27 qershor 1944 – Apel për mos’harrim politikanëve dhe historianëve shqiptarë dhe europianë.
Nga Rasim Bebo
Historian
Të vërtetat e pamohueshme
Masakrat në Çamëri janë një shkelje flagrante e parimeve njerëzore dhe një mospërfillje e turpshme e parimeve dhe e karakterit të luftës antifashiste. Masakrat në Çamëri u kryen në saje të bashkëpunimit dhe marrëveshjeve me gjermanët dhe me anglezët.
N. Zhango për këtë shkruan : “Dhespot i Paramithisë, Dorotheus, është përfaqësuesi i qeverisë greke nën mbrojtjen e autoriteteve gjermane, në bashkëpunim me kishën, gjenerali grek Ralis, komandant i forcave pronaziste dhe kolonel Tavullavis, ministër i brendshëm dhe kolonel Zerva, nënshkruan : “Policia e xhandarmëria greke vihen nën urdhërin e nazistëve gjermanë”.
Ndërsa analisti i problemeve ballakanike, Xhejms Petifer thotë : “…qeveria britanike ka një lidhje direkte me këtë çështje, sepse trupat e Zervës, të cilat kryen disa nga krimet më të rënda ndaj çamëve, krime luftë dhe mizori, çfarë është dhe e pranuar tashmë nga shumë njerëz në Greqi, pra, Zerva ishte nën krontrollin e C.M. Ëoodhouse, komandant i misionit britanik në rezistencën greke…Çfarë ndodhi në të vërtetë në Çamëri. Nëse shikon ushtarakët e tjerë britanikë të atashuar në rezistencën e asaj kohe greke, si Nigel Clive, i cili është një mik i imi, ai ka thënë : “…se ne kemi kryer gabime të tmerrshme, duke mbështetur Zervën në atë mënyrë…”.
Mes pushtuesve të ndryshëm, i shihte me indiferentizëm marrëdhëniet midis pushtuesve të rinjë (italo-gjermanë) dhe pushtuesve të vjetër (grekë). Ky qëndrim i shqiptarëve të Çamërisë, u konsiderua më i pranueshëm nga kjo popullsi, sepse nuk krijoi asnjë bindje për mbështetje as tek njera dhe as tek tjetra palë, për të fituar të drejtën e lirisë kombëtare.
Pas shpartallimit dhe asgjesimit të ushtrisë greke, më prill 1941 dhe vënies së shtetit grek nën vartësi të dy fuqive, të “Boshtit” : Gjermanisë dhe Italisë, çamërit dhe tërë shqiptarët prisnin me padurim të shpëtonin nga skëterra greke. Duke u nisur nga zotimet para luftës të bëra me aq bujë nga qeveria italiane, për Shqipërinë Etnike, për Kosovë dhe Çamëri. Me marrëveshjen gjermano-greke të 8 prillit 1941, kufiri shtetëror mbetej ai i caktuari më 1913. Kështu Çamëria mbeti brenda kufirit grek.
Meqë vuajtjet e ndryshme të bëra nga grekët po dendësoheshin dita-ditës, për palën shqiptare nuk mbeti shteg tjetër shpëtimi, veç organizimit të vetëmbrojtjes së përbashkët në shkallë krahine. Në korrik 1942 u arrit të ngrihej Këshilli i Përgjithshëm i Mbrojtjes, organizëm politik, administrative e ushtarak me qendër në Gumenicë dhe me degë në shkallë rrethi në Filat, Margëlliç, Paramithi e Pargë. Në krye të Këshillit u zgjodh Mazar Dino dhe nënkryetar për mbrojtjen Nuri Dino.
Këshilli i Përgjithshëm i Çamërisë përbëhej nga 42 vetë :
Anëtarë për drejtësinë, Av. Spiro Xhakulla , Paramithi.
Prokuror, Mulla Murat Cane, Gurrëz.
