra te traditës, por është akoma më shumë për t’u admiruar dhe vlerësuar se mbledhja e tyre ka pasur çmim jo të vogël, pasi në kohën kur ajo e krijoi këte koleksion ishte pensioniste pa shumë të ardhura dhe ndërkohë të gjitha dollarët që i sillnin fëmijët nga SHBA i invenstonte në koleksionin që po formësohej pak nga pak.
Gjatë takimit Zonja Zelka na tregoi shumë detaje të koleksionit, por si nëna për fëmijët e saj nuk bënte dot dallimin kë ka më të bukur. Megjithatë disa prej tyre mbeten më me vlerë. Kështu kurrorën e mban Xhubleta e Malësisë së Madhe, pasi atë ajo e ka kompletuar (si askush ) me pelerinën me kapuç, brezin dhe këpucët karakteristike. Thuhet se origjina e një xhublete të tillë i takon periudhës ilire që vjen si histori gati tre mijë vjet më parë. “Kur mësova se xhubleta ka hyrë në UNESCO, mu duk sikur kjo e imja ishte dëshmia e gjallë e vlerës së këtij triumfi”, u shpreh ajo. Një tjetër vlerë në koleksionin e saj është kostumi tejet elegant i Gjirokastrës. Sipas saj, çuditërisht nga zona e Gjirokastrës apo rrethinave të saj ka pasur pak ose aspak kostume të trashëguara dhe ajo thotë se është ndjerë shumë e lumtur kur arriti të siguronte dy kostume të kësaj zone, një në kadife dhe një në stof. Kur ndalet tek kostumi i Tiranës, nga prej është edhe vetë me origjinë, ajo nuk shteron së foluri për elegancën, punimin super të imët në qëndisje, jelekun tipik, dimiqet që janë shqiptare dhe nuk kanë të bëjnë me orientin. Këtë kostum ajo e kishte trashëguar nga familja. Kostumi i Shkodrës dhe ai i Zadrimës ishin të plotësura deri në dëtaj dhe me veshje grash të çdo stine. Një surprizë e bukur e koleksionit është guna si e Sela Musait. “Kur e gjeta, nuk po i besoja syve, sepse një gunë të tillë orrigjinale, ngjyrë gri dhe me thurrjen tipike të leshit në punim nuk e gjen më kudo ku ta kërkosh nëpër Shqipëri. Nga gëzimi, e hodha mbi kokë se ndryshe nuk e mbaja dot dhe kështu eca rrugëve të Tiranës deri sa arrita në shtëpi, dhe të gjithë më shihnin me çudi”. Po kështu fustanella si e “Bajronit” nuk kishte si të mos plotësonte koleksionin e saj. Kostumi i Dardhës për shumë të pranishëm ishte jo i njohur, po kështu edhe ai Gallobordës. Nëse do ta përfytyronim në një ekspozitë këtë koleksion ai do të mund të konsiderohej edhe si ai i kostumeve të çifteve shqiptare, më së shumti si kostumet e nuses dhe dhëndrit. Me sa duket koleksionuesja ka patur merak ti “çiftëzoj” kostumet, pasi pothuaj seicili komplet femëror i një zone kishte pranë kostumin e partnerit mashkull nga po e njëjta zonë. Disa nga kostumet e burrave shënojnë edhe ngjyra shumë shumë pak të hasura nga ne, sikur vjollca apo bluja mbretërore. Të gjitha më sipër ja rrisin pasurinë e traditës koleksionit dhe na bindin se ai jo vetëm mbetet i vlefshëm për nga lashtësia e kostumeve apo relikeve por edhe nga unikaliteti i tyre. Ndërkohë çdo pjesë e koleksionit ka një ngjarje që e shoqëron, si koleksionistja ka mundur t’i gjejë, mbledhë, trajtojë me kujdes, kompletojë, transportojë dhe të gjitha këto padyshim bëhen pjesë e vlerës historike që na përcjell. Ka rëndësi gjithashtu çertifikimi që ajo ka për të gjithë inventarin përkatës.
