– U organizua Ceremonia e dymbëdhjetë vjetore pranë Monumentit të Lirisë kushtuar viktimave të Komunizmit.
– Rreth 100 organizata dhe individë bënë homazhe dhe vendosën Kurora me lule.
– Në ceremoni morën pjesë edhe vendosën kurora vatranë nga dega e Tampës dhe Washingtonit.
– Anëtari i kryesisë së Vatrës dhe arkëtar i saj, njëkohësisht drejtor i Qendrës Kulturore”Nënë Tereza”, pranë Kishës “Zoja e Shkodrës” Marjan Cubi me zonjën Dilë, Mark Mrnacaj-anëtar i këshillit të Vatrës me Paul Mrnacaj vendosën kurorën në nderim të lumit Shtjefën Kurti, ekzekutuar nga diktatura komuniste për shkak të pagëzimit të një fëmije.
***
Washington, 14 Qershor 2019- Sponsorizuar nga Fondacioni i Viktimave të Komunizmit në Uashington DC dhe nga rreth njëqind organziata e individë të ndryshëm, sot me datën 14 Qershor 2019 u organizua për të dymbëdhjetën herë në Uashington DC ceremonia vjetore për thirrjen e kombeve për të vendosur kurora dhe Prezantimi i Medaljes së Lirisë “Truman –Regan”. Ceremonia u organizua në Uashington DC tek sheshi ku takohen rrugët Masacussets dhe Nju Xhersi dhe aty ku ndodhet Monumenti i Lirisë në zemër të Uashingtonit. Merrnin pjesë përfaqësues nga shumë organizata e familje nga gjithë bota që përkujtojnë viktimat e regjimeve komuniste dhe gjithashtu edhe përfaqësues të ambasadave të vendeve të robëruara e të persekutuara nga komunizmi, përfshi edhe atë të Republikës së Shqipërisë Znj. Eva Dore, sekretare në Ambasadë, vendosi kurorën në emër të Ambasadës shqiptare në DC .
Nga shqiptarët e Amerikës, përfaqësues të organizatave, institutcioneve dhe familjeve të persektuara u vendosën disa kurora dhe buqeta me lule.
Vatranët Marjan Cubi e bashkëshortja e tij Znj.Dila Cubi , Z.Mark Mrnaçaj e Z.Paul Mrnaçaj nga Nju Jorku bënë homazhe, nderuan dhe vendosën një kurorë të madhe e të mbushur plot me lule të freskëta për nder të Të Lumit Shtjefën Kurti. Kurora ishte shoqëruar me mbishkrime dhe me foton e të Lumit Shtjefen Kurti, i cili u vra nga komunistët në Tetor të vitit 1971 sepse pagëzoi një fëmijë. Kurora ishte porositur nga djali i vëllait të të Lumit, nipi i Dom Shtjefnit, Z. Nikolin Kurti nga Tirana, dhe bashkëkombasit shqiptaro- amerikanë , çifti Cubi e kushërinjtë Mrnaçaj erdhën nga larg dhe nderuan në emër të tij dhe gjithë familjes por edhe në emër të tyre e familjeve të tyre pasi edhe ata e kanë ndjerë rëndë thundrën e hekurt dhe persekutimin komunist. I lumi Shtjefen Kurti u lindi në Ferizaj të Kosovës, më 25 dhjetor të vitit 1898. U shugurua meshtar në Romë më 13 maj 1921. Erdhi në Shqipëri më 6 janar 1930, bashkë me Dom Luigj Gashin e Dom Gjon Bisakun. U arrestua në Tiranë më 28 tetor 1946, dhe u dënua me njëzet vjet burg, prej të cilëve bëri 17 në burgun e Burrelit. Pas mbylljes së kishave u dërgua në Gurëz (Milot). U arrestua përsëri më 11 qershor 1970 dhe u dënua me vdekje «in odium fidei». U pushkatua më 20 tetor 1971.
Z. Tasim Ruko dhe zonja e tij Gina Ruko, Z.Endri Filipi dhe Znj.Mira Dado-Filipi vendosën kurorë në emër të Degës së Vatrës në Tampa Florida. Kjo nuk është hera e parë për këta Vatranë që vijnë e marrin pjesë në këtë ceremoni vjetore. Ata udhëtojnë nga larg për këtë qëllim dhe kalojnë kohë me bashkeatdhetarët në DC.
Prindrit e Vatranes Merita McCormack, Z. Sami dhe Znj.Hamide Bajraktari, që kishin udhëtuar nga Toronto , Kanada, dhe Merita vetë, bënë homazh e vendosën lule në emër të familjarëve të familjes Kalaja nga fshati Zemblak i Korçës, që është familja e Znj.Bajraktari, nënës së Meritës.
Z.Haxhi Dauti dhe Z. Kalosh Sela nga veri Lindja Amerikane gjithashtu nderuan e vendosën kurorë në emër të Këshillit Shqiptaro- Amerikan. Përfaqësuesit e degës së vatrës në DC, Z. Armin Zotaj dhe Z. Eduard Buçaj vendosën një kurorë, gjithashtu edhe Z.Mustafa Xhepa vuri një kurorë në emër të Shtëpisë së Lirisë Shqiptaro-Amerikane . Ishin edhe disa shqiptaro amerikanë të tjerë prezent që shoqëruan e përcollën ceromoninë. Ndër ta ishte edhe ish Kryetari Vatrës Dr.Gjon Buçaj dhe bashkëshortja e tij Znj. Nikoleta.
Znj.Mimoza Boletini , vajza e saj Marilyn dhe Znj.Janulla Rapi, kishin udhëtuar nga Nju Jorku për homazhe dhe vendosën një kurorë në emër të organizatës “Hope and Peace”.
Ceremoninë e bekoi Rev. Charles H. Hall CH(Col) , pesident i Veteranëve Amerikane të Luftës së Ftohtë.
Drejtori egzekutiv i Fondacionit Z.Marion Smith mirëpriti të pranishmit dhe pastaj foli themeluesi dhe presidenti i Fondacionit Z.Lee Edwards.
Ata folën për krijimin e shërbimin e fondacionit dhe për synimet e tyre në të ardhmen.
Një partenritet mes fondacionit dhe Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ftohtë sapo është krijuar dhe kjo u përshëndet nga të pranishmit.
Pas kësaj u dha medalja “Truman Regan” dhe këtë vit kjo ju dha Kolonelit 98 Vjeçar Gail.S Halvorsen USAF (në pension) i cili quhet edhe ndryshe“ Bombarduësi me karamele”. Medalja u pranua nga djali i Kolonelit pasi vetë koloneli ndodhej në Berlin për një cermeoni tjetër përkujtimore si kjo.
Pas kësaj u vendosen kurorat dhe u bënë shumë fotografi.
Shumica e shqiptarëve Vatranë në këtë ceremoni u mblodhën pas ceremonisë për të ndenjur biseduar , për të gëzuar shoqërinë e njeri tjetrit, ndërkohë që vatrani Mark Mrnaçaj ishte nikoqiri i kafes. Gazetarët Burim Goxhulli nga VOA, Seksioni shqip dhe Z Beqir Sina nga Bota Sot mbuluan gjërësisht aktivitetin dhe bënë disa intervista të cilat do të dalin në ditët në vijim.(Korresp e Diellit në Washington DC)