
Akad. prof. dr. Valter MEMISHA
Pjesa e tretë…
Gjithashtu, në kuadrin e kulturës së gjuhës, M. Frashëri ngre problemin e hyrjes së panevojshme të fjalëve të huaja nga gjuhë të ndryshme dhe të përzierjes së tyre në ligjërime të ndryshme, duke cenuar rëndë fjalën shqipe. Ai shkruan në artikullin Shqip kuvendojmë, apo çorbë trazojmë (po citoj një pjesë të plotë): “Edhe m’u kujtua që mjaft shqiptarë e kanë për mburrje të përziejnë një shumicë fjalësh të huaja, kur kuvendojnë shqip. Myslimanët, që kanë nxënë turqisht, trazojnë fjalë nga kjo gjuhë; të krishterët, që kanë mësuar greqisht, trazojnë gjuhën e tyre me fjalë të marra nga gjuh’e Athinës, edhe thonë; malista, parakallo, kalimera, matotheo, efharisto, etj. (Këto fjalë shqip përkthehen: si urdhëron, të lutem, mirëdita, për perëndinë, tungjatjeta, etj). Do me turqisht qoftë, do me greqisht, ata që trazojnë gjuhën shqip me fjalë të tjera, bëjnë një faj të madh. Bëjnë faj se është një gjë fort e shëmtuar të vërë njeriu fjalë të huaja në një gjuhë. Kur e flet vetë, njeriu s’i ve re: po kur dëgjon një tjetër, që kuvendon një gjuhë të përzier me fjalë të huaja, ahere e kupton se sa shëmtim ka.
Bëjmë faj duke përdorur fjalë të huaja, harrojmë fjalët shqip dhe prishim gjuhën tonë. Pastaj, fjalët që përdorim nga turqishtja a nga greqishtja, i marrim pa ndonjë nevojë, veç ca të paka si çorbë, hesap, akoma, etj. Në vend që të themi efendëm – duhet të themi zot, zotni: në vend të vade – të themi punë; në vend të sebep – të themi shkak, ngaje; në vend të katl të themi vrasje; në vend mahqum të themi u dëmtua… Sa për fjalën bendenezi, këtë fjalë të ndyrë, as duhet ta përdorim fare. Bendenezi do të thotë robi juaj dhe përdoret për të vogëlsuar veten dhe për të rritur tjetrin; gjuha shqip s’ka nevojë për këtë fjalë dhe as me ndonjë gjuhë s’thotë njeriu për vetene tij robi juaj; në shqip themi: unë, dhe atij q’i flasim i themi: zotëri, zotrote, po kurrë bendenezi.
Duke menduar që çdo shqiptar ka detyrë të përpiqet të flasë dhe të shkruajë drejt dhe pastër gjuhën e tij, guxova të dërgoj këto radhë te “Kalendari”, që të nxënë mend ata që thonë: efharisto!”
8. Mid’hat Frashëri i jep vend të veçantë librit shqip, si burimi i parë i emancipimit kulturor, shoqëror, intelektual etj. të shqiptarëve. Ai shkruan në vitin 1908, në artikullin Librat shqip se “Në kombet e qytetëruara, ata që shkruajnë, mundohen më tepër të nxjerrin në dritë popullin. Libra që të këndohen dhe të kuptohen prej cilitdo, libra që të stërvitin dhe ta mësojnë njeriun. Këta libra popullorë, këta libra të diturisë së vulgarizatur, janë shumë më të dobishmë, se librat mësimorë të shkollës; se në shkollë njeriu vete disa vjet, po për mësim ka gjithnjë nevojë. Librat popullorë janë shumë më të nevojshëm për ne shqiptarët, se për kombet e tjerë, se për ne – populli ka nevojë që të nxënë çdo gjë, se tani s’di fare gjësend. Populli ynë ka nevojë të nxërë sot edhe më të lehtat e diturive, edhe më të voglat e tyre, se kombi ynë tani zuri të mësojë.”
