-Qeveria e Kosovës e kryeministrit Ramush Haradinaj zhvillon mbledhjen e parë në ditën e pranim-doëzimit të detyrës/

-Ramush Haradinaj, pas marrjes së detyrës e fillimit të punës në ditën e parë si kryeministër takimin e parë e zhvilloi në zyrën e tij me ambasadorin e SHBA në Kosovë, Greg Delawie/

-Ambasada e SHBA: Ne presim që të punojmë me qeverinë e re për të avancuar progresin e Kosovës për të mirën e gjithë qytetarëve të saj/

-Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë, ambasadorja Nataliya Apostolova e përgëzoi kryeministrin Haradinaj për detyrën dhe për krijimin e institucioneve të reja të vendit/

-Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell duke e përgëzuar kryeministrin Haradinaj për detyrën tha se Kosova do të ketë mbështetjen e vendit të tij në axhendat e saj dhe rrugën e integrimeve euro-atlantike/

-Ramush Haradinaj ishte kryeministër i Kosovës edhe më parë rreth 100 ditë, i zgjedhur në 3 dhjetor 2004/
-Nisin punën edhe 21 ministritë e Qeverisë së Kosovës, bëhet pranim dorëzimi i detyrave/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 11 Shtator 2017/ Mbledhja e parë e Qeverisë së Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj zhvillohet sot në orën 18:00, në ditën e marrjes së detyrës.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i zgjedhur në 9 shtator 2017, mori sot detyrën nga kryeministri në largim, Isa Mustafa, i zgjedhur në 9 dhjetor 2014.Në ceremoninë shtetërore të zhvilluar me këtë rast Haradinaj dhe Mustafa parakaluan para rreshtimit të Gardës së Forcës së Sigurisë së Kosovës te ndërtesa kryesore e Qeverisë pran Sheshit Gjergj Kastrioti Skenderbeu në Prishtinë.Pritja ka vazhduar në Zyrën e Kryeministrit, ku Mustafa i ka uruar sukses kruet të ri të qeverisë së Kosovës dhe mes shtrëngimit të duarve i ka dorëzuar edhe një raport të punëve të kryera deri tani gjatë mandatit.Kryeministri i zgjedhur Ramush Haradinaj, emri i të cilit tashmë ishte i shkruar në hyrjen e zyrës së tij, ka falënderuar kryeministrin Mustafa për pritjen.Ramush Haradinaj, pas marrjes së detyrës e fillimit të punës në ditën e parë si kryeministër takimin e parë e zhvilloi në zyrën e tij me ambasadorin e SHBA në Kosovë, Greg Delawie.Kryeministri Haradinaj dhe ambasadori Delawie biseduan për përmbylljen e procesit të krijimit të institucioneve të vendit dhe nevojën e përshpejtimit të përmbushjes së axhendës qeverisëse.Kryeministri Ramush Haradinaj theksoi përkushtimin e qeverisë së re në dinamizimin e proceseve nëpër të cilat po kalon vendi dhe në avancimin e qeverisjes së mirë, konsolidimin ndërkombëtar të vendit, si dhe përshpejtimin e rrugës së integrimeve euro-atlantike për Kosovën. Kryeministri Haradinaj theksoi se përkrahja e SHBA-së për Kosovën në të gjitha fushat është jetike.Ambasadori i SHBA-së Greg Delawie e përgëzoi kryeministrin Haradinaj për detyrën si dhe për krijimin e institucioneve të reja, dhe shprehu besimin në punën e përbashkët për avancimin e përparimit të Kosovës në të mirë të qytetarëve të saj.Në një deklaratë të dërguar, Ambasada e SHBA-ve mirëpret konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, dhe uron Kryetarin e Kuvendit Veseli, Kryeministrin Haradinaj, dhe ministrat dhe zyrtarët shtetërorë të sapoemëruar.“Ne presim që të punojmë me qeverinë e re për të avancuar progresin e Kosovës për të mirën e gjithë qytetarëve të saj”, thekson deklarata.Më tej shtohet se, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përkrahin Kosovën në shtegun e saj drejtë integrimeve Euro-Atlantike, forcimit të sundimit të ligjit, përmirësimit të zhvillimit ekonomik, dhe normalizimit të marrëdhënieve rajonale.
