Nga: Bahtir Latifi/
1.
Në qytetin e Boråsit, në Suedi, jetojnë afër 2.500 bashkatdhetarë, nga Kosova dhe Shqipëria, si dhe vende tjera të banuara me shqiptarë. Ardhja e tyre filloi qysh herët, para 20-30 vjetësh dhe vijon deri në ditët e sotme. Që nga ajo kohë, bashkatdhetarët tanë nuk u ndalen asnjëherë për t’i sherbyer Atdheut të vet, në mënyra të ndryshme. Ata dëshmuan shumë herë, që nga ardhja e tyre e deri tani, se si ata punojnë për vendlindjen e tyre dhe ndihmojnë në çështjen kombëtare shqiptare. Kjo tregon, se sa janë të dashur për vendin, ku lindën dhe u rritën ata vetë, që nga ajo kohë dhe më pas, për t`u larguar drejt mërgimit, por pa dashjen e tyre. Mërgimtarët nuk e harruan vendin e tyre dhe nuk do ta harrojnë kurrë. Këtë gjë ata e dëshmuan me punën e tyre të përditëshme, me veprimtari arsimore e kulturore etj., duke mos harruar asnjëherë nga kanë ardhur, ku e kane vendin, udhën, kulturën, si dhe traditën shqiptare . Pra, u bënë pjesë e historisë së vendlindjes, me ndihmesën e dhënë, në forma të ndryshme.
Edhe bashkatdhetarët e qytetit Boras, në Suedi, e bëjnë një gjë të tillë, duke ndihmuar për vendin e tyre, pa kursyer asgjë. Që nga viti 2007 e deri sot, shqiptarët në këtë qytet u bënë më me zë, se kurrë. Ata hapën Qendrën Kulturore Shqiptare “Migjeni”. Në kuadër të saj, filloi një revistë, e quajtur ”Dituria”, me tematikë për fëmijët e të rinjët, si dhe për prindërit shqiptarë në mërgatë. Revista del një herë në muaj dhe shpërndahet falas për bashkatdhetarët tanë. Ajo shkon nëpër qytetet e Suedisë, ku jetojnë shqiptarë, si dhe në disa vende të Europës e Botës, si në Kosovë e Shqipëri.
2.
Një vit më vonë, pra më 2008, filloi nga puna edhe Radio”Dituria”, po ashtu nga Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni”. Pikrisht në 5-vjetorin e QKSH ”Migjeni” e revistës “Dituria“, që u mbajt një vit më herët, u tubuan në Boras shumë bashkatdhetarë, autorë librash, personalitete të ndryshme të arsimit, kulturës e letersisë, si nga Suedia, Kosova e Shqipëria etj. Ndër mysafirët e ftuar për këtë ngjarje, ishte dhe një grup miqësh nga Tirana: prof.Murat Gecaj, shkrimtari Viron Kona, publicistja Kozeta Hoxha dhe arsimtarja Kadrije Gurmani.
Gjatë kësaj vizite, ata qëndruan katër ditë në qytetin Boras, ku u mahniten me gjithçka, që panë dhe përjetuan për atë kohë, duke vizituar për herë të parë vende të ndryshme, në takime me miq suedezë e shqiptarë etj. Kontaktet me njëri-tjetrin, më parë, ishin për ndonjërin vetëm përmes Internetit dhe jo fizikisht, sikurse kësaj radhe.
Nga kjo vizitë mbresëlënëse, tashmë në librin e ri, “Me zemër në vendlindje”, me autor prof.Murat Gecaj, mund të lexosh krejt çfarë ai dhe kolegët kishin parë e përjetuar. Ishte hera e parë, që ai e vizonte një nga shtetet skandinave, siç ishte Suedia. Në librin e tij, dokumenton se qenë takime të bukura e të paharruara, të këndëshme, me miq e shokë. Nga vizitat e ndryshme, nguliti në kokë krejt, çka ai kishte parë e përjetuar .