Përpara se të niste këtë mision Zonja Zelka ka punuar për më shumë se 30 vite si garderobiste në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë. Interesante është se të gjithë koleksionin ajo e ka mbledhur përgjatë periudhës 1999-2004, pikërisht atëherë kur ata që i blenin këto kostume ishin më së shumti turistët. 20 vjet më parë ajo hapi edhe ekspozitën e parë në Tiranë. Në atë kohë bashkëatdhetarët nuk ishin kaq të dhënë pas kostumeve të traditës ndërsa sot po duket se ka një kërkesë dhe kuriozitet shumë të madh, sidomos mes atyre të diasporës. Në vlerësimin tim për punën pasionante të saj shtova se duke i blerë keto kostume në ato kohëra (kur ato ose do të shkonin në drejtime të paditura ose do të shpërdoroheshin), kjo koleksioniste në fakt i ka ruajtur këto thesare kombëtare, pasi në rastin më të mirë asnjë turist, sado i dhënë të jetë, nuk do të mund t’i shërbente trashëgimisë të këtyre vlerave brenda komunitetit shqiptar sikur ky koleksion na vjen sot. Falë këtij koleksioni tradita shqiptare bëhet edhe më pasur ! Mos të harrojmëdhe se këto kostume mund të riprodhohen dhe eleganca e tyre si dhe forma e prerjes, qendisjes dhe qepjes për të paraqitur më të bukurat forma të trupit të femrës dhe mashkullit do t’u trashëgohet brezave. Për të mos folur këtu për simbolet e shumta që mbartin në dekorim dhe që janë një univers më vete për të shpjeguar trashëgiminë tonë të lashtë.
Më tej zonja Zelka na rrëfeu si kishte refuzuar edhe oferta shumë të majme nga koleksionistë apo pasionantë të tjerë të traditës shqiptare. Edhe sot ajo nuk pranon të shesë apo këmbejë pjesë të koleksionit, pasi :“Ato janë të gjitha bashkë dhe do të mbeten gjithmonë bashkë”. Ky është edhe amaneti i saj. Ndërkohë, ndonëse kujdeset kaq shumë për to, sërisht mendon se kushtet e hapësirës ku janë sistemuar nuk është si do të duhej.
Diaspora shqiptare në SHBA është me fat pasi i gjithë koleksioni i zonjës ndodhet në New York ku ajo tashmë jeton si qytetare amerikane. Dëshira është që koleksioni t’i mbetet familjes së saj dhe komunitetit shqiptar jo si pronë personale por si një vlerë më shumë e traditës së vendit nga kanë ardhur.
Në përfundim të takimit të bukur ku morën pjesë edhe fëmijët e Klubit Flas Shqip, koleksionistja ju përgjigj pyetjeve të të ftuarve, si dhe u diskutua si të gjendet mundësia që këto kostume të mirëmbahen sa më mirë si dhe të vizitojnë muzetë e SHBA-së apo të botës si një krenari shqiptare që rrëfen kaq shumë për shpirtin krijues dhe artist që na është trashëguar ndër shekuj.
Njerëz sikur zonja Besnike Zelka, kaq të thjeshtë dhe të përkushtuar në pasionin e tyre janë pikërisht ata që na dhurojnë surprizat më të bukura, sikur ky koleksion që brenda tij mban kaq shumë vlera të traditës kombëtare, mban qëndismat e qindra vajzave dhe grave shqiptare ndër shekuj, mban historinë e sa e sa çifteve dhe familjeve nga janë prejardhur, mban ngjyrat e maleve dhe luginave të zonave ku janë krijuar, mban klasin dhe elegancën e e racës sonë që ndonëse gjithmonë në luftë për mbijetesë kurrë nuk shterroi së krijuari të bukurën që sipas etnografes së njohur shqiptare Andromaqi Gjergji: “Nga një fshat në tjetrin kostumi është i ndryshëm dhe duket sikur ka pasur një konkurrencë kush e krijon më të bukurin dhe më origjinalin dhe pikërisht kjo të dallonte fshatin nga fshati”.
Falë zonjës Besnike Zelka, kësaj koleksionisteje autodidakte, apo dhe shumë koleksionistëve të tjerë si dhe studiuesve të etnografisë sonë, ne jemi në gjendje t’i shijojmë këto trashëgimi edhe ndonëse larg atdheut. U ndamë me këtë zonjë me plane dhe ide që erdhën nga ai takim që për më shumë se një orë na shpurri larg në kohë dhe na kujtoi rrënjët e bukura nga vijmë.