Anëtarë për arsim e kulturë, Haxhi Sejko, Filat.
Anëtarë për financën Refik Pronjo, Paramithi.
Sekretar, Gani Mulla Bako, Paramithi.
Kështu, identik si Këshilli i Përtgjithshëm, u zgjodhën edhe këshillat nëpër rrethe, Filat, Gumenicë, Margëlliç, Paramithi, Pargë, Arpicë, Groboçar, Grikohor, Kurtez, Lopës, Luarat, Mazrrek, Varfanj e Volë.
Këshilli, si organ i tërëfuqishëm fuqizoi tërë unazat e pushtetit të deriathershëm grek…përfshi këtu korofillaqinë (policinë), gjykatën, prokurori etj. Rrëzoi flamurin grek dhe ngriti flamurin kombëtar shqiptar, hapi shkolla shqiptare etj.
Vendosja e kësaj administrate në Çamëri irritoi më shumë se çdo gjë tjetër qeveritarët e Athinës. Më 13 shkurt 1944 komanda gjermane lëshoi një dokument “ripushtimi i prefektuirës së Thesprotisë”.
Më 22 maj 1944 iu njoh Zervës të shtrihej në Epir, që nga Preveza e lart. Kështu që fati i shqiptarëve të Çamërisë kalon në duar e kriminelit Zerva.
Këshilli dhe komanda ushtarake mundën të rrisnin disi fuqinë mbrojtëse, në mars 1944. Numëri i luftëtarëve arriti në 600 vetë. Po këta ishin luftëtarë çamë që mbronin me vetmohim vatanin.
Me këmbënguljen e qeverisë greke dhe me përkrahjen e komandës gjermane, e përzunë atë njësi nga Çamëria përtej kufuirit. Në këto kushte rrezziku i vërshimit të zervistëve në Çamërinë e përtejme bëhej gjithnjë e më e mundshme dhe më e afërt. Agjenturat greke i shtuan përpjekjet për të mashtruar muslimanët me fjalët më të mira si : mos kini frikë, se s’ju nget kush as në një lule! Askujt s’ka për t’i hyrë gjemb në këmbë. Pastaj ju jeni me mall e gjë, si do t’ju ktheni krahët e t’i lini shkretë t’i hajë derri e dosa! Kishte shumë që i besonin dhelpëritë e tye, por, siç thotë Pukëvilli : “Kush mposhtet nga dëshira që të ndodhë, ashtu siç i pëlqen atij, e lejon veten të gënjehet”.
Këshilli ishte njoftuar nga shumë persona për grackën e përgatitur nga zervistët. Brenda datës 10 qershor 1944, Riza Nexhipi dhe Din Metmeri, erdhën nga Janina në Paramithi dhe bënë të ditur betimine Zervës : “Çamëve duhet t’u afrohemi dhe t’i marrim me të mirë që të mos na ikin nga duart deri sa t’u zëmë kufirin. Pasi t’i kemi mbyllur në vathë, jo vetëm nga njerëzit që nuk do të lëmë në këmbë shtruar, por do të shkojmë në thikë edhe macet e tyre”. Por fatkeqësisht nuk i vlerësuan krerët, si Myftiu Hasan Abdullai, Sali Hafyzi, Hafyz Abdulla Himi, Abedin Bako e të tjerë fjalëve të tij : “Grekërit u afruan tek dera dhe kanë vendosur të na shuajnë me kuç e me mac, të ikim sa janë akoma udhët të hapura” ! Iu përgjigjën : qeveria greke nuk mund të lejojë të bëhen këtu gjëra të tilla se turpëron veten e saj dhe njollos për jetë historinë e kombit të vet”, – përfundoi Myftiu Hasan Abdulahu. “Ato që thua ti, janë profka e pallavra të atyre që duan të na trembin që të ikim e t’u lëmë pasuritë tona”, – tha Sali Hafyzi.
