Nga Sokol PAJA – DIELLI/
Nimon Tofaj, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Junik dhe anëtar i Këshillit Drejtues të OVL-së në nivel të kryesisë qëndrore në Prishtinë, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol PAJA, për gazetën “DIELLI”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se arrestimet e krerëve të shtetit të Kosovës nga Prokuroria Speciale janë të të padrejta dhe jo korrekte. Sipas z.Tofaj me shqiptarët e Kosovës po bëhet një padrejtësi e madhe pasi në raport me shtetet e BE-së jemi të vetmit që nuk e kemi liberalizimin e vizave, dhe ende ka dyshime që nuk ekziston një vullnet i mirë i BE-së për të na ndihmuar në kauzën që e përjetoi populli shqiptar me gjakun e derdhur për liri e pavarësi. Akuzat ndaj UÇK-së sipas kryetarit të OVL në Junik z.Tofaj, janë të padrejta, kur dihet që UÇK-ja ka dalur nga gjiri i popullit, për ta mbrojtur vendin dhe popullin nga sulmet kriminale të ushtrisë serbo-sllave të Slobodan Milošević.
Lufta e UÇK është ndër luftërat më të pastra e më të ndershme pasi luftëtarët e lirisë ishin të detyruar të mbroheshin pasi ishin të pambrojtur nga genocidi dhe raprezaljet serbe mbi popullsinë e pafajshme shqiptare në Kosovë. Nimon Tofaj, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Junik shprehet se është i turpshëm barazimi i agresorit me viktimën dhe kjo është një përballje e pamoralshme dhe e padrejtë pasi ne jemi në vendin tonë, dhe asnjëherë nuk kemi qenë okupatorë ndaj askujt, por kemi qenë të shtypur padrejtësisht. Akuzat ndaj UCK-së se gjoja u vranë katolikët e Kosovës sipas z.Tofaj është një poshtërsi e ndyrë që në thelb ka synim që të nxitet urrejtja ndërfetare në mes të shqiptarëve. Akuzat janë djallëzore, të poshtra, të pavërteta, me dëshmitarë të rrejshëm dhe të sponsorizuara prej serbëve. Përveç arrestimeve të jashtëligjshme, specialja ka bërë një lojë të ndyrë duke rrezikuar unitetin e popullit dhe shtetit në Kosovë. Sipas. Z.Tofaj Akuzat e Prokurorisë Speciale ndaj krerëve të UÇK -ës janë të përpiluara prej lobit serb e rus me të vetmin qëllim që UÇK të paraqitet si ndërmarrje kriminale dhe të zhvlerësohet roli i saj çlirimtar në betejat e lavdishme për liri e pavarësi. Z.Tofaj ngulmon se lufta për liri ishte detyrim ndaj familjeve, lirisë dhe Atdheut. Lufta ishte akti i fundit i mosnënshtrimit dhe zhdukjes përfundimtare prej represionit serb të shqiptarëve në Kosovë. Nimon Tofaj, anëtar i Këshillit Drejtues të OVL-së në Prishtinë tregon edhe situatën në Kosovë pas rënies të qeverisë dhe arrestimeve nga drejtësia ndërkombëtare. Z.Tofaj sqaron se situata sot në Kosovë është situatë shumë e vështirë. Reagimet e njerëzve ndaj këtyre arrestimeve të padrejta dhe antiligjore janë të mëdha, me plot dyshime, që po njolloset lufta e pastër dhe e shenjtë e UÇK-së, perderisa kriminelët Serbë shëtisin të lirshëm nëpër Europë dhe në botë. Protesta, peticione, organizime apo edhe nënshkrime kundër Gjykatës apo edhe dorëzimi në Kushtetuese nga deputetët e rinj të parlamentit të interpretitimit të mandatit të Speciales pasi sipas z.Tofaj do të provohen të gjitha mundësitë demokratike, pasi që luftëtarët e lirisë mbahen padrejtësisht të burgosur. Nimon Tofaj, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Junik ka qenë pjesëmarrës aktiv dhe një ndër organizatorët në luftën ndaj okupatorit serb për liri e pavarësi.