Ndonëse tashmë kanë kaluar disa vite, nuk kam mundur të harroj pasojat e parikthyeshme të një krimi makabër ndaj një gruaje fatkeqe. Në rrugëtimin e trishtueshëm të atyre viteve, për shkak të detyrës që kryeja, kam parë e njohur shume raste të tmerrshme keqtrajtimesh çnjerëzore, gra të masakruara, të copëtuara, madje dhe me kokë të prera. Por nuk e di, pse atë të gjorë, të ngujuar së bashku me fëmijët e mitur në një Qendër–burg, nuk arrita dot kurrë ta fshij nga kujtesa. Ndoshta për absurditetin flagrant të trajtimit të papërgjegjshëm dhe mizor nga institucionet që duhet të japin e garantojnë Drejtesi, të cilat për fat të keq mbeten në të tilla nivele shkeljesh kriminale edhe sot e kësaj dite…….
…….Pas një rruge të gjatë e të mërzitshme, më në fund makina me të cilën udhëtoja, u ndal para një ndërtese që mesa dukej sapo ishte restauruar. Muret e larta rrethuese e veçonin atë godinë-burg nga hapësirat përreth. Një portë e madhe prej hekuri, mbi të cilën dalloheshin kamerat e sigurisë, ishte vendosur në pjesën anësore të atyre mureve. Shtypja e cetofonit mundësoi disa sekonda me pas hapjen e saj me kërkëllimë. Në anën tjetër të portës, një vajzë e buzëqeshur më ftoi brenda. U prezantua si punonjëse në atë Qendër. Ajo ishte njoftuar për mbërritjen time dhe po më priste. Me të njejtën kërkëllimë gërricëse, porta u mbyll sapo kapërceva pragun e saj.
Disa fëmijë që po silleshin vërdallë në oborrin e ngushtë, u ndalën dhe kthyen vështrimin e pasigurtë e të kuriozuar drejt meje. Mbërritja e një personi të panjohur në atë ambient të izoluar ishte diçka e pazakontë. Një copëz dielli, që vështirësisht arrinte të depërtonte përmes atyre mureve, arrinte të ndriçonte pakëz dhe për ta. Pasi i përshëndeta me disa fjalë përkëdhelëse, hyra në hollin e ndërtesës.
Pranë një dritareje që ndodhej në pjesën ballore të saj, një zonjë e re fytyrëvrarë, e ulur në një karrike plastike, dukej sikur po më priste. Ishte pikërisht gruaja që duhej të takoja. Aty e mbyllur në atë Qendër “integruese” që më shumë se e tillë, dukej si vend izolimi, e përhumbur, ajo po priste.
Situata e rënduar psikologjike, e ndërthurur me një lloj ndrojtjeje dhe përulësie ishte mëse e dallueshme. E zhytur në pasiguri, përgjërohej për ndihmë. Ajo e gjorë kërkonte garanci për jetën e saj të rrezikuar. Kërkonte të jetonte e sigurtë, së bashku me fëmijët e saj, jashtë atyre mureve bllokuese.
Unë as që e njihja. Duke luftuar me vetëpërmbajtjen time, u afrova pranë saj. Mbi fytyrën e drobitur e ligështuar, shquheshin gjurmët e plagëve dhe keqtrajtimit çnjerëzor. Në flokët e rralluar dallohej tek tuk ndonjë thinjë, që më shumë se për shkak të moshës, duhej të ishin pasojë e jetës së zvarritur mes ankthit dhe vuajtjeve. Pa mundur ta shmangija dot, vështrimi im u ndal në zgavrën e syrit të majtë, në të cilin ishte vendosur një topth i qelqtë. Si për të dëshmuar pa fjalë makabritetin e fatkeqësisë së saj, ajo uli kokën dhe sfera prej xhami u rrokullis në pëllëmbën e dorës së dridhur. Sendi i qelqtë, aty në pëllëmbën e saj, dukej aq i padobishëm. Ajo sferë e xhamtë “lebetitej” për atë funksion të mrekullueshëm, të cilin nuk mund ta përmbushte dot kurrë. Nuk mund t’i rikthente asaj të gjore dritën e syrit, dhuratën më të çmuar të Zotit. Ndërkaq, zgavra e mbetur bosh dukej sikur pikonte gjak dhe lot njëkohësisht. Heshturazi, ai boshllëk i panatyrshëm akuzonte gjymtimin çnjerëzor të pësuar.
Pasi e mblodhi pakëz veten, përmes lotëve dhe ngurrimit, zonja e mbijetuar më rrëfeu se martesa e saj kishte qenë një sajesë, një kombinim i pa arsyeshëm që ndodhte rëndom në familjet patriarkale të zonës nga ajo vinte. Që në fillimet e saj, asgjë nuk kishte shkuar mirë në jetën bashkëshortore të asaj vajze të gjorë. Dhuna dhe keqtrajtimi nga bashkëshorti ishin bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë që përpëlitej mes mundimeve. As ardhja në jetë e fëmijëve, nuk e kishte përmirësuar aspak atë situatë. Askush nuk arrinte të kuptonte që durimit të saj po i vinte fundi. Madje, as prindërit nuk e kishin mbështetur përpjekjen e dëshpëruar për t’i dhënë fund asaj lidhjeje torturuese. Ata e kishin konsideruar normale një sjellje të tillë në marrëdhëniet bashkëshortore. Për mentalitetin e atyre zonave, por dhe shumë viseve të tjera, vajzat dhe gratë ishin “pronë” e familjes dhe robinja të pushtetit arrogant mashkullor.
Një tentativë e dëshpëruar për t’ja mbathur së bashku me fëmijët, pa asnjë orientim, i kishte kushtuar shtrenjtë gruas së ngratë. Në kulmin e egërsisë për këtë braktisje, i shoqi e kishte ndjekur dhe në mënyrë shtazarake, i qe vërsulur me thikë në dorë, duke i shkaktuar asaj plagë të shumta në trup dhe në fytyrë. Një prej goditjeve e kishte zënë në sy. Përmes ulërimash dhe dhimbjesh të padurueshme, ajo kishte ndjerë shuarjen e dritës së tij dhe kishte humbur ndjenjat. Pas kryerjes së këtij veprimi kriminal, bashkëshorti burracak ja kishte mbathur, duke e lënë gruan gjysëm të vdekur, të gjakosur e nënshtruar nga dhembjet.
Të pranishëm në këtë skenë, të tmerruar, fëmijët kishin filluar të qanin me të madhe e të rendnin për të kërkuar ndihmë. Një makinë që po kalonte rastësisht në atë rrugë fshati, ishte ndalur dhe kishte shoqëruar ata në spitalin e qytetit më të afërt. Shtrimi në urgjencë dhe operacioni që pasoi, konfirmuan verbërinë e plotë të syrit të dëmtuar.
Teksa dergjej ende në pavion duke luftuar me dhembjet dhe plagët, bashkëshorti qe arrestuar nga policia. Në mungesë të së ëmës, fëmijët u strehuan tek gjyshërit, në pritje të ethshme për t’u bashkuar sa më parë me të. Ndonëse të vegjël, arrestimin e të jatit e kishin pritur me një lloj lehtësimi. Vuajtjet e së ëmës i kishin rritur e maturuar ata para kohe. Fundja, pas izolimit të të jatit, mamaja e tyre nuk do torturohej më. Por ishin gabuar të gjorët. Ndërkohë që sipas ligjit pritej dënimi së paku me dhjetë vite burg i tij, për turpin dhe papërgjegjshmërinë e Gjykatës, ai u dënua me më pak se dy vite. Si të mos mjaftonte kjo shkelje abuzive, “për sjellje të mirë”, bashkëshorti–kriminel pas një viti fitoi lirinë.
Dalja e të shoqit nga burgu, riktheu tmerrin e hakmarrjes së mundshme të tij. Prej muajsh ajo zonjë kishte filluar procedurat e divorcit, ndërsa për shkak të dëmtimeve fizike dhe verbërisë së pjesshme po trajtohej me një ndihmë mjerane ekonomike. Të afërmit përpiqeshin ta qetësonin, se pas eksperiencës së burgut, ndoshta babai i fëmijëve të saj kishte zënë mend dhe nuk do provonte t’i afrohej sërish. Por nuk ndodhi aspak kështu. Gruaja e gjorë kishte pasur të drejtë të frikësohej nga instikti kriminal dhe agresiviteti i tij i pakontrolluar. Nëpërmjet një telefonate, ai akuzoi atë si shkaktare të burgosjes së tij. Përmes fjalësh fyese, në vijim e kërcënoi se në rastin e parë të mundshëm do t’ja nxirrte asaj dhe syrin tjetër. E tmerruar sa më s’bëhej, ajo kishte kërkuar sërish ndihmë, dhe me mbështetjen e një organizate dhe asaj të policisë, ishte strehuar prej disa muajsh në atë Qendër të mbyllur. Jeta e saj dhe e fëmijëve zvarritej brenda atyre mureve, në mungesë totale të lirisë, ndërsa për ironi dhe tragjizëm, agresori i saj bridhte i lirë e i patrazuar në ushtrimin e instiktit kriminal e ndëshkues të tij.
Një grua e pambrojtur, një nënë e zënë në kurth. Ajo ëndërronte të ishte e lirë, dhe të mundej të ndërtonte një jetë pa terror e frikë për vete dhe fëmijët. Në kërkim të hapësirës, sakaq, një pikë loti fluturoi bashkë me të në lëndinat e gjelbëruara, në mes maleve të mahnitshme, luleve shumëngjyrëshe dhe cicërimës së zogjve, ku ajo kishte kaluar vitet e fëmijërisë. Por si mund të garantohej jeta e saj jashtë atyre mureve, kur i shoqi shihej të vërtitej herë pas here si hijenë rrotull asaj godinë????? Teksa e shihja aq të pashpresë, pyesja veten, nëse kishte guxuar ajo e gjorë në rininë e saj të ëndërronte për një të ardhme ndryshe dhe të kishte mundësi të luftonte për t’a bërë atë realitet? A kishte dëshiruar të arsimohej, apo të zgjidhte vetë shokun e jetës? Vallë, a kishte shpresuar të mirëkuptohej e të mbështetej nga ata që e kishin sjellë në jetë????
E gjendur në vështirësi, u përpoqa t’i shpjegoja zonjës besimvrarë procedurat ligjore që lidheshin me mbrojtjen e saj. Si mund ta bindja se e vetmja mënyrë për t’i garantuar jetën, ishte qëndrimi i detyruar pas atyre mureve të izoluara? Sakaq, krimineli mund të vërtitej i lirë e kërcënues, ndërsa viktima e tij, nuk kishte rrugë tjetër, veç asaj të ngujimit së bashku me fëmijët e mitur në Qendrën-burg. Cinike dhe çnjerëzore. Kështu kishte vendosur Gjykata.
Gjysëm ore më pas, u largova prej andej, duke marrë me vehte deluzionin e saj dhe pamjet e traumatizuara të vogëlushëve që po u vritej fëminia prapa atyre mureve të errta. Padrejtësia e institucionit që duhej të jepte drejtësi, më fshikullonte vetëdijen. Isha ndjerë aq e pafuqishme për të lehtësuar sado pak robërinë e asaj gruaje të mjerë. E çfarë mund të bëja kundër vendimit të gjykatës????
Të mbështetur dhe inkurajuar nga politika banditeske e korruptive e bijve dhe pinjollëve të komunizmit, shkelje të tilla të ligjeve nga institucionet e drejtësisë, mbeten aktuale dhe sot e kësaj dite. Si në një treg kaotik perimesh, e drejta është një mall që shitet e blihet. Në këmbim shumash të majme, rrugët janë mbushur me kriminelë të padënuar, grabitës pronash të pandëshkuar, ish pronarë që sorollaten më kot për vite të tëra dyerve të gjykatave. Nën efektin depresiv të nëpërkëmbjes dhe korrupsionit galopant, ka dhe nga ata që dëshpërimisht shkojnë drejt vetëvrasjes. Lamtumira të pathëna, mbuluar trishtueshëm me mjegullën e makutërisë. Dhe gjithë kjo katrahurë ndodh me bekimin e imazhit të drejtësisë së gënjeshtërt, dhe grackës së pabesisë .
Dhe rezultati i vajtueshëm………..Një grua e verbuar dhunshëm që kërkon pakëz siguri………..dhe katër vogëlushë që përgjërohen të jetojnë fëmijërinë e tyre duke rendur të lirë.