Intervistë ekskluzive per DIELLIN me shkrimtaren, poeten, esseisten, kritiken letrare dhe Sekretaren e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, dr.Yllka FILIPI/
Bisedoi Raimonda MOISIU /
Dr. Yllka FILIPI ka mbrojtur Doktoraturën në fushën e Letërsisë së Krahasuar, Universiteti i Tiranës (2009-2012). Është specializuar në degën e Letërsisë duke përfunduar Studimet e Thelluara Pasuniversitare, Master Shkencor (2006-2008), pranë këtij Universiteti. Studimet e larta i ka kryer në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe (1995-1999). Shkruan kritikë, poezi, prozë dhe ese. Ka botuar në periodikë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit. Është vlerësuar nga kritika me disa çmime të para kombëtare dhe ndërkombëtare, si një zë unikal në letërsinë moderne shqiptare. Aktualisht jeton dhe punon në New York, ku bashkëpunon midis të tjerash, me gazetën Illyria dhe revistën Kuvendi në Michigan. 2011 e në vazhdim Zv/Kryetare e Katedrës së Studimeve e Hulumtimeve, të Mendimit Kritik Modern të Presidencës së LNSHP, U.S.A
Është autore e këtyre veprave:
*Trekëndëshi universal i Bermudeve, Dante-Migjeni-Kadare, studim krahasues, 2012
*Post Hekuba vëllim poetik, Ombra GVG, 2011
*Me ipsum ames (roman postmodern), M. Barleti, 2010
*Eternitas (vëllim poetik, ) M. Barleti, 2009
*Eshtra tempujsh, (cikël poezish të zgjedhura,) 2009
*Dante-Kadare, studim kritik, Albas 2008
Ka fituar këto çmime letrare
Qershor 2012 Çmimi poetik Ndërkombëtar “Azem Shkreli II”, Ennepetal, Gjermani
Maj 2011 Çmimi i Parë, në Festivalin Ndërkombëtar të poezisë, TPSH, Vushtrri, Kosovë
Prill.2011 Çmim Special, Fituese në Konkursin Letrar Ndërkombëtar Poetik, Muza Poetike Pegasi Albania 2011.
Krijimtaria e saj është përfshirë në disa antologji si
* 100 Poetë për dashurinë, (Lirika shqiptare dhe botërore) 2012,
* Korsi e hapur, 2012, në 14-gjuhë të botës, etj.
–Dr.Yllka,- Cila ka qenë eksperienca juaj e parë në gjininë e prozës, poezisë apo publicistikës? Ç’mund të na thoni mbi fillimet e karrierës suaj letrare? Si u gjendët në këtë “udhëtim” të bukur e mbresëlënës?
Poezia është arti ku shpirti nënvizon epërsinë e tij, që herët në shkrimet e mia. Grimcat e para filluan të gëlonin që në fëmijërinë e hershme, por eksperiencat e vërteta morën formë të përcaktuar qartë, vetëm në vitet e gjimnazit, e më tej. Aftësitë imagjinative më jepnin dorë të lirë në pikturimin e tablove të ndryshme shpirtërore, aty ku rridhnin brengat, dramat, idilet e njerëzimit dhe nuk e lejonin intuitën të mbetej pezull. Udhëtim i bukur? Udhëtim mbreslënës? Unë do ta quaja udhëtim i përjetshëm drejt jetës, drejt dashurisë.
-Isadora Duncan shkruan: Nuk më habit aspak fakti që një grua mund të bëhet artiste e vërtetë, megjithëse arti është “mbikqyrës” i vështirë e i rreptë, sepse kërkon përkushtim fizik dhe inteligjencë në gjithcka, ndërsa një grua që e dashuron atë jep gjithçka nga përvoja e jetës së saj. Sa qëndron kjo thënie, për ju ?
Një përfaqësim i tillë i artit i gërshetuar edhe me faktin e të qenurit femër, pavarësisht “mbikqyrjes” së vështirë dhe të rreptë si edhe përkushtimit fizik, nuk e ka lënduar aspak dashurinë time për të. është gjëja më e bukur që buron nga shpirti dhe niset fluturim për në shpirtra të tjerë, si një lloj ngushëllimi hyjnor ndaj dhimbjeve të njërëzimit. Si një shpresë.
-Kush ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në krijimtarinë tuaj, prindërit, artet, letërsia apo njerëzit e thjeshtë, qoftë edhe një person i vetëm që ka luajtur një rol të veçantë në frymëzimin tuaj?
