Letër e pambyllur drejtuar Presidentit të Komisionit Europian,Jose Manuel Barroso, për çështjet e pazgjidhura të shqiptarëve etnikë nën Malin e Zi/
I mirëseardhur e i nderuari President i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, shqiptarisht ju faleminderit që Bashkimi Europian i dha Shqipërisë Londineze Statusin e Vend Kandidat, një status i bekuar e i vonuar prej kohësh. Sot, në kit’ vizitë Tuajën në Tiranë, po iu adresoj nji letër të pambyllur për “Statusin Special” për Shqiptarët etnik nën Malin e Zi.
Sivjet, më 12 shtator 2014, përploten 22 vjet nga dita e nënshkrimit nga Shqiptarët nën Malin e Zi të Memorandumit për “Statusin Special” drejtuar Konferencës së Paqes për Ish-Jugosllavinë, e mbajtur në Bruksel, Londër e Gjenevë. Kjo kërkesë shqiptare u bazua në Të Drejtën Ndërkombëtare, në Dokumentin e Hagës, kreu II, pika a. b, c (në kuadër të Malit të Zi) dhe me një Mbikëqyrje Ndërkombëtare.
Çështje të këtij Memorandumi u cekën pa vendimmarrje në tre vendmbajtjet e Konferencës, ku për herë të parë në histori morën pjesë edhe përfaqësues politik nga shqiptarët nën Malin e Zi. “Të Mëdhenjtë” e Konferencës u mjaftuan me pak…(!) Ngjarjet, për fat të keq, nga ajo vjeshtë e vitit 1992, nuk ecën në favor të Shqiptarëve nën Malin e Zi. Nuk iu plotësuan kërkesat e tyre legjitime, pasi edhe vet republika/shteti i Malit të Zi si edhe Komuniteti Ndërkombëtar ishin me mjaft angazhime e sipërmarrje nacionale, rajonale e ndërplanetare të mëdha, të shumta, të gjata.
Sigurisht, në “dështimin” e Memorandumit Shqiptar dhe të vet Konferencës së Paqes për Ish-Jugosllavinë, ndikuan disa faktorë ndër vite: a) Zhvillimet nacionale e rajonale nga shpërbërja e RSFJ, Ish Jugosllavia Avnojiste gjatë rregjimit të Millosheviçit; b) Luftërat në shtete e republika kufitare me Malin e Zi si në Kosovë, Bosnje-Hercegovinë e Kroaci, rebelimi i vitit 1997 në Shqipëri, etj.; c) Krijimi i Unionit Serbi-Mali i Zi (Jugosllavia e Tretë) e, mbasandejna, dalja e Malit të Zi shtet më vete, i pavarur e sovran (më 2006) edhe me votat e shqiptarëve etnik të atyshëm; d) Hartimi e miratimi i Kushtetutës së re të Mality të Zi, ngritja e Këshillit Nacional të Shqiptarëve (sikurse edhe për pakicat e tjera etnike), krijimi i Ministrisë për të Drejtat e Pakicave në Mal të Zi, organizma të cilët nuk e ndryshuan gjendjen e randë të shqiptarëve, veçse shërbyen ma së shumti si dekor e demagogji politike e Gjukanoviçit, etj. e) Mos interesimi kombëtar, i drejtpërdrejt, i kushtëzuar e i vazhdueshëm nga Shqipëria dhe Kosova për disa çështje shqiptare në Malin e Zi; f) Mos kërkesa e plotë dhe lëshimet e shumta të Bashkimit Europian e të NATO-s dhe disa vendeve antare të tyre ndaj shtetit të ri e të vogël të Malit të Zi lidhur me Të Drejtat e Njeriut e Pakicave Etnike (për Shqiptarët etnik) në kuadrin e integrimeve euro-atlantike.
