




Ka kohë që komunitetit shqiptar të Bektashinjëve dhe shqiptarëve të Michiganit, u ka ardhur një “rinkarnim” i Baba Rexhepit, që quhet Baba Eliton Pashaj. Një përfaqësues i denjë i Teqes Bektashiane, që punon pa u ndjerë për vlerat kombëtare dhe shpirtërore. Një shqiptar që nuk e ndan besimin nga atdheu.
Baba Elitoni ( i cili punon ngushtë me Vatrën), me pjesëmarrjen e nënkryetarit të Vatrës z.Alfons Grishaj, Drejtorit të Degëve të Vatrës, z.Mondi Rakaj, kryetarit të Këshillit të Teqesë z.Mynyr Nazifi, juristes së mirënjohur znj.Suzana Shkreli, Atë Eugen Shkurti, patriotë e veprimtarë dhe me Representative të Michiganit punuan me përkushtim për të arritur këtë ditë të shënuar që i kishte munguar komunitetit shqiptar të Michiganit: Vizitë në Capitol Hill në Lansing, pikërisht në prag të përvjetorit të Pavarësisë të Shqipërisë.
Baba Elitoni dhe Mondi, kishin organizuar në mënyrë të detajuar këtë datë historike që komuniteti shqiptar të përfaqësohej denjësisht në Capitol Hill. Çdo gjë ishte menduar mirë që nga hyrja, takimi me Governeren Gretchen Whitmer, tour në Capitol, takimin me Kryetarin e Parlamentit, Matt Hall dhe reprezentuesit e Capitol Hill të Michiganit.
Mbase për herë të parë, shqiptarët e Michiganit, e prekën ngrohtësinë e barazisë që u kish munguar në vite. Çdo moment ishte mbresëlënës. Kulmi takimit ishte prania jonë në Dhomën Parlamentit( The House), ku emri i komunitetit shqiptar të Michiganit dhe dita e Pavarësisë u nderuan në lartësinë e merituar, duke u duartrokitur shumë ngrohtë nga reprezentuesit e lartë të Parlamentit të Michiganit.
Organizimi i përsosur me qëllim largpamës. Ky ivent u ndoq me profesionalizëm nga Televizioni ALBTVUSA me drejtor (vatranin) Gani Vila, dhe me zonjën e tij Valentina, kameramanin Fation Bobrati dhe Armela Gjoka.
Bash në muajin historik të shpalljes së pavarësisë, nga Govermenti i Michiganit, u nderuan me Proklamata Mirënjohjeje, Komuniteti Shqiptar i Michiganit, Teqja Bektashiane, Fedarata Panshqiptare-Vatra, Kisha Katolike e Shën Palit, Kisha Ortodokse e Shën Thomait dhe ALBTV USA.
Kjo tregon se koha e patriotëve të vërtetë është definitive.
Korrespondenti i Diellit në Michigan