Historiani Ibrahim Hoxha citon : “Më kot e lodhi frymën Riza Nexhipi me arsyetime të gjithfarëshme për t’u mbushur mendjen. “Qeveritë greke që nga 1912 e këtij as kanë përtuar e as janë turpëruar për të liga ndaj nesh. S’u ka ardhur hiç rëndë as për nderin e tyre e as të kombit. Përkundrazi, çdo herë e kanë ngrënë turpin me bukë. Që të mos vemi më tej, kur dhe si e harruat kaq shpejt internimin aq të egër dhe aq poshtërues që na bënë më 1940-1941 ? Me Italinë luftonin, ne na u vërsulën. Përse ? Se donin të na shfarsonin. Përse se patën për gjë turpin ? Pse s’u bënë merak për njollat ? Dijeni si bukën që keni ngrënë se, me t’u rivendosur pushteti i mëparshëm, grekërit do të vënë dorë jo vetëm mbi pasuritë tona, por edhe mbi kokat tona. Kush ua zuri dorën, kur zbuan për në Turqi më shumë se gjysmën tonë ? Kush u tha dot “JO” kur na grabitënm edhe kopshtet ?”.
Si e pa që s’u mbushej koka, mori familjen e vet dhe u nis për në Shqipëri. Atë bënë edhe tërë familjet që shpëtuan pa u dëmtuar. Gjendja erdhi duke u ashpërsuar përditë e më shumë. Njerëzia në mbrëmje nuk ishin të suigurtë nëse do të gëdhiheshin të gjallë. Kjo gjendje bëri që populli të mbidhej në xhaminë e madhe të Paramithisë. U ndeshën dy kundërshtarët kryesorë : Myftiu nga njera anë, që ngulmonte për të mos u shpërngulur dhe Mazar Dinua që këshillonte zhvendosjen për më të paktën në fshatrat më në thellësi e më të mrbrojtur si Mazrek, Kurtes etj. Meqë askush nuk lëshoi pe, Mazari i tha : “Ti bën haptazi punën e grekut, po një punë edhe më të rrezikshme që se bëjnë dot as vetë grekërit”.
Çdo ditë që kalonte mendimi për të ikur shtohej dhe për të ndaluar shpërnghuljen u përdor dinakëria greke. U ftuan në takim Myftiu i Paramithisë, Hasan Abdullai, Sali Hafyzi dhe Qazim Rexhepi. Takimi u bë në fshatin Popovë. Pala greke (EDESI) kryesohej nga Av. Lefter Strugari, në të bënin pjesë dhe dy oficerë anglezë që bashkëvepronin me Zervën. Se ç’u tha në të, s’u bë e njohur asgjë. Vetëm përflitej …njerëzia të mos ikte, ju japim fjalën e nderit që nuk do të ngitet kush etj.
Mjedisi aq kërcënues e tejet i vrerët për çamët muslimanë nxiti tek tuk si Trifon Bellua – fqinjë të vet Ibrahim Kadiut i tha : “Është urdhër. Janë betuar, kanë shkelur kryqin që të mos lënë gjallë asnjë nga ju, ikni sa më parë”. Edhe Kristo Bika i pati thënë Haki Bilalit “Ngrehuni e ikni një sahat e më parë, se zervitët janë betuar se çdo musliman që të zënë, të vogël a të madh, burrë a grua, do ta shkojnë në thikë, kushdo që u thotë qëndroni, mos u besoni”. Me këto njoftime ikën një pjesë e çamëve.
Për t’u mbushur mendjen kryetarit të këshillit të Çamërisë, për t’u shpërngulur, ditët e fundit i erdhi letër prej Janine nga Nuri Dinua, 24 orë para masakrës për shpërngulje Myftiut të Paramithisë nga komandanti mbrojtës i Margëlliçit Abdulla Kasimi, po kështu i erdhi njoftimi nga Gumenica dhe Vola, Kadiri Sadush Zëri, për t’i mbushur mendjen, por më kot.
