Kalendar Historik- 9 Gusht 1945 Bomba atomike në Nagasaki, Marinsi nga Vunoi i Himares ..
Nga Dalip Greca
Në përvjetorët tragjik të hedhjes së bombës atomike në Nagasaki, përkrah rreth 80 mijë viktimave të cilët vdiqën nga efektet e bombës së dytë, e cila u lëshua tri ditë pas asaj që u hodh në Hiroshima, ku kishin humbur jetën më shumë se 160 mijë viktima, përmendet edhe emri i një shqiptaro-amerikani, që humbi jetën larg vendhedhjes së bombave nga sulmi hakmarrës i aviacionit japonez…Edhe pse trupi i Odises nuk u arrit të gjendej, emri i është shkruar në historinë e Amerikës dhe ka për dëshmi memorialin në varrezat e heronjëve. Në mes shumë memorialeve gjendet në Arlington-VA edhe ai i djalit nga Vunoi. Guri memorial mban numrin 36-5 MF. Por çuditërisht, deri para pak kohësh, emri i tij ka munguar në literaturën shqiptare, madje dhe në shtypin e diasporës nuk përmendej fare, as në Atdhe.Marinsi me origjinë nga Vunoi i Himarës shërbente në anijen”Boria”. Para se të përshkruajmë aktin final të betejës që u zhvillua mes anijes amerikane “Boria” dhe avionëve kamikazë japonezë pas hedhjes së bombës në Nagasaki, ku humbi jetën heroi i Amerikës, shqiptari nga Vunoi i Himarës, le të tregojmë shkurtimisht historinë e familjes së tij, sipas dëshmive të përcjella nga vetë të afërmit e marinsit-hero. Si dhe kur erdhën ata në Amerikë?I ati i Odisesë, quhej Anastas Koleka nga Vunoi i Himarës. Ai ishte ndër ata shqiptarë që emigroi në Amerikë aty rreth vitit 1906. Si shumë mërgimtarë të tjerë shqiptarë, edhe Odiseja i mbante të forta lidhjet me familjen dhe vendlindjen. Kështu vepronin shumica e shqiptarëve, të cilët punonin në Amerikë por nuk e merrnin që në fillim familjet atje nga frika e moskthimit. Si gati të gjithë emigrantët e tjerë shqiptarë edhe Anastasi u kthye në atdhe për të krijuar familjen.
Kjo ndodhi 14 vjet pasi kishte emigruar. Ai u kthye në fshatin e tij Vuno, me qëllim që të martohej, siç vepronin pothuaj pjesa më e madhe e shqiptarëve të emigruar. Anastasi gjeti vajzën e zemrës dhe u martua me vajzën himariote, Ollgën dhe pa kaluar shumë kohë pas dasme, së bashku me nusen e re, më 1920, merr rugën e gjatë të rikthimit në kontinentin e çudirave. Pas kthimit vendosën në Lorean, Ohio. Familja e re u përshtat me atdheun e ri. Aty ju lindën dhe tre fëmijtë e tyre Kristo (Chris) Odisea “Ulysses) dhe Joana (Johanna).Odise Koleka, në moshën 7-vjeçare së bashku me nënën Ollgë, motrën Joana dhe vëllain Chris, që ishin vetëm 2 vjeçare, u kthyen në vendlindjen e prindërve të tyre në Vuno. Gjatë qëndrimit të dy vëllezërit vazhduan shkollën në Himarë. Më 1936 vëllai i Odisesë, Chris kthehet në Amerikë, ndërsa Odisea do ta ndiqte një vit më pas. Ollga mbeti në Himarë së bashku me vajzën. Me largimin e djemëve të saj në SHBA u bë ndarja faktike, nëna nuk i pa më djemtë e saj. Jeta u tregua e ashpër, ndërkohë edhe motra e tyre, Johanna, nuk pa më me sy vëllain e saj Odisenë, ndërsa me vellain tjetër, Chris do ta takonte mbas shumë vjetësh, kur ata ishin me flokë të bardhë, pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Ollga, gjatë të gjithë jetës së saj, mbeti një nënë me zemër e shpirt të përvëluar nga malli e dhimbja. Ajo do të mbetej gjatë të gjithë kohës me vështrimin e përqëndruar andej nga ktheheshin burrat prej kurbetit duke pritur si nënë zemërmallur kthimin. Me këtë ndjenjë qëndroi nëna shpirtbrengë deri sa mbylli sytë nga kjo jetë në vitin 1970, pas një sëmundje të gjatë. Dhe pse e sëmurë rëndë sytë e saj gjatë gjithë kohës mbaheshin tek dy fotografitë që i kishte vendosur në mur, njëra ishte fotografia e Odisesë me uniformën ushtarake, ndërsa tjetra ishte fotografia familjare…Bomba në Hiroshima dhe Nagasaki Japonia nuk e kishte marrë seriozisht deklaratën e presidentit amerikan Harry Truman, i cili kishte paralajmëruar prerë :”Japonia duhet të dorëzohet pa kushte, si shans i fundit për të shmangur një shkatërrim total.” Paralajmërimi i presidentit qe konkret , i prerë, dhe nuk fshihte tragjedinë e tmerrshme që mund të ndodhte si pasojë e mosnënshkrimit të aktit të dorëzimit: “Nëse ata nuk pranojnë kushtet tona, ata duhet të presin një shi që do t’i shkatërrojë nga ajri, në një mënyrë që nuk është parë kurrë në tokë”-paralajmëroi presidenti Truman. Llogaritë qenë bërë të detaje: Nëse do të