
Arben Iliazi/
81 vjetori i gjenocidit ndaj popullsisë çame
Thuajse 31 vite më parë, në vitin 1994, Parlamenti i Shqipërisë e shpalli 27 qershorin si ditën e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë. 27 Qershori i vitit 1944, shënon një nga ditët më të errëta të historisë kombëtare shqiptare. “2770 jetë njerëzore u masakruan barbarisht në shtëptitë e tyre, 68 fshatra u dogjën, 159 fshatra të tjerë u grabitën dhe rreth 30 mijë shqiptarë të Çamërisë u dëbuan nga tmerret e bandave paramilitare të Napoleon Zervës. Rreth 2900 të tjerë vdiqën nga uria, etja dhe sëmundjet në një rrugëtim biblik drejt Shqipërisë dhe ata sot prehen në varrezat e Kllogjerit.
Të vërtetën e masakrave na e zbulon, dashur pa dashur, kronisti i Napoleon Zervës, Miridhaqi. Citojmë nga libri i tij “Agones Tis Filisi Ethiqi Antistasi EDES-EOEA”, 1941-1944, Athinë 1952,f.191: “Për pastrimin e gjithë krahinës (Çamërisë) nga çamët u caktuan Komanda e Përgjithshme nën udhëheqjen e Agoras dhe Gallanit, sidhe 11 Batalione të komandës së përgjithshme”. Historiani Jani Shara në librin (Istoria perihois Igumenicas 1500-1950, Athinë 1985, F.205) shkruan: “Ditën e parë të shpalljes së luftës, Metaksai i arrestoi gjithë myslimanët çamë dhe i internoi në Ishujt e Egjeut. Ky veprim i tij ishte një gabim i madh, sepse në këtë rast elementin mysliman e vendosi në kampin armik. (faqe 607). “Njerëzit e ndershëm grekë, nuk ishin dakord për veprimet e ndërmarra nga qeveria greke ndaj çamëve. Po ky autor vazhdon: “Vendimi se shqiptarët çamë do të bashkëpunonin me okupatorin bazohej vetëm në hipoteza”. (f.618). “Çamët, që ishin ushtarë në ushtrinë kombëtare greke, kërkuan armë për të luftuar okupatorin, por nuk u dhanë, veçse kazma e lopata”. (f.606).
Edhe shkrimtari dhe historiani grek Niko Zhango, në librine tij “Imperializmi anglez dhe lufta e popullit grek për liri”, jep dëshmi rrëqethëse: “Nuk është e mundur të jepet numri i saktë i shqiptaro-çamëve të Paramithisë që u ekzekutuan në grupe ose veças, sepse në këtë qytet kishin gjetur strehë edhe shqiptaro-çamëtë fshatrave përreth, por dua të theksoj atë çka më thanë edhe edhesitët (zervistët) nga ato çka mbajnë mend: “Më 27 qershor mbasdite u përhap nëpër shtëpitë e Paramithisë një hije e zezë. Andartët, me pushkë në dorë, hynin në shtëpitë e shqiptaro-çamëve dhe bënë atë që menduan dhe si deshën”. Zhango vazhdon: “Nga sa munda të mbledh mund të shikojmë fytyrën tonë në pasqyrën e historisë. Do të duhet të na vijë turp për të gjitha ato që nuk ngjajnë me krenarinë e popullit tonë dhe të krenohemi me vepra trimërie. Therjet e grave dhe të fëmijëve nuk përputhen me zemrën e madhe të popullit të Epirit, i cili do që në histori të mbetet i pastër e trim.” (f.87).
Me poshtë, po ky autor, thotë: “U ekzekutuan 18 veta te Përroi i Karjotit, 11 veta në Shën Panaja, 27 veta poshtë vendit të 49-ve dhe shumë të tjerë në shtëpitë e tyre, në rrugë e kudo që gjendeshin. U ekzekutua Hamdi Demi (me tre djemtë), Lih Pronjo (e veja e Azem Pronjos), Isuf Pronjo, Qazim Rexhepi, Salih Hafuzi dhe djemtë (Tati, Nuhu dhe nipi Haki Myftari), Meko Pronjo, motra e Lihut (të cilën e kryqëzuan me gozhdë). Bile vranë lypsarin bari, Dautin, i cili s’ishte në gjendje për asgjë , veçse tregonte mungesën e tij mendore dhe ia bënë rrobat copë e cikë. Ekzekutuan Myftiun (Hasan Avdullanë) me gruan dhe fëmijët”, (faqe 90-91). “Vranë Muharrem Bollatin me të birin, Brahon 12-vjeçar, dhe me të shoqen.Të shoqen e Rahmi Nurit, Sanijen,e dogjën të gjallë. Ekzekutuan Harun Iljazin, 14 vjeç, Agako Bollatin, Beqir Hysenin, Xhelal Bollatin dhe te birin, Fuatin. Qani Bollatin dhe të birin 11 vjeç. Djalin e Tahir Bilit, 8 vjeç. Rexho Berberinme gruan dhe vajzat, 8-10 vjeç. Avdo Himen dhe Abedin Bakon, Fejzo Bakiun, Rexhep Breken, Vesel Breken, gruan e Nuhut të Asim Dinos, me vajzën dhe djemtë (13 vjeç Lutfiu dhe 10 vjeç Asimi) fëmijët e vajzës.Omer Muratin, Omer Merxhushin, Vëllezërit Esat, Emin, dhe Enver Elezi. Met Elezin, Haxhi Shehun. Djalin e Agako Beqo Sadikut (Nedinin, 11 vjeç). Malo Kekeçin e therën si në oborrin e shkollës. Çafa dhe Haki Milen, Malo Salicën, Avdulla Salicën 17 vjeç, Hajri Kupin dhe shokun e tij Mustafa, Kupin e Dem Beqirit, Maksut Beqirin me të shoqen etj. (f.258-259).Në shtëpinë e Sali Hafuzit vdiqën mbi 30 fëmijë nën 3 vjeç.