E gjithë kjo është një kompleksitet figurash, imazhesh reale dhe fiktive, një galeri e tërë detajesh që kanë ndikuar në frymëzimet e mia, por padiskutim një mbështetje e jashtëzakonshme për të ecur përgjatë kësaj rruge me të papritura, shira e stuhi, kanë qenë prinderit e mi. Simbol i vetësakrifikimit për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Burim i pashtershëm frymëzimi për mua, është Eros-i, im bir 9-muajsh.
-Ju jeni poete. Qindra vargje poetike dhe disa vëllime me poezi. Po citoj disa tituj Eshtra tempujsh, Eternitas, Post Hekuba) në gjuhë të huaj dhe bashkëautore në antologji kombëtare e ndërkombëtare. Ç’mund të na thoni për këtë përvojë interesante e përkushtim profesional?
Kanë rrjedhur natyrshëm, ashtu një e nga një si pikat e shiut mbi xham, e formohen rrëkeza, më vonë ndoshta luginëza…është një kënaqësi e jashtëzakonshme tek i sheh të rriten…
-Kur shkruani, cili është vendi juaj më i preferuar, në studio, në natyrë apo krejt rastësisht edhe duke pirë kafe diku?
Frymëzimet janë spontane, Muzat nuk trokasin asnjëherë, vijnë ashtu papritur, në studio, në natyrë, në rrugë, në vetmi, mes turmës, në rërë, në kafene, shpesh edhe në gjumë…
-Cfarë është muza për ju, është aftësi gjenetike, sipas mendimit tuaj? Çfarë ju shtyn të shkruani një poezi proteste me ton qytetar e intelektual?
Unë e shoh si një energji që buron nga një tjetër energji supreme e cila trazon shpirtin njerëzor, ngacmon, flijohet. Shpërfillja, nëpërkëmbja, dhunimi i të drejtave të gruas më irriton pa masë. Shën Maria ishte grua…Muzat janë gra tronditëse gjithashtu.
-Shumë lirika dashurie. Çfarë është dashuria për ju? Kur një grua e ndjen se është e dashuruar? Si arrini ta reflektoni këtë në krijimtarinë tuaj letraro-artistike?
Dashuria është formë e finalitetit të forcës për të mbijetuar, sa kohë jeton veçan çdo koncepti intrigues, ajo perceptohet larg nga urrejtja, si një formë finale e gjallimit të së mirës së përjetshme, gëzimit dhe madhështisë universale.
-Romane, studime poezi: në cilën prej tyre ndjeheni më mirë?
Me secilën prej tyre përjetoj një lidhje të veçantë e nuk mund t’i dalloj, por mund të them se kam shumë dobësi për poezinë… Aty ndihem më e sigurtë. Një shtëpizë prej qielli, realitet i dytë trupi e shpirti.
-Ju jeni edhe prozatore, biles keni sjellë një formë të re në prozën bashkëkohore . -kujtojmë këtu romanin Me ipsum ames (Të më duash mua, vetëm), tashmë një shkrimtare e afirmuar, autore e disa librave. Çfarë mendoni se ka mbetur konstante? Si lindi shtysa për të kaluar nga vargjet në prozë?
Ky roman është shkruar në kohën kur isha ende një studente e apasionuar e letërsisë, në vitin e tretë dhe për vite me radhë qëndroi në sirtarët ku ruheshin dorëshkrimet e mia. Nuk guxoja ta hidhja në treg me frikën e asaj risisë që nuk përqafohet kurrë në fillim… Tanimë më kanë mbetur shumë pak kopje nga ky libër.
Për mendimin tim është më i thjeshtë kalimi nga poezia në prozë. Blatohet mrekullisht me nënvetëdijen. Të kundërtën nuk mund ta perceptoj dot. Shtysa vjen natyrshëm nga dëshira për t’u vetëshprehur në mënyra të ndryshme.
–Si mendoni ju, cilat janë elementët thelbësorë të një proze, në rastin tuaj, të tregimit apo romanit. Sfida që përballeni me ndërtimin e tij, duke e krijuar atë me idetë që keni në mendje për ecurinë e personazheve. Ju i paraqisni personazhet tuaja nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën, apo anasjelltas?
Do të citoja këtu një mbishkrim të zbuluar në tempullin e Isis-it (Nëna natyrë): Unë jam gjithçka ç’ka qe, është e do të jetë gjithmonë. E asnjë mortor s’do të mund të ma ngrejë vellon që më mbulon fytyrën. Shpesh i sjell personazhet nga koha në akohorësi dhe i preh në gjirin e natyrës. I ngjan një sfide nga ku buron pafundësisht , një tjetër lloj sfide e vetvetes për të mos u rrëzuar në grackat e kohës, harrimit.