pushtohej Japonia me forca ushtarake do të rrezikoheshin jetët e jo më pak se 1 milion vetëve, prandaj u vendos që Japonia të ndëshkohej me bombat e tmerrshme. Pse u zgjodh Hiroshima? Arsyeja ishte se u konsiderua si vend ideal, ndoshta edhe për shkak se aty ndodheshin edhe depozitat kryesore të furnizimit të ushtrisë japoneze.Me 6 gusht 1945, aty rreth orës 8 e 15 minuta në mëngjes qe lëshuar prej luftanijes amerikane”Augusta” njëra prej bombave të tmerrshme, që përmbante 20 mijë ton eksploziv. Bomba ishte pagëzuar me emrin “Little boy” duke iu referuar presidentit Rusvelt. Njerëzia panë se si u ngrit një re e madhe tymi në formën e një kërpurdhe gjigande mbi qytetin 350 mijë banorësh të Japonisë, Hiroshima. Pamjet qenë të tmerrshme, dëmet gjithashtu. Bomba shkatërroi një zonë prej 13 Km katrore. Tri ditë më pas, me 9 gushte, një tjetër bombë e të njëjtit lloj, do të hidhej në qytetin tjetër japonez, në Nagasaki. Kjo bombë qe pagëzuar me emrin”Fat Man”. Thonë se i referohej Kryeministrit britanik Einston Churchill. Kjo bombë peshonte 4050 kg. Nagasaki ishte si i fortifikuar prej natyre; rrethohej prej malesh të lartë dhe efekti veprues qe më i kufizuar; vetem në 6.7 Km katrore. Statistikat tregojnë se gjatë hedhjes të dy bombave pati shumë të vdekur e të sakatuar. Rreth 160 mijë të vdekur në Hiroshima dhe 70-80 mijë në Nagasaki. Shumë qenë dhe ata që vdiqën më vonë nga pasojat e bombave. Viktima të shumta qenë kontigjente të sëmundjeve kanceroze. Po t’u shtosh shifrave edhe viktimat e mëvonshme, shifra e përgjithshme e të vdekurve për shkak të bombave arrin në 237062. Më shumë se 60 për qind e ndërtesave u bënë shkrumb e hi.Pas kësaj tragjedie Japonia që e pat radhitur veten në krahun e Hitlerit si pjesë e trikëndshit Berilin-Romë -Tokjo, u tërhoq dhe pranoi kapitullimin. Ky akt shënoi dhe fundin e Luftës së Dytë Botërore.
“Kamikazët” japonezë dhe anija”Boria”, ku shërbente Koleka
Ishte kohë lufte kur Odisea, që pat lindur më 29 nëntor 1923, kishte mbushur 20 vjeç atë mot që do të rreshtohej në radhët e ushtrisë më të madhe të botës, e cila do të vendoste fatet e Luftës së II Botërore. Pikërisht më 25 tetor 1943, në moshën e ëndërrave ai do të vishte uniformën e ushtrisë më të fortë në botë dhe do të kontribuonte për shfarosjen e murtajës nazi-fashiste që po kërcënonte botën. Odisea u radhit në radhët e marinës; aty në US NAVY e kreu shërbimin ushtarak në ato kohë lufte. Heroi ra atë ditë kur në Nagasaki, qe hedhur bomba. Më 9 gusht 1945, “kamikazë” japonezë goditën anijen, ku shërbente edhe Odise Koleka, anijen”Boria”. Kronikat përcjellin faktet tragjike: Ka qenë ora 2:59 minuta kur anija e tyre mori një goditje të befasishme. U krijua një situatë e jashtzakonshme. Por jo gjithçka e tmerrshme kishte mbaruar me atë sulm kamikaz të fillimit. Sulmet do të përsëriteshin sërish; anija u mbulua me zjarr përsëri në orën 3:26, ku një tjetër avion kamikaz iu sul si një skifter anijes”Borie”. Ekuipazhi amerikan bëri të gjitha përpjekjet që ta largonte të keqen që po e kërcënonte anijen e vet që po përpihej nga flaka, uji dhe rreziku prej ajrit. Me mjetet që dispononte anija “Boria” e goditi avionin 2700m lart. Por e keqja e kishte marrë rrugën. Anija ishte e ekspozuar ndaj kamikazëve që vazhdonin të vërtiteshin si skifterët mbi gjahun e zbuluar.Qielli u mbush me avionë japonezë.Në kufijtë e një ore ekuipazhi goditi edhe tre avionë të tjerë, por ç”mund të bënte ai më shumë?!.Ai ekip heronjësh qëndroi deri në vetmohim, deri në rrahjet e fundit të zemrave. Luftohej për jetë a vdekje Kamikazët japonez kërkonin shpagim.Ata kishin mbushur qiellin mbi Oqean.Lufta vazhdoi gjatë. Vonë aty rreth orës 4:30 zjarri në “Borie” u shua dhe shumë gjëra në anije ishin prishur që nga goditja e parë. Bilanci ishte tragjik: 35 të vdekur, nga të cilët 13 nuk u gjetën kurrë, 34 marinsa të tjerë amerikanë qenë të plagosur, gati të gjithë ata që shpëtuan gjallë ishin në gjendje tepër të rënduar.Anijes”Borie” filluan t”i vijnë ndihma.” USS Abbot” një anije tjetër filloi të transportonte personelin mjeksor për t”i dhënë ndihmat e para të plagosurve dhe për t”u kujdesur për të vrarët.Por Odisea ishte pa fat, ai ishte ndarë nga jeta e të gjallëve, dhe për fat të keq, si shumë të tjerëve, trupi i tij nuk u gjet, ashtu si edhe 13 të tjerë.