Sot, në dekadën e tretë (1992-2014) të Memorandumit të Shqiptarëve nën Malin e Zi drejtuar Konferencës së Paqes për Ish-Jugosllavinë shohim se realitetet etnike, politike, ekonomike, kulturore, etj. për shqiptarët etnik nuk kanë ndryshuar për mirë, por janë përkeqësuar me perspektivë ma të errët. Milo Gjukanoviç, me një mandat të plotë si president e në të shtatin mandat si kryeministër (1991-2014), lideri politik ma jetëgjatë në Ballkan e Europën e Bashkuar, po ushtron në vazhdimësi një politikë shtetërore shovene kundërshqiptare, të papranueshme për shek. XXI, me elementë neo-kolonial e racist të sundimit të egër, të spastrimit e asimilimit etnik, të shtetëzimit pronësor dhe genocid etnik, politik, kulturor, ekonomik. Kaq e egër është kjo politikë e shtetit të Malit të Zi ndaj shqiptarëve etnik saqë i ka detyruar të dalin në protesta e demonstrata aktive, masive e të shpeshta. Sivjet, rasti ma i fundit ishin protestat e shqiptarëve në Tuz – Malësi (6 prill 2014) e në Plavë-Guci (8 prill 2014). Më 8 prill 2014 u organizua një demonstratë e fuqishme para Shtëpisë së Bardhë e ambasadës Malazeze në Uashington, ku shqiptaro-amerikanët me origjinë nga shtetet e trevat shqiptare në Malin e Zi e në Ballkan protestuan gjatë vizitës të Gjukanoviçit në Amerikë, kundër këtij diktatori shovinist e racist në Europën e Bashkuar e “gospodar” i egër antishqiptar në Malin e Zi, njësoj sikur Krajl Nikolla I në kohën e tij. Me dhjetra herë në dy vitet e fundit e kanë ngritë zërin e tyre edhe shoqatat e fondacionet shqiptare me prejardhje nga trojet e veta etnike nën Mal të Zi e që veprojnë në SHBA e në Europë si: Shoqata Atdhetare ‘’Malesia e Madhe, Fondacioni ‘’Plave Guci’’, Shoqata Atdhetare’’ Ana e Malit’’, Fondacioni Humanitar ‘’Malësia’’, Fondacioni ‘’Ded Gjon Luli’’, Shoqata e Plavë-Gucisë për Europë, Fondacioni ‘’Dom Simon Filipaj’’, Shoqata Atdhetare ‘’Kraja’’, Shoqata Atdhetare ‘’Ulqini‘’, etj.
I nderuari President i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, ju baj me dije me shqetësim të lartë se shqiptarët etnik nën Malin e Zi, si rrallëkush në Ballkan e Europën e Bashkuar, kanë çështje të pazgjidhura të ekzistencës të identitetit shqiptar, të mbijetesës fizike, ekonomike e politike, etj. Kjo, nga disa problematika që nga koha e Konferencës së Paqes për Ish-Jugosllavinë, të cilat presin zgjidhje sa ma të shpejtë:
a) Shpopullimi i pandalur i viseve shqiptare nën Malin e Zi nga politikat antishqiptare të shtetit gjukanoviçian. Në mbi dy dekadat e fundit popullsia etnike shqiptare në trevat e veta etnike është ulur në rreth dy herë. Sipas Memorandumit shqiptar të 12 shtatorit 1992 kërkohej që në komunat etnike shqiptare, me shumicë shqiptare, t’iu njihej e drejta shqiptarëve etnik për të qeverisur vetë në mënyrë autonome, si në fushën e rendit publik, në polici, në prokuroritë komunale, në gjykatat lokale, në arsim, në shëndetësi, në shërbimin e të ardhurave dhe në shërbimin pronësor juridik, në kadastër, në urbanizëm, në inspeksione, në shfrytëzimin e të mirave natyrore, etj. Një shembull: në komunën e Plavë-Gucisë në vitin 2012, sipas ligjshmërisë e përqindjes shqiptare, ishin mbi 200 vende punë për shqiptarët në këta sektorë, po iu kishin dhanë vetëm mbi 60 prej tyre (!)
