
Në zbatim të Urdhrit të datës 5 qershor 2026 të Gjykatës së Lartë të Shtetit të Nju Jorkut, Gjyqtari Cohen, unë u emërova Monitor në lidhje me Konventën dhe Zgjedhjet e datës 27 qershor 2026.
Jam emëruar, ndër të tjera, për të shqyrtuar kredencialet e delegatëve me qëllim verifikimin e të drejtës së votës sipas Kushtetutës së vitit 1926 dhe Statutit të VATRËS.
Në përputhje me këtë urdhër, kam shqyrtuar disa qindra faqe dokumentesh dhe procesesh gjyqësore, si dhe Kushtetutën dhe Statutin e VATRËS të vitit 1926. Kam zhvilluar tre konferenca të gjata telefonike me avokatin Angelo Bisceglie Jr. Esq. (Angelo), përfaqësues i të paditurve, dhe me avokatin Natraj Bhushan Esq. (Natraj), përfaqësues i Paditësit, Degës Manhattan të VATRËS. Gjithashtu, me kërkesë dhe pëlqim të avokatëve, kam zhvilluar konferenca telefonike me Augustin Mirakajn, Kryetar i Degës Manhattan të VATRËS, dhe me Mundi Rakajn, Drejtor i Degëve të VATRËS.
Pas shqyrtimit të të gjitha dokumenteve, dëgjimit të argumenteve të avokatëve dhe konsultimit me përfaqësuesit e palëve, konstatoj se Paditësi, Dega Manhattan, nuk ka paraqitur prova që gjatë periudhës përkatëse ka tentuar të dorëzojë listën e anëtarëve dhe provat e pagesës së kuotave.
Përveç kësaj, Dega Manhattan nuk ka paraqitur prova të një liste regjistrimi votuesish nga dega e saj. Paditësi paraqiti vetëm një kopje të një fature poste të certifikuar të datës 21 korrik 2023.
Paditësi nuk paraqiti listë anëtarësie për periudhën nga 31 marsi 2024 deri në ditët e sotme. Avokati i Paditësit dërgoi me email më 12 qershor 2026 një listë anëtarësh që mbante datën origjinale 22 korrik 2023. Kjo listë nuk mund dhe nuk provon anëtarësinë që prej datës 31 mars 2024, dhe as nuk tregon pagesën e kuotave për periudhën operative nga 31 marsi 2024 deri në ditët e sotme.
Siç është theksuar nga avokati i të paditurve dhe nga ky Monitor, paraqitja e këtij dokumenti është jashtë objektit të urdhrit. Gjithashtu, vihet re se lista më e fundit përmban vetëm 34 emra dhe është e vitit 2023; ajo nuk përmban nënshkrime, adresa apo deklaratë të betuar (affidavit).
Prandaj, urdhërohet që kërkesa e Paditësit lidhur me pjesëmarrjen e Degës Manhattan në Konventën dhe Zgjedhjet e VATRËS të datës 27 qershor 2026 refuzohet në tërësi dhe kjo degë nuk do të lejohet të marrë pjesë apo të votojë në Konventën e VATRËS të datës 27 qershor 2026 në Yonkers, Nju Jork.
Sa i përket pretendimit të Degës Detroit të VATRËS për të marrë pjesë në Konventën dhe Zgjedhjet e vitit 2026, ky Monitor përcakton se ajo nuk është një degë e njohur e VATRËS dhe për këtë arsye nuk do të lejohet të marrë pjesë në këtë Konventë dhe Zgjedhje.
Më tej, URDHËROHET që çdo degë tjetër e VATRËS që nuk ka paraqitur në kohë dokumentacionin e nevojshëm për të provuar gjendjen e mirë organizative dhe të drejtën e votës, do të përjashtohet nga kjo Konventë dhe Zgjedhje.
Ky është Urdhri i Monitorit të emëruar nga Gjykata dhe ky URDHËR është përfundimtar.
Kështu u urdhërua.
Datë: 17 qershor 2026