

Festat e Fundvitit me fëmijët e shkollës “Gjuha Jonë” në Filadelfia tashmë marrin një kuptim të vecantë dhe teper simbolik. Aktiviteti i dites se sotme, date 21 dhjetor bashkoi në një sallë të madhe prindër , gjyshër, fëmijë, duke krijuar një atmosfere magjike. Temperaturat e ulëta përjashta nuk ndiheshin fare në sallën e mbushur me dashuri, ngrohtësi dhe krenari, ku cdo moment u kthye në një kujtim të vyer për të pranishmit. Pas përshëndetjes dhe urimit të kryetarit të shoqatës “Bijtë e Shqipes” zoti Dritan Matraku per një vit më të mbare, më të suksesshëm në të gjitha familjet shqiptare dhe një urim të vecntë për të gjithë nxënësit e shkollës shqip, aktiviteti nisi me shume emocion.
Të gjithë nxënësit, në të pesë klasat, do të sillnin këngë, recitime më gjuhën shqipe. Cdo fjalë e tyre ishte një dëshmi e dashurisë për gjuhën e prindërve të tyre, për kulturën dhe rrënjët tona. Sytë e tyre ishin tejmbushur me gëzim. Por aktiviteti do të shpaloste talentet e tyre në vallëzim klasik, në interpretim në piano, në këngë të vështira. Babagjyshi ( z. Eldion Pajollari) do të vinte dhe do të pritej me shumë kureshtje, emocion nga fëmijët nën atmosferën e këngëve të Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve (Dj Tonin ishte fantastik). Fotografi me babagjyshin, me shoket dhe shoqet e klases, më mësuesit. Dhurata simbolike të përgatitura nga Kryesia e Shoqatës dhe pica party. Po a ka mundësi që të mbyllet një aktivitet pa vallet tona ritmike dhe unike?
Të gjthë në valle, mësues, prindër dhe nxënës që mundoheshin të ndiqnin hapat e më të rriturve. Falenderim të pafund për prindërit dhe mësuesit e shkollës shqipe në Filadelfia për kontributin, përpjekjet e tyre për të ruajtur dhe përcjellë gjuhën, kulturën tonë te brezi i fëmijëve shqiptaro-amerikan. Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri! Qoftë Viti 2026, i paqtë, i gëzueshëm dhe i begatë për cdo familje shqiptare!
Rudina Bani,
Anëtare e KD të shoqatës “Bijtë e Shqipe” dhe mësuese e shkollës shqipe “Gjuha Jonë”
Philadelphia, 21 Dhjetor 2025