-Zhanrin e romanit “e bëtë ju që të vinte te ju”, apo është preferenca tuaj?
Subjekti i këtij romani ka lindur si një shëmbëlltyrë reale dhe virtuale e qenies bashkëkohore me përthyerjet, dritëhijet apo qerthujt simbolikë të jetës, tej destinëve ekzistencialë që vërtiten paralelisht midis dashurisë dhe vdekjes. Ai është drama e asgjësimit fizik dhe shpirtëror të qenies mbi të cilën kumti i dashurisë ngadhnjen mbi gjithçka. Një vepër e hapur në të cilën konotacionet artistike gërshetohen me dramën e njeriut të kohëve moderne. Erdhi ai tek unë! Tepër insistues!
–Shquheni në prozën tuaj për mendimin inteligjent, plot figura letrare, artistike dhe mendimin filozofik. Ku qëndron forca e inspirimit si një shkrimtare që i përket lëvizjes feministe, pas periudhës postkomuniste të realizmit socialist?
Inspirimi është thjesht një energji supreme nga e cila pashpjegueshmërisht buron forcë, tharm, limfë. Ajo bëhet ujë dhe shuan zjarrin e shpirtit tim.Realiteti është ngacmues, misteret gjithashtu. Ushqim shpirtëror, sui generis në llojin e vet. Proporcion i bollshëm dhe alternativ.
Ju shkruat librin “Dante, Migjeni, Kadare”, i vlerësuar shumë nga kritika e kohës, për argumentimet tuaja rreth letërsisë bashkëkohore, si reminishencë mesjetare, a mund të dimë diçka më shumë mbi të?
Kjo nismë është një përçapje hulumtuese për të ndriçuar hijet dhe gjysmëhijet e ambjenteve ku lëvizin figurat të cilat japin përmasat fantazmagorike të ferrit deri në kohërat moderne. Pra, jemi në kërkim të një strukture të ferrit gjithkohor. Të parë në këtë këndvështrim (përtej parapëlqimeve personale), janë ngritur paralelizma duke hyrë kështu në tejhorësinë arkitekturore infernale që shpalosin veprat, gjë për të cilën kritika ka folur pak ose aspak. Janë alternuar metoda polidimensionale studimore si ajo strukturaliste, semiotike, komparativiste, simbolike, psikoanalitike etj, të cilat kanë krijuar mundësinë e ndriçimit të mjegullës infernale e cila bashkon këta autore, në dukje, jo fort të ngjashëm. Vizionet reale që sjell Migjeni mbi mjerimin e viteve’30 dhe lëngatën e kombit të tij, përkojnë intuitivisht me imagjinatën danteske në përfytyrimet fantastike të përtejbotës. Ndërsa Kadare, me vetëdije të plotë, është i përgjegjshëm kur huazon prej Dantes tablot vizionare të skëterrës. Ferri migjeno-kadarean ngrihet mbi strukturën e ferrit dantesk, duke harmonizuar arkitektonisht universalizimin e vuajtjes brenda tij.
-A keni menduar ndonjëherë të shkruani skenarë filmi? Nëse provoni ta bëni atë, ç’mund të na tregoni për aktin e të shkruarit të një skenari, me trillimin e karaktereve dhe të shkruarit e dialogut. Shumë duan të jenë shkrimtarë dhe besojnë se janë të tillë. Pra, a ndikon letërsia në skenarin e një filmi?
E kam menduar disa herë. Skena dhe libri në fakt kanë dallime të dukshme midis tyre. Mendoj se ka goxha tkurrje dhe shpesh copëtim të membranës imagjinative të autorit në momentin kur në skenë hyn regjisori. Bëhet një lloj binomi sintagmatik që nuk ka lidhje varësie mes veti. Regjisori shpesh është bashkëautor e rëndon edhe një autor i mëvetësishëm i cili mund të krijojë (i detyruar nga rrethanat)”një vepër të re”.Veçse trilli dhe dialogu, sigurisht zbehen, dhe vepra humb shumë…A mund të gjendet ky binom brenda një njeriu të vetëm…?
-Teoritë e përkthimit janë trajtuar në mënyrë të konsiderueshme për kohën tonë. A e ka nxitur përkthimi i veprave tuaja, ndjenjën tuaj të krijimtarisë, intensitetin dhe kërkesat në artin e të shkruarit?
