

Adelina Laçaj/
Ishte kënaqësi dhe nder i veçantë të përfaqësonim Shkollën Shqipe “Skënderbej” në shfaqjen e baletit “Don Quixote”, të organizuar nga Ajkun Ballet Theatre në Manhattan, New York, me ftesë dhe mbështetje të Kryesisë së Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skënderbej”. “Don Quixote” është një balet plot jetë, humor dhe energji, i frymëzuar nga aventurat e kalorësit ëndërrimtar Don Kishoti. Me valle spanjolle plot ngjyra, koreografi mbresëlënëse dhe interpretim artistik të nivelit të lartë, baleti përcjell mesazhe të bukura mbi dashurinë, guximin dhe fuqinë e imagjinatës.
Në këtë shfaqje patëm nderin të ndiqnim performancën e dy balerinëve shqiptarë të kësaj trupe, Klevis Tafaj dhe Bianka Skenderi, të cilët spikatën me profesionalizmin dhe talentin e tyre. Salla ishte e mbushur plot me artdashës dhe qytetarë të New Yorkut, të cilët nuk i kursyen duartrokitjet gjatë gjithë interpretimit. Niveli artistik i trupës, teknika e lartë interpretuese dhe harmonia e lëvizjeve krijonin një atmosferë magjepsëse që e bënte spektatorin të përjetonte çdo moment me emocion dhe kënaqësi. Kostumet e pasura dhe skenografia elegante e transportonin publikun në kohën dhe hapësirën e ngjarjeve evropiane që pasqyroheshin në vepër.
Një nga elementët më të bukur të këtij baleti ishte ndërthurja e natyrshme e skenave dhe grupeve të ndryshme artistike, të cilat jo vetëm ndihmonin në ndërtimin e rrjedhës së historisë, por gjithashtu krijonin larmi artistike dhe mundësi që secili interpretues të shfaqte individualitetin, aftësitë dhe virtuozitetin e tij.
Në fund të shfaqjes patëm kënaqësinë të takoheshim me disa prej interpretuesve, si dhe me zonjën Chiara Ajkun, drejtoreshën artistike të trupës. Me profesionalizëm, përkushtim dhe vizion artistik, ajo arrin të bashkojë talente nga vende të ndryshme të botës, duke krijuar një trupë të harmonizuar dhe të suksesshme. Puna e saj dëshmon jo vetëm aftësi të larta drejtuese, por edhe një dashuri të veçantë për artin e baletit dhe zhvillimin e brezave të rinj të artistëve.
Duke i uruar suksese të mëtejshme Ajkun Ballet Theatre dhe të gjithë artistëve të saj, shprehim mirënjohjen për përvojën e pasur kulturore dhe artistike që morëm me vete atë mbrëmje. Kjo shfaqje na kujtoi edhe një herë rëndësinë e artit si burim frymëzimi, edukimi dhe zhvillimi për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.