27 qershori 1944 i Paramithisë pikon gjak
Rojet mbrojtëse të pakët të qytetit dalluan se gjatë natës së 26 dhe 27 qershorit 1944 zervistët po i afroheshin Paramithisë nga të tria anët : jug, lindje dhe veri. Në mëngjes herët, mbrojtësit e vendosur në Gallata, goditën kolonën që po zbriste në qytet nga ana e Shkallës. Shpërthyen breshëri të dendura pushkësh e mitralozi. Ishin të vendosur të luftonin deri në fishekun e fundit, pasi qenë të bindur se shpëtim tjetër nuk kishin. Mirëpo Dhespot Dorotheu, nënprefekt Kanellopulli etj., vrapuan tek Myftiu Sali Hafyzi dhe u mbushën mendjen për ndërprerjen e qëndresës, pasi zervistët do të hynin në mënyrë paqësore dhe nuk do të ngacmonin kërkënd. Myftiu Hasan Abdullahu dhe Sali Hafyzi e hëngën atë kokër ulli dhe së toku me Dhespotin e të tjerë u ngjitën në Gallata. U bënë thirrje luftëtarëve që të ndalonin zjarrin, duke u zotuar se zervistët nuk do të bënin as dëmin më të vogël dhe ia arritrën qëllimit. Zervistët u pritën në hyrje të Gallatës nga Dhespoti, Myftiu Sali Hafyzi dhe shumë parësi muslimanë dhe të krishterë.
Jani G. Sharra, (Istorian tis…f.660) citon : “Zervistët e Regjimentit të 16-të komanduar nga major Kranji, pas takimit në Mitropoli me Dhespotin, njoftuan : “Urdhërohen tërë ata që kanë armë që t’i dorëzojnë menjëherë se qetësinë do ta mbajë ushtria. Askush të mos ketë frikë. Këdo e quajmë vëlla. Duam të bahkëpunojmë dhe të ndihmojmë njeri-tjetrin. (Fletore “Bashkimi” Nr. 681, datë. 03. 07. 1947).
Rreth mesdite, kur ende nuk kishte mbaruar mirë dorëzimi i atyre pak armëve dhe kur tregtarët sapo kishin hapur dyqanet, zervistët grupe-grupe të përbërë nga comenjtë, dokenjtë, pantezenjtë, paskot e shumë të tjerë gjakatarë, të prirë nga oficerë u derdhën egërsisht mbi popullin (Kujtime nga Elmaz Asllani nga Paramithia, datë 1946). Ndër vrasësit ishin edhe : Prifti Andon, rrobaqepsja Athina Paco, samarbërësi Cil Coni, Nikollë Rafti etj. Ata qëllonin këdo që shihnin dhe vrisnin këdo që gjenin përpara. Me të dëgjuar krismat e pushkëve dhe të mirtalozëve, njerëzia ia dhanë në pikë të vrapit nga të mundnin për të shpëtuar secili kokën e vet : të shumtët u derdhën në anën perëndimore nga mendohej se nuk ishte mbyllur ende rrethimi. Pati raste që e njejta familje u shkëput në dysh si familja e Çafa Miles, ndërsa Çafai me njerin nga të bijtë, Sadikun dhe dy fëmijët e djalit tjetër, Hakiut, arritën të kalonin, ndërsa Hakiu me të ëmën, Salihenë ua prenë udhën. (u mbyll rrethimi) Hakinë e mbërthyen disa zervistë dhe në sytë e së ëmës e vunë poshtë dhe i prenë kokën si të dashit. Pastaj ngritën nga muri një pllakë të madhe guri dhe ia vërvitën mbi kohën e prerë dhe ia bënë petë. Salihanë e mbyllën në burg. Rrugët dhe sheshet u mbushën me të vrarë : 5 – 6 këtu, 7 – 8 atje, 10 – 12 më tej. U krijua një tmerr i pashembullt. Duke kërkuar shpëtim, njerëzit futeshin në shtëpitë e të krishterëve si në atë të Jot Barbës. Po për habinë e tyre ata vetë ua hanin kokën.
