Teuta Elshani, vajza e shkrimtarit, poetit, prozatorit dhe kritikut letrar, Ymer Elshani rrëfen për Diellin e Vatrës në New York nismën për ndërtimin e “Shtëpia Muze Ymer Elshani”. Në një bashkëbisedim me Editorin e Diellit Sokol Paja, Teuta Elshani rrëfen jetën tragjike të babait të saj Ymer Elshanit, detaje nga projekti dhe mbështetja nga mërgata shqiptare, e sidomos vizioni i saj që shtëpia të rinovohet dhe të hapet për vizitorët, si një dëshmi lufte dhe në nderim të shkrimtarit. Ajo e sheh si një muze që do të vizitohet veçanërisht nga brezat e rinj për të mësuar mbi jetën e Ymer Elshanit, fatin tragjik, si dhe çmimin e lirisë e si lufta nuk i kurseu as fëmijët, as shkrimtarin e tyre.
POETI, PROZATORI DHE KRITIKU LETRAR YMER ELSHANI
Poeti, prozatori dhe kritiku letrar, Ymer Elshani, u lind në fshatin Korroticë e Ulët të Drenasit (Kosovë), më 14 qershor 1948. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje. Shkollën normale dhe Fakultetin filozofik, Dega e gjuhës dhe letërsisë shqipe, i kreu në Prishtinë. Po aty, më 1978, magjistroi në lëmin e poezisë për fëmijë. Punoi në arsim që nga viti 1968, si mësues, profesor, e më vonë edhe si drejtor i gjimnazit “Skënderbeu” të Drenasit. Pas demonstrative të vitit 1981 në Drenas, Ymerin e përjashtuan nga puna si përgjegjës për demonstrata dhe ia ndaluan botimet letrare. Deri ne vitin 1985 mbetet pa punë, dhe mirret me bujqësi, për të mbajtur familjen. Gjatë kësaj kohe shkrimtari u mishëru shumë me natyrën, gjë që reflektohet edhe në shkrimet që shkroi gjatë kësaj kohe. Vitet e fundit të jetës me tërë qenien u zotua për pavarësimin e shkollës shqipe, në rolin pedagog i arsimit. Shkonte në çdo shkollë fillore të komunës. Hospitonte në orë, udhëzonte dhe përpiqej për mirëvajtjen dhe përparimin e arsimit.
FATI TRAGJIK I YMER ELSHANIT
Pastaj dihet fati tragjik i Ymer Elshanit, këtij krijuesi të talentuar për fëmijë. Fati i tij është unik në gjithë rruzullin tokësor. Të hulumtosh gjithë kronikat e popujve të çdo kontinenti nuk mund të gjesh histori më të dhimbshme e më çnjerëzore, më kriminale e më makabre. Është historia-simbol e nënë Kosovës, e masakrës serbe mbi të. Gjatë kohës së luftës, Ymeri me familje ishin dëbuar nga fshati i tij dhe ishin vendosur në Polek të Vjetër të Drenasit. Më 17 prill 1999, strehohen në shtëpinë e Sinan Muçollit, ku kishte fëmijë, gra, vajza, mbi 50 civile. Atë mbrëmje policët serbë kishin hyrë në shtëpi dhe kishin nxjerrë Ymer Elshanin dhe Sinan Muçollin. Sapo i kishin nxjerrë jashtë, ishin dëgjuar krismat e automatikëve, të cilët ua kishin shuar jetën mizorisht. Pas kësaj policia kishte hedhur bombë dhe breshëri plumbash në dhomën me civilë, ku mbetën të vdekur pesëdhjetë e tre vetë. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshortja e Ymer Elshanit, Nafija (45 vjeçe) me të katër bijtë: Ardianin (25), Miranin (20), Kujtimin (15) dhe Nderimin (10), si dhe kunata, Shukrija. Të nesërmen, në një shtëpi afër, vritet edhe nëna e Ymer Elshanit. Shpëtoi vetëm vajza e tij, Teuta, e cila në atë kohë ishte studente në Prishtinë. Kështu u ndërpre, pa precedent, jeta e një krijuesi të talentuar, e një pende të fuqishme të letërsisë sonë për fëmijë. Pas vetes la 22 vepra (poezi, prozë, romane, etj).
