


Djana Koçiaj
Foto: Robert Minaj/
Ka ditë që mbeten gjatë në kujtesë, sepse mbartin më shumë se një ceremoni; ato mbartin ëndrra, përkushtim dhe dashurinë për atdheun. Një ditë e tillë ishte inaugurimi i Qendrës Komunitare “Ilirian” në Manchester, një vatër e re shqiptarie që do të shërbejë si urë bashkimi për komunitetin tonë në mërgatë.Në atmosferën e ngrohtë festive, mes flamujve kuqezi dhe emocionit që bashkonte të gjithë të pranishmit, Councillor Jawad Amin, në fjalën e tij përshëndetëse, theksoi se kjo qendër ishte një domosdoshmëri për komunitetin dhe shprehu kënaqësinë e veçantë që ndodhej pjesë e kësaj dite të rëndësishme inaugurimi.Një mesazh frymëzues përcolli edhe Zëvendësambasadori i Kosovës, z. Vlorat Gashi, i cili e cilësoi këtë qendër si një shtëpi shpirtërore të shqiptarëve në mërgatë, një vend ku ruhen e kultivohen gjuha, traditat dhe ndjenja e përkatësisë kombëtare. Ai shprehu gëzimin për një nismë që afron zemrat shqiptare dhe forcon lidhjet mes brezave.
Në fjalën e tij, drejtori i Shkollës Shqipe “Iliria” në Londër, z. Visar Berbatovci, vuri theksin te rëndësia jetike e mësimit të gjuhës shqipe, duke e cilësuar atë si thesarin më të çmuar që mund t’u përcillet fëmijëve tanë. Ai nënvizoi se ruajtja e gjuhës dhe trashëgimisë kombëtare është garancia më e fortë për ruajtjen e identitetit shqiptar kudo në botë.Me emocion dhe përkushtim foli edhe Besa Gjergji, përfaqësuese e komunitetit shqiptar në Manchester dhe mësuese e Shkollës “Iliria”, e cila shprehu lumturinë e saj për këtë arritje dhe gatishmërinë për të kontribuar në edukimin e brezit të ri me dashuri për gjuhën, kulturën dhe vlerat kombëtare.
Kjo ditë mori ngjyrat më të bukura të shqiptarisë falë ushqimeve tradicionale, të përgatitura me shije, aromë dhe dashuri Shqipërie. Kostumet popullore, vallet dhe këngët e trashëguara brez pas brezi e shndërruan këtë festë në një copëz atdheu të sjellë në zemër të Manchesterit.Qendra Komunitare “Ilirian” nuk është thjesht një godinë. Ajo është një vatër shprese, një strehë e gjuhës shqipe, një shtëpi ku do të rriten ëndrrat e fëmijëve tanë dhe ku do të ruhet gjallë fryma e kombit. Sepse, edhe larg trojeve tona, shqiptaria vazhdon të rrahë fort në zemrat e bijve dhe bijave të saj.Një falënderim i përzemërt dhe mirënjohje shkon për komunitetin e madh të shqiptarëve në Manchester, që ishin shpirti dhe zëri atdhetar i veprimtarisë!![]()
![]()
![]()
U bëftë kjo qendër një dritë e pashuar e identitetit tonë kombëtar dhe një simbol i bashkimit, krenarisë dhe dashurisë për rrënjët tona shqiptare!![]()
![]()