Opinion nga Nexhat Merxhushi/
Ditët e fundit, në një shkrim në gazetën “Kathimerini”, gazetari grek, Stavros Ximas, shkruan se “Kryepeshkopi i Shqipërisë, Janullatos, ndodhet në zemër të një ‘lufte’ të pistë, të motivuar nga qarqet ekstreme nacionaliste dhe islamike, me ndihmën e shërbimeve sekrete në Shqipëri”. Sipas këtij gazetari, objektivi i sulmeve ndaj Kryepeshkopit është çekuilibrimi i harmonisë dhe bashkëjetesës fetare, me të cilën Shqipëria mburret në familjen e sotme europiane. Duke kujtuar kohën e keqe të Kishës Ortodokse në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit, Ximas shkruan se Janullatos punoi i vetëm për ringritjen e saj. Ai thekson se në një kohë kur vendi tërheq shqetësimin ndërkombëtar për “eksport” të xhihadistëve, nuk janë rastësore deklaratat e ish-kreut të shërbimit sekret, Fatos Klosi, sipas të cilit, rreziku nuk vjen prej fundamentalistëve islamikë, por nga fundamentalizmi i Anastasit. Duke e lidhur dhe me polemikat për Shën Kozmain, gazetari grek shkruan se Kryepeshkopi këto ditë është cilësuar sërish një djall antishqiptar. Shkrimin në gazetën “Kathimerini”, Stavros Ximas e mbyll me pyetjen se kush ka interes të prishë harmoninë fetare në Shqipëri?
Mision i Zotit apo i grekëve?
Është e qartë se gazeta “Kathimerini” nuk ka hallin e Kishës Ortodokse dhe të prishjes së “harmonisë fetare në Shqipëri”. Grekët ende rreken të na vënë në diskutim lirinë, për të qenë një komb i pavarur nga grekët! Janullatos ka kohë që është kthyer në një mollë sherri mes shqiptarëve dhe grekëve. Por, për opinionin e shëndoshë shqiptar, misioni i tij është i qartë: Ai investohet prej kohësh për greqizimin e Shqipërisë së Jugut dhe për tjetërsimin e territoreve shqiptare, pra është kundër integritetit territorial të vendit tonë. A thua të jetë ky mision i Zotit, apo i grekëve? Na kujtohet fare qartë se me gjuhën që flet sot gazeta “Kathimerini”, ka folur Anastas Janullatos në Përmet, kur diskutohej çështja e pronësisë së Pallatit të Kulturës, ku u shpreh: “Këta duan të cenojnë bashkëjetesën fetare në Shqipëri. Sulmet kundër Kishës Ortodokse minojnë bashkëjetesën harmonike midis feve”.
Pra, grekët nxjerrin herë pas here ndonjë papagall si gazetari Ximas, ia shkruajnë ato që do të thotë dhe ky rreket të na mbushë mendjen se në Shqipëri ka plasur përçarja fetare, ndërkohë që shqiptarët kanë qenë e janë shembull i harmonisë dhe tolerancës ndërfetare, dhe mund t’i japin leksione Greqisë për respektimin e pakicave etnike e fetare. “Madhështia e kombit tonë është pikërisht kjo, që ne i respektojmë minoritetet dhe pakicat etniko-fetare, edhe pse mbi ne kanë ushtruar gjenocide kombet e tjerë, që ne luftojmë me forcën e shembullit të mirë, dhe jo ‘sy më sy e dhëmb për dhëmbë’”. “Shqipëria nuk bën me minoritetin grek, ashtu siç bën Greqia me minoritetin shqiptar të Çamërisë” – u shpreh kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, më 20 korrik 2014 në Parlament, në përgjigjen për shqytarët e Janullatos; Dule e Bollano, kur diskutohej projektligji për reformën territoriale.
Pavarësisht lehjeve dhe skërmitjeve, greko-shovinizmi me planet e tij, kurrë më shumë se sot nuk gjendet i demaskuar dhe i zbuluar, prandaj ka kaluar në një kundërsulm të dëshpëruar, duke kërkuar mbështetjen edhe të gazetave ultranacionaliste dhe antishqiptare si “Kathimerini”.
Gazeta qeveritare “Kathimerini”, edhe në kohën kur diskutohej Rezoluta për Çamërinë, lëshoi helm nga goja, duke u shprehur: “Çuditemi se si Greqia akuzohet për gjenocid. Erërat e nacionalizmit që kanë mbytur Ballkanin Perëndimor, forcojnë në Shqipëri idenë e Shqipërisë Etnike. Miratimi nga Kuvendi i kësaj rezolute me atë përmbajtje, ose të ngjashme, do të çonte në skaj marrëdhëniet me Athinën, e cila insiston se çështja çame, nuk ekziston”.