“Qytetarët dëshirojnë institucione shtetërore që punojnë për ta, një qeveri me duar të pastra, dhe një udhëheqësi që ndërmerr veprime vendimtare për të shtyer përpara interesat dhe mirëqenien e Republikës së Kosovës dhe gjithë qytetarëve të saj. Apelojmë te të gjithë udhëheqësit e Kosovës – në Qeveri dhe në Kuvend, përfshirë partitë opozitare – që të respektojnë votuesit që i zgjodhën duke i marrë këto parime si udhërrëfyes”, përfundon deklarata e Ambasadës së SHBA në Kosovë. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj priti poashtu sot në takim Përfaqësuesen e Posaçme të BE-së në Kosovë, ambasadoren Nataliya Apostolova.
Ambasadorja Apostolova e përgëzoi kryeministrin Haradinaj për detyrën dhe për krijimin e institucioneve të reja të vendit.
Kryeministri Haradinaj dhe ambasadorja Apostolova biseduan për avancimin e rrugës euro-atlantike të Kosovës, thellimin e bashkëpunimit rajonal si dhe për vazhdimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe të rendit.
Kryeministri Haradinaj theksoi përkushtimin e qeverisë së re në përshpejtimin e përmbushjes së agjendës për reforma europiane dhe të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell.Kryeministri Haradinaj dhe ambasadori O’Connell biseduan për ndërtimin e institucioneve të reja në Kosovë dhe për proceset nëpër të cilat po kalon vendi. Ata theksuan nevojën e forcimit të institucioneve demokratike, rritjen e mirëqenies së qytetarëve, thellimin e reformave në vend dhe konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës. Kryeministri Haradinaj e vlerësoi lart mbështetjen që Britania e Madhe i ka dhënë Kosovës në të gjitha fazat e shtet ndërtimit dhe njëkohësisht edhe përkrahjen për vendin në skenën ndërkombëtare.Ambasadori O’Connell duke e përgëzuar kryeministrin Haradinaj për detyrën tha se Kosova do të ketë mbështetjen e vendit të tij në axhendat e saj dhe rrugën e integrimeve euro-atlantike.Sot, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas marrjes së detyrës në Qeverinë e Kosovës, priti në takim edhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli e përgëzoi kryeministrin Haradinaj për detyrën, duke i dhënë mbështetje në punë dhe angazhimet e përbashkëta të institucioneve të vendit.Kryeministri Haradinaj theksoi se institucionet e reja të Kosovës do të përshpejtojnë proceset në të cilat ndodhet vendi, në veçanti në vendosjen e sundimit të ligjit dhe rendit, në forcimin e qeverisjes së mirë, zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe të rrugës së integrimeve euro-atlantike.Kryeministri Haradinaj tha se bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm për të përmbushur aspiratat e vendit.
Gjatë ditës së sotme, në Ministrinë e Punëve të Jashtme ushtruesi i detyrës së ministrit në largim, Emanuel Demaj i dorëzoi detyrën ministrit Behgjet Pacolli, i cili është edhe zëvendëskryeministër i parë. Ministri i ri i Financave Bedri Hamza mori detyrën nga ministri i deritanishëm Agim Krasniqi. Ministrja e deritanishme, Dhurata Hoxha, i dorëzoi detyrën ministrit të porsazgjedhur, Abelard Tahirit. Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ministrja Vlora Dumoshi i dorëzon zyrtarisht detyrën ministrit të ri, Kujtim Gashi. Ministri i ri i Shëndetësisë Uran Ismaili pranoi detyrën e re nga ministri në detyrë Imet Rrahmani. Rrustem Berisha pranon detyrën e ministrit të FSK-së nga ministri i deritanishëm Haki Demolli. Në orët në vijim bëhen edhe pranim-dorëzimet tjera të detyrës.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ditën e parë të punës takoi edhe sekretarët e përgjithshëm të qeverisë, me të cilët bisedoi për një dinamikë të re qeverisëse.
