“Nata e Diasporës” dedikuar studiuesit dhe gjuhëtarit të shquar Dr.Ismail Doda.
Nga Ramazan Çeka
U nisa me kënaqësi të madhe të marr pjesë në këtë aktivitet, jo thjeshtë si gazetar, por edhe si një bir i kësaj treve, më saktë krahine, ku kanë lindur të parët e mi, ku unë kam origjinen time që është thellësisht shqiptare, por që një vijë e vendosur padrejtësisht e ka ndarë bashkë me disa vise të tjera nga trualli etnik shqiptar.
Kraja është një krahinë që në pozicionin e saj gjeografik duket sikur Liqenin e Shkodrës e ka në prehërin e saj. Ajo është madhështore, jo vetëm gjeografikisht, por dhe historikisht, pasi duke qenë një Malësi, ajo si askush tjetër ka ruajtur me pastërti traditat e lashta shqiptare, por mbi të gjitha Eposin Legjendar Shqiptar.
Në ato lugina, kroje, bjeshkë, për mijëra vjet u ruajtën këto pasuri të mrekullueshme, këto këngë, këto zakone e tradita, për të cilat në gjithë jeten e tij u kujdes për t’i studiuar, dokumentuar e publikuar, Dr. Ismail Doda, profesori i nderuar, mësuesi më i respektuar në trevat shqiptare të Malit të Zi, ai burrë që në këtë krahinë kaq interesante ia kushtoi jeten shqiptarizmës.
Respekti për birin e kësaj krahine dhe vepren e tij ishin motivi që Shoqatat “Kraja” në Amerikë me kryetar z. Sami Kandaqi dhe në Krajë me zonj. MeDina Curra, u frymëzuan që aktivitetin e këtij viti t’ja dedikojnë këtij personaliteti.
Gushti, si një muaj i nxehtë i tërheq njerëzit nëpër plazhe dhe resorte, por mërgimtarët që kanë origjinen nga kjo krahinë, vijnë në vendlindjen e tyre për të organizuar edhe aktivitete të ndryshme, që tanimë, kanë krijuar edhe traditë.
Gjithmonë tematikat e këtyre aktiviteteve janë të bukura e të larmishme, janë pasqyrë e një kulture mijëra vjeçare, por falë organizatorëve ka edhe zgjedhje të bukura e të duhura. E tillë ishte “Nata e Diasporës” në Krajë. Bijtë e bijat e Krajës, familjarët e tyre, nipërit e mbesat, këtë radhë kishin bërë një zgjedhje shumë të veçantë: Nderimin për birin e tyre të shquar, mësuesin e shumë e shumë brezave.
Të gjithë e uronin në këtë “sofër” njëri-tjetrin “Mirë se keni ardhë”, për të nderuar burrin e ditur dhe të shquar Dr. Ismail Dodën, pasi kontributi i tij nuk është vlerë vetëm atë, por gjithë krahinen tonë.
Të kthehemi tek festa kaq e bukur dhe madhështore që freskoi këtë mbrëmje krajane, jo vetëm për spektaklin e organizuar, por për emocionet që përjetohen në vendlindjen e të parëve, e në rastin tonë në këtë krahinë kaq të bukur që quhet Krajë.
Në këtë krahinë ka lindur i pari shqipshkrues i gjuhës së bukur shqipe, humanisti Gjon Buzuku, autor i të parit “Meshar” shqip, por pas 500 vjetëve ka lindur edhe një shqipstudiues, Ismail Doda, i cili gjatë gjithë karrierës së tij ka pasur një mbështetje të jashtëzakonshme nga të gjithë akademikët dhe shkencëtarët albanalogë, duke e pranuar atë në mes tyre, jo si titull honoritik, por si i barabartë, sepse kontributi i Dr. Ismail Dodës për krahinen e Krajës, përkatësisht gjuhës dhe folklorit shqiptar është i paçmuar.
U ndala, por jo gjatë tek figura e Dr. Ismail Dodës dhe nënvizova motivin qytetar e krahinor të këtij aktiviteti, të cilin natyrisht organizatorët nuk e kishin planifikuar si një aktivitet solemn, por si një mbrëmje të bukur, entuziaste, me mall për të gjithë bijtë e saj, për vendas e të ardhur.
“Nata e Diasporës” u përjetua nga të gjithë pjesëmarrësit si një festë madhështore në qendër të Krajës, në Ostros, në qytezën e vogël e të bukur që gjithmonë ka qenë qendra e të gjithë krajanëve.
Kjo sofër bujare dhe tradicionale bashkon ndër vedi njerëz të një origjine dhe të një gjaku dhe ruan një rol shumë të rëndësishëm, atë të ruajtjes së marrëdhënieve të lashta fisnore, të lidhjeve familjare dhe të një mësimi të madh, të edukimit të brezave dhe trashëgimisë së këtyre vlerave.