Patjetër, pasi ti e di tashmë, se diku, pas një dere a një pragu zemre dikush pret me padurim një ngushëllim shpirtëror edhe në një gjuhë ndryshe nga ajo e nënës…është gati si një ëndërr e cila merr kuptim në konfiguracionet globale të subkoshiencës, pa njohur kufij nacionalë, etnikë, gjuhësorë…Zgjohet më shumë dëshira për komunikim virtual me lexuesin tënd, i cili nuk të braktisë kurrë, veç ti duhet gjithnjë, të mos e zhgënjesh asnjëherë.
–Shkrimet e veprat tuaja të përkthyera, kanë një reputacion për një lloj vitaliteti, në të cilin fokusi është i qartë dhe i gjallëruar. Kjo vërehet tek të gjithë librat tuaj. A mendoni se një lloj kurioziteti intelektual është burim edhe për ta shkruar veprën në dy gjuhë?
Sigurisht, kjo është një shtysë e cila krijon natyrshëm një lidhje dyjare harmonike dhe luhatëse drejt të njëjtit shpirt që diktohet në dy gjuhë. Atij shpirti që sipas Kant-it,nga pikëpamja e ndijimit estetik nënkupton një parim gjallues të mendjes…
–Në cdo lloj karriere –nënkuptoj karrierën tuaj në letrat shqipe dhe në botën e artit, a keni pasur zhgënjime? Cilat kanë qënë uljet dhe ngritjet gjatë ushtrimit të saj?
Zhgënjimet janë pjesë e pandashme e atij parashtrimi arbitrar që na dikton destini substancial jetësor. Dhe kur është pjesë e jetës, kuptohet ndodh edhe në art. Por fatmirësisht unë e përceptoj atë si jashtë qënies, ndaj shpesh e gjej veten në kërkim të self-reliance…dhe kjo më jep impulse aktive të cilat shndërrohen shpejt në forcë për të vazhduar…
Si jeni ndier përballë botës së frikshme të mediokritetit, klaneve, hipokritëve dhe inferioritetit?
Volteri thotë: Qielli na ka falur vetëm dy gjëra për të na shpërblyer nga të gjitha mizeriet e jetës, shpresën dhe gjumin. Shpesh ndihem e tkurrur si një amebë në turbullirë, por që çuditërisht e gjen shpejt atë ujin e kthjellët e gjithë romancë të sipërfaqes duke u larguar nga kthetrat e filozofisë së dëshpërimit në këtë botë të thërrmuar copë e çikë. Për ku? Drejt sublimes.
– Çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen në punën tuaj? Në ditët e sotme tradita dhe realiteti “përziehen” me vlerat fetare. Në opinionin tuaj si shkrimtare, studiuese e poete, a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrëdhëniet njerëzore dhe ato ndërkulturore. Cili është ndryshimi ndaj të cilit kemi nevojë qoftë si individë ashtu edhe si shoqëri njerëzore?
Ka një kompleksitet idesh lidhur me këtë çështje, por në fakt në të gjitha epokat, realitetet janë gjendur të përzier, të ndërthurur, siç shpesh gjendet i ndërthurur vetë njeriu mes qerthujve të rrugëtimit së tij. Konfuzionet janë thjesht hije që zhduken me lindjen e agimeve të reja. Vetëm atëherë kur një komb do tentojë ta mbyllë hendekun mes kulturës dhe primitivizmit brenda vetes, vetëm atëherë do të kemi arritje standartesh, idealesh, besimesh, shpresash. Shën Agustini ka thënë se një popull bëhet nga njerëz të bashkuar në dashurinë për diçka. Ne duhet ta duam më shumë diçka veten, vendin tonë. Nga kjo dashuri do të lindë ardhmëria e kombit.
Pse shkruan dr. Yllka Filipi …?
Katharsis. Sikur ta dinit se sa magjepsëse janë Muzat… lufta bëhet paqe, shpirti bëhet dritë. Si një lloj rilindjeje e brendshme e krijuesit… mbi të zakonshmen dhe vulgaren duke marrë trajtat e së epërmes. Një ngazëllim i subkoshiencës drejt të pazakonshmes.
-Mendoni se keni arritur aty ku duhet me krijimtarinë tuaj apo kini akoma për të bërë?Çfarë po shkruani aktualisht? Projektet tuaja në të ardhmen?