Kështu, nga kjo, prof.Murati dëshironte që të gjitha përshtypjet, që mori nga Suedia, t’i publikonte në një libër. Këto i bëri ai për ta kujtuar atë kohë të paharruar , për t`u treguar edhe të tjerëve, për mes librit “Me zemër në vendlindje“, si dhe për t’i falënderuar miqtë suedezë e ata shqiptarë për pritjen, që ata u bënë mysafirëve nga Shqipëria, me rastin e 5-vjetorit të QKSH “Migjeni” dhe revistës “Dituria”, në Boras.
Libri flet, pra, shumë rreth vizitës në Suedi, për takime me njerëz të ndryshem dhe mosha e profesione të larmishme, me miq e kolegë të dashur. Më tej, vazhdon të tregojë autori në këtë libër, për vizitat e mëherëshme, nga miqët suedezë e shqiptarë, në Durrës e Tiranë, komunikimet me bashkatdhetarë, biseda te ngrohta e letra përshëndetëse, falendërime, si dhe fotografi nga më të ndryshmet e shumëçka tjetër.
Në festimet e 5- vjetorit të radios ”Dituria”, në Boras, që u mbajt më 30 mars 2013, ishin musafirë nga Tirana, por kesaj radhe jo edhe prof.Murat Gecaj. Ndërsa këtë herë ai solli dhuratë librin e tij më të ri, “Me zemër në vendlindje”, përmes Viron Konës e Petrit Xhajës, të cilët ishin pjesë e manifestimit tonë kulturor.
Në mesin e disa librave, që u përuruan nga Shoqata e Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesëve Shqiptarë, në Suedi, me kryetar Hysen Ibrahimin dhe anëtarë të tjerë të kësaj Shoqate, që ishin aty mysafirë, u bë edhe përurimi i këtij libri, për të cilin folëm, shkurtimisht, edhe më lart.
Ne e falenderojmë nga zemra prof .Murat Gecaj për librin, që ua kushton bashkatdhetarëve shqiptarë në Suedi, si dhe miqëve sedezë. Urojmë që ai të ketë jetë të gjatë dhe suksese të njëpasnjëshme.
Faleminderit, prof.Murat Gecaj !
2.
Në përurimin e këtij libri foli shkrimtari i njohur, Viron Kona. Më poshtë po japim edhe fjalën e tij, për librin e prof.Gecaj, të mbajtur në Boras, në ditën e 5 –vjetorit të radios “Dituria”:
“Duke qenë i ftuar nga Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni”, në Boras të Suedisë , në festimet e 5-vjetorit të krijimit të revistës ”Dituria” dhe 4-vjetorit të Radios ”Dituria”, në prill të vitit të kaluar, prof.Murat Gecaj është nxitur të shprehet ndjeshëm , me respekt dhe me shumë dashuri , për ato festime dhe për aurelën, që i ka shoqëruar ato, në Shqipëri dhe në Suedi .Këtë gjë, ai e ka realizuar bukur, përmes faqeve të librit më të ri të tij, ”Me zemër në vendëlindje ”(Shenime nga Suedia), i cili u publikua para ditëve në Tiranë.
Kur i lexon , varg njëri pas tjetrit, shkrimet e librit të krijojnë përshtypjen e një buqete me lule të shumëllojshme e të freskëta, të lidhura me ”fjongon” e miqësisë shqiptare-suedeze, por dhe mikpritësve suedezë, të cilët iu gjendën pranë vëllezërve tanë nga Kosova , në ditët e tyre më të vështira , kur mbi ta veproi me egërsinë më më të madhe, gjenocidi serb.