Dëshmitarja Fetije Saliu po nga Paramithia tregon se, kur zervistët u turrën të thernin Maksutin 6 muajsh dhe e ëma e mbuloi djepin e të birit me trupin e vet, zervisti i nguli thikën në kurriz e ajo u përplas pa frymë në dysheme. Djalin e madh të Fetijes dhe disa të tjerë i therën te sheshi para shtëpisë, kurse të shoqin ia therën në fund të shkallës. Motrën e Hasan Behlulit, tre djemtë e Hasan Dinos, ndër ta një 5 muajsh, dy çupat dhe të shoqen e Rexhep Malit, Ihin dhe Lihin i mbërthyen me perona në mur. Pasi vranë Mulla Cenin, argëtoheshin me të bijën. Në tërë Paramithinë dëgjoheshin kujet dhe vajet rrënqethëse, që shuanin jetë nën presat e thikave e të plumbave. Shnderonin kë u pëlqente; shumë të reja që të mos u binin në duar, i jepnin fund jetës: hidheshin nëpër puse dhe vetëmbyteshin apo binin nga dritare dhe mure e larta e vetë vriteshin. Një grua që s’u bind e dogjën të gjallë me benzinë. Djalin e dytë të Fetijes dhe disa të tjerë i çuan në Gallata, pasi i zhveshën, i vranë : njërin e kallën në gropë të gjallë. Shefqet Sulejmani (i datëlindjes 1926) nga Paramithia tregon: “….7 – 8 oficera zervist, pasi hëngrën e pinë për 2-3 orë në shtëpinë e Myftiut Hasan Abdullahut, e therën atë, të shoqen, të birin dhe të bijën. Të prirë nga Taq Strungari, e bënë copa copa plakun 80 vjeçar Shaban Gazirin. Dy vëllezër të fshehur në tavan, Ilmazi dhe Tahsimi, u spiunuan nga “miku” Thoma Faco, e i therën.
Dëshmi të mëtejshme e bëjnë edhe më kuptimplotë përcaktimin e Niko Zhangos : “Barbarizmën në Paramithi. Ditët që vijuan historia fsheh fytyrën e vet nga turpi” (libri, “Imperializmi anglez dhe qëndresa kombëtare” 1940-1945).
Siç është vënë në dukje, vrasjet shoqëroheshin edhe me përdhunime masive. Xhevdet Manopulli tregon se “shumë vajza i shnderonin përpara syve të nënave të veta”. Zervisti Popovit Cili dhe ca si ai, hynë në shtëpi të Sulo Tarit ku qenë mbledhur 40 gra dhe vajza dhe gjatë britmave dhe ulërimave të tyre, përdhunuan tërë ato që u pëlqyen, ndër to edhe Fyzrete Sulon dhe Sherife Fejzon. Fatime Pronjo, për të shpëtuar të bijën, Shyqyranen, nga përdhunumet prej Dhimo e Sotir Pasko, u dha atyre ç’kishte: 30 mijë dhrahmi, vathë dhe varse floriri.
Disa paramithiotë, si Abedin Hasani, Eshref Himi, Hajredin Mergjyshi, Refik Pronjo etj., njoftuan Komisionin Hetimor të U.N.O.S për pabesinë greke, që masakruan në masë, duke vrarë, therur, shnderuar, gjymtuar, grabitur, djegur etj.