Kjo rrugë është e gjatë dhe pothuaj e pafund. Mbetet shumë e shumë për të bërë. Kam në duar surpriza të këndshme për horizontin e pritjes, atë lexues që shpreson se gjithnjë gjendet diku për ty: ti, i gatshëm për t’ia vjedhur kohën, ai, i gatshëm për të ta dhuruar. Në projektet e mia gjenden disa guacka gjigande ku strehohen rregullisht Muzat. Ato thjesht më magjepsin dhe unë thjesht jam gjithnjë në kërkim të jehonave… si në një gjysmëëndërr. Më zgjon shpesh klithma e kojrilave, ajo klithmë që trondit të gjithë poetët në mërgim…
–Kush është dr.Yllka Filipi,-ku jetoni aktualisht?
Kur isha fëmijë më joshnin po aq sa edhe më tmerronin misteret, (i përfytyroja kurdoherë të zeza në intuitën dhe kërshërinë e vocërrakut), ndërsa sot përpiqem të zbuloj enigma gjithfarëlloj. Ndoshta është kjo një mënyrë arratisjeje e individit ndaj botës së trazuar, apo një përpjekje cisterciane për të zbuluar të panjohurat, a enigmat e shpirtit njerëzor, me një ndjenjë puritanizmi sociocentrik duke gjetur strehë në këto limane të braktisura nga stuhitë e të mbushura me dritë. Një formë e skajshme e ultrabotës, në përtej oqeanin ku jetoj, në NewYork.
–A ka ndonjë ngjarje në jetën tënde së cilës ia sheh gjurmët edhe sot? Sapo jeni zgjedhur Sekretare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, cfarë do të thotë kjo për ju?
Jeta njerëzore është e gjitha një ngjarje madhore gjurmët e së cilës e shoqërojnë individin nga e shkuara drejt ardhmërisë, si pjesë e pashkëputur e nënshtrimit të vetes nga ëndrrat, vetmitë, pasionet, zhgënjimet, racionaliteti i pastër. Janë të gjitha hallka të një zinxhiri të vetëm paradigmatik. Me emrin e guximshëm jetë.
Këtë zgjedhje e shoh si një detyrë e cila kërkon përkushtim, devotshmëri dhe dëshirë për të mbajtur gjallë amanetin mbi një shekullor të udhëheqësve shpirtërorë të intelektuakëve shqiptarë në Amerikë Noli, Konica e më tej, me veprimtarinë e pasur atdhetare, artistike dhe shkencore, në skalitjen e tipareve të diasporës mbarë. Të gjithë mërgimtarët duhet të jenë Ambasadorë të Kulturës së vendit të tyre, gjuhës, historisë, traditave dhe shpirtit të kombit. Një matricë universale vlerash.
–Sa ju mungon Shqipëria në New York?
Atdheu, është një ndjesi e çuditshme manjetike që të thith kah vetja, edhe pse kah brenga. Perceptimet poetike e konvertojnë këtë të fundit intuitivisht me të dy kahet nga lumturia. Dhe ti si i verbër vrapon përjetësisht me shpirt e me zemër drejt tij. Dhe koka Të mbet’ gjithnjë mbrapa…
-Autorët tuaj më të preferuar…
Nga letërsia botërore: Homeri, Dante, Kafka, Kamy, Sartri, Pamuk… Nga letërsia shqiptare: Kadare, Camaj, Podrimja, Shkreli…
-Si e shihni kritikën letrare sot? A ekziston një e tillë dhe e mirëfilltë?
Sigurisht që ekziston. Në formate dhe mënyra universale. E shoh me shume optimizëm këtë gjini, pasi pas viteve’90, bumi i shpërthimeve, sipas këndvështrimeve të reja, gëloi edhe aty. Koha do të bëjë seleksionimin e vet të rreptë, kuptohet, pasi koha nuk e njeh komercializmin, ajo rrjedh e rrëmben tentativat e brishta, por argumentimet e cimentuara mirë do të mbeten. Kështu që dalëngadalë ajo integrale e turbullt konfiguracionesh kriticiste do të qartësohet duke u bërë kështu një bazë e shëndoshë për veprat e ardhshme.
-Mesazhi tuaj për talentet e reja, por edhe për shkrimtaret femra në përgjithësi…
Të jesh femër, të dhurosh jetë do të thotë të jesh poezi, të jesh univers. Midis kufijve të ngushtë të filozofisë transhendale të jetës, femra është i vetmi privilegj: njësi qiellore e substancës së postuluar. Aty ka shpirt, ujë, tokë, diell dhe energji, ndoshta supreme. Qoftë talentet e reja, qoftë ato të konsoliduarat duhet të memorizojnë se Parajsa fillon me fëmijët dhe mbaron me librat.
Ju Faleminderit!Intervistoi: Raimonda MOISIU