Nga Dr. Luan Topçiu/
Është një koment, i shkruar në fb, ka nisur si një urim prej miku, natyrshëm por që është kthyer në qendrim të lartë qytetarie, në fund të fundit është një porosi, sa etike po aq dhe estetike, nga një autor i njohur, kritik arti, estet, përkthyes, kryeredaktori i një reviste që del në Rumani dhe shkon në të gjithë botën, autor i shumë librave në shqip dhe rumanisht e me shumë çmime.
Dr. Luan Topçiu shkruan:
“Është një fakt i gëzuar që në ndarjen e Çmimeve Kombëtare për Letërsinë 2021, për kategorinë “Vëllimi më i mirë poetik i vitit”, e mori poeti ynë Visar Zhiti, me vëllimin “Dorëshkrimet fshehta të burgut”, për një vepër të shkruar në rrethana dramatike, që rrezaton humanizëm dhe vlera të larta artistike. Libri është botuar nga “Onufri”.
Është një akt emancipimi për jurinë, sepse autori është vetiu i emancipuar, sepse libri u shkrua në kushte të jashtëzakonshme dhe doli në dritë, doli nga ferri i burgjeve komuniste. Duke i njohur vlerat e poemave të Visar Zhitit, emancipojmë dhe shoqërinë e sotme. Konfirmimi i cilësisë së poetit është bërë brenda vendit dhe gjuhës shqipe, por dhe jashtë vendit dhe në gjuhë të tjera. Libri „Dorëshkrime të fshehta të burgut” i poetit dhe prozatorit Visar Zhitit është poezi, e shkruar nga një i ri në moshën 29-vjeçare, por dhe dorëshkrim e dokument në të njëjtën kohë, me vlera „sui generis”. Është për të gjithë ata që duan letërsinë dhe çmojnë bibliofilinë, vlerën e patjetërsueshme të dorëshkrimit të një shkrimtari dhe, jo në radhë të fundit, për të gjithë ata që duan të kenë në bibliotekat e tyre një copëzë historie autentike. Në këtë kuptim, do të ishte një anomali në se ky libër i rrallë nuk do të fitonte çmimin e merituar. Libri ka vlera të shumëfishta: estetike, simbolike, dokumentare, historike. Jam i nderuar që kam shkruar parathënien e këtij libri. Urime Visar Zhiti! Urime Shtëpia Botuese “Onufri”!