
Kastriot Fetahu/
Borgjezët e rinj nuk janë njerëz interesantë; ndërkohë që bota ju duket shumë personale, ata nuk duan që ajo të rrotullohet. E kam vizituar për herë të parë Palasën kur isha student. Ka qenë delta e lumit të atij fshati dhe profesori im i gjeologjisë, një njeri i jashtëzakonshëm si Servet Pasho, që na shpjegoi se ata gurët e bardhë të deltës janë shkëmbinj brekçiozë. Sekretari i Pablo Picassos thoshte se turistët amerikanë vijnë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore për të parë Papën, Pompein dhe Pablo Picasson. Sa do të më pëlqente që, meqenëse Picasso nuk jeton më, të zëvendësohej me Palasën në thënien e sekretarit të tij.
Deri para pak vitesh, kaloja shpesh në rrugën e Rivierës së Jonit për në Sarandë dhe asaj delte, që dukej nga Llogaraja aq e bukur, i gëzohesha si një fëmijë.
Këtë herë nuk mora kënaqësinë e njohur, se nuk ma rroku syri. Gjeta vetëm një pushtim urban, pushtim industrial, si derivat i një pushtimi detar. Kserksi “modern”, kështu mund ta shkatërronte Salaminën greke, mendova. Imagjinata është fragmenti më i bukur i jetës në të cilin ndërtojmë limitin e të ardhmes.
Nuk po e kuptoja imagjinatën e importuar në Palasë.
Para tre vitesh ishin vetëm dy lokale dhe unë preferova “Samoa”-n. Atëherë ishte mrekulli, pasi barbarët nuk kishin zbarkuar akoma dhe as bajlozi nga deti.
Para dy ditësh vizitova përsëri Palasën. Pas një shëtitjeje të shkurtër qëndrova në një lokal në atë “lagjen si pazari turk i Stambollit” dhe, edhe pse një ambient shumë i bukur, në të ishin gjithsej 4 njerëz në pikun e sezonit. Jemi në fillim të gushtit.
U riktheva përsëri dhe në mbrëmjen e sotme përrallore të bregdetit, u ula te dashuria e vjetër, lokali “Samoa”.
Unë nuk i tradhtoj gjërat që iu kam besuar dhe nuk u zhgënjeva as këtë herë, pasi u kënaqa; një kameriere e përkushtuar na e bëri të bukur “Samoa”-n. Pas pak shkova te një mol aty pranë. Nga natyra jam gjithmonë shumë kurioz, nuk qëndroj dot pa pyetur. Nuk e di nëse ka qenë kështu idhulli im Hemingway, amerikani nga Oak Park i Çikagos. Gjatë gjithë kohës së qëndrimit në Palasë më dukej fare pa kuptim aforizma e shkruar nga unë se “Liria ime është një drejtëz dhe askush nuk mund t’i vendosë skajet veç instiktit tim”.
Pasi erdhi një skaf dhe shkarkoi tre djem, pyes dikë nga ata nëse mund të xhironim me të në det?
Akoma i frikshëm më duket emri “skaf”, më ngjan me atë dragoin që ruante lëkurën e dashit të artë në ishullin Kolhidë. Ishte një djalë i qeshur dhe, me të qeshur, më tha se: “Të shkojmë te Shpella Blu, duhen 250 mijë lekë deri në katër persona, për rreth 1 orë e 30 minuta.” U zmbrapsa i trembur. M’u kujtua se kisha prenotuar një jaht në “Lake Michigan” të Çikagos për 25 dollarë orën – një jaht, jo një barkë me motor si në Palasë. Nuk dija çfarë t’i thoja qeshjes së këtij djali të qeshur. Ai e pa dhe e rriti intensitetin e qeshjes. Pas tij erdhi një djalë tjetër, që na dëgjoi dhe u shtruam në bisedë.
Doja të flisja me dikë që të mos më kujtonte dialogun e filmit “Dikush fluturoi mbi folenë e qyqes” me aktorin Jack Nicholson.
—McMurphy, pse dreqin i flet? Ai s’dëgjon fare!
— Po i flas vetes, jo atij. Më ndihmon të mendoj.
— Por s’po ndihmon atë.
— Keq s’po i bëj, apo jo?
— Si të shkon puna sivjet? – e pyeta atë djalë.
I pezmatuar, më tha se është gjysma e punës së vjetshme.
— I kupton arsyet? – vazhdova.
— Po, – më tha. – Parkimin këta e kanë 30 mijë lekë (të vjetra) ditë-natë, ndërsa për dy orë e kanë 5 mijë lekë, çadrat 30-70 euro dhe këtë e bëjnë ata që janë të pasur, se nuk duan të vijnë njerëz jashtë standardit të tyre.
— Në qendër të Bostonit, në Back Bay magjik, – i bëra me dije, – është 2 dollarë ora, kurse të dielave parkimi bëhet falas.
— A e kupton?
Të dielave është falas, ndërsa ditëve të tjera të javës ora e parkimit kushton 1650 lekë me kursin e dollarit në ditën e sotme.
Pasi folëm gjëra të përgjithshme, shfryu për një çast dhe u largua, duke më uruar gjithë të mirat.
Ndërkohë në errësirën që pushtoi vendin lëvizjet u intensifikuan, duke bërë që njerëzit e makinat të rralloheshin.
Palasa, ashtu si një vajzë që e di se është e bukur, por s’di ç’të bëj me bukurinë e saj, po e shkatërron veten me operacione plastike.
Duhet praktikë, mendim dhe aftësi për të jetuar pa pendime.
Lotët janë të parëndësishëm nëse gëzimi njerëzor harron se kufiri mes tij dhe krizave ekzistenciale është sa koha e “vendosjes së kalit grek në Trojën e festës së fitores”.
Në antikitetin klasik, shkrimtari romak Lucan regjistroi një vend të quajtur Palaeste në malin Ceraunian në Chaonia, të Ilirisë. Palasa, ka qene banuar nga fisi epirot i Kaoneve. Jul Qezari zbarkoi ushtrinë e tij në plazhin e Palasës, nga Brindizi në betejën kundër Pompeut, i cili ishte vendosur në Orikum. Qezarit iu bashkuan dhe Amantët e qytet shtetit ilir Amantia, ndaj Palasa është shumë më shumë se një plazh i pushtuar. Në vitin 1632 u krijua një shkollë shqipe në Palasë. Në vitin 1663 u krijua një shkollë greke.
Nuk e zgjidh dot enigmën nëse ka burgje më të tmerrshëm se sa fjalët, apo fjalë më të tmerrshme sesa burgjet?! Hije që nuk mbeten kurrë pas…Në Martinique, ku pushojnë bilionerët e botës, Jeff Bezos e Co., në qiellin e të cilës nuk lejohet të qarkullojnë avionë (një koloni franceze Martinika), nuk janë këto çmime. Atje do të gjejmë dhe statujën e vendases së atij ishulli, Joséphine de Beauharnais, gruaja e parë e Napoleon Bonapartit – ishull që bën pjesë në Antilet e Vogla të Karaibeve. Thënia e Bonapartit: “Të vetmet pushtime që janë të përhershme dhe nuk lënë keqardhje janë pushtimet tona mbi veten tonë”, më kumton se Palasa ngjan si një vend i marrë hua.
Toka e huaj zgjon ndjenjën e aventurës tek burrat, kurse toka jonë zgjon dashurinë për të dhe përtej saj, duke hapur dyert shqiptarisht për shqiptarët.