b) Mos lejimi i perdorimit të simboleve kombëtare. Rasti i fundit i përket 23 qershorit 2014: Në selinë e komunës së re të Gucisë me 40 për qind popullsi etnike shqiptare, në sallën e mbledhjes të kontituimit të parlamentit lokal të saj, nga partitë malazeze-serbe-boshnjake në pushtetin qëndror në Podgoricë e atë lokal në Guci, nuk u lejua qëllimisht vendosja e Flamuri Kombëtar Shqiptar, po vetëm i Flamurit Shtetëror të Malit të Zi e ai i komunitetit Boshnjak, pavarësisht se u kërkua zyrtarisht e publikisht edhe nga partia shqiptare, Lidhja Demokratike në MZ. Ka plot fshatra me popullsi të madhe shqiptare si në bregdetin e Tivarit e Ulqinit, Ultinën e Podgoricës, në Plavë, Guci e Rrozhajë, ku nuk gjen në territorin e tyre as tabela e mbishkrime në gjuhën shqipe dhe në shumë fshatra të tyre nuk ka shkollë shqip, etj.
c) Përpjekjet për ndryshimin e strukturës demografike duke sjell ardhacakë serbë, boshnjakë e malazezë në komunat etnike shqiptare, me shumicë shqiptare. Rasti ma i fundit, i sivjetëm:(ish)kryebashkiaku i Podgoricës, Miomir Mugosha i partisë së Gjukanoviçit, në komunën urbane shqiptare të Tuzit, pikërisht në trevën e fisin shqiptar historik të Grudës, tek vendbanimi Dheu i Zi, ka ngritë një lagje të madhe me boshnjakë të ardhur nga brigje të degëve lumore të Limit, etj.
d) Ndryshimi i ligjit për përfaqësimin e popullit Shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi.
e) Arrestimet e burgosjet gjatë aksionit famëkeq e terrorizues “Fluturimi i Shqiponjës” në Tuzi; arrestimet e 23 shqiptarëve në fshatin Martinaj të Gucisë, etj.
f) Injorimi dhe mos dhënja e të drejtës të komunës urbane të Tuzit për të dalë komunë më vete në ndarjen administrative-territoriale të Malit të Zi. Ndarja e krahinës etno-historike e komunare të Plavë-Gucisë në dy komuna, në atë Plavës e të Gucisë, me qëllim defaktorizimin e shqiptarëve, shpërnguljen apo asimilimin e tyre.
g) Eksproprimi skandaloz i pronës private në emër të krijimit të parqeve nacionale në pronat private të shqiptarëve të Plavë-Gucisë, Rrozhajës, etj. Marrja e kompetencave në mënyrë arbitrare për pasuritë detare të komunës së Ulqinit, konfiskimi i pronave private të shqiptarëve në Gjirin e Valdanosit; etj.
h) Çështja e pambyllur e (demarkacionit) përcaktimit të kufijve tokësor, detar e liqenor e lumor të Malit të Zi me Shqipërinë e Kosovën.
I nderuar President i Komisionit Europian, kjo gjendje e rëndë e shqiptarëve etnik në trevat e veta etnike nën Malin e Zi, diskrimini i institucionalizuar etnik, ekonomik, politik, kulturor, etj. ndaj shqiptarëve, mos zgjidhja e problemeve shqiptare në rritje qyshse nga Memorandumi Shqiptar i 12 shtatorit 1992 dhe Konferenca e Paqes për Ish-Jugosllavinë (Bruksel, Londër, Gjenevë), etj. duhet të mos i kthejnë shqiptarët e viset e tyre në një “Çamëri të dytë” për shtetet e trevat shqiptare në Ballkan dhe as në një “Mitrovicë të dytë” për Europën, Amerikën e Botën. Ndërgjegja e Europës dhe e botës euro-atlkantike nuk duhet të heshtin me vetëdije dhe as të presin ma gjatë, pasi Mali i Zi, vend kandidat për në BE e NATO ka edhe detyrime ndërkombëtare.
Sivjet, më 2014, ma shumë se astenjëherë në historinë e re moderne, ka ardhë koha emergjente për mbajtjen e një Konference Ndërkombëtare për “Statusin Special” të Shqiptarëve nën Malin e Zi me Mbikqyrje Ndërkombëtare.
Me konsideratë të lartë
Ramiz Lushaj
Drejtor ekzekutiv i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike
Tiranë, 30 qershor 2014