Papa Françesku u ka bërë thirrje myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve të Bosnjës, që t’i lënë prapa “plagët e thella” të së kaluarës dhe të punojnë së bashku për një të ardhme paqësore.
Në fjalimin e tij në Presidencë e Bosnjës, Papa u bëri thirrje boshnjakëve që të kundërshtojnë “barbarinë” e atyre që vazhdojnë të mbjellin ndarjen “si një pretekst për dhunë të tmerrshme”.
Ati i Shenjtë u bëri thirrje qytetarëve të Bosnjës që të vazhdojnë të punojnë për paqe dhe respekt ndërfetar, përmes durimit dhe dialogut të besueshëm.
“Kjo do të lejojë që zërat e ndryshëm të bashkohen dhe të krijojnë një melodisublime të fisnikërisë dhe bukurisë, në vend të klithmave fanatike të urrejtjes”, tha ai.
Papa Françesku më pas ka shkuar në stadiumin e Sarajevës, ku edhe do të zhvillohet ngjarja kryresore e vizitës së tij. Aty do të marrin pjesë 65 mijë njerëz, shumica prej tyre katolikë.
Mëngjesin e së shtunës, Papa Françesku arriti në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës.
Ati i Shenjtë po zhvillon një vizitë njëditore në Sarajevë dhe atje u mirëprit nga mijëra qytetarë, të cilët kishin dalë ta përshëndesnin derisa po kalonte autokolona prej aeroportit nëpër qytetin e banuar nga rreth 300 mijë myslimanë.
Me vizitën e tij, Papa Françesk synon që të forcojë pajtimin ndërmjet komunitetit serb, atij kroat dhe myslimanëve të këtij vendi.
Hera e fundit kur një lider i Vatikanit ka vizituar këtë vend, ka qenë 20 vjet më parë, pas përfundimit të luftës.
Masat e sigurisë janë të mëdha dhe 5,000 policë do të jenë në detyrë, pasi që pritet që 100 mijë njerëz do të mundohen të takojnë Atin e Shenjtë.
Më shumë se një e treta e popullatës në Bosnje është kroate katolike dhe shteti prej 3.8 milionë banorësh është i ndarë në Republikën Serbe të Bosnjës dhe në Federatën Kroate-Myslimane.