Niko Zhango rrëfen: “Fati i të burgosurve në Paramithi u bë i njohur me gjakderdhjen në vazhdim. Erë kundërmonjëse në shtëpinë e Sali Hafezit, ku mbaheshin mbyllur gra e fëmijë, vdekje fëmijësh, pamje rrenqethëse të grave muslimane që hiqeshin zvarrë dhe që përdhunoheshin gjysmë të vdekura”. Lidhur me këtë gjendje, Jani G. Sharra thotë: “Urrejtja dhe ahet që zienin në vetëdijen e tyre, shpërthyen me egërsi mbi gratë, fëmijët, pleqtë etj…të 49 krerët e humbur padrejtësisht në Paramithi dhe viktima të tjera të Çamërisë kërkonin hakmarrje…”.
Egërsia greke në Çamëri kaloi çdo lloj egërsie. Një grua nga fshati Kacian me foshnje ende në gji, u gjet e copëtuar në katër pjesë dhe e varur në një pemë. Së toku me gjakun i rridhte edhe qumështi i gjijve.
Niko Zhangua në veprën “Imperializmi anglez…” për masakrën në Karbunarë shkruan : “Tërë çamët që u gjetën në Karbunarë u vranë dhe u hodhën nëpër hendeqe. Një nënë me shtatë fëmijë, si dhe të vegjël të tjerë : tre vajzat e Muharrem Agushit, nusja e Hodos dhe Ajshe Agushi” ( Jani G. Sharra, istoriatis…F/ 699) dhe më tej. Ndërsa “Lefter Shtrungari me shokë, Mehmet Qamilit i vranë në shtëpinë e vet të ëmën dhe tre bijat, të shoqes shtatzënë i çanë barkun dhe i nxorrën fëmijën”. Sipas dëshmive të shumta të karbunaritëve, në fshatin e tyre zervistët therën 41 gra e fëmijë (Fletorja “Bashkimi” Nr. 690, Tiranë 18. 03. 1947, F. 3).
Më 20. 06. 1944, forcat çame prej 2.000 vullnetarësh u pozicionuan në vijë luftimi që zgjatej nga Minina në Arrillë, ndalën valën zerviste të divizionit X-të. Në ndihmë të luftëtarëve të vijës së parë vrapuan edhe tre njësi të tjera, nën drejtimin e Ahmet Çapunit nga Lopsi, të Xhaferr Ferikut (babai i Bilal Xhaferrit) nga Ninati dhe të Bido Tahos nga Varfanji. Këto forca, nën komandën e Nuri Dinos, thyen keqas zervistët dhe i përzunë nga Karbunari, Margëlliçi, Luarati etj. Po ato ditë, një forcë vullnetarësh rreth 3.500 luftëtarë (çamë muslimanë) pushtuan Pargën dhe shpartalluan mbi 100 zervistë. Për arsye të ndryshme, pas tre-katër ditëve, forcat çame u tërhoqën në pozicionet e mëparshme.
“Pargaritët, – vëren Niko Zhango -, të tmerruar kërkonin shpëtim te anglezët, por këta ua dorëzonin zervistëve, të cilët i vrisnin në masë”. Më 28. 07. 1944, arrestuan 25 djem të porsaardhur në Pargë, i lidhën më një litar, i ngjitën në kala dhe i masakruan.
Kriminelët : Kamara, Agora, Kranjai e Stafanidhi me shokë këdo që gjetën në Karbunarë, Arpicë, Arillë, Vilë e Skropion, përdhunuan, vranë dhe grabitën. J.G. Sharra, shënon: “Kush donte të jetonte…duhej të linte truallin e shenjtë…e të merrte rrugën e mërgimit”. Ndërsa, krerët çamë vendosën që familjet në jug të Kalamait të kalonin në veri të rrjedhjës së atij lumi. Ky vendim shpëtoi nga vdekja dhjetra mijë çamë muslimanë. A. Lamber, përfaqsuesi i CRI për Epirin më 17. 08. 1944, “…shfarrosje e tërësishme e çamëve islamikë do të kishte qenë e pashmangshme, paraparë nga Zerva”, por edhe nga Lamberti.
