Nga ANGELO PANEBIANCO/
Të lexohet tani politika e Anxhela Merkelit kundrejt Rusisë ndihmon të kuptohet se cili ka qënë “gabimi” i vërtetë i Perëndimit, përgjegjësia e vërtetë e tij, në luftën në Ukrainë.
Takimi i nivelit të lartë të G7 në Japoni, mbi të gjitha ka qënë një pranim. Ka shënuar ndryshimet rrënjësore që prej kohësh tashmë janë në veprim ndërmjet West and the rest, ndërmjet Perëndimit dhe pjesës tjetër të botës. Të mbyllura kllapat e një periudhe që zgjati vetëm pak dhjetëvjeçarë, mbas fundit të Luftës së ftohtë, në mbizotërimin e pakundërshtueshëm të amerikanëve, të gjithë duhet të bëjmë përsëri llogaritë me shemërinë tradicionale, të ashpër të fuqive të mëdha. Siç ka qënë gjithmonë. Është vullneti i Kinës për të rishkruajtur rregullat e bashkëjetesës ndërkombëtare në pajtim me tashmë statusin e saj të mbifuqisë. Edhe duke përdorur fuqinë (Taivani) nëse do t’a quajë të nevojshme. Dhe është belegu rus Perëndimit (Ukraina). Mund të thuhet se në rastin e evropianëve, të mësuar, në sajë të mbrojtjes amerikane, me një paqe të gjatë që vazhdon që nga fundi i luftës së Dytë botërore, nuk do të kishte qënë asnjë zgjim, asnjë pranim pa mësymjen ndaj Ukrainës. Më 24 shkurt 2022 (fillimi i mësymjes ruse) evropianët papritmas zbuluan se n’atë mëngjez ishin zgjuar në një botë të re.
Asgjë nuk tregon më efektëshëm ndryshimin e përceptimeve e të gjykimit nga ana e evropianëve se sa ndodhia e Anxhela Merkelit. Duke folur ndihmon për të kuptuar se cilët janë problemet me të cilët evropianët do të përballohen sot.
Mund t’a përmbledhim në një formulë parabolën e ish kançelares gjermane: nga “menjëherë shënjtëreshë” në “Merkeli, kush?”. A e kujtoni? Anxhela Merkel u festua nga shumë evropianë (italianët në krye) si njëra nga shtetaret e mëdha të shekullit, një drejtuese që, për shumë vite, kishte udhëhequr me urtësi jo vetëm Gjermaninë por edhe Bashkimin Evropian në tërësinë e tij. Por shtati i saj politik aq i festuar, fama e saj e madhe, u bënë copë e çikë kur Putini filloi mësymjen e Ukrainës. Papritmas u kuptua ajo që, në mënyrë të fajësueshme, nuk ishte kuptuar më parë: nëse përqafon një egërsirë (siç bëri Merkel me Putinin) në përpiekje për t’a zbutur, ajo shpejt a vonë do të të shqyejë. Politika e Merkelit kundrejt Rusisë ndihmon të kuptohet se cili qe “faji” i vërtetë i Perëndimit, përgjegjësia e tij e vërtetë, në luftën në Ukrainë. Simbas teorikëve të dy imperializmëve të barazvlefshëm (rus e amerikan), është NATO, me politikën e saj të shtrirjes në Lindje, shkaku i luftës në Ukrainë. Por faji i Perëndimit (që është), është ai i mos vënies në zbatim prej kohësh i masave bindëse që ndoshta do të kishin shkurajuar imperializmin rus: nuk është përqafimi, por tundja para hundës së saj të një shkopi të trashë që të mund të ndalonte egërsirën për të kafshuar. Merkeli nuk ishte përgjegjësja e vetme. Përgjegjësia më e madhe, natyrisht, i takon Shteteve të Bashkuara dhe evropianëve të tjerë, si francezët e italianët, që bënë pjesën e tyre duke dhënë ndihmesën në vërtetimin e katastrofës. Por Merkeli, pikërisht sepse ishte në krye të Shtetit më të fuqishëm evropian, pati një rol vendimtar.. Nuk u shqetësua aspak (ashtu sikurse evropianët e tjerë) për sulmin ndaj Gjeorgjisë të 2008-tës, Merkeli zgjodhi të mos shohë se çfarë Rusia po i përgatiste botës. E vazhdoi (në mënyrë djallëzore) më 2014, kur Putini mësyu Donbasin e mori Krimenë. Për të parën herë mbas luftës së Dytë botërore, një fuqi e madhe dhunonte tabunë mbi të cilën themelohej paqja n’Evropë (tabuja simbas së cilës, kufijtë mund të ndryshohen vetëm nëse janë të shkëmbyeshëm me dëshirën e dy palëve), por Merkeli nuk e ndryshoi as edhe për një milimetër qëndrimin e saj kundrejt Rusisë. Së bashku me mikun e saj, Putinin, ajo i vuri rreth qafës së një Ukraine të raskapitur lakun e quajtur “marrëveshjet e Minskut”. Për më tepër, ndërsa shtirej sikur nuk shikonte e nuk dëgjonte, nën qeverinë e saj, mbas 2014-ës vartësia e Gjermanisë kundrejt gazit rus u shtua në vënd që të pakësohej. Është e vërtetë: edhe Italia bënte të njëjtat gjëra, por është dukëshëm se nëse Gjermania do të kishte këmbyer politikë, italianët do të kishin qënë të detyruar të përshtateshin.
