
Ilir Ikonomi*/
Në fillimet e shekullit të 20, Fan Noli dhe Faik Konica e përdorën me sukses shtypin në gjuhën shqipe për të ndihmuar në përparimin e tyre politik dhe kulturor.
Gurin e parë themeltar të një gazete për shqiptarët e Amerikës e hodhi Sotir Peci, i cili nisi të botojë gazetën Kombi më 20 qershor 1906. Noli arriti në Amerikë nga Egjipti më 31 maj të atij viti dhe shumë shpejt shkoi të punojë për Kombin. Por gazeta hasi në vështirësi të mëdha, sepse shqiptarët nuk e kuptonin rëndësinë e një gazete dhe ngurronin të abonoheshin.
Kombi rezistoi deri në fund të vitit 1908, kur Peci u largua për në Shqipëri. Pasi u shlyen borxhet e gazetës, Noli vendosi që me makineritë e Kombit të themelojë një gazetë të re më 15 shkurt 1909, e cila u quajt Dielli. Për Nolin, ky ishte rasti i parë që të kishte krejtësisht në dorën e tij një mjet kaq të fuqishëm propagande.
Një vit më parë, Noli kishte themeluar kishën shqipe dhe vazhdonte punën e vështirë për përkthimin e teksteve liturgjike. Ai nuk kishte mundësi të kujdesej edhe për Diellin, prandaj thirri për ndihmë Faik Konicën, i cili nxirrte në Londër revistën Albania. Konica ishte i njohur në qarqet e shqiptarëve emigrantë në botë. Ai erdhi në Boston në tetor 1909 dhe menjëherë mori drejtimin e Diellit, i cili kishte mbetur thuajse pa fonde.
Prania e dy njerëzve mjaft të ditur dhe aktivë në krye të komunitetit shqiptar ishte një rastësi fatlume. Noli dhe Konica e bënë Diellin një gazetë, ndikimi i së cilës shtrihej deri në Shqipëri. Brenda shoqërisë Besa-Besën që financonte Diellin, fillimisht pati dyshime se Konica po përpiqej t’i jepte gazetës një kahje pro-austriake. Në fakt, sipas të dhënëva arkivore, ai ende paguhej nga austriakët dhe besonte se ata ishin shpëtimi i vetëm për Shqipërinë. Mosmarrëveshjet me komisionin që kontrollonte gazetën u shuan shpejt, por Dielli vazhdoi të përballej me vështirësi financiare.
Për një periudhë të shkurtër, nga 20 marsi deri në 15 maj 1911, Konica u largua nga Bostoni dhe nxori në Sent Luis të Mizurit një gazetë të quajtur Trumbeta e Krujës, koleksioni i së cilës ekziston online në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Ai kishte shkuar në Sent Luis i ftuar nga komuniteti shqiptar i atjeshëm. Shkroi disa artikuj mjaft të mirë, por iu desh të kthehej në Boston për të mbledhur ndihma që do t’i shkonin kryengritjes së Malësisë. Gjatë mungesë së Konicës, gazeta Dielli në Boston drejtohej nga Noli.
Dielli i kësaj kohe është një burim i pasur informacioni historik për veprimtarinë e shqiptarëve të Amerikës. E them këtë, sepse të dhënat për këtë periudhë nga burime të tjera janë fare të pakta.
Në fund të vitit 1912, kur fati i Shqipërisë rrezikohej seriozisht dhe idetë për pavarësinë kishin nisur të konkretizohen, Noli u nis për në Evropë dhe menjëherë pas tij Konica. Të dy përfunduan në Londër, pastaj në Trieste. Gjatë kësaj kohe, ata e furnizonin Diellin me shkrime që shqiptarët e Amerikës të informoheshin për gjendjen në trojet shqiptare, por mungesa e tyre fizike ndikoi që cilësia e gazetës të binte. Noli u kthye në Boston në maj të vitit 1915 dhe mori frenat e gazetës. Konica ndenji në Evropë shumë më gjatë. Ai u kthye në shtator 1921, duke u bërë drejtor i Diellit dhe kryetar i Vatrës, ndërkohë që Noli i kishte hyrë luftës politike në Shqipëri. Gjatë periudhës 1921-1924, Konica u bë një polemist i fuqishëm dhe një kritik i pamëshirshëm i grupit të politikanëve konservatorë në Shqipëri. Kjo i zemëroi politikanët shqiptarë dhe çoi në ndalimin e përkohshëm të Diellit në Shqipëri, gjë që flet për rolin e madh të kësaj gazete. Ndërkohë, Noli, mbronte me zjarr në parlamentin shqiptar veprimet e Konicës në gazetën Dielli.
Edhe pse me ulje-ngritjet e veta, shtypi i shqiptarëve të Amerikës, sidomos Dielli nën Nolin dhe Konicën luajti një rol të jashtëzakonshëm për çlirimin dhe iluminimin shpirtëror të shqiptarëve në të dyja anët e Atlantikut.
Gazeta Dielli e periudhës 1909-1924 gjendet në masën rreth 80 përqind në Bibliotekën e Kongresit në Uashington. Një nga punët e mia të tanishme është që gazeta të dixhitalizohet në mënyrë që të mund të lexohet në internet.
*Kumtesa e dërguar me rastin e simpoziumit të 113 vjetorit të themelimit të Federatës Vatra, mbajtur në Boston më 26 Prill 2025.
Foto: hejza.com