Në fletët e ditarit…
Duke shfletuar ditarin e atyre çasteve të vështira, ndalim në njërën nga ditët:E Enjte, 9 gusht 1945: Ekupiazhi i anijes Boria sulmohet rreptë. Kamikazët zbrazin bomba si pikat e shiut.Marinarët qëndrojnë dhe u kundërpërgjigjen. Sulmet janë të pafundme. Një pjesë e marinarëve janë shuar dhe i kanë përpirë dallgët.Tragjedia ka ndodhe.
E premte, 10 gusht 1945
Në orën 3:30 filloi ceremonia në det për të nderuar të vrarët, që ranë në krye të detyrës. Trimat po përcilleshin siç u kishte hije; me dhimbje, nderim dhe me krenari! Por, sa keq, trupi i birit të shtrenjtë të Shqipërisë, Odisesë, nuk u gjet. Sa i pa fat, ishin vetëm 6 ditë deri në përfundimin e Luftës…Me 15 gusht 1945 lufta e dytë botërore mbaroi…Dhe më 2 shtator, 1945 Japonia nënshkroi aktin e dorëzimit.Jeta e 22 vjeçarit Odise Koleka ishte shuar më 9 gusht 1945. Letra që hedh dritë në aktin e heroit shqiptaro-amerikan dhe që rindërtoi historinë…Ishte një letër dërguar me psotë të zakonshme nga Energjik Ndrenika ajo që më ra në dorë dhe që u bë shkas për të ndriçuar aktin e ushtarit shqiptaro-amerikan. Në letër shkruhej: Me këto dokumenta që kemi të nxjerra nga arkivat po iu drejtohemi juve me besim të plotë se do të ndriçoni ketë histori. Ne ndjehemi krenare pse në historinë e Amerikës është dhe akti trimëror i shqiptarit nga Vunoi,i njeriut tonë të shtrenjtë. Duke u bazuar tek kjo e vërtetë, po ju dërgojmë rrëfimin real për një njeri që dha jetën, në ushtrinë amerikane, gjatë luftës së dytë botërore. Heroi quhet Odhise Koleka- “Ulysses Kollecas” po ju dërgojmë edhe dokumentacionin e ofruar nga shteti amerikan. Për të gjitha këto dokumenta, bisedime, fotografi, një punë të pa lodhur ka bërë mbesa e nënës tonë Enita Kushi. Besojmë me anën e këtij shkrimi do të kujtojmë atë që në moshë të re dha jetën e tij, e shumë bashkëfshatarët e tij që e mbajnë mend, besojmë se do të ndjejnë interes ta lexojnë jetën e Odhisesë. E mbi të gjitha e bëjmë për nënën tonë për t’i mbushur sadopak boshllëkun e krijuar për të vëllain e saj. E bëmë për vallin e tij Chris “Kriston”, që gjatë të gjithë jetës e ndjente mungesën e vëllait të vogël, Odisesë. Por që në takimin e parë me motrën e tij pas 55 vjetësh, të gjithë dashurinë që ndjeu për të kaluarën ia dhuroi motrës së tij të dashur, së cilës i ishte përvëluar zemra nga mungesa e vëllait hero.Për t”i mbledh këto dokumenta ndihmuan edhe dy shokë të tij, që ende jetojnë. Për nder të tij, në varrezat e Arlingtonit VA, ndodhet memoriali me emrin e Odisese me numër 36-5 MF.Letra që m’u përcoll nënshkruhej nga Energjiku, Eleni, Irakliu, Miranda.Kjo ishte letra që u bë shkas për të ndriçuar aktin e Odise Kolekës.Kujt t’i bjerë rruga në varrëzat ë heronjëve të Amerikës, le të ndaloi hapat para varrit më numer 36-5 MF në varrëzat e Arlingtonit VA. Vendosni një lule në shenjë nderimi e kujtimi për heroin shqiptar që ra në kohën kur Lufta e tmerrshme po mbyllte perden….