
Pjesëmarrja e Shoqatës Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze në WTTT (World of Travel, Trade & Taste).
Shoqata Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze mori pjesë me krenari në edicionin e sivjetshëm të panairit WTTT (World of Travel, Trade & Taste), i cili u mbajt më 30 dhe 31 Maj në Metro Toronto Convention Centre. Ky ishte një rast i shkëlqyer për të përfaqësuar me dinjitet kulturën, traditat dhe shijet shqiptare përmes një stende të pasur dhe një programi plot ngjyra.
Gjatë dy ditëve të aktivitetit, vizitorët patën mundësinë të shijonin produkte tradicionale shqiptare, të njiheshin me zakonet tona kulturore dhe të shikonin një performancë të mrekullueshme të grupit të valleve Fluturimi i Shqipes. Performanca kulmoi me një moment të veçantë kur të pranishmit u ftuan të bashkoheshin në një valle popullore, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe përplot energji pozitive. Ky moment bashkimi tregoi fuqinë e kulturës për të afruar njerëz nga vënde te ndryshme.
Në këtë ngjarje ishin të pranishëm edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada dhe Ambasada e Kosovës në Kanada, të cilat u prezantuan me stendat e tyre dhe u fokusuan në promovimin e bizneseve nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe në zhvillimin e turizmit dhe tregtisë me Kanadanë.
Organizimi i prezantimit të Shoqatës u drejtua dhe koordinua nga bordi i saj aktiv, i cili ishte i përfshirë në çdo aspekt të përgatitjes dhe zbatimit të programit për këto dy ditë. Që nga planifikimi logjistik, kontaktet me bizneset, përgatitja e materialeve promocionale, koordinimi me institucionet, e deri tek mbikëqyrja e aktivitetit në vendngjarje, puna e bordit siguroi që çdo detaj të realizohej me profesionalizëm dhe përkushtim të plotë. Angazhimi i tyre reflektoi një bashkëpunim të mirëorganizuar në shërbim të komunitetit.
Përmes përfshirjes së vullnetarëve, performuesve, partnerëve dhe mbështetësve, Shoqata Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze arriti të krijojë një përvojë autentike dhe të paharrueshme për vizitorët. Kjo pjesëmarrje nuk ishte thjesht një prezantim, por një ftesë për të njohur më thellë shpirtin shqiptar.