-“Opozita: Nuk ndalemi deri në rrëzimin e Qeverisë” dhe “9 janari nuk e shqetëson Qeverinë”, janë kryetituj të shtypit në Prishtinë-/
PRISHTINË, 5 Janar 2016/Protestë paqësore, por kreative, me kërkesën e vetme – dorëheqjen e Qeverisë Mustafa, kanë paralajmëruar përfaqësues të partive opozitare. Ata kanë thënë se një kryeministër i cili konfirmohet shkelës i Kushtetutës nuk ka legjitimitet të vazhdojë të qeverisë, shkruan sot shtypi në Kosovë.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë kundërshtimit të tyre gjatë vitit të kaluar kundër Marrëveshjes për parimet e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Kurse Driton Çaushi i “Vetëvendosjes” ka deklaruar se edhe pas dy javësh kur u publikua vendimi i Gjykatës Kushtetuese, kjo qeveri e cila vazhdimisht është thirrur se do të japë llogari nëse gjendet ndonjë shkelje, ende nuk ka reflektuar.
I pyetur për metodat që do t’i përdorin në protestë, Çaushi ka thënë se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme.
Kurse Valdete Bajrami e Nismës ka thënë se opozita e fitoi debatin në mbrojtje të Kushtetutës, “ndryshe prej Isa Mustafës e Hashim Thaçit, të cilët thoshin se asnjë presje e saj nuk është shkelur”.
Kështu shkruan sot gazeta Koha Ditore me kryetitullin në ballinë “Opozita: Nuk ndalemi deri në rrëzimin e Qeverisë”.
Por, “9 janari nuk e shqetëson Qeverinë”, thekohet në kryetitullin e ballinës së gazetës Zëri, e cila shkruan:
Qeveria e Kosovës nuk po brengoset fort nga paralajmërimi i protestës së opozitës më 9 janar, në të cilën opozita do të kërkojë rrëzimin e Qeverisë Mustafa. Sipas përfaqësuesve të partive në pushtet, PDK-së dhe LDK-së, koalicioni qeverisës po ecën mirë dhe është shumë stabil.
Ata thonë se nuk frikësohen nga deklaratat e zyrtarëve të opozitës se më 9 janar do të jetë fundi i qeverisjes së Isa Mustafës. Tashmë opozita po përgatitet në mënyrë intensive që më 9 janar të organizojnë një protestë masive, me pjesëmarrje të lartë të qytetarëve për të kundërshtuar dy marrëveshjet, atë për Asociacionin dhe atë për Demarkacionin.
Por, në këtë protestë është shtuar edhe një kërkesë tjetër, dorëheqja e kryeministrit Isa Mustafa, pasi, sipas tyre, ka shkelur Kushtetutën, shkruan gazeta.
Herën e kaluar, në 28 nëntor, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës. Manifestimi ishte ftuar nga opozita në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë, veçmas asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe kundër marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi./b.j/