Në këtë artikulli ai vëren se “Mos kujtoni se këtu dua të numëroj librat, që janë shtypur në gjuhën shqipe. Po edhe mos mendoni se nuk i numëroj dot nga shkaku i shumicës, se gjer më sot tërë numri i librave shqip mbase nuk kapërcen më shumë se 150. Nuk dua të qahem nga pakica e këtij numri, se kur mendohem që gjuha shqipe s’ka qenë e lirë, kur mestoj që qeveria e parë këndimin e një libri shqip e dënonte me burg e me syrgjyn, kur kujtoj që s’kemi patur shkolla shqip, çuditem prapë qysh janë shkruar dot kaq libra dhe si është përhapur mësim i gjuhës sonë. Edhe kjo vetë një shenjë gëzimi, një shenjë fuqie për kombin tonë, se gjithë sa kemi bërë për kombësinë dhe për gjuhën tonë, e kemi bërë pa u trembur nga rreziku, duke luftuar çdo shtrëngim. Kur mendohemi që s’kemi patur shkolla shqip, që librat shqip ndaloheshin, çuditemi dhe gëzohemi, duke parë sesa njerëz kanë mësuar shqip. Po tani ajo hije e zezë e parë, ai shtrëngim i një qeverie të dehur dhe të prishur mendsh, u ngrit. Tani gjithë dallimet u prapsën, ndaj duhet që të rrëfejmë një punë më të madhe dhe një qëllim më të fortë. Në është sot numri i atyre, që dinë shqip, mjaft i madh, paskëtaj duhet që të jetë i përgjithshëm, që të mos mbesë njeri jashtë. Shpejtësia e madhe me të cilën shqiptarët zunë të hapin shkolla dhe të shtypin libra, na rrëfen sa e thellë është dëshira e tyre për të përhapur gjuhën.”
9. Intersant është informacioni shkencor i Mid’hat Frashërit dhe vlerësimi i tij për albanologjinë, duke i kushtuar artikullin Katedrat e gjuhës shqipe në vende të huaja dhe albanologjia (ose dituri e shqipes). Sipas tij “kanë zënë të përdoren fjalët albanolog, albanologji, për të rrëfyer diturinë e gjuhës shqipe dhedijetarin, që merret me të, që studion shqipen në marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera indoevropiane, nga pikëpamja e gramatikës së krahasuar, e etimologjisë, që kërkon dhe origjinën e racës shqiptare në raportet e saj me kombet e moçëm, të cilët historia i quan pellazgë, ilirianë, maqedonas, thrakë, frigë… Duket se këta studime janë edhe plot interes për historinë e gjuhëve të Ballkanit, meqenëse shqipja ka influencuar gjuhët rumune dhe bullgare, si dhe greqishten e sotme. Nga ana tjetër, albanologjia hedh ca nga ca shkëndija dhe dritë mbi popujt e vjetër, që përmend historia, nga të cilët s’ka mbetur asnjë shenjë, përveçse disa emra qytetesh, lumenjsh dhe malesh.”
Më tej thekson se “Mbase, i pari, që ka bërë fjalë për shqiptarët dhe gjuhën e tyre, është Johann Thumann, profesor në universitetin e qytetit Halle, pak më tepër se një shekull e gjysmë më parë, në vepër të tij mbi historinë e popujve të Evropës lindore [Untershchunger über die Geschichte der östichen europäischen Völker, von Johann Thumann, Erster Theil, Leipzig, 1774]. Në këtë vepër nga faqja 170 gjer në faqen 366 flet mbi historinë dhe gjuhën e shqiptarëve dhe vllehëve (Über die Geschichte und Spreche der Albaner und Ëlachen). Në faqet 181-238 autori riboton fjalorin greqisht-vllahisht-shqip të Theodor Kavaliotit. Thumanni i konsideron shqiptarët si paraardhësit e ilirianëve.”
Pasi përmend Zylander-in, Johann, Georg von Hahn ai ndalet te ndihmesa madhore e F. Boppit dhe G. Meyerit në albanologji. Ai tërheq vëmendjen se “Duke hedhur dritën e diturisë së tyre Boppi dhe Meyeri, po dilte në shesh dhe origjina e gjuhës sonë, lidhja e saj me foljet indoevropiane dhe raca jonë po njihej si një fis i familjes evropiane, paranikë të një populli të madh, që ka pasur emra të ndryshëm në agim të historisë. Sipas vendit që zotëronte, thirrej ilir, epiriot maqedon, thrak, mbase dhe frig… nga Adriatiku në Zall të Detit të Zi, pra vendës dhe jo i huaj.”
M. Frashëri, saktë e drejtë nënvizon se “Albanologjia gjer më sot, ka mbetur kryesisht një dituri gjermane në duar të dijetarëve alemanë. S’dimë asnjë libër ose studim të bërë prej një anglezi dhe dy veprave në gjuhë francez [Aguste Dozon Manuel de la langue chkipe ou albanaise, Paris, 1879, dhe Louis Benlocë, Analyse de la langue albanaise, Paris 1879. (Shënim i M F)], që nuk u njihet ndonjë vleftë shkencore. S’dimë ndonjë vepër të dalë prej dore italiani, sado që të dy bashkëpatriotët tanë, de Rada e Kamarda dhe pasardhësit e tyre, Stanislas dhe Michel Marchiano, kanë shkruar në gjuhë italiane.”