Qëllimi i këtij reagimi është të sqarojmë dhe ndërgjegjësojmë bashkëkombësit tanë shqiptarë, ende të pasqarur mirë, duke demaskuar planet dhe politikat që kanë hartuar për të realizuar synimet asimiluese-pushtuese që kanë pasur dhe kanë ndaj kombit shqiptar e Shqipërisë njerëz si Anastas Janullatos, të veshur me petkun fetar.
Grekomani apo kleptomani?
Mund të konsiderohet nacionalizëm e islamizëm pse duam të flitet shqip në kishat tona? Mund të flitet për ekstremizëm islamik kur komuniteti mysliman në Shqipëri nuk ka reaguar në asnjë rast të vetëm kundër Janullatosit, kur ai ka provokuar rëndë këtë komunitet, duke zhvarrosur eshtra myslimanësh, apo kur pjesëtarëve të këtij komuniteti u ka ndërruar fenë në mënyrën më djallëzore e cinike, duke shfrytëzuar varfërinë dhe mjerimin e tyre?! – “Grekomanija, është një sëmundje e rezikçime që shëmbëllen me gangrenën, të cilënë, po s’more masa të repta që në krye, je i dënuar për vdekje!”, thotë Mihal Gremeno në një nga shkrimet e tij. Mos muhamedanët u trazuan në punërat e kishës e të shkollavet të orthodhoksëvet? Përse atëherë, kur kishin e kanë qëllim të mirë, e ndaluanë lëçitjen e ungjillit edhe të tjerave që thuheshin shqip? E mallëkonin me katran gjith’ ata që kuxonin të thonë që janë shqipëtarë? Ç’ishin gjith’ ato amenda (geza) që u epnin fëmijës për çdo fjalë që thoshnin shqip? (Shih: M.G. (Mihal Grameno), Gazeta “Korça”, Korçë, nr. 11, 8 maj 1909). E njëjta gjendje ekziston dhe sot, më pas më shumë se një shekulli.
Shovinizmi në Greqi – fè kombëtare
Me të drejtë pyesim: nga buroi kjo ofensivë provokuese e “Kathimerinit”, dhe kush e ka sponsorizuar atë? Përgjigjja është më se e qartë: Shovinizmi në Greqi është shpallur prej kohësh fè kombëtare.
“Terxhumani Shark” (Lajmëtari i lindjes), redaktor i së cilës ishte S.Frashëri, viti I, më 31 korrik 1878, në faqen 2-3 thotë: “Greqia bën ç’është e mundur të pengojë lidhjen midis muslimanëve dhe të krishterëve orthodoksë. Ajo gjithmonë ka patur dhe ka synime territoriale ndaj vendit tonë. E zëmë se grekët janë një popull që ka vlera të mëdha sa edhe popujt e vjetër. Mirë po e pranoimë, por, a ka vallë një popull me vlerë që të robërojë popujt fqinj? Pyesim “Neollogosin” (gazetë greke e asaj kohe) a është burrëri apo tradhti të nxitësh popullin tënd të rrembejë pjesë nga atdheu i tjetrit? Le të na tregojë një njeri në histori që të ketë bërë një gjë të tillë dhe të jetë lëvduar nga brezat e ardhshëm e të mos jetë kujtuar emri i tij me mallkim. Gjaku dhe kombësia janë të shenjta për çdo njeri”.
Edhe kleri grek nuk mbeti pas. Në vitin 1913, e pushtoi krejtësisht Shqipërinë e Jugut me kisha dhe shkolla, duke thënë: “Kështu ka thënë Zoti Krisht: çdo ortodoks është grek, muslimanët janë turq. Në këtë vend do të banojnë vetëm grekët”. Qeveria greke i quante shqiptarët myslimanë turq, kategori osmane. Shqiptarët myslimanë përbënin shumicën e Shqipërisë së Jugut. Ata duhej, ose t’i nënshtroheshin masakrave greke, ose të braktisnin përgjithmonë atdheun e tyre.
Në të gjitha viset e pushtuara nga ushtria greke në vitin 1913, u vunë tabela greqisht dhe frëngjisht: “Bashkim me Greqinë ose vdekje”. Më 16 shtator të vitit 1913, u dha urdhri që të gjithë fshatarët e qytetarët ortodoksë të qyteteve dhe të fshatrave të Gjirokastrës, të Delvinës, të Tepelenës, të Leskovikut e të Përmetit, të vinin përpara shesheve të metropolive dhe të kishave. Në çdo shesh të këtyre qyteteve qe vendosur një tryezë e mbuluar me flamurin e Greqisë. Në tryezë gjendej Ungjilli i Shenjtë. Priftërinjtë, të veshur me petka të shenjta, kishin zënë vend pranë tryezave. Mësuesit e shkollave greke dhe nxënësit e tyre mbanin në duar nga një flamur grek. Këta mësues kishin sjellë edhe çupat e shkollave greke. Ato kishin veshur nga një bluzë të kaltër, që kishte në mes të gjoksit një çapar, ku gjendeshin të shkruara me shkronja të arta këto fjalë: “Bashkim me Greqinë, ose vdekje”. Pranë tryezave të këtyre shesheve qëndronin klerikët dhe qeveritarët grekë…
Kambanave të tilla u bien edhe sot klerikët shovinistë grekë. Për vendin tonë, shovinizmi grek është një kërcënim i vijueshëm dhe i pabesë. Nacionalshovinizmi grek është vrasës i demokracisë. Ai është shovinizëm me jehona kambanash kishe.
Shën Kozmai, shenjt apo djall?
Sa për polemikat për Shën Kozmain, i cili mbahet nga grekët si “apostull i helenizmit” dhe që Janullatos e ka aq për zemër dhe autorët grekë e përmendin shpesh, mund të citojmë thirrjen e tij të “famshme”, për ta krijuar vetë idenë për këtë murg famëkeq: “Dërgoni fëmijët tuaj të mësojnë greqisht, për arsye se Kisha jonë është greke! – sokëllinte Shën Kozmai. “Dhe ti, vëllai im, po nuk mësove greqisht, nuk mund të kuptosh ato që thotë kisha jonë. Më mirë, vëllai im, të kesh shkollë greke në vendin tënd, se sa të kesh burime dhe lumenj. Cilido i krishterë, burrë apo grua, që më premton se brenda në shtëpi nuk do flasë shqip, le të ngrihet në këmbë dhe të ma thotë këtu. Unë do t‘i marr atij të gjitha mëkatet në qafën time, që nga dita e lindjes së tij deri sot, do t’i porosis të gjithë të krishterët që t‘i flasin dhe do t’i shlyej të gjitha mëkatet. Ai nuk do t’a gjente këtë rast sikur të jepte para me mijëra”. (Predikimi i shtatë, drejtuar shqiptarëve të Epirit).
Me këtë teori, Shën Kozmai donte të çrrënjoste gjuhën shqipe nga shqiptarët. Propaganda e Shën Kozmait hapte rrugën për greqizmin e Jugut të Shqipërisë. Sot, misionin e Shën Kozmait, e vazhdon me devotshmëri Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Janullatosi dhe pasuesit e tij përdorën “armën e intrigës së famshme greke”, siç thotë Konica. U arrit deri aty sa u hodh në erë natën “Shtëpia e Kulturës dhe e Flamurit” në Korçë, e Themistokli Gërmenjit, e cila gjet gurë mbi gurë në mëngjesin e 11 gushtit 2012.
Më 2 gusht 1992, eksarku u shpall kryepeshkop i KOASH-it, dhe mori miratimin e shtetit shqiptar. Video e fronëzimit të tij, vazhdon të qarkullojë në internet, ku shquhet dhe një flamur grek gjatë asaj ceremonie. Qartazi dëgjohen në kor zërat e ortodoksëve patriotë, që thërrasin emrat e martirëve ortodoksë shqiptarë, si Papa Kristo Negovani dhe Petro Nini Luarasi, të masakruar nga Kisha Greke, dhe “besnikët” që brohorasin për Janullatosin. Më pas, dëgjohen dhe këngë patriotike “Për Mëmëdhenë!”… Kjo është fshehur deri tani nga përkrahësit e Janullatosit dhe nuk është komentuar as nga fanatikët e tij.
Drejtuesit e shtetit shqiptar, e nënvleftësuan, ose e harruan të djeshmen e marrëdhënieve të Kishës Ortodokse greke me Kishën Ortodokse Shqiptare. Kisha Ortodokse Shqiptare, në fakt, e shpalli “autoqefalinë” në luftë me Kishën Greke! Madje u krijua për t’i prerë duart vrastare Kishës Greke. Kjo është ironia, që në krye të Autoqefalisë, të risjellin pikërisht një grek!
Tani mësoni se si e përhap rrënjosjen e greqizimit në Shqipëri, Janullatosi. Prof. dr. Flori Bruqi shkruan: “… Ngriti K.A.SH. me 400 famulli, themeloi Akademinë Theollogjike ‘Ngjallja e Krishtit’ në Durrës 1992 dhe dy lice kishtarë, shkolloi dhe dorëzoi 150 klerikë. Themeloi 50 qendra rinore në qytete të ndryshme. Bëri të mundur ndërtimin e 145 kishave të reja. (të stilit grek shën. im), u riparuan 160 kisha ekzistuese, si dhe 70 qendra kishtare të tjera. (Po të stilit grek shën im.), ndërtesa, mitropolite, shkolla, qendra mjekësore, shtëpi pritje, kampe rinore etj. Themeloi kolegjin “AKSARIO” në Sauk (shën. im) ku ndërtoi 425 ndërtesa. Themeloi qendra mjekësore diagnostike me 24 specialitete, dy institute të formimit profesional. Themeloi një gazetë të përmuajshme dhe tri revista, një stacion radiofonik. Themeloi katër qendra mjekësore, dy institute të formimit profesional, një lice profesional, dy shkolla fillore, shkolla për vajza dhe konvikte, 17 kopshte fëmijësh etj…”. Të gjitha këto janë arteria ku Janullatosi mundohet të përhapë helenizimin nëpërmjet gjuhës greke, nën hundën e qeverisë shqiptare dhe të Akademisë së Shkencave.
Atij nuk i ka interesuar ndonjëherë harmonia fetare në Shqipëri, përkundrazi. Para pak kohësh, Janullatosi ka deklaruar në gazetën greke “Kathimerini”: “Nuk e kuptoj idenë e shqiptarëve, se feja e shqiptarit është Shqiptaria. Këtë tezë do t’a luftojmë, duke dalë hapur kundër Rilindjes Kombëtare Shqiptare”.
Ndërsa historiani grek, Nikolas Stavros, ka thënë: “Futja në dorë e Kishës Shqiptare, është fitorja më e madhe e jona në Shqipëri në shek. XX”. Kjo deklaratë e historianit grek, tingëllon tepër poshtëruese për nderin dhe për dinjitetin e Republikës së Shqipërisë.
Mendoni ç’do të ndodhte po të ishin gjallë Imzot Noli, Kristo Kirka, Kristo Dako, Kristo Floqi, Kolë Tromara, Kolë Rodhja, i pavdekshmi Petro Nini Luarasi, shpirti i të cilit ende thërret: “Vramëni, po mblidhmani gjakun se do t’u duhet fëmijëve të shkruajnë gjuhën shqipe”!- po të rronte Papa Kristo Negovani, Papa Stathi Melani dhe Papa Llambri Ballamaçi, po të ishin të gjithë martirët e helmuar nga Kisha Greke (Lum martirët, na mëson Ungjilli)….
Fortlumturia e tij erdhi si eksark për riorganizimin e Kishës Ortodokse, jo për të qëndruar përjetësisht në fronin e Kryepeshkopit, ndërkohë që Statuti i Kishës Autoqefale të Shqipërisë, e kërkon të parin e Kishës me nënshtetësi, gjuhë e kombësi shqiptare. Kishat e ndërtuara nën drejtimin e Kryepeshkopit, u bënë krejtësisht me stilin e kishave greke, Janullatos dëshmoi hapur pozicionin e tij antishqiptar kur kundërshtoi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, apo mospërkrahjen e popullsisë çame dhe refuzimin e Lutjes për viktimat, të organizuar nga Shoqata Çamëria e PDIU në përvjetorin e gjenocidit grek; pasi ai nuk njeh gjenocidin grek mbi Çamërinë. Priftërinj grekë, me parullën “çdo ortodoks është grek”, në emër të luftës kundër osmanëve, vranë, prenë e dogjën fshatra me popullsi shqiptare myslimane. Këta priftërinj, grekët i quajtën “strategë”, “huniadë” dhe i bënë heronj! Njëri prej tyre, ishte Dionis Filozofi, për të cilin Janullatos ka shprehur adhurim.
Anastas Janullatos, ky uzurpator i mbështetur nga klane shoviniste dhe antishqiptare, është duke bërë planet e tij për pasardhësin po grek në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare, pasi ndërroi statutin e Fan Nolit, të dekretuar nga Mbreti Zog, statut që përcakton qartë se Kryepeshkopi, peshkopët, priftërinjtë etj., janë prej gjaku, gjuhe dhe kombësie shqiptare, statut i njohur nga Patriarkana e Stambollit, si i përjetshëm.(Kortezi: Gazeta Shqip)