Kurse pranë shtëpisë së Sali Hafuzit, shtëpia e Sulo Tarës, Zervistët ndanë një grup vajzash dhe nusesh të reja dhe i mbajtën në atë shtëpi për një natë, vetëm për një natë. Ne dëgjonim ulërimat e tyre…Të nesërmen i çuan edhe ato në shtëpinë burg të Sali Hafuzit. Jani Sharra tregon për masakra të tjera në faqet e librit që treguam më sipër (670.270.668, 87 etj.). (Në Filat, Vanër të Filatit, Zervistët vranë 65 çamë dhe të tjerët i hodhën nga ura e Nacit. Në Margëlliç gjetën të paralizuar Qamilin me gruan e tij, të cilët i vranë. Në Karbunarë gjithë çamët që u gjetën u hodhën nëpër kanale të vrarë. Vranë 3 vajza tëMuharrem Agushit, nusen e Hantos dhe Ajishe Agushin. Në Pargë shqiptaro-çamët e pambrojtur tek anglezët. Këta i dorëzuan te zervistët qëi pushkatuan në Kalanë e Pargës).
***
Ende sot, pas 81 vitesh, Çështja Çame përbën një plagë të historisë sonë kombëtare, një dhunim të rëndë të drejtave universale të njeriut. Është e papranueshme që sot e kësaj dite mbi anëtarët e komunitetit çam vazhdojnë pasojat e gjenocidit, duke bërë shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, siç është lëvizja e lirë (pengimi i të moshuarve), mosgëzimi i pronës dhe kthimit në vendlindjen e të parëve të tyre. Greqia shkel Konventat Ndërkombëtare, të nënshkruara nga vetë ajo.
Ligjet, Aktet dhe Konventat Ndërkombëtare, në të cilat Republika e Greqisë është pjesë dhe i ka firmosur, nuk mund të parashikojnë diskriminime të padrejta, drejtpërdrejtë ose tërthorazi, për shkaqe të tilla si: gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare, statusi i pronësisë etj.
Greqia, si anëtare e Këshillit të Europës, ka ratifikuar Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut e, megjithatë, ajo vazhdon të shkelë të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë, duke i akuzuar pa të drejtë si “bashkëpunëtorë të nazifashizmit”. Në pikën 2 të nenit 6 të kësaj Konvente thuhet: “Çdo person i akuzuar për një shkelje të ligjit, prezumohet i pafajshëm deri sa fajësia e tij të provohet ligjërisht”. Në fakt, pafajësia e çamëve është provuar ligjërisht nga Gjykata e Diktimit të Janinës, në shkresën me numër protokolli 1837, datë 29 shtator 1976, dërguar Ministrisë së Rendit Publik, Drejtorisë së Shërbimeve Kriminale në Athinë.
Qeveritë shqiptare, njëra pas tjetrës, pajtohen me heshtjen zyrtare, ndaj ky problem mbetet i pazgjidhur ende sot, pas 81 vitesh. Heshtja zyrtare 45-vjeçare e komunizmit, krijoi një boshllëk në zgjedhjen e këtij problemi. Por edhe qeveritë shqiptare postkomuniste asnjëherë nuk e kanë ngritur çështjen Çame si një çështje dypalëshe, për një zgjidhje paqësore e të drejtë. Qeveritë e Greqisë dhe Shqipërisë duhet ta trajtojnë atë seriozisht. Gjithashtu duhet të shmangen veprimet që minojnë parimin e reciprocitetit dhe rregullat e fqinjësisë së mirë ose retorikën për çështje jo-ekzistuese.
Kuvendi i Shqipërisë më 8 prill 2004 miratoi edhe një rezolutë për çështjen çame, e cila hyri në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare nëntë vite pas miratimit. Në kohën e miratimit, rezoluta vlerësonte se është koha që çështja e të drejtave të shtetasve shqiptarë me origjinë çame të rimerret në shqyrtim nga të dy palët, konkretisht nga Shqipëria dhe Greqia.
Rezoluta ngarkon Qeverinë e Republikës së Shqipërisë që këtë rezolutë t’ua bëjë të njohur qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare që mund të kontribuojnë në zgjidhjen e problemit.
Shtetet me të vërtetë demokratike e njohin faljen. Forumet e larta ndërkombëtare, Europa dhe SHBA-të, duhet të kontribuojnë në gjetjen e një zgjidhjeje të çështjes çame.