![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/Nexhmije-Pagarusha.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/85017945_505899413448367_7219826379464900608_n.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/Isa_vatovci_Nexhmije_Pagarusha_1_983705065.jpg)
-Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e muzikës shqiptare, Këngëtarja e Shekullit, Artiste e Merituar, Nderi i Kombit, janë disa prej epiteteve dhe dekoratave për këngëtaren e madhe shqiptare, Nexhmije Pagarusha/
-Në 7 Shkurt 2014, Nexhmije Pagarusha qante per shuarjen e Vaçe Zeles “Unë Vaçen e kam shpirt. Unë me të do jetojë derisa të shkojë edhe unë te ajo…” Fliste e qante këngëtarja për këngëtaren, e pyetur nga korrespondenti në Kosovë tani i Gazetës DIELLI/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 7 Shkurt 2025/ Bilbili i Kosovës, këngëtarja Nexhmije Pagarusha, e lindur në 7 Maj 1933 në fshatin Pagarushë, ka ndërruar jetë në moshën 86 vjeçare, njoftohej në 7 Shkurt 2020.
Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e muzikës shqiptare, Këngëtarja e Shekullit, Artiste e Merituar, Nderi i Kombit, janë disa prej epiteteve dhe dekoratave për këngëtaren e madhe shqiptare, Nexhmije Pagarusha, për të cilën vlerësimet më të larta shpreheshin edhe në mesazhet e shumëta të ngushëllimit.
E vlerësonte lart edhe media, duke theksuar se “Nexhmije Pagarusha, ikona e muzikës shqipe, ishte e njohur si një grua e cila gjatë gjithë karrierës së saj i ka shërbyer me nder dhe dashuri atdheut të saj përmes artit” dhe se “mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë”.
7 SHKURT 2014: QANTE KËNGËTARJA PËR KËNGËTAREN
Pikërisht në 7 Shkurt 2014, kam shkruar se Bilbili i Kosovës Nexhmije Pagarusha qante për Vaçe Zelen që u shua një ditë më parë në Basel të Zvicrës në moshën 75 vjeçare:
PËR VAÇE ZELEN SOT QANTE EDHE BILBILI I KOSOVËS
Prishtinë, 7 Shkurt 2014-Behlul Jashari/ Për Vaçe Zelen sot qante Nexhmija Pagarusha, u përgjigj me shumë lotë kur e pyeta si ndihet Bilbili i Kosovës në këtë ditë lamtumire nga Prishtina të Ikonës dhe Mbretëreshës së Këngës Shqiptare.
“Unë Vaçen e kam shpirt. Unë me të do jetojë derisa të shkojë edhe unë te ajo…”, flet këngëtarja për këngëtaren.
Dhe, si ta ngushëllojë veten vazhdon: “Është me mua Vaçja.Vetëm trupi i saj nuk është, se shpirti i saj është me mua…”
“E takimi i parë ju kujtoht sot?”, e pyesim Nexhmijen.
“Takimi i parë ishte në Shqipëri në vitin 1971. E kam parë në skenë, nuk më ka ndodhë kurrë në jetë dikush të shkëlqejë si ajo, shkëlqente njerëzimi, e mira e saj, shpirti i saj i shëndritshëm…Edhe kur e kam takuar nga afër më është dukur ashtu, më e bukura, më e mira…Unë kam takuar shumë njerëz, kam parë botën, por si Vaçja që më ka hyrë në shpirt nuk kam parë”, shprehet Nexhmija.
Dhe vijon gjithnjë mes lotëve: “I dua të gjithë njerëzit, më duan…Po ajo, Vaçja, është imja, dhe unë ate e mbajë në shpirt. Trupi i saj shkoi, por shpirti i saj është te unë. Ngushëllime gjithë Shqipërisë, gjithë Kosovës, gjithë kombit dhe gjithë njerëzve…”, shprehet Bilbili i Kosovës.
Nexhmija kujton komunikimin e saj të fundit me Vaçen. “Tash kur kishte dalë prej spitalit, që ishte katër muaj, bisedova edhe u gëzova shumë se më tha ishte më mirë…”
Nexhmije Pagarusha, mes shumë artistëve, shumë njerëzve të pikëlluar kishin ardhur pasditen e sotme në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë për të pritur mbërritjen e trupit të pajetë të këngëtares së njohur shqiptare, Vaçe Zela, dhe për lamtumirën artistes së madhe.
