

Biblioteka “Mehmet Jusufi”/
Ngjarje madhështore në Preshevë – Presidenti Bajram Begaj hapi Edicionin e Dytë të Panairit të Librit Shqip
Presheva u shndërrua sot në kryeqendrën e librit, kulturës dhe artit shqiptar, me hapjen solemne të Edicionit të Dytë të Panairit të Librit Shqip, me moton “Libri dhe Tradita”, në praninë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ambasadorëve, përfaqësuesve të institucioneve, botuesve, shkrimtarëve, artistëve dhe qindra vizitorëve nga të gjitha trojet shqiptare.
Drejtoresha e Bibliotekës së Qytetit “Mehmet Jusufi” dhe organizatorja e panairit, Albina Azizi, e cilësoi këtë ngjarje si një festë të dijes, kulturës dhe traditës, duke theksuar se mbi 30 shtëpi botuese dhe artistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi e kanë kthyer Preshevën në një pikëtakim të rëndësishëm të librit shqip.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, vlerësoi se panairi është shumë më tepër se një aktivitet kulturor – ai është një investim në dije, identitet dhe të ardhmen e Luginës së Preshevës. Ajo nënvizoi se prania e Presidentit Begaj përbën një mesazh të fuqishëm të mbështetjes së shtetit shqiptar për Preshevën dhe shqiptarët e Luginës.
Rita Petro, themeluese e Shtëpisë Botuese Albas, tha se ëndrra për të bashkuar shqiptarët përmes librit po bëhet realitet, duke e cilësuar Preshevën si një vend ku fjala shqipe është identitet dhe premtim për të ardhmen.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Arta Marku, theksoi se libri në gjuhën shqipe mbetet elementi themelor i identitetit kombëtar, duke bërë thirrje për mbështetje të vazhdueshme të leximit dhe promovimit të librit shqip.
Në fjalën e tij, Presidenti Bajram Begaj ritheksoi mbështetjen e Republikës së Shqipërisë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke garantuar se do të vazhdojë të jetë zëri i tyre në mbrojtje të të drejtave, identitetit dhe interesave të tyre në çdo institucion dhe kancelari ndërkombëtare.
Pas ceremonisë së hapjes, atmosfera festive vazhdoi me koncertin e Shoqërisë Kulturore-Artistike “Presheva”, ndërsa Presidenti Begaj vizitoi edhe ekspozitën kolektive të piktorëve nga trojet shqiptare, duke u njohur nga afër me veprat artistike të ekspozuara. Aty delegacioni i prit nga organizatori dhe kuratori i ekspozitës Shqiprim Fejzullahu.
Aktivitetet e Panairit të Librit Shqip vazhdojnë edhe nesër me një program të pasur që përfshin promovime librash, tryeza diskutimi, takime me autorë e botues, si dhe aktivitete të tjera kulturore, duke e bërë Preshevën qendrën e librit shqip për dy ditë me radhë.
Edicioni i Dytë i Panairit të Librit Shqip u organizua nga Biblioteka e Qytetit “Mehmet Jusufi” në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese Albas, me mbështetjen e Komunës së Preshevës, ndërsa u financua nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, duke dëshmuar përkushtimin e institucioneve shqiptare në mbështetje të librit, kulturës dhe identitetit kombëtar në Luginën e Preshevës.