Mid’hat Frashëri ngre një problem tejet të rëndësishëm dhe krucial në albanologji. Sipas tij “Sot njohja dhe studimi i gjuhës shqipe shikohet si një mjet për zgjidhjen e problemeve që paraqesin kombet e Ballkanit, jo vetëm të sotmit, po edhe shumë çështje të helenishtes dhe latinishtes. Njerëz me një talent të pakontestueshëm, po na japin tani kërkime plot rëndësi, bëjnë kërkime që na premtojnë rezultate të begatshme për historinë dhe gjuhësinë.”
Në vazhdim, në artikull trajtohet dhe një problem tjetër madhor, lidhjen midis albanologjisë dhe politikës. Albanologjia përcaktoi autoktoninë e shqiptarëve e të shqipes, kurse politika duhet të bëjë shumë e më shumë në mbështetje të studimeve albanologjike. Sipas M. Frashërit, “Është për të kujtuar këtu veprimi i ideve që u formuan pas përparimit të albanologjisë, mbi korentin politik, qëkurse u njohëm si një popull, jo të ardhur në kohët e reja nga Azia, po autoktonë dhe trashëgimtarë të popujve më të vjetër, që njeh historia si banorë të Ballkanit; nga kjo, pra, edhe e drejta jonë në truallin ku banojmë. Duke pasur lidhje midis albanologjisë dhe politikës, është nevojë që të kemi një zë në një dituri, që na prek kaq së afërmi dhe jashtë qarkut të shkencës së thjeshtë.”
Artikulli mbyllet me një shqetësim shumëvjeçar të artikullshkruesit. Ai i mëshon fort faktit se “Faqja tjetër e dobisë praktike për neve në të vazhduar me kujdes punimet e albanologëve, duke u vënë edhe ne vetë mbi gjurmët e tyre, do të jetë zgjidhja e një tok problemeve të gjuhës sonë, gramatikës dhe sintaksit, të ortografisë dhe fonetikës. Padyshim që prej një punimi të tillë folja jonë do të fitojë jo vetëm gjerësi dhe përkthenjësi, po edhe një stabilitet dhe njësi, që i mungojnë sot dhe që na kanosen të marrin formën e një së mete së rrezikshme për rrojtjen tonë.”
10. Paradigma e shqipes në veprën e M. Frashërit shpërfaqet dhe në një hapësirë tjetër më se domethënëse: ai ka qenë nismëtar për themelimin e një Instituti Albanologjik në Tiranë, që do të merrej ndër të tjera edhe me caktimin e rregullave të gjuhës së shkruar. Në “testamentin e tij të vitit 1929, përditësuar në vitin 1938 gazeta Demokratija (Gjirokastër e botuar me titullin “Çështja e Institutit Albanologjik”, shkruan se (japim pjesërisht të plotë):
“Ç’kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobila, karta, plaçka etj., i lë për krijimin e një “Instituti Albanologjie” që të jetë një qendër e studimevet shqiptare, të mbrojë, të zhvillojë, të qendërsojë dhe të udhëheqë studimet që përkasin Shqipërinë dhe shqiptarëvet.
Dua që nga biblioteka private ime të mos çkëputet gjë; të gjitha librat të rrinë tok.
Gjithë sa më kanë mbetur nga im atë dhe nga ungjërit dhe që sot formojnë muzenë time familiare, dëshëronj që të ruhen prapë në formë të një muzeje së vogël brënda në Institut.
Në paça të holla në shtëpi, në ndonjë bankë, ose hua për të mbledhur, duke u bashkuar me shumën që do të mirret nga shitja e Librarisë, dua që të përdoren të gjitha së bashku:
a) për të bërë shpenzimet e para të një godine (shtëpie) e cila të shërbejë si Institut Albanologjie, një godinë e mjaftë për të nxënë bibliotekën dhe zyrat. Dëshira e ime është që kjo shtëpi të jetë mjaft e gjerë sa për të pasur një ose dy oda, ku të mundin të bujtin dhe të rrinë mysafirë studimtarët albanologë të huaj, që vijnë së jashtmi. Do të donja edhe që Instituti të mund të goditet në një mënyrë që të jetë larg çdo godine tjatër dhe të mos ketë rrezik zjarri.
b) në qoftë se, në vdekjen time, kam mundur të godit vetë ndonjë shtëpi Instituti do të instalohet atje. Atëherë të hollat e produktuara, si them më sipër, do të vihen në një bankë të sigurtë, dhe interesi i tyre do të përdoret për qëllimin e institutit, sidomos për të shtypur libra ose për të inkurajuar botimin e tyre.