Kështu pra në këtë spektakël madhështorë, me mall e emocion u pritën bijtë e Krajës, jo thjeshtë si Diasporë, por si ata që me të afërmit e tyre mbajnë të gjallë e të pavdekshme Krajën.
Performancat e mrekullueshme të artistëve të skenës, të këngëve dhe valleve, natyrisht e bënë këtë mbrëmje të nxehtë gushti të këndshme, të gëzuar dhe të freskët.
Interpretimet e këngëtarëve “Mjeshrave të Mëdhenj” Shaban Gjekaj dhe Gëzim Salaj u pasuan nga të mrekullueshmit këngëtarë Hajro Ceka, Vida Kunora, Gentjana Tafili, Myzafer Koliqi, Vesel Pelinku Egzona Salaj, Blerim Marshiqi, Ismet Aloshi, Luigj Lukiqi, etj. shoqëruar nga instrumentisti Ardit Seferi.
Asnjë gjeth nuk lëviste, ku dukej se edhe gështenjat madhështore po tregoheshin indiferente, por zërat e mrekullueshëm përcillnin freskinë e tyre si një fllad që vinte nga Liqeni Legjendar i Shkodrës.
E fillova shkrimin me një farë detyre që i vura vetes për të marrë pjesë në këtë aktivitet dhe e kam për detyrë ta mbyllë me kënaqësinë e madhe që ndjej në këto momente që po shkruaj.
Ishte një udhëtim i paharruar. Çdo udhëtim ka peripeci e vështirësi dhe nganjëhërë sa më shumë që ndodhin, aq më të bukur bëhen.
Kraja nuk është larg nga Shkodra, por të jesh pjestar, grup me gazetaren dhe moderatoren e mrekullueshme të TV1 Channel të Shkodrës, Linda Kavaja Doda, e cila është bijë nga këto krahina, rruga bëhet më e lehtë, por në këtë rast këtë udhëtim na e bënë më të këndshëm këngëtaret e mrekullueshme Vida Kunora dhe Gentjana Tafili.
Surpriza e parë pasi kaluam kufirin në Muriqan erdhi e këndshme për ne në lokalin “Panorama” ku na priti miku im i mrekullueshëm Mirsad Kovaçi, ish kryetar i Shoqatës “Kraja” në Amerikë.
Pak orë më pas na priti organizatori i kësaj veprimtarie, i nderuari Safet Doçi, anëtar i Shoqatës “Kraja” në Amerikë, gjithmonë i gatshëm për vendlindjen, i cili edhe na kishte ftuar dhe për këtë kemi një falenderim të veçantë. Gjithashtu me shumë mirënjohje na pritën edhe Nënkryetarja e Shoqatës “Kraja” në Amerikë zonj. Venera Gjenashaj, si dhe Kryetarja e Shoqatës “Kraja” në Krajë zonj. MeDina Curra, e cila ishte edhe pjestare e organizimit të kësaj veprimtarie artistike.
Spektakli filloj në mbrëmje, ku menjëherë në podiumin e tij u ngjten moderatoret simpatike Fatjona Vukaj dhe Linda Kavaja, të cilat me performancat e tyre eklektrizuan të pranishmit, duke përcjellur emocionet që artistët sollën në këtë skenë.
Në këtë shkrim nuk mund të lë pa përmendur përkushtimin e z. Mirsad Kovaçi që këto ditë bëri të mundur përmes sponsorizimit të tij një këngë kushtuar Krajës, me këngëtaren e mrekullueshme Vida Kunora, i cili u bë edhe shoqëruesi dhe ndihmësi ynë kryesor, duke na qëndruar pranë dhe duke na lehtësuar të gjithë mbarëvajtjen e punës sonë për realizimin edhe filmik të këtij aktiviteti, ku më interesantet ishin intervistat, pasi Mirsadi ishte më i njohur me të gjithë aktivistë e këngëtarë të ardhur nga Diaspora e deri në Shkodër e Ulqin.
Qershia mbi tortë ishte kur në skenë u ngjit personazhi kryesor i mbrëmjes, profesori, ashtu siç e thërrasin të gjithë, mësuesi veteran i shumë e shumë brezave dhe studiuesi i shquar i kësaj treve Dr. Ismail Doda.
Z. Safet Doçi, organizatori i këtij aktiviteti i dhuroi me shumë emocion një çertifikatë “Mirënjohje”, duke i shprehur publikisht me fjalët edhe mirënjohjen e tij: “Jam shumë i emocionuar që në këtë mbrëmje të jashtëzakonshme më jepet mindësia ta nderoj profesorin, atdhetarin tonë të shquar”.
Me shumë fjalë emocionuese Dr. Ismail Doda mori çertefikatën e mirënjohjes dhe nderoi organizatorët, publikun dhe Krajen.
Gusht 2022