Sot, në Evropë, ndjehet fort nevoja e kulturës së vëllazërimit. Këtë thekson Papa Françesku në videomesazhin drejtuar Maqedonisë së Veriut, të cilën do ta vizitojë më 7 majin e ardhshëm. Vizitë, që ia beson ndërmjetësimit të Shën Nënë Terezës, “Bijë e kësaj toke”.
R. SH. – Vatikan
Përshëndetje, përmes një videomesazhi, për t’u shprehur dashurinë dhe gëzimin njerëzve dhe Kishës të Maqedonisë së Veriut, kur mungojnë vetëm tri ditë nga arritja e tij në Shkup, kryeqytet i vendit. Papa Françesku përmbledh, me pak fjalë, domethënien kryesore të shtegtimit të tij të ardhshëm apostolik në këtë vend, pas dy ditësh, kaluar në Bullgari:
“Sot, më shumë se kurrë, ndjehet nevoja për ta bërë të rritet në Evropë e në mbarë botën, kultura e takimit, kultura e vëllazërimit, e unë do të vij mes jush për t’i mbjellë këto farë, i sigurt se toka juaj është e mirë e do të dijë t’i bëjë të mbijnë e të japin fryte”.
Papa Françesku, më 7 maj, në Shkup. Kishë periferie, e vogël, pot plot gjallëri
Bukuria e tokës suaj – pohon akoma Papa në videomesazh – qëndron në varietetin e kulturave dhe të përkatësive etnike dhe fetare, që jetojnë në të. Për të kujtuar, në vijim, se bashkëjetesa nuk është gjithnjë e lehtë, “ndonëse është lodhje, të cilën ia vlen ta bësh, sepse mozaikët më të bukur janë pikërisht ata, që kanë larmi të madhe ngjyrash”.
Vizitë, nën mbrojtjen e Nënë Terezës
Françesku flet, më pas, për figurën e Shenjtores shqiptare, Nënë Terezës “bijë e tokës suaj”- u kujton maqedonasve. Në Shkup Papa do të vizitojë Memorialin e Rregulltares, ku do të thotë një lutje, në praninë e liderëve të ndryshëm fetarë, për t’u takuar, më pas me të varfërit e Saj. Në videomezazh, Papa thekson se ia beson gjithë vizitën ndërmjetësimit të Shën Nënë Terezës:
“Nënë Tereza, e lindur dhe e rritur në Shkup, u bë, me hirin e Zotit, misionare guximtare e dashurisë së Krishtit në botë, duke u dhënë ngushëllim e dinjitet më të varfërve ndër të varfër”.
Kështu, ky vlerësim i ri, tejet i lartë për Nënë Terezen, do t’i prijë e do ta përcjellë Papën, gjatë gjithë vizitës, aq të dëshiruar, në atë tokë ku pa dritën së pari Gruaja më e madhe e shekullit XX.
Në përfundim Françesku u kërkon besimtarëve të luten, në përgatitje të arritjes së tij, që vizita, tashmë fare e afërt, të jetë e frytshme, “me paqe e të mira për mbarë popullin e Maqedonisë së Veriut”.
Kortezi: Radio Vatikani- 04 maj 2019, 14:06 -Vidion shiheni ne Radio Vatikani
***
Papa, bullgarëve: do të vij mes jush “nën shenjën e fesë, të bashkimit e të paqes”
Dy ditë para nisjes për udhëtimin e tij të 29-të apostolik në Bullgari e në Maqedoninë e Veriut, nga 5 deri më 7 maj, Papa Françesku përshëndet popullin bullgar me një videomesazh dhe flet për shtegtim “në gjurmët e shën Gjon Palit II” e “në kujtim të shën Gjonit XXIII”.
R.SH. – Vatikan
Shtegtim “nën shenjën e fesë, të bashkimit e të paqes”, “në gjurmët e shën Gjon Palit II” e “në kujtim të shën Gjonit XXIII”, dy papë që Françesku i kanonizoi së bashku më 27 prill 2014, në praninë e Papës së nderit, Benedikti XVI. Kështu flet Papa Françesku për etapën e parë të udhëtimit të tij të 29-të apostolik, atë bullgare, në një videomesazh për popullin e Bullgarisë, ku do të shkojë më 5 e 6 maj, për të vijuar më 7 maj, me vizitën në Maqedoninë e Veriut.
“Ardhja në Bullgari do të jetë për mua e për bashkëpunëtorët e mi shtegtim nën shenjën e fesë, të bashkimit e të paqes. Vërtet, toka juaj është atdheu i dëshmitarëve të fesë, që nga koha kur shenjtorët vëllezër Cirili dhe Metodi mbollën aty farën e Ungjillit: farë e mirë, që ka sjellë fryte të begata edhe në periudhat e vështira të shekullit të kaluar”.
Evropa me dy mushkëri e shën Gjon Palit II
Këto fjalë, kujton më tej Papa, “i përsëriste shpesh shën Gjon Pali II”, “i cili punoi aq shumë që Evropa të rizbulonte forcën çliruese të Krishtit e të rifillonte të merrte frymë me të dyja mushkëritë”. Papa Vojtila e pati vizituar i pari Bullgarinë, duke qëndruar në Sofie dhe Plovdiv, nga 23 deri më 26 maj 2002.
“Në gjurmët e tij, do të kem gëzimin të takohem me Shenjtërinë e Tij Patriarkun dhe me Sinodin e Shenjtë të Kishës Ortodokse Bullgare. Së bashku, do të shprehim vullnetin për ta ndjekur Zotin tonë Jezu Krisht në udhën e bashkimit vëllazëror ndërmjet gjithë të krishterëve”.
Legati apostolik, Angelo Roncalli: “njeri i fesë, i bashkimit, i paqes”
Më pas, Ati i Shenjtë kujton imzot Angelo Roncalli-n, Papën e ardhshëm Gjoni XXIII, që në vitin 1925 si Vizitator apostolik e, në periudhën 1931-1934 si Legati i parë apostolik në Bullgari, kontribuoi në riorganizimin e Kishës Katolike vendase.
“Shtegtimi im do të bëhet i gjithi në kujtim të Papës shenjt Gjoni XXIII, i cili, në rreth 10 vitet e qëndrimit në Sofie si Legat apostolik, krijoi me popullin tuaj lidhje vlerësimi dhe dashurie, që vazhdojnë edhe sot. Ai ishte njeri i fesë, i bashkimit dhe i paqes. Prandaj, zgjodha si moto të udhëtimit titullin e Enciklikës së tij historike ‘Pacem in terris – Mir na zemyata’”.
Së fundi, Papa u kërkon bullgarëve ta shoqërojnë me lutje, ndërsa Zotit, t’i dhurojë “paqe e begati Bullgarisë”.