Jani G. Sharra, shkruan: “Tablloja që paraqitnin qe rrënqethëse dhe e vajtueshme…mijëra vetë : burra, gra, fëmijë, pleq, plaka në një vargan kilometrash të ngjashëm me një gjarpër në lëvizje, me dhimbje e keqardhje në fytyrat e tyre, të ngarkuar me çka kishin mundur të merrnin me vete, ecnin nëpër udhën që konjukturat fatkeqe me veprime të paramenduara u krijuan kaq pësime çnjerëzore dhe të ashpra” (Istoria tis…F. 665).
Në Avaricë pranë Mininës, për 72 orë rresht luftuan 70 luftëtarë çamë, përballë qindra zervistëve. Luftuan deri në fishekun e fundit, dhe ranë trimërisht në fushën e nderit.
U fuqizua vija mbrojtëse prej Malit të Bardhë, Dulkes deri në Kalama, drejtuar nga Bido Taho, Hamdi Ruci, Nazif Vejseli etj duke vrapuar nën breshërin e armëve. Njëra prej tyre ishte edhe Mineja, e cila me shpirt në dhëmbë po mbante një bohçe me tesha dhe fëmijën e saj. Duke dashur të lehtësohej nga barra, u hutua aq shumë, sa në vend që të hidhte bohçenë, hodhi fëmijën.. më pas kjo nënë fatkeqe perfundoi e çmendur në Delvinë. Kaluan këndej lumit Kalama mbi 20.000 vetë shumica u grumbullua për rreth Filatit si mos më keq.
Më 21. 09. 1944, batalioni i IV (i përbërë prej çamërish) i Regjimentit XV. E.LL.A.S.-it (EAMI) që vepronte në rrethin e Filatit, zboi gjermanët dhe çliroi qytetin ; të nesërmen ai u godit nga fuqi të shumta gjermane të ardhura nga Gumenica dhe nga Janina. Pas disa orë luftimesh batalioni në fjalë u shtrëngua të lëshonte qytetin dhe u përqendrua në Koskë dhe Pleshvicë. Natën e 22. 09. 1944 gjermanët lanë Filatin dhe u përqëndruan në veri Smartë, Lopës dhe Sajadhë. Pak orë pas ikjes së gjermanëve erdhën forcat zerviste të komanduara nga major Ilia Kaco dhe Vangjel Zoto, më 24. 09. 1944 vjen Kranjai me repartin e tij dhe urdhëron : “Andartë ! Bëni ç’të doni, vrisni pa dalluar e mëshiruar… shnderoni kë t’iu pëlqejë..asnjë shqiptar mos lini të gjallë. (“Zëri i Çamërisë” Tiranë 24. 04. 1946).
Vetëm në arën e Zaimit u vranë 47 burra, kurse 45 të tjerë u vranë te ara e Xhelo Metos. Jani Sharra shënon: “shumë çamër islamë zervistët i rrëzonin të gjallë nga ura e Naçit pranë Filatit. Nënave u rrëmbenin fëmijët nga duart e nga gjiri, u ngulnin bajonetën dhe i ngrinin lart”.
Fletorja (Zëri i Çamërisë” Nr. 7 Tiranë 08. 10. 1946, Fq. 2) shkruan: “mbi 50 fëmijë i therën në djep. Rreth 15 gra i hodhën në një pus dhe u mbyllën grykën. Me ditë të tëra u dëgjuan britmat e rënkimet e tyre. Në lagjen Memkat 17 grave u çanë barkun me bajoneta. Në përrua të Duçenjve vranë 160 burra dhe gra. Në lagjen Demat u prenë kryet një burri dhe tre fëmijëve të vegjël dhe një vajze në djep. Nga mbi 130 burra e gra të lidhur me litar dorë për dore tek puset, më të shumtët i therën. Haxhi Çapunin, me të ëmën dhe të birin i theri Miço Kulla e Stavro Konjari. Atdhetarin e mirënjohur plakun Abdul Nurçe nga Spatari, Hari Dhiamanti nga Sajadha pasi e zvarriti nëpër udhët e Filatit, e vrau me mundime të mëdha me disa të tjerë. Ilmi Sejkos i hoqën dhëmbët e floririt me darë pastaj e therën. Miço Gulla, Jorgo Beko, Kostë Koteli etj, veç vrasjeve të lemerishme, përdhunuan mbi 150 vajza e nuse të reja.Niko Zhangua thekson se ata “njerëz të egër e barbarë që kërkonin lira e plaçka hynin si zotër nëpër shtëpitë, dhunonin vajza e gra dhe vritnin kë donin….” (Istoria tis…F. 669).
