
Veri Talushllari/
Lufta e Kosovës, shpërndarja e shqiptarëve të Kosovës në rrethin e Beratit, prill 1999.
Po vjen 11 qershori, ajo ditë e bekuar, kur më në fund serbët morën nga sytë këmbët dhe Kosova jonë, plaga e madhe e shqiptarisë, filloi të mbyllej më në fund! Kosova e lirë! Ëndrra e madhe e një populli, e një kombi, u bë e vërtetë! Iu dha fund një padrejtësie më se shekullore, një krimi shtetëror edhe me frymëzimin dhe mbështetjen e Rusisë dhe bekimin e fuqive të mëdha, do t’i jepej fund një plani kriminal të përpunuar dhe realizuar nga mendjet më të errëta të një grupi akademikësh e shtetarësh serbë që përpunuan me hollësi spastrimin etnik të një kombi e të një populli që prej shekujsh jetonte në trojet e veta, e që përfshinte në faqet e atij plani aktet më monstruoze, deri vrasjen dhe hedhjen në zjarr të fëmijëve e të grave, pa llogaritur burrat dhe pleqtë. Shifrat e viktimave të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve janë të frikshme, dhe nuk po përmendim krimin tjetër, atë të shpërnguljes masive, e megjithatë shqiptarët ja dolën të mbijetojnë, dhe marsi i vitit 1999 e gjeti Kosovën me 1.7 milion banorë, 93% e tyre shqiptarë.
Pikërisht ndaj tyre Miloshevçi dhe regjimi i tij fashist filloi dhe realizoi një sulm të egër për ta spastruar Kosovën etnikisht. Dhe ja arriti. Më se 1 milion shqiptarë të Kosovës lanë pas të vrarët dhe varret e të parëve, shtëpi e katandi, dhe morën rrugët e botës. Në Maqedoni, në Mal të Zi, Zvicër e Gjermani e deri në SHBA, dhjetëra kampe refugjatësh pritën kosovarët e tmerruar nga paramilitarët dhe ushtarët kriminelë serbë. Por ajo pritje që iu bë në Shqipëri ishte e jashtëzakonshme. Sigurisht, edhe kampingjet ishin shumë ndryshe nga ato në vendet fqinje dhe atyre të largët, për kushtet e jetesës e për më tepër për trajtimin vëllazëror, ngrohtësinë njerëzore që shqiptarët e dheut mëmë u dhanë vëllezërve të ikur nga tmerret e luftës. Por ajo që habiti botën ishte hapja e dyerve të shtëpive që shqiptarët e bënë me gjithë zemër, duke ndarë me ta jo vetëm atë pak hapësirë ku jetonin vetë, por edhe bukën e gojës e rrobat e trupit. Ka mijëra episode e ngjarje nga më të bukurat, nga më prekëset të asaj mikpritjeje. Ajo që bënë Kukësi dhe kuksianët, kur në qytetin e tyre të vogël erdhën valë-valë katërqind mijë vëllezër kosovarë, ata pa hezitim u hapën dyert e zemrave e të shtëpive kanat më kanat, është një mrekulli e shpirtit njerëzor dhe karakterit mikpritës e vëllazëror shqiptar. E si të mos mjaftonin ata që morën nëpër shtëpi, u çuan ushqim apo rroba për t’u veshur apo për shtresa e mbulesa edhe atyre nëpër salla apo kampingje.
Unë mund të tregoj për prindërit e mi në Berat, që pasi mbajtën disa ditë dy gra me gjithë fëmijët nga dera e Kryezinjve në Rahovec, nuk lanë të ikte në kamping vjehrrën e tyre, nënë Havanë, por e mbajtën deri sa erdhën djemtë nga Zvicra. Plaka e mirë u bë shoqe e mirë me nënën time, Parizen, dhe kur erdhi dita u ndanë me lot në sy. Dhe mund të përmend shokun dhe kolegun tonë, Isuf Bramo dhe bashkëshorten e tij, Tatjanën, në Kuçovë, që jo vetëm i mbajtën në apartamentin e tyre të vogël deri sa erdhi dita fatlume që miqtë e tyre nga fshatrat e Prizrenit të ktheheshin në shtëpitë e tyre, por bashkë me ta dërguan edhe djalin e tyre, Eltonin, të siguroheshin që mbërritën shëndoshë e mirë. E plot ngjarje të tilla. Në Berat autobusët me gra, burra e fëmijë erdhën një mesnatë marsi dhe një pjesë u strehuan ashtu si mundën në mjediset e Shtëpisë së Ushtarakëve. Të nesërmen filloi ngritja e kampingjeve.
Në muajin prill, në rrethin e Beratit kishte 13 kampingje me gjithsej 4407 kosovarë të vendosur në 7 kampingje dhe nëpër familjet e qytetit dhe të fshatrave e konkretisht: 604 veta në familjet e qytetit të Beratit, 1010 veta në kampingun e Paranguajt, Dushnik, 490 në kampingun e Kombinatit të Tekstileve, 390 në kampingun e Moravës, Rep. Usht. 5001, 575 ne kampingun e Myftinisë, ish-NPD, 50 veta tek Caritasi Uznovë, 53 te Konvikti i Shkollës Bujqësore, 106 veta tek dhomat e sportistëve te Stadiumi “Tomori”, 200 veta në familjet e Urës Vajgurore, 124 në fshatrat e komunës Kutalli, 50 në Poshnje, 135 veta në fshatrat e Komunës Velabisht, 200 veta në fshatrat e Komunës Vërtop, 400 veta në Otllak. Këto shifra dhe kjo shpërndarje flasin vetë dhe besoj se krijojnë një pamje të asaj që ka ndodhur në Berat dhe në gjithë Shqipërinë.
Me Luftën e UÇK-së dhe ndihmës vendimtare të NATO-s, bishës naziste të Beogradit iu pre koka dhe, më 11 qershor, Kosova ishte e lirë! Bijtë e bijat më të mirë të atyre trojeve e vaditën me gjakun e tyre pemën e Lirisë dhe tani zëri i Adem e Hamëz Jasharit dhe 56 pjesëtarëve të asaj familjeje legjendare, zëri i Zahir Pajazitit dhe Ismet Jasharit, Kumanovës, i Luan Hajradinajt dhe Astrit Sulit, djaloshit beratas dhe atij tjetrit, Indritit, Ushtar Kavajës, i Antigona Fazlliut dhe familjes së Ymer Elshanit e sa e sa të tjerëve, i thërriste të shpërngulurve në atë eksod biblik të ktheheshin. Dhe ata u kthyen duke marrë me vete edhe një copë Shqipëri, një pjesë nga ajo vëlla-pritje dhe bujari që me të drejtë u quajt Legjendare. Berati dhe beratasit ishin dhe janë krenarë që edhe ata e kaluan me dinjitet e përulësi atë provë ku i vuri, bashkë me viset e tjera shqiptare, nga Tropoja në Sarandë.