Në shkrimet e këtij libri, pasqyrohen dhe vlerësohen dukuri , episode, dhe ngjarje , veprimtari miqësore shqiptare-suedeze dhe ndjenja atdhedashurie, për vendlindjen Kosovë dhe Shqipërin. Por shprehen edhe meditime rreth asaj, çfarë prof.Gecaj ka përjetuar e ka ndjerë , në ato ditë të qëndrimit dhe të vizitave në Boras e Goteborg të Suedisë mike.Gjithçka është parë dhe shkruar nga këndëvështrimi i një publicisti të sprovuar .Me penën e artë të tij, autori gjen rastin të shprehet bindshëm, argumentues dhe bukur për Suedinë e zhvilluar dhe të përparuar. Njëherazi, shkruan me një gjuhë zemre të ngrohtë edhe për ato vlera thellësisht njerëzore, që e shquajnë popullin suedez.
Cilido lexues i vëmendshëm vëren se ngjarjet, episodet , shënimet , përshtypjet , skicat, reportazhet e bisedat dhe e tërë ngrehina publicistike e paraqitur mjeshtërisht në faqet e librit, ka një bosht, rrezaton një subjekt: Jetën e suedezëve dhe të shqiptarëve , me banim në Suedi; jetën aktuale, mardhëniet e natyrshme dhe tepër njerëzore e miqësore, të krijuara ndërmjet tyre, për një ardhmëri të sigurt; për fëmijët, familjet dhe vazhdimësinë e jetës. Përmes gjinive të ndryshme publicistike, libri pikëzon dhe veçon episode dhe ngjarje, portretizon tipa dhe karaktere njerëzish, shqiptarë dhe suedezë, të moshave dhe profesioneve të ndryshme; vë në dukje e vlerëson dhe gjithçka e bën në mënyrë tepër shprehës, figurative dhe emocionuese.
Libri nisë me lajmin e udhëtimit për në Suedi, nëpërmjet ftesës së veçant të Qendër Kulturore Shqiptare ”Migjeni” në Boras;me udhëtimin ajror drejt Veriut të Europës , në vendin e dikurshëm të vikingëve, kurse sot të suedezëve të zhvilluar, të përparuar dhe shpirtmirë, me botë të pasur njerëzore.Vijon libri me shkrime për brendinë e festimeve të 5-vjetorit të revistës”Dituria” dhe 4-vjetorit të radios ”Dituria ”. Por gjejmë në libër edhe vazhdimësinë e lidhjeve të autorit me kolegë e miq të tij në Suedi , si me anë të Internetit, por dhe nga takimet me ta, në qytetin e Durrësit dhe në Tiranë.
Nëpër faqet e librit kalojnë emra njerëzish, të moshave e profesioneve të ndryshme, shqiptarë e suedezë , fëmijë , nxënës shkollash ,mësues e mërgimtarë të thjeshtë, personalitet të artit e kulturës, miq dhe dashamirës të Shqipërisë e Kosovës; autoritete vendëse, gazetarë, shkrimtarë, artistë, studiues …Emrat e tyre bëhen të njohur nga autori, me respekt e dashuri; ata portretizohen dhe paraqiten bukur, me të veçantat e tyre, me vlerat dhe me mesazhet që përcjellin, nëpërmjet tregimeve, ndodhive, bashkëbisedave të ngrohta e të sinqerta. Nga njëra faqe në tjetrë , lexuesi miqësohet me t , si me njerëz, që ka mall e dëshirë t`i takojë e t`i njohë më nga afër.
E bën tërheqës librin, fakti se ai është shkruar me një gjuhë të pastër letrare e drejtshkrimore, me larmi, ngjyrime e nuanca emocionale, me stil tërheqës dhe origjinal. Gjithashtu, e bën edhe më të plotë librin, pajisja me fotografi njerëzish, vendesh, peisazhesh dhe pamjesh, nga vizitat në Suedinë e bukur, si dhe nga takimet vazhduese, në Durrës e Tiranë.
Do të jetë vetë lexuesi, ai që do ta bëjë vlerësimin e librit ”Me zemër në vendlindje “(shenime nga Suedia), me autor prof. Murat Gecaj. Por, me këtë rast, e urojmë dhe e përgëzojmë atë, për këtë botim të bukur, mbresëlënës e domethënës!”
Boras, prill 2013