Prof.Dr. Agron Fico citon : “….Një të shtunë shtatori 1944, e gjithë popullata u grumbullua para xhamisë së fshatit. Zervistët filluan grabitjet dhe shnderimet ndër gra, vajza e deri në plaka. Familja e Sako Banushit nga Skorpjona ishte instaluar në shtëpinë e Dervish Sulos prej 8 vetash gra, burra dhe fëmijë. Pasi u shnderuan gratë, të cilave ju shpuan gjiret me thika, të gjitha u masakruan…. Në kopështin e Avdul Nurçes u masakruan 20 persona… “Illyria” Zëri i fuqishëm i Çamërisë trime”, 05. 09. 2005. (masakër në fshatin Spatar afër Filatit).
Historiani Ibrahim Hoxha, citon : “Ndërmjet atyre tmerreve në Spatar ndodhi edhe kjo ngjarje : Lulo Ahmet Qamili nga Janjari, femër shumë e bukur e martuar para një viti me spatarjotin Dalan Çulani u kap në Spatar nga zervistët, këta, si vranë kë zunë, Lulon e ruajti një oficer për ta marrë me vete. Kjo sa dinake aq edhe trime, u duk sikur u bind me tërë mend. Oficeri i gëzuar se ia arriti qëllimit, vari automatikun në gozhdë dhe kaloi në ndarjen tjetër për t’ju thënë shoqëruesve të tij. Kurse Lulua rrëmbeu automatikun dhe me një shkathtësi e guxim të habitshëm vrapoi tek dera dhe i griu tërë sa gjendeshin në të ndarën fqinje. Zervistët që ndodheshin rreth e rrotull, duke menduar se dikush prej tyre po vriste fshatarët, nuk u shqetësuan. Nga moskokëçarja e tyre përfitoi Lulua, e cila me automatikun nën një cipunë (një lloj sharku i hollë) u mërgua pa tërhequr vëmendjen e askujt dhe kështu pas disa orë udhëtimi mundi të arrinte në Konispol. (Kujtime të Shefqet Seitit i datëlindjes 1903)….Vrasje si ato te Spatari, zervistët bënë edhe në Shqefar, Smartë dhe Lopës…Kufomat e të vrarëve… u gjetën të kalbura nga ata që u kthyen në Janar 1945.
Niko Zhangua shënon: “… ata që kapeshin nëpër fshatra kalonin në thikë ; nuk bëheshin përjashtime as për fëmijë, gratë e të sëmurët.” (Istoria tis…. Fq. 669).
Ditët e fundit dhe të fillimit të shtatorit 1944 krejt çamërit islamik kaluan në Shqipëri. Shumica e tyre u vendos në Konispol dhe në fshatra përrreth tij. Gjendja e tyre u keqësua shumë, vdekja rrëmbeu shumë nga uria dhe vuajtjet. Në këtë kohë Androkli Kostallari, shoqëronte një anglez hetues, tregon : “Kudo që shkonim nëpër vendqendrimet e tyre, është shumë pak të thuash se gjendja e tyre ishte e vajtueshme”. …Duke ikur, anglezi më tha : “Shumë krenarë qenkan këta çamërit. Sado që po treten e po shuhen në këmbë, