Papa të sëmurëve: “Jam pranë jush, nuk jeni as të braktisur e as të padobishëm” /
“Nuk jeni as të braktisur e as të padobishëm: ju jeni thirrur nga Krishti, ju jeni imazhi i Tij i tejqartë”. Kështu shkruan Papa Benedikti XVI në mesazhin për Ditën e 21-të Botërore të të Sëmurit, që do të kremtohet më 11 shkurt. Ajo ka për temë një frazë nga Ungjilli i Shën Lukës (10,37): “Shko, e bëj edhe ti kështu”. Janë fjalët e Jezu Krishtit, ndërsa shpjegonte shembëlltyrën e samaritanit të mirë. Papa përmend edhe Nënë Terezën, e cila e fillonte gjithnjë ditën duke takuar Jezusin në Eukaristi, për të dalë pastaj në rrugë me Rruzare në dorë e me synimin e qartë për të takuar e për t’i shërbyer Zotit të pranishëm në të vuajturit, sidomos ndër ata, që nuk i do askush.
“Ndjehem veçanërisht pranë jush – vazhdon Ati i Shenjtë – që në vendet ku kuroheni, ose edhe në shtëpi, jetoni një moment të vështirë sprove, për shkak të sëmundjes e të vuajtjes”. Në mesazh, Papa ndalet në figurën emblematike të Samaritanit të Mirë, i cili na tregon cila është sjellja, që duhet të ketë çdo dishepull i Krishtit ndaj të tjerëve, sidomos ndaj të sëmurëve. “Nga dashuria e pafund e Zotit – sugjeron Benedikti XVI – përmes marrëdhënieve të thella me Të në lutje, të marrim forcën për të pasur çdo ditë një kujdes konkret për ata, që kanë plagë në korp e në shpirt, që na kërkojnë ndihmë, edhe pse të panjohur e pa mjete”. Siç bën Jezusi, i cili “përkulet plot mëshirë në humnerën e vuajtjes njerëzore për të derdhur mbi të vajin e ngushëllimit dhe verën e shpresës”.
Papa fton të jetohet Viti i Fesë siç do të bënte një samaritan i mirë, me shembëlltyrën e të cilit, Jezusi na bën të kuptojmë dashurinë e thellë të Zotit për çdo njeri. Shembulli i samaritanit të mirë nuk vlen vetëm për ata, që punojnë në fushën e shëndetësisë, por për të gjithë, edhe për vetë të sëmurin, që duhet ta shohë gjendjen e vet në perspektivën e fesë. “Nuk është mënjanimi i vuajtjes, ikja para dhimbjes ajo, që e shëron njeriun – shpjegon Benedikti XVI, duke cituar Enciklikën “Spe Salvi” – por aftësia për t’i pranuar travajët e për t’u dhënë kuptim përmes bashkimit me Krishtin, i cili vuajti me dashuri të pafund për ne”.
Më pas, përveç Nënë Terezës, Papa përmend disa figura të historisë së Kishës Katolike, që ia kanë kushtuar jetën të sëmurëve, ose që e kanë ngritur në shkallën më të lartë vlerën e vuajtjes njerëzore. Shën Tereza e Krishtit Fëmijë, që diti ta jetonte në bashkim të thellë me Mundimet e Krishtit sëmundjen, e cila i shkaktoi vdekjen, mes vuajtjesh të mëdha; Luigji Novareze, që e ndjente shumë rëndësinë e lutjes për të sëmurët e të vuajturit, të cilët i shoqëronte në shenjtëroret mariane, veçanërisht në Shpellën e Lurdës. I frymëzuar nga dashuria për të afërmin , shkruan akoma Ati i Shenjtë, Raul Folerò ia kushtoi jetën kujdesit për njerëzit me sëmundjen e Hansenit, në zonat më të humbura të planetit, duke promovuar edhe kremtimin e Ditës Botërore kundër Lebrës. E së fundi, shën Ana Shafer e Mindelshteten, që, në mënyrë shembullore, bashkoi vuajtjet e saj me ato të Krishtit.