
Nga MILENA GABANELLI dhe LUIGI OFFEDDU/
E përktheu nga Corriera della Sera Eugjen Merlika /

Tashmë italia ka një qeveri të re. Dhe urimi është gjithmonë i njëjti: qoftë më e mirë se paraardhëset. Luigi di Maio është ministri i Jashtëm, pra do të mbarështojë politikën tonë me pjesën tjetër të botës. Për këtë detyrë do të ishin të domosdoshme dy këkesa bazë: të njohë së paku anglishten e të ketë njohuri mbi bashkëlidhjen e fuqive. Shkruajti se Pinochet-i sundonte Venezuelën (ishte një diktator kilian). I dërgoi një letër Le Monde-it duke shkruar se Franca, e lindur nga revolucioni i 1789-ës, kishte një “traditë mijëvjeçare demokratike”. Në Shanghai e quajti për dy herë “Ping” presidentin kinez Xi Jinping. Le t’I quajmë si gafa, por sigurisht niset keq. Dje komenti i agjensisë Hsinhua, nga Pekini ( me të cilin kishte marrë ndonjë zotim mbi Rrugën e Mëndafshit) dhe e përhapur nëpërmjet AdnKronos-it ka qënë ky: “zgjedhje e pazakontë, i padiplomuar kurrë, kompetenca gjuhësore shumë të kufizuara, ka treguar interes të pakët për çështjet globale në jetën e tij publike”. Gjithshka e vërtetë, por mbasdite komenti në faqet e agjensisë shtetërore kineze ishte zhdukur.
Ndërmjet politikanëve tanë njohja e gjuhëve është e mangët (“frëngjishte shkollore” pohon për shembull ministri i ri i Zhvillimit ekonomik, Stefano Patuanelli), ashtu sikurse edhe përvojat e kompetencat profesionale. Nuk janë të detyrueshme. Shumica e përfaqësuesve të popullit lind në politikë dhe rritet brënda saj. Një dentist duhet të studjojë së pakë gjashtë vjet e të marrë një diplomë, më parë se të mund të limojë një dhëmb.; një arkitekt nuk mund të ngrerë katër miure pa patur diplomë dhe përgatitje. Më parë se të marrësh një rol përgjegjësie duhet të vërtetosh se ke arritur ndonjë përfundim. Për të mbarështuar copa të Vendit, së paku në Itali, jo. Në të vërtetë kriteret e zgjedhjes dhe marrjes në punë janë gjithënjë të njëjtët: shoqërizimi, besnikëria vetiake, leverdia e ndërsjelltë. A është një kërcënim për demokracinë të mëtohet se duhen kërkuar cilësi të meritës e të kompetencës më parë se t’i jepen çelsat e një ministrie, të një krahine, të një bashkie?
Në qeverinë e sapo lindur, një nga postet më të rëndësishëm është ai i gruas së parë ministër të Infrastrukturave dhe Trasportiit, Paola de Micheli, 44 vjeçe. Dikasteri do të duhet të bashkërendojë investime tashmë të financuara me 35,5 miliardë euro gjatë viteve 2016 – 2033, Tav (trasporti i shpejtësisë së lartë) përfshirë. Paola de Micheli ka marrë diplomën në Shkenca Politike më 2001. Që nga 1998 deri në 2003 ka drejtuar një kooperativë bujqërish që prodhonte konserva domatesh, në luftë me shemërinë kineze, të mbyllur për likuidim të detyrueshëm administrativ me 5.399.771 euro humbje. De Micheli e kishte lënë atë detyrë, por gjykata e Piacenzës i vuri një gjobë prej 2000 eurosh. Padija ishte se ishte shpërndarë në treg mall i ruajtur keq. Në gjykimin ajo doli e pafajshme. Për tre muaj shkoi si këshilltare në Urumçi, në Kinë, atdheu i domateve kineze. Më vonë u emërua komisare e jashtzakonshme për rindërtimin mbas tërmetit. Pak rezultate, por faji është gjithmonë i normave kapistër.
Roberto Speranza, me doktorat në histori, pa pasë punuar kurrë në shëndetësi para se të hynte në politikë, bëhet ministër i Shëndetësisë; Teresa Bellanova, ministre e re e Politikave bujqësore, sindikaliste, me shkollë tetëvjeçare; Enzo Amendola, ministër për Çështjet evropiane, maturë liceu shkencor, karrierë e gjitha në politikë. Në legjislaturën e parë të mbasluftës (1949 – 1953) 91 % e deputetëve italianë ishin të diplomuar. Sot janë pak më shumë se 69 %. Matteo Salvini ka qënë jashtë kursit për dymbëdhjetë vite në Universitetin e Milanos, pastaj e la.
Fabiana Dedone, 35 vjeçare, diplomë në Drejtësi, me një kurrikulum “praktikante avokate e aftësuar për patronazhet”, asnjë “funksion apo veprimtari biznesi apo profesionale”, të deklaruar në Dhomën e deputetëve më 17 maj 2017. I është besuar gjigandi i ministrisë së Thjeshtimit. Para saj e njëjta ministri i kishte takuar dentistit legist Roberto Calderoli, dhe Marianna Madias, e diplomuar në Shkenca politike dhe në moshën 34 vjeçare ministre: “Sjell si prikë mungesën e përvojës sime” tha. Po të kishin lindur në Francë do të kishin ndjekur”Shkollën e Madhe” ose Shkollën Kombtare të Administratës: e themeluar më 1945 nga De Gaulle, 10.645 të regjistruar më 2016. Kujdeset për zgjedhjen e kuadrove politikë, ekonomikë e administrativë, furnizon pjesën më të madhe të “grand commis”, të drejtuesve të partive e të përbërësve të qeverive; katër presidentë Republike, tetë kryeministra e sekretarë Shteti, edhe Macroni. Hyhet nëpërmjet konkurseve, nga 18 vjeç e mbrapa janë tashmë të futur në mekanizmat e zgjedhjes.