Ushqenj besimin e plotë se kjo dëshira ime do të zbatohet besnikërisht prej pasonjësve të mi në gjithë shekujt që do të vijnë dhe lutja ime drejtuar Fuqisë së Madhe, që tani s’e kupëtojmë dot, do të jetë të kenë gjithë shqiptarët idealin e përparimit dhe të naltësimit të Kombit, që shqiptarizma të bëhet një dëshirë dhe një konviktim i thellë dhe që çdokush të kuptojë se e mira e Kombit është e mira jonë private, se nderi dhe lavdi i shqiptarëvet të gjithë, është edhe nderi dhe lavdi ynë personal.”
11. Me gjuhën shqipe lidhet dhe vlerësimi i M. Frashërit për personalitetet e ndryshme. Po ndalemi këtu vetëm në dy vlerësime të tilla:
a. Vlerësim për N. Frashërin. Sipas Mid’hatit, “Librat e Naimit veç që vepëruan mbi mendjen’ e shqiptarëvet, për të zgjuar’ e për të ndrequr vetijat, por janë fatuar të rrojnë sa të jetojë dhe gjuha e jonë; edhe kjo nga dy shkake, e para për poezin, e dyta për gjuhën. Këto libra edhe më tepër hynë me punë të zgjuajnë shijën’ e këndimit të gjuhës shqipe ne kombi ynë; kur librat shkruar më parë kishin mbetur në harrim, librat e Naimit çpejt u përhapnë në Shqipëri dhe kushdo zu t’i këndojë me dëshirë të madhe; edhe sot mos harrojmë në se kemi pak’ a shumë përparim në këtë mendje të gjuhësë, j’a kemi hua libravet dhe përpjekjevet të Naimit.”
Dhe më tej shkruan se “Në të shkruar Naimi bën qilizmë gjuhënë tënë dhe shkruan fjeshtë shqip, pa përzierë fjalë të huaja. Me këtë qëllim Naimi, le vjershat, për të cilat qe lindur dhe merr pendën për të shkruar libra për dituritë; këto libra janë pa nonjë rëndësi me vet’he të tyre por hynë fort shumë në punë nga shkaku që hodhë themel’ e gjuhës dh’e fjalëvet diturake. Edhe mos harrohet që Naimi shkronte për një komp foshnjë, se sapo kish lindur nga gjir’ i thell’ i harrimit, pra ish shtrënguar që mos përdornjë as fjalë as mendime të trumbullë.”
b. Vlerësimi për Kristo Luarasin, themeluesin e drejtuesin e revistës Kalendari kombiar. Ai shkruan për të se “Po e vërteta është se jeta e Kristos filloi më 1896 në Sofje… Dua të rrëfej vetëm madhërinë dhe bukurinë e shërbimit të tij. Që nga dalja e atij kalendari, që nga ai mot, them, filloi jeta aktive e qendrës së Sofjes, ku përqendroheshin gjithë shpresat, gjithë aspiratat e Shqiptarëve dhe aq më tepër pas mërgimit të Jani Vretos, shoqëri e Bukureshtit bije në apati të agonisë edhe çdo mot, disa herë në mot, me duart e tij. Kristoja përgatit bukën e shpirtit dhe të mendjes, gjellën e dritës, në formë librash të vogla, në formë zëdhëniesh, në formë grishimesh, se në atë periudhë, çdo e shtypur me “abece”-në, makar edhe një fletë sa pëllëmba, dukej një gjë me rëndësi fort të madhe, duhet të mbajnë mend akoma entuziazmin e atyre viteve, moshë dashurie mistike, e qendërsuar në një ideal… Dymbëdhjetë vjet me radhë, nga moti 1897 gjer më 1908, Kristoja përhapi fjalën e drejtë, mbolli farën e mirë, jo vetëm në Shqipëri, po tekdo që gjendej një Shqiptar, në gjithë qytetet e së gjerës Perandori Otomane, në vise të largëta të dy Amerikave, gjer në çipat e ngrirë të Siberisë e në shkretinat e përvëluara të Afrikës. Edhe ky punim bëhej me një durim plot fisnikëri, me një ide plot çinteresim, me një ëmbëlsi karakteri të rrallë. I theksoj këto cilësi të rralla të Kristos, se më duket që askush nuk e ka njohur atë më mirë nga unë. Korrespondenca ime, sikur të gjendej do t’ishte një provë për karakterin e tij të mirë. Ata të dymbëdhjetë vitet e parë formojnë epopenë më të bukur të punës dhe të punimit të tij. Dhe, në qoftë se mirësia m’e madhe në jetë është t’i japësh tjetrit kënaqësi, gëzim dhe kandje, padyshim që Kristoja duhet të shikohet si një mirëbërës fort i madh, një mirëbërës për mijëra dhe mijëra lëçitës të librave dhe gazetave, që dilnin nga duart e Kristos, një mirëbërës më i vlefshëm akoma për bashkëpunëtorët e tij.”.