


Julika Prifti/
34 vjet më parë si sot letra për Profesorin Arshi Pipa nga Peter Prifti hedh dritë në një miqësi të rrallë midis tyre pavarësisht dallimeve në perceptimet filozofike të çështjes gjuhësore dhe mospajtimeve të tjera. Të dy ishin intelektualë shqiptarë, të edukuar në perëndim, të cilët jetonin dhe jepnin kontributin e tyre në vendin e adoptuar. Mënyra e komunikimit qytetar imponon respekt dhe bën kontrast të fortë me normat e ulëta të debatit në të gjitha nivelet e administratës dhe jetës publike në Shqipëri si edhe prej disa shqiptarëve jashtë saj.
Letërkëmbimi Arshi Pipa-Peter Prifti ka filluar qysh në vitet 1970, kohë e cila përkon me thuajse 20 vite korrespondencë dhe bashkëpunimi midis tyre.
Të dy korresponduesit kanë ndërruar jetë vite më parë por letrat e tyre flasin vetë për miqësinë dhe respektin e ndërsjelltë gjatë periudhës komuniste në Shqipëri, në kohën e ndryshimeve politike në vendin tonë si edhe në ish-Jugosllavi, përkatësisht në Kosovë. I bindur në idetë e tij, me maturi por edhe pa frikën e humbjes së miqësisë së çmuar me një mik, intelektual e bashkëpunëtor të vjetër, Peter rendit argumentet e tij pa asnjë hije fyerje, ironie, sarkazmi apo vetëkënaqësie. Ai beson në forcën e fakteve, të debatimit të lirë të mendimit dy studiuesve me të drejta të barabarta për të shkëmbyer idetë dhe qëndrimet e tyre në të mirë të shkencës së gjuhësisë dhe më tej.
Letra e datës 13 janar 1992 vjen pas një festimi zyrtar në Vatër në Bronx, nën kryesinë e Profesorit Arshi Pipa, ku Peter shkon si përkthyes shtetëror i delegacionit të sindikatave të pavarura nga Shqipëria. Kjo vajtje merr ‘nuanca politike’. Pasi jep sqarimin e nevojshëm, Peter shkruan “ti dhe unë kemi pikëpamje të ndryshme, të kundërta për disa çështje me rëndësi,” si gjuha e njësuar, disa “pika me rëndësi në lidhje me Kosovën” si “edhe për vlerësimin tënd të punës dhe personit të Ismail Kadaresë.”
Por, vazhdon ai “Intelektuali e ka për detyrë t’i qëndrojë besnik së vërtetës, ashtu siç e kupton ai, dhe të verë në dukje pikëpamjet e veta. (Por kjo nuk duhet të ndalojë çdo formë bashkëpunimi midis dy vetave). Në fund të letrës Peter shkruan se “Pavarësisht nga këto mosmarrëveshje, unë nga ana ime do të përpiqem ta ruaj miqësinë tonë si diçka të shtrenjtë dhe të rrallë.”
Kjo letër është pjesë e letërkëmbimit 25 vjeçar midis Peter Priftit dhe Profesorit Arshi Pipa, ruajtur në arkivin e familjes Prifti. Epistolari do jetë në botim së shpejti.
San Diego, Cal.
Më 13 janar, 1992
I dashur Arshi!
Të falemnderit për karturimin që më dërgove, gjë që shpreh edhe njëherë kujdesin dhe miqësinë që ke për mua. Megjithatë, më duket se ndodhja ime në darkën e Vatrës në Bronx në Nëntorin e kaluar, ka krijuar një përshtypje të gabuar, dhe si e tillë kërkon shpjegim.
Unë erdha atje për shkak të delegacionit të sindikatave të pavarura nga Shqipëria, që e shoqërova në Amerikë si përkthyes. E quajta, pra, për detyrë ta shoqëroja delegacionin edhe në festimin që organizoi Vatra. Duke qenë atje, u përshëndosha edhe me ty, por vetëm si shok dhe mik i vjetër; dmth, për hatërin e miqësisë sonë. Ai takim nuk kish kuptim apo nuanca “politike”; pra , nuk do të thotë se unë jam dakort me Vatrën.
Në përgjithësi, Vatra sot pasqyron tezat e tua për çështet kombëtare, dhe kjo kuptohet, si kryetari i saj që je.
Mirëpo, sikur e di edhe vetë, ti dhe unë kemi pikëpamje të ndryshme, të kundërta për disa çështje me rëndësi.
Nuk pajtohemi për çështjen e gjuhës se njësuar shqipe. Kemi mosmarrëveshje mbi disa pika me rëndësi në lidhje me Kosovën. Edhe për vlerësimin tënd të punës dhe personit të Ismail Kadaresë, nuk jemi të një mendje. Këtë të fundit nuk ta kam thënë më parë, se mendoja se ndofta do të të shqetësoja, duke e hapur edhe më shumë hendekun e mospajtimi të pikëpamjeve tona, ndërsa tash nuk e shoh të arsyeshme ta mbaj si me thanë “sekret”. Unë e di se ti nuk i druhesh kritikës, mbasi ti vetë e ke ushtruar atë si profesion për 4-5 dekada. Në mos gabohem ti jo vetëm që nuk ruhesh nga kritikat, por më ke thënë njëherë se i mirëpret ato, dhe fton vërejtje të tilla nga të tjerët. Ky është me të vërtetë qëndrim i denjë, qëndrim i intelektualit të pjekur, demokrat dhe humanist.
Megjithatë, me vjen keq të pohoj këto konflikte pikëpamjesh midis nesh. Do te doja që ne të dy të kishim pikëpamje të njëjta dhe të bashkëpunonim ngushtë, si në të shkuarën. Mirëpo kohët kanë ndryshuar dhe, siç e di edhe vetë, intelektuali e ka për detyrë t’i qëndrojë besnik se vërtetës, ashtu siç e kupton ai, dhe të verë në dukje pikëpamjet e veta. (Por kjo nuk duhet te ndalojë çdo formë bashkëpunimi midis dy vetave). Pavarësisht nga këto mosmarrëveshje, unë nga ana ime do të përpiqem ta ruaj miqësinë tonë si diçka të shtrenjtë dhe të rrallë, duke menduar se ajo ka vlerën dhe vendin e saj në marrëdhëniet shoqërore dhe tonat.
Të uroj shëndet të mirë.
Përqafime, Peter R. Prifti.