Kryeministri Haradinaj në bashkëbisedim me sekretarët e përgjithshëm theksoi rëndësinë e operacionalizimit të programit qeverisës 2017-2021 dhe kërkoi nga ta angazhim të plotë në përmbushjen e të gjitha detyrave qeverisëse.
Qeveria e Kosovës e kryeministrit Ramush Haradinaj ka 5 zëvendësministra, 4 prej tyre shqiptarë, e 21 minitra, 16 prej tyre shqiptarë. Sebët kanë 1 zëvendëskryeministër dhe udhëheqin 3 minitri, ndërsa komunitetet tjera pakicë 2 ministra.
Derisa vazhdonte të vononte konstituimi i Kuvendit në seancën e nisur në 3 gusht e të përfunduar në 7 shtator, si dhe zgjedhja e qeverisë së re të Kosovës, qeveria e zgjedhjeve të para tre viteve zhvilloi në 30 gusht 2017 mbledhjen e 154-të, të fundit të saj – të tetën të pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit, të nëntën si qeveri në detyrë pasi u rrëzua në 10 maj në seancën e Kuvendit me mocion mosbesimi.
Mbledhja e qeverisë në detyrë pikërisht dy muaj pas zgjedhjeve, në 11 gusht, u mbajt edhe me disa ministra të rinj të emëruar nga kryeministri Mustafa, i cili njoftoi ndryshimet në kabinet pas zgjedhjes së disa ministrave për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
U bë e ditur se, ministrat e rinj do të ushtrojnë këto detyra deri në themelimin e qeverisë së re të Kosovës.
Mbledhja e 2 gushtit mund të ishte e fundit e qeverisë në detyrë, pasi për një ditë më pas ishte ftuar mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës pas së cilës mund të zgjidhej qeveria e re, por seanca vetëm nisi dhe mbeti e papërfunduar për më shumë se një muaj, pa zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.
Një muaj para zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit 2017, në 10 maj, Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash, të opozitës e edhe të partisë më të madhe të maxhorancës – PDK, të mocionit të mosbesimit për qeverinë e udhëhequr nga LDK të zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve të 8 qershorit, të cilat poashtu ishin të parakohshme.
Ramush Haradinaj ishte kryeministër i Kosovës edhe më parë rreth 100 ditë, i zgjedhur në 3 dhjetor 2004. Është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës në 9 mars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës nga Tribunali i Hagës. Në 29 nëntor 2012 u shpall i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës. “Më në fund, pas shtatë viteve të gjata, dhe dy gjykimeve të gjata, kjo Gjykatë ka sjellur drejtësi për Ramush Haradinajn dhe për popullin e Kosovës”, theksonte deklarata e Ben Emmerson në emër të ekipit mbrojtës.
Në 10 korrik 2014, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ishte pjesë e regjistrimit të deputetëve të Legjislaturës V të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit, para seancës konstituive të 17 korrikut.
“Pas 10 vjetësh, sot u çertifikova për herë të dytë në mandatin e deputetit të Kuvendit të Kosovës. Sigurisht se ishte përjetim i veçantë, pas një periudhe të gjatë, me plot sfida, që kaluam unë, familja dhe Kosova. Ky moment shënon edhe një pikënisje të re për të gjithë ne, në rrugën dhe synimet e përbashkëta për Kosovën evropiane”, shprehej me atë rast Haradinaj.
Ai vlerësonte se, “Kosova ka shënuar të arritura, është shtet i pavarur, por shtetit dhe pavaresisë sonë i duhet rend, ligj, zhvillim, sovranitet dhe integrim”.