Mes tyre ishte, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, i cili tha se këtu në Prishtinë plotësohej amaneti i fundit i Vaçe Zelës. “Siç më thanë edhe motrat e saj, ka kërkuar vetë Vaçja që të kalojë nëpër Kosovë, drejt Shqipërisë… Me zërin e saj, me shpirtin e saj, i ka kënduar këtij vendi, i ka kënduar kombit tonë…”, tha ambasadori shqiptar Lauka.
Si një yll, Vaçe Zela, u shua dje në një spital në Basel të Zvicrës, pas një sëmundjeje të gjatë, në moshën 75 vjeçare.
NGA ARKIVI
4 Maj 2010: KOSOVË – NEXHMIJE PAGARUSHA DEKOROHET ME ÇMIMIN “ARTISTE E MERITUAR”
PRISHTINË, 4 Maj 2010- B.Jashari/.- Nexhmie Pagarusha, e njohur edhe si “Bilbili i Kosovës”, u dekorua sot nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, me çmimin “Artiste e Merituar” për veprimtarinë dhe kontributin e veçantë dhënë kultivimit të muzikës dhe këngës së përsosur shqipe, teatrit dhe filmit.
Dekorata u dorëzua sot solemnisht në ambientet e zyrës së Presidentit të Kosovës.
Në arsyetimin e dekorimit të znj. Pagarusha, Presidenti Sejdiu theksoi se “kontributi i Nexhmije Pagarushës në fushën e krijimit, kultivimit, interpretimit dhe të promovimit të artit muzikor shqiptar është i një rëndësie të jashtëzakonshme”.
“E përkushtuar gjithë jetën për të ngritur vlerat e artit muzikor, duke krijuar identitet referues kulturor, duke qenë zë i fuqishëm i shpirtit dhe vlerave estetike shqiptare, ajo ishte dhe mbetet shenjë identifikuese e Kosovës dhe simbol i artistit që me veprën e vet komunikon në mënyrë autentike dhe përherë frymëzuese me një audiencë të gjerë muzikore”, theksohet në arsyetim.
Po ashtu vlerësohet se Nexhmije Pagarusha “është shembulli më i mirë i personalitetit që tërë jetën ia kushtoi zhvillimit dhe ngritjes së artit dhe kulturës shqiptare dhe si e tillë ajo është frymëzim nxitës për brezat krijues dhe interpretues të artistëve”.
Presidenti Sejdiu e dekoroi znj. Pagarusha në 77-vjetorin e lindjes së saj dhe dekorimi u bë në bazë të Nenit 84, pika 28 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe në bazë të Nenit 3, 34 dhe 49 të Rregullores mbi Dekoratat, Urdhrat dhe Titujt e Nderit të Kosovës që i jep Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Procedurat e Dhënies së tyre.
27 Nëntor 2012: “NDERI I KOMBIT” PËR NEXHMIE PAGARUSHËN
TIRANË, 27 Nëntor 2012/ATSH/.- Presidenti Bujar Nishani nderoi të martën me Urdhrin “Nderi i Kombit” këngëtaren e madhe shqiptare, Nexhmie Pagarusha, me motivacionin: “Artistes së shquar me zë të rrallë dhe interpretim virtuoz, që i dha shpresë dhe besim popullit shqiptar të Kosovës në vitet e vështira të pushtimit serbomadh dhe që i shtoi vlera dhe cilësi të reja kulturës shqiptare, duke u bërë pikë e rëndësishme referimi në historinë e saj”.
Në ceremoninë e zhvilluar në Presidencë, ku ishin të pranishëm personalitete të artit dhe kulturës shqiptare,
Presidenti vlerësoi veprën e madhe kulturore dhe artistike të zonjës së madhe shqiptare, Nexhmie Pagarusha.
“Gjatë 100 viteve, ne shqiptarët kemi qenë të pushtuar e të ndarë, por kulturën e këngën kurrë nuk mundën ta izolojnë, ta pengojnë, apo ta ndrydhin. Për ne është fat që, veçanërisht në momentet e vështira të izolimit, mesazhi përmes artit, përmes shpirtit të zonjës së madhe Nexhmie Pagarusha, ishte ndër gjërat e pakta që na mbante gjallë shpesën për të qenë një ditë pranë njëri-tjetrit”, u shpreh Nishani.
Artistja e madhe, me fjalët e saj i emocionoi të pranishmit, ndërsa përcolli urimet më të mira për ditën e gëzueshme të 100-vjetorit të Pavarësisë. /a.s/ /m.m/