Britania e Madhe ka shkolla si Instituti i qeverisë vendore, që formon mbarështuesit e llogarive publike dhe shëndetësisë. Gjermania shkollën e Kehl, 70 % gra qe studiojnë administratë publike dhe që nga regjistrimi bëhen funksionare të paguara. Në Finlandë kuadrot formohen në Institutin e administratës publike, që përfshin të gjitha ministritë. Në Danimarkë, Qendrat për vlerësimin e kompetencave vetiake formojnë personelin e administratave publike në të gjithë nivelet. Edhe n’Itali është Shkolla Kombëtare e Administratës, e themeluar më 1957, varet nga Këshilli i ministrave. Ndërmjet kurseve të fundit të studimit janë: “ Si të hartohet plani i parandalimit të korrupsionit”, “Zyra e shtypit dhe lidhja me mediat”, “Ekspertë në protokolle dhe cerimonialë”. Shkolla lëvdohet për shkëmbime të ndryshme ndërkombëtare, edhe se jo të gjithë në nivel shumë të lartë. Dërgatat e fundit të pritura në vizita zyrtare janë: Instituti kinez i Chengdu-it, Kolegji kombëtar i Pakistanit, komuneja e Namyangju (Koreja e jugut), Instituti diplomatik i Gjeorgjisë, akademia Ho Shi Min e Vietnamit. Ja mund të fillohej të çohej kjo shkollë në lartësinë e modeleve evropianë të përmendura më sipër. E makari me detyrimin për të kaluar nëpër to, më parë se të mbarështojnë gjënë publike.
Corriere della Sera, 5 shtator 2019 E përktheu Eugjen Merlika
Shënim i përkthyesit
Autorët e këtij shkrimi janë dy gazetarë të njohur në median italiane. Milena Gabanelli (1954) është një gazetare freelance, veçanërisht në fushën e hetimit gazetaresk në televizionin dhe shtypin e shkruar. Ka qënë e dërguar e tyre në shumë zona të nxehta të botës si ish Jugosllavia, Kamboxha, Vietnami, Birmania, Afrika e Jugut, Nagorni Karabak, Somalia, Çeçenia etj. E famëshme për emisionin “Report” në Rai 3 (1997 – 2016), konsiderohet si një nga gazetaret më të guximshme për të trajtuar larminë e temave të realitetit italian me një objektivitet të theksuar, pavarësisht bindjeve të saj vetiake.
Luigi Offeddu është një gazetar në Corriere della Sera që nga viti 1995. Më parë kish punuar tek “Il giornale” i thirrur nga Indro Montanelli, të cilin e ndoqi në përvojën e shkurtër në “La voce”. Ka punuar si korespondent nga Moska në vitet e para 90-të e më vonë në Ballkan, në Hungari, Jugosllavi e Rumani. Aktualisht është i dërguar i Corriere-s në Bruksel e trajton çështjet evropiane në një gamë të gjërë, nga ekonomia tek imigracioni, mjedisi e politikat shoqërore. Ka botuar disa libra nga 1984 e këndej.
Ky shkrim trajton një problem shumë të rëndësishëm, jo vetëm për Italinë por, në përmasa të ndryshme, për të gjithë Vendet e botës, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Dukuritë që autorët e shkrimit (është kuptimplotë fakti që ka dy të tillë) paraqesin, duke marrë shkas nga jeta politike e Vendit të tyre, kryesisht në lidhje me formimin e qeverisë së re që mori votbesimin këto ditë, janë të rënda e shqetësuese: një ministër i Jashtëm me një mungesë të theksuar përgatitjeje kulturore, ministra të tjerë pa asnjë përvojë të veçantë pune në dikasteret ku emërohen, ministra pa diploma e studime të kryera, sigurisht që paraqesin një kuadër aspak qetësues për jetën administrative të shtetit italian.
Duke vënë theksin mbi këto shrregullime të politikës, autorët shtrojnë çështjen e formimit intelektual e profesional të klasës drejtuese dhe administrative, duke u ndalur në përvojat më të përparuara të Evropës si ato të Anglisë, Francës, Gjermanisë, apo Vendeve veriore.
Edhe tek ne, kërkesa për të patur një shkollë të posaçme të formimit të kuadrove, në të cilën përzgjedhja e studentëve duhet të jetë shumë e rreptë dhe e bazuar krejtësisht mbi aftësitë vetiake, të vërtetuara në konkurset për pranim, një institucion mësimor të shkëputur plotësisht nga kthetrat e politikës e të ngritur mbi kritere të përvojave më të mira në nivel botëror, do të ishte një mjet shumë i dobishëm për të vendosur t’ardhmen e shtetit shqiptar në themele sigurie.
Por fakti që në gati tre dhjetëvjeçarë të kalesës së sistemit, çuditërisht, asnjë drejtues politik apo ministër arsimi nuk ka paraqitur një projekt të tillë na forcon bindjen se ende në synimin e politikës, meritokracia nuk përbën një domosdoshmëri, e tillë që të ushqejë shpresën për një Shqipëri më cilësore në raport me botën që na rrethon e në të cilën dëshirojmë të kemi vendin e merituar.