-Përfaqësuesja e BE, Apostolova shpreh pritjet se të gjitha marrëveshjet Kosovë-Serbi do zbatohen plotësisht/
-Ministrja Tahiri takon shefen e re të Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova/
PRISHTINË, 22 Shtator 2016-B.Jashari/ Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë njëherit Përfaqësuesja Speciale e BE-së, Nataliya Apostolova, në një takim sot me ministren për Dialog në qeverinë kosovare, Edita Tahiri, e përgëzoi për punën e saj të rëndësishme dhe theksoi rëndësinë që Bashkimi Evropian i jep Dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Apostolova shprehu pritjet se të gjitha marrëveshjet do të zbatohen plotësisht, me interes parësor që të sjellin normalizim në dobi të popullit të Kosovës, si dhe për hir të bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Përfaqësuesja e BE-së, Apostolova theksoi nevojën për të përfshirë opozitën në procesin e dialogut, si dhe për t’i njoftuar më mirë qytetarët e Kosovës për të mirat që po sjell Dialogu dhe ndikimet e tij për përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve.
Të dy bashkëbisedueset u pajtuan për vazhdim të bashkëpunimit me qëllim të avancimit të rrugës së Kosovës drejt përmbushjes së kritereve të kërkuara nga ana e Bashkimit Evropian, thekson njoftimi i dërguar.
Në takimin njohës, fillimisht ministrja Tahiri i uroi Apostolovas mirëseardhje në Kosovë dhe i dëshiroi suksese në detyrën e saj të re. “Do të vazhdojmë me bashkëpunimin e shkëlqyer që e kemi pasur me zyrën e BE-së për të arritur synimet e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian”, tha ministrja.
Duke folur për zhvillimet e përgjithshme ajo tha se Kosova ka arritur progres në axhendën demokratike të shtetndërtimit të Kosovës si dhe në planin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Ministrja Tahiri theksoi përparimet për forcimin dhe konsolidimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës si në aspektin e brendshëm edhe në atë të jashtëm, për integrimet euroatlantike të Kosovës, duke thënë se reformat evropiane të realizuara në Kosovë dhe angazhimi serioz në Dialogun e Brukselit kanë bërë që Kosova të hap një kapitull të ri në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
“Kjo marrëveshje me BE-në ka qartësuar ardhmërinë evropiane të shtetit të Kosovës dhe ne mbetemi të përkushtuar për të çuar përpara procesin e integrimit të plotë të Kosovës në BE”, theksoi ministrja Tahiri. Ajo vlerësoi lartë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe kërkoi që vendimi për liberalizimin e vizave të bëhet sa më parë.
“Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, në shtimin e numrit të njohjeve të pavarësisë, anëtarësimin në BE, NATO, OKB dhe organizata tjera ndërkombëtare”, theksoi ministrja Tahiri.
Duke folur për dialogun e Brukselit, ministrja Tahiri tha se ky dialog është pjesë e politikës së jashtme të shtetit të Kosovës dhe bazohet në Kushtetutë në kuadër të politikave të fqinjësisë së mirë dhe përkundër një historie të rëndë Kosova po dëshmon gatishmëri për të normalizuar marrëdhëniet ndërfqinjësore edhe me Serbinë, sipas standardeve evropiane.
“Dialogu i Brukselit po kontribuon për integrimin e serbëve të Kosovës, për shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës dhe shuarjen e strukturave paralele, sfida këto të trashëguara nga ish misioni i UNMIK-ut, i cili nuk arriti ta administronte tërë territorin e Kosovës, sepse pjesa veriore e vendit mbeti peng i ndërhyrjeve nga Serbia”, tha ministrja Tahiri.
Ajo potencoi se dialogu i Brukselit ka dhënë rezultate të rëndësishme, ndërsa tha se zbatimi i plotë i disa prej marrëveshjeve të pazbatuara nga ana e Serbisë duhet të përshpejtohet. Ajo përmendi nevojën e zbatimit të marrëveshjes për kodin telefonik për Kosovën, marrëveshjen për energji, pavarësimin e Operatorit kosovar të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-KOSTT, zbatimi i të cilave hap rrugë për zbatimin e marrëveshjes për asociacionin, ndërsa theksoi se revitalizimi nga BE-ja dhe hapja e urës së lumit Ibër në Mitrovicë është mirëpritur nga të gjithë qytetarët e Kosovës.
Shefja e re e Zyrës së Bashkimit Evropian/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, me kombësi bullgare, vazhdon takimet njohëse të nisura me presidentin Hashim Thaçi, një ditë pasi mori detyrën në 1 shtator, kur në të njëjtën datë kanë marrë pozitat tre krerë të pranisë ndërkombëtare në Kosovë – edhe Shefja e re e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), grekja Alexandra Papadopoulou dhe komandanti i ri i KFOR-it, Gjeneral Majori italian, Giovanni Fungo.