
-Zgjedhjet 2019 në Kosovë, rezultati zyrtar përfundimtar: Opozita LVV-LDK fituese – bëhet Qeveri e re/

KQZ SHPALLI REZULTATET PERFUNDIMTARE/
-Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 6 Tetorit 2019 në Kosovë: LVV – 26,159%, LDK – 24,458%, PDK – 21,163%, Koalicioni AAK-PSD 11,477%, Koalicioni Nisma-AKR me 4,984% të votave nuk e kalojnë pragun prej 5% për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës/

-Sipas të dhënave përfundimtare në votime kanë marrë pjesë 44.72% e qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote/
-Organi i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA – Gazeta DIELLI me korrespondentin në Prishtinë – Vëzhguese e Zgjedhjeve të Parakohëshme Parlamentare 2019 në Kosovë, akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 7 Nëntor 2019/ Në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sapo shpalli sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të së dielës së para një muaji, 6 Tetorit, sipas të cilave fituese është Lëvizja Vetëvendosje me 26,159% të votave -32 deputetë, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24,458% të votave – 29 deputetë. Këto dy parti që ishin në opozitë ka kohë që zhvillojnë bisedime, të cilat vijojnë edhe sot, drejt koalicionit për Qeverinë e re të Kosovës derisa së bashku do kenë 61 deputetë – më shumë se gjysmën e Kuvendit 120 anëtarësh.
Partia Demokratike e Kosovës, më e madhja e koalicionit të Qeverisë së dorëhequr, ka dalë e treta në rezultatet e zgjedhjeve me 21,163% të votave – 25 deputetë.
Koalicioni i Alencës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila udhëheqte me Qeverinë, ka 11,477% të votave – 14 deputetë.
Ndërsa, koalicioni i Nismës Socialdemokrate bashkë me Aleancën Kosova e Re, të dyja pjesë e Qeverisë së dorëhequr, me 4,984% të votave për pak nuk e kalojnë pragun prej 5% për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Subjekti më i madh politik nga komunitetet pakicë – Lista Serbe ka 6,754% të votave dhe do ketë 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Edhe 10 deputetë të tjerë do i kenë komunitetet tjera pakica të Kosovës.
Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre brenda 24 orëve në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me këto rezultate.
VOTAT E BARTËSVE TË LISTAVE- KANDIDATËVE PËR KRYEMINISTËR
Bartësit e listave – kandidatët për postin e kryeministrit të Kosovës nga partitë-koalicionet që do jenë pjesë e Kuvendit në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 6 Tetorit 2019 sipas rezultateve përfundimtare të KQZ kanë këto vota:
Albin Kurti – Lëvizja Vetëvendosje 183 868 vota; Vjosa Osmani – Lidhja Demokratike e Kosovës 176 188 vota; Kadri Veseli – Partia Demokratike e Kosovës 146 763 vota; Ramush Haradinaj – koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës 75 917 vota.
Ndërsa, bartësja e listës e subjektit Lista Serbe Jasmina Dedic ka 19 703 vota.
6 TETORI 2019, KOSOVA VOTOI NË ZGJEDHJET PARLAMENTARE TË SHTATA NË 20 VJET LIRI, TË KATËRTA NË 11 VJET PAVARËSI
Të dielen e 6 Tetorit 2019, Kosova votoi në zgjedhjet parlamentare të shtata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohëshme, në të cilat për 120 vende deputetetësh në Kuvend garonin 1.067 kandidatë, prej tyre 343 femra dhe 724 meshkuj, nga 25 subjekte politike: 4 koalicione, 20 parti politike dhe 1 kandidat i pavarur, të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte certifikuar edhe listën përfundimtare të votuesve, e cila përmbante 1 milion e 937 mijë e 868 votuesë, prej tyre 111 mijë e 733 për herë të parë me të drejtë vote. Sipas të dhënave përfundimtare në votime kanë marrë pjesë 44.72% e qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote.
Në mëngjesin e 6 Tetorit në gjithë Kosovën, në lokalitetet e të 38 komunave, u hapen 895 qendra të votimit me 2.547 vendvotime.
I gjithë procesi monitorohet nga një numër i madh i vëzhguesëve nga vendi dhe bota, janë mëse 34 mijë e 500 vëzhguesë të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës.
Organi i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA – Gazeta DIELLI me korrespondentin në Prishtinë është Vëzhguese e Zgjedhjeve të Parakohëshme Parlamentare 2019 në Kosovë, akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Kosova, para, gjatë dhe pas lufte ka mbajtur 9 palë zgjedhje parlamentare, 2 palë zgjedhjet e paraluftës e kohës së luftës ishin edhe presidenciale.
Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001, kur numri i votuesve të regjistruar ishte 1,249,987, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 803,796 votuesë – 64.30%.
Zgjedhjet e dyta parlamentare u zhvilluan në 23 Tetor 2004. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,412,680, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 699,519 votuesë – 49.52%.
Zgjedhjet e treta parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2007. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,567,690, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 628,630 votuesë – 40.09%. Legjislatura e këtyre zgjedhjeve, e treta, ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008.
Zgjedhjet e katërta parlamentare në liri, të parat në pavarësi, u zhvilluan në 12 Dhjetor 2010. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,632,276, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 706,317 votuesë – 45.29%.
Zgjedhjet e pesta parlamentare në liri, të dytat në pavarësi, u zhvilluan në 8 Qershor 2014. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,799,023, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 734,055 votuesë – 42.63%.
Zgjedhjet e gjashta parlamentare në liri, të tretat në pavarësi, u zhvilluan në 11 Qershor 2017. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,888,059, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 779,729 votuesë – 41.3%.
Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para 27 vitesh, në 24 Maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda të okupimit e shtetrrethimit nga regjimi i dhunës serbe.
Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e zhvilluar nga 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u deklaruan pro 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 për qind.
Në mbledhjen 2 Majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.
Kosova, tani shtet i njohur nga 116 vende të botës anëtare të OKB-së, edhe në kohë lufte mbajti zgjedhje parlamentare e presidenciale në 22 Mars 1998 dhe në 16 korrik 1998 konstituoi Kuvendin e Republikës atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, që megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.