Në takimin e përvitshëm me trupin diplomatik në Uashington, Presidenti Obama komentoi për ngjarjen e së enjtes në Nisë dhe tha se terrorizmi është një kërcënim për të gjithë.
“Nuk i dimë të gjitha hollësitë, por dimë që edhe një individ i vetëm është në gjendje të bëjë një dëm të jashtëzakonshëm,” tha Presidenti.
Ai tha se kishte biseduar të premten paradite në telefon me Presidentin francez François Hollande për t’i shprehur solidaritet.
“Ndryshe nga ata që shkatërrojnë, – tha Presidenti Obama, – ne do ta fitojmë këtë luftë duke ndërtuar. Ne do ta mposhtim këtë ideologji, duke ofruar një vizion më të mirë për zhvillim ekonomik, në mënyrë që njerëzit, sidomos të rinjtë të kenë më shumë shpresë dhe shanse.”
Presidenti tha se “ne nuk duhet të përkulemi përpara frikës, as të sakrifikojmë mënyrën tonë të jetesës. Nuk duhet të lejojmë të përçahemi për shkak të fesë, sepse kjo është pikërisht ajo që duan terroristët.”