SHTËPIA MUZE KU JETOI DHE PUNOI SHKRIMTARI YMER ELSHANI
Nisma ime quhet “Të mbrojmë shtëpinë e poetit”. Misioni i kësaj nisme është rinovimi i shtëpisë ku jetoi dhe punoi shkrimtari Ymer Elshani. Shtëpia ishte shënjestruar për t’u djegur gjatë luftës dhe ende duken gjurmët e flakës që kishte filluar, por pa sukses. Shtëpia vazhdon të jetë e mbyllur që nga paslufta dhe është në gjendje të rënduar. Prandaj është momenti i fundit për të ndërhyrë për ta mbrojtur atë. Vizioni im është që shtëpia të rinovohet dhe të hapet për vizitorët, si një dëshmi lufte dhe në nderim të shkrimtarit. E shoh si një muze që do të vizitohet veçanërisht nga brezat e rinj për të mësuar mbi jetën e Ymer Elshanit, fatin tragjik, si dhe çmimin e lirisë e si lufta nuk i kurseu as fëmijët, as shkrimtarin e tyre. Projekti tash ka filluar nga një grup vullnetar arkitektësh, dhe qëllimi është që këtë vit, duke filluar nga prilli, të ndërmerren hapat e parë për një intervenim urgjent, që të parandalohet dëmtimi i mëtutjeshëm. Në shtëpi poeti i kishte lënë të gjitha dorëshkrimet, aty është dhoma e punës e tij, makina e shkrimit, orendi, rrobat e familjes. Plani eshte që të gjitha gjërat që i kanë shpëtuar luftës dhe kohës të konservohen si pjesë e shtëpisë muze.
SHTËPIA NË MBROJTJE INSTITUCIONALE DHE NISMA PËR FONDIN
Kërkesën për vendosjen e shtëpisë në mbrojtje institucionale e kam filluar në vitin 2019. Fillimisht idenë ia kam paraqitur kryetarit të Drenasit, pasiqë prona është në këtë komunë, më pas kam nisur takimet në ministrinë e kulturës, për 3 vite rresht. Por deri tani pa sukses në hapa konkret. Kështu që vendosa ta filloj vetë këtë mision. Për shkak të interesimit të miqve dhe familjarëve për të ndihmuar, në dhjetor 2021 hapa një fond online për të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë. Fondi thirret “Shtëpia Muze Ymer Elshani”, në faqen online GoFundMe. Po ashtu vlen të theksohet angazhimi nga Mërgata në SHBA, në veçanti veprimtari Skënder Karaçica, i cili ka krijuar një këshilli drejtues për sensibilizimin e kësaj nisme në të gjitha viset ku jetojnë shqiptarët. Me këtë rast, dua t’i falënderoj të gjithë për mbështetjen, qoftë përmes shpërndarjes së nismës në rrjetet sociale, por edhe me ndihmë materiale. Gjithashtu dëshiroj të bëj thirrje te institucionet përkatëse të qeverisë dhe te komuna e Drenasit që të bëhen pjesë e kësaj nisme, për nder të shkrimtarit, për hir të historisë e brezave të rinj, ta trajtojnë këtë shtëpi si një dëshmi tjeter e luftës, për t’i treguar botës se deri ku shkoi gjenocidi serb në Kosovë. Mbetem me shpresë se do të kemi mbështetjen e institucioneve, përndryshe ne si familje do të mundohemi ta ruajmë me forcat tona, per aq sa mundemi.
KUSH ËSHTË TEUTA ELSHANI?
Vajza e vetme e shkrimtarit Ymer Elshani, e lindur në Korroticë të Ulët. Kimiste e dimplomuar nga Universiteti i Prishtinës. Gjatë kohës së luftës u gjenda në Prishtinë dhe nga aty si shumë shqiptarë, u dëbuam për në Maqedoni, në mars 1999. Sa isha në kampet refugjate në Maqedoni, mora lajmin e kobshme se familja ime (babi, nëna, 4 vëllëzer, gjyshja dhe gruaja e axhës) ishin vrarë. Aty mora vendim të largohesh për në SHBA, më një qëllim të mundja dhimbjen dhe të punoj për t’i botuar dorëshkrimet e prindit që kisha dëgjuar se kanë shpëtuar nga lufta. Në SHBA u vendosa në Atlanta, në gusht 1999. Arrita të gjej punë në një laborator privat dhe aty fillova karrierën si inxhiniere e kimisë. Mbrenda disa viteve botova të gjitha dorëshkrimet e Ymer Elshanit, ku vëllezerit e Ymerit në Kosovë (Zymber dhe Arifi) i bënin gati për shtyp, e unë in financoja, plotë 11 vepra. Poashtu, këtu në SHBA kam krijuar familjen time, 4 fëmijë (Ejona, Era, Mirana, Ardiani), dhe vazhdoj të jem e lidhur me Kosovë dhe të promovoj veprat e Ymer Elshanit. Si dhe tash kohëve të fundit, kam filluar edhe nismën për ta rinovuar dhe kthyer në muze shtepinë e prindit.
VEPRIMTARIA LETRARE E YMER ELSHANIT
Me krijimtari letrare Ymer Elshani u mor qysh si nxënës i shkollës fillore, që në moshën 10-vjeçare. Librin e parë “Anija e miqësisë” e botoi në moshën 19 vjeçar, si normalist në Prishtinë. Gjatë gjithë jetës së vet Ymer Elshani shkroi dhe botoi në periodikun letrar në Kosovë dhe Maqedoni, kryesisht poezi, tregime, drama e romane për fëmijë. Nga viti 1967 e deri më 17 prill 1999, kur u vra mizorisht nga barbarët serbo-sllavë, botoi një varg librash artistikë (4 vëllime me poezi për fëmijë, 5 vëllime me tregime, 2 romane për fëmijë). Pas luftës, vajza Teuta me vëllezërit e Ymerit, ia botuan të gjitha dorëshkrimet (6 vepra me poezi, 4 vepra me tregime, 1 roman, dhe temën e magjistraturës) . Në vitin 2019, me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe shtëpisë botuese ”MESHARI” në Prishtinë, u botua vepra letrare e plotë e Ymer Elshanit, kompleti në 11 vëllime.
VJERSHA PËR FËMIJË:
1. Anija e miqësisë (vjersha). Pionieri, Prishtinë 1967
2. Çka ëndërrojnë lulet (vjersha). Rilindja, Prishtinë 1971
3. Unaza magjike (vjersha). Rilindja, Prishtinë 1980
4. Kalorësi i bardhë (poemë). Rilindja, Prishtinë 1987
5. Ylli ëndërrimtar (vjersha). Rilindja, Prishtinë 2000
6. Përralla për ylberin (poemë). ROZAFA, Prishtinë 2000
7. Zogu i lirisë (vjersha). ZEF SEREMBE, Prishtinë 2001
8. Gjelastreni mendjelehtë (vjersha). GUTENBERG, Prishtinë 2003
9. Le të vijë në Sharr pranvera (poema).ROZAFA, Prishtinë 2002
10. Kur vallëzojnë Buzëqeshjet (përzgjedhje poezish), Faik Konica 2021.
TREGIME PËR FËMIJË:
1. Loti udhëtar (tregime). RILINDJA, Prishtinë 1972
2. Ishulli i lumturisë (tregime). RILINDJA, Prishtinë 1973
3. Guri i çmueshëm (tregime). RILINDJA, Prishtinë, 1977; OSCE 1999
4. Plaku me violinë (tregime). RILINDJA, Prishtinë 1984
5. Përjetimet e bardhoshit (tregime). RILINDJA, Prishtinë 1989
6. Vajza e diellit (tregime). RILINDJA, Prishtinë 2000
7. Njohja e trimave (tregime e përralla). ROZAFA, Prishtinë 2000
8. Gjeli i kuq (tregime të zgjedhura). ASDRENI, Sh. 2000
9. Flokargjendta (tregime të zgjedhura). ROZAFA, Prishtinë 2004
ROMANE PËR FËMIJË:
1. Ndodhitë e Hundëkarrotës (roman). RILINDJA, Prishtinë 1971, 1979, 1987
(romani u botua nga ShB “NAIM FRASHERI”, Tiranë 1987)
2. Aventurat mbi trotinetin e vjetër (roman). RILINDJA, Prishtinë 1975
3. Udhëtimet e Xhuxhimaxhuxhit (roman). Prishtinë 2008
PUNIM STUDIMOR (TEMA E MAGJISTRATURËS):
1. Aspekte të poezisë sonë për fëmijë (1945-1976). ANDENA, Prishtinë 2013