Shkrimtari Ag Apolloni paraqet para publikut romanin e tij më të ri dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse”. Në një rrëfim për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra , dhënë Editorit Sokol Paja, shkrimtari Ag Apolloni shprehet se ky roman dokumentar flet për dhunën e regjimit serb, për dëbimet dhe djegiet, për spastrimin etnik, për intervenimin ushtarak të NATO-s, për personat e pagjetur, për një dorëshkrim të humbur dhe një tragjedi të gjetur, për peshën e pritjes dhe rëndësinë e shpresës.
“NJË FIJE SHPRESE, NJË FIJE SHKREPËSE”
Romani dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse” është përshkrim i një vizite të tre shokëve në shtëpinë e nënës Ferdonije, e cila gjatë luftës ka humbur katër djemtë dhe burrin. Linja e parë e këtij romani është udhëpërshkrim dhe mbaron aty ku nis. Mirëpo brenda strukturës gërshetohen edhe linja të tjera, që shpalosin histori të përndjekjes, shpërnguljes, dhunimit, vrasjeve, masakrave, pritjes dhe vetëvrasjes. Bashkë me historinë e Ferdonijes, rrëfehet edhe historia e nënës Pashkë, e cila pak ditë pasi iu kthyen mbetjet e dy djemve, bëri vetëvrasje. Po ashtu, e bazuar krejtësisht në materiale arkivore, nëpërmjet figurës së Elie Ëiesel-it (i cili i vizitoi shqiptarët në kampe dhe bëri një raport mbi ta për Shtëpinë e Bardhë) vihet edhe një paralele mes Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Kosovës, përkatësisht mes kampeve të shfarosjes dhe kampeve të shpërnguljes. Ndërsa, në funksion të plotësimit të mozaikut të tragjedisë kosovare, rrëfehen edhe përvojat personale të tre shokëve, në raport me luftën. Ky dokuroman (roman dokumentar) flet për dhunën e regjimit serb, për dëbimet dhe djegiet, për spastrimin etnik, për intervenimin ushtarak të NATO-s, për personat e pagjetur, për një dorëshkrim të humbur dhe një tragjedi të gjetur, për peshën e pritjes dhe rëndësinë e shpresës. Nga Ministria e Kulturës në Kosovë dokuromani “Një fije shprese, një fije shkrepëse” është shpërblyer si romani më i mirë i vitit 2020.
ZONJA PREJ ZJARRI, GRUAJA PREJ GURI
Pashka u dogj nga indiferenca. Djemtë e saj ishin më të mirët, dhe ajo donte t’ia tregonte botës këtë. Armiku ia mori, ia vrau, si gjithë të tjerët, pa dallim. Ia sollën në qese si gjithë të tjerët, pa dallim. Ushtria i varrosi si gjithë të tjerët, pa dallim. Ky mosdallim, kjo indiferencë, e sosi durimin e saj. Djemtë e mi, mendonte ajo, ishin më të mirët, ishin ndryshe për së gjalli, ndryshe duhet të jenë edhe për së vdekuri. Ajo nuk e kishte inatin vetëm me dheun indiferent që i mbulonte të gjithë njësoj. Një inat, më të madh, e kishte edhe me Hyjin. Si kishte mundur të rrinte indiferent ndaj lutjeve të saj dhe ndaj krimeve mbi bijtë e saj? Para se të vdiste, diçka brenda saj kishte vdekur. Tashmë për të, ai atje lart nuk ishte qiell, po qefin. Prandaj ajo, në mëngjes, kaloi rrugën, shkoi pranë një shkurreje dhe dogji veten. Po të ishte ndonjë Mojsi në malin përreth, do të shihte shkurren që nxirrte flakë. Një shkurre që djeg Zotin brenda saj, si një e dashuruar që vret të dashurin, për shkak se nuk mund ta durojë xhelozinë e vet, apo shpërfilljen e tij.
PASHKA E DOGJI VETEN DHE E DOGJI VDEKJEN
Kështu, Pashka e dogji veten dhe e dogji vdekjen. Guri gjigant, i vënë për kujtim të saj në vendin e ngjarjes, do të thërrmohet një ditë, do të harrohet një ditë. Por, vepra e saj do të jetojë sa të ketë qiell indiferent sipër. E, sa të kujtohet ajo, do të kujtohen edhe dy bijtë e saj. Ajo u fut në zjarr për t’i nxjerrë ata nga harrimi, nga mosdallimi, nga anonimati i viktimave. Në aktin e saj ka pak egoizëm, pak narcisizëm, pak altruizëm, pak fanatizëm, pak humanizëm, pak barbarizëm. Flaka e saj është jehu i të parëve. Ajo s’flet me fjalë, ajo flet me zjarr. Asaj nuk i pëlqen të moralizojë, prandaj ia jep fjalën zjarrit, flaka e të cilit buron në zemrën e saj të djegur. Ai zjarr thërret për kujdes ndaj zemrave të djegura.
LARG SHKREPSË, KA ENDE SHPRESË
Pashka, duke djegur veten, shpëtoi edhe Ferdonijen. Ajo tregoi që nënat që presin kthi-min e bijve dhe bijave, mund ta humbin duri-min, prandaj s’duhet t’ua ndajmë sytë. Dy vjet më pas, edhe Ferdonijes ia sollën dy bij në arkivole. Por ishte sinjali i Pashkës, që imponoi kujdesin ndaj saj dhe, sado që nuk u shmang dhimbja, nuk u realizua një vetëvrasje e re. Zonja prej zjarri e shpëtoi gruan prej guri. Larg shkrepsë, ka ende shpresë! E nëse një ditë edhe të tjerët kthehen kështu, prapë do të ketë shpresë, shpresë se ata do të jenë të lumtur në qiell dhe të paharruar në tokë. Kësaj here emrat e tyre ua përcaktuan fatin këtyre nënave. Pashka një mëngjes kaloi oborrin, fushat, varret, rrugën dhe kërceu nga përkohshmëria në përjetësi. Ndërsa Ferdonija mbeti ferdane, e vetme dhe unike. Pashka dhe Ferdonija. Dy nëna, dy dhimbje të së njëjtës tragjedi. Ato mbetën si titrat në fund të një filmi që ishte kryer në fund të shekullit të kaluar. Njëra ndali hapin përgjithmonë në një livadh, midis varreve dhe shtëpisë. Tjetra rri në shtëpi dhe pret qe njëzet vjet. Njëra është ndalur në të martën e saj, tjetra në të shtunën e vet. E si mund të ecin nënat përpara, kur e ardhmja është mbrapa tyre?
KUSH ËSHTË AG APOLLONI?
Ag Apolloni (1982) është shkrimtar nga Kosova. Ka kryer studimet për Dramaturgji në Fakultetin e Arteve dhe për Letërsi në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Prishtinës, ku ka doktoruar më 2012. Ka qenë kryeredaktor i revistës letrare Jeta e Re, ndërsa nga viti 2013 është kryeredaktor i revistës kulturore Symbol. Po ashtu, është profesor në Universitetin e Prishtinës, ku punon që nga viti 2008. Veprat: Zomb (poezi, 2009), Historia e një koleksionisti të syve (drama, 2010), Parabola postmoderne (studim, 2010), Paradigma e Proteut (studim, 2012), Ulurima e Ujkut (roman, 2013), Zazen (roman, 2014), Koferi i Konicës (ese, 2016), Hamleti simbas Horacit (dramë, 2017), Skenderbeu: Manuskripti i Marlout (dramë, 2018), Mesjeta ime (autobiografi, 2019), Commentum 1, 2, 3 (ese, 2019 ), Sandalet e Senekës (poezi, 2020), Një fije shprese, një shkrepëse (roman, 2020). Shpërblimet: “Libri më i mirë poetik i vitit” nga Ministria e Kulturës (Kosovë), për librin “Zomb”; “Libri më i mirë kritik i vitit” nga Ministria e Kulturës (Kosovë), për librin “Paradigma e Proteut”; “Romani më i mirë i vitit” (çmimi “Rexhai Surroi”), për librin “Ulurima e ujkut”; “Drama më e mirë e vitit” nga Teatri Kombëtar i Kosovës, për dramën “Hamleti simbas Horacit”; “Romani më i mirë i vitit” nga Ministria e Kulturës (Kosovë), për librin “Një fije shprese, një fije shkrepëse”.