Marjana Bulku/
Gjithmonë më ka shqetësuar fryma përjashtuese në subjektet tona politike. Jo pak herë kam reflektuar, madje edhe reaguar edhe pse në të shumtën e rasteve zëri im ka mbetur si thirrje në shkretëtirë ndoshta edhe si monolog në kushtet një dialogu të munguar. Sistemi shoqëror dhe ai politik në Shqipëri e ka në gen frymën përjashtuese, denigruese, përçmuese pasi ne jemi një shoqëri që luftën klasore e amplifikuam vetë duke duartrokitur gabimet që bënte politika. Kur them Ne për hir të së vërtetës e përjashtoj veten pasi; – së pari për fat të mirë unë dhe asnjë pjesëtar i familjes time nuk ishim anëtar të partisë mëmë (asaj të Punës) që i ndante në klasa popullsinë, në të prekur, të internuar, të përkëdhelur, të deklasuar, familje revizioniste, borgjeze, etj etj.dhe -së dyti kur u bëra anëtare e Partisë Demokratike në janar 1991 e më pas unë kurrë dhe në asnjë moment nuk i kam fryrë zjarrit të urrejtjes dhe përçarjes, denigrimit të tjetrit dhe përjashtimit madje e kundërta ka ndodhur sepse në Demokraci çdo kontribut ka vlerë. Po çfarë po ndodh sot në partinë më të madhe opozitare. Është i pakuptueshëm dhe apsurd përjashtimi i individëve apo individualiteteve e për më tepër kur je në opozitë. Pa dashur të rendis emra dua të kujtoj se zvetënimi i opozitës i ardhur së brëndëshmi më së shumti êshtë një fenomen brejtës dhe vetshkatërrues me të cilin nuk mund të trumpetosh thirrje për fitore. Ka qenë e dhimbshme për mua kur Opozitës i largohej Karamitro, Zhulali, Topi, Patozi, Bojaxhiu, Olldashi, Topalli, Berisha ,etj etj. Akoma më e dhimbshme ishte kur askush nuk ngrinte zërin për këto ZËRA që shuheshin kur aq shumë duheshin për arsye të maturimit të tyre politik por edhe konsolidimit të historikut të Partisë Demokratike. Madje e kundërta ndodhte, më kujtonte fëmijërinë kur në përgjigje të prishjes së marrdhënieve me kinezët apo grupet armike ndaj regjimit të Hoxhës duhet të shkarravisnim nga librat emrat, madje edhe figurat e tyre vizuale. Sot Partisë Demokratike nuk i mungojnë aktorët, por fatkeqësisht ata janë vënë përballë njëri- tjetrit në një duel që nuk i shërben as historisë së saj, as individëve që e deshën dhe as atyre që nuk e duan, as vendit tonë fatkeq i destinuar të mos ketë opozitarizëm por vetëm duartrokitarizëm. Një opozitë dinjitoze do të duhej të shohë përtej vetvetes, të mbjellë shpresa tek ata që nuk kanë dhe që pompoziteti qeveritar i cili prodhon deri aeroporte imagjinare, luks me rrena, ndërkohë kur në çdo cep Shqipëria rënkon nga pafundësi krizash sociale dhe ekonomike, opozita merr një mision tjetër, shërues, inspirues, shpëtues. Një opozitë dinjitoze nuk i ka hije të mbjellë kaq shumë stres, presion dhe konfuzitet brenda antarësisë së saj për çeshtje të saj të brendëshme. Një opozitë dinjitoze nuk përjashton por i fton anëtarêt e saj madje edhe qytatarët jo partiakë në një koalicion që është kundra padrejtësive. Përjashtimin e kam provuar edhe unë, por çfarë kuptova është pikërisht ajo që dua ta ndaj me ju; minidueli i brëndshëm ka efektin diapazional përtej subjektit ku ndodh ai e që zbërthehet në zhgënjim ndaj subjektit i cili në vend që të zgjerojë radhët e të shtojë ndjekësit, godet pa shkak shërbëtorët e vet për arsye egocentrizmi (them unë) duke tkurrur fuqinë e vet dhe duke vetshkatërruar subjektin për të cilin të gjithë jemi përgjegjës. Ndaj theksoj se që një opozitë të jetë dinjitoze do duhej të ndalojë çdo fjalor denigrues dhe poshtrues dhe regjistri gjuhësor politik të pasurohet me ftesa e thirrje përbashkimi pasi opozitarizmi nuk e ka luksin ti thotë askujt: IK ! edhe pse dikujt: Gabove, dhe shumëkujt kthehu. Opozita nuk i takon individit por tërësisë së saj numerike dhe historike që me siguri ka prodhuar Risi në këto vite e qē është koha të marrin në dorë fatet e momentit politik në PD.