Është ky grumbull gabimesh që shpjegon se pse gjykimi i përgjithshëm mbi Anxhela Merkelin ka ndryshuar kaq shpejt. Ish kançelarja na ka lënë (krejtësisht pa dashje) një mësim mbi atë që nuk mund e nuk duhet bërë.
Në Ukrainë luhen njëherësh dy ndeshje. E para ka të bëjë, natyrisht, me fatin e atij Vëndi. Mbështetja perëndimore është jetike për të ndihmuar ukrainasit për të liruar tokën e tyre nga pushtuesi. Ndeshja e dytë, po aq jetike për ne e për paqen n’Evropë, ka të bëjë me nevojën për të krijuar pikërisht atë që ka munguar e që shpjegon mësymjen: një sistem frikësimi, aq të fuqishëm e kryesisht aq të besueshëm sa të ndalonte në t’ardhmen përpjekjet për të vënë përsëri në diskutim kufijtë evropianë, në vetëdijen se të gjithë do të duhej të kishin n’atë pikë, se ajo është e vetmja rrugë për të pamundësuar një luftë të përgjithëshme n’Evropë.
Por që një sistem frikësimi i vërtetë të jetë i rimëkëmbur e në gjëndje të t’i qëndrojë kohës, varet jo vetëm nga përfundimi i luftës në Ukrainë, por edhe nga vendosmëria me të cilën perëndimorët do të dijnë t’a mbështesin. Do të jenë drejtimet që do të mbizotërojnë në demokracitë tona, të cilët do të vendosin nëse ato do t’arrijnë t’a mbrojnë paqen me masa të përshtatëshme ose nuk do t’i a arrijnë. Opinionet publikë janë të ndara, n’Amerikë si n’Evropë, përsa i përket Ukrainës. Deri kur do të jetë e mundur n’Evropë të përmbahen trysnitë e asaj pjese të opinionit publik (n’Itali është tepër e fuqishme), që ka bërë të veten, duke i a përshtatur kohëve të reja (pas komuniste), fjalën e urtë të lashtë “më mirë të kuq se të vdekur”? Po atë pjesë të opinionit publik për të cilën ajo që ndodh n’Ukrainë nuk ka të bëjë me ne, ne duhet të shohim punët tona, nuk duhet të rrezikojmë që Putini të fillojë edhe me ne. Janë drejtime të përhapura që pakica të politiçizuara, kundëramerikane më shumë se filo-putiniane, kërkojnë të shfrytëzojnë për të detyruar fundin e mbështetjes evropiane ndaj Ukrainës.
Paqeja n’Evropë është e varur në aftësinë e amerikanëve dhe evropianëve për t’i qëndruar sirenave t’atij që, për një jetë të qetë, do të donte të n’a kthente në të paarmatosur, të pambrojtur. Çështja e Anxhela Merkelit na mëson: në hapësirë kohe, nuk janë zgjedhjet që dukeshin më popullore në çastin ato që përcaktojnë madhësinë e një udhëheqësi. Janë më të drejtat.
“Corriere della Sera”, 21 maj 2023 Përktheu Eugjen Merlika