
Mondi Rakaj/
Në emër të Federatës Vatra realizova një takim shumë të veçantë me deputetin e Çamërisë në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë z.Shpëtim Idrizi. Një personalitet i atdhetarisë, kauzës kombëtare e parlamentarizmit shqiptar. Gjatë takimit të përzemërt e vëllazëror me z.Idrizi diskutuam mbi veprimtarinë e Vatrës dhe gazetës Dielli në mbështetje dhe përkrahje të kauzës çame, vizitën e kryetarit të Vatrës Dr. Elmi Berisha në shtator 2024 në trojet shqiptare në Çamëri ku Vatra apeloi shtetin shqiptar dhe grek për zbardhjen e krimit, genocidit e masakrave greke mbi shqiptarët e Çamërisë. Vatra do të kërkojë gjithmonë drejtësi për Çamërinë dhe se çështja Çame, çështje thelbësisht kombëtare do jetë gjithmonë ndër prioritetet kryesore të veprimtarisë së Vatrës. Përgjatë bisedës vëllazërore e informova z.Idrizi sesi Vatra po rritet, sesi gazeta Dielli është shndërruar në median më të fuqishme të diasporës, sesi Vatra po zgjerohet me degë të reja, sesi po bashkon dhe promovon kombin e interesin kombëtar në mërgatën e Amerikës dhe shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe trojet etnike. E garantova gjithashtu z.Idrizi se çeshtja e Çamerisë do të jetë një prej temave në takimin e Vatrës në Departmentin e Shtetit Amerikan. Diskutuam gjithashtu me z.Idrizi me potencialet e diasporës dhe rritjen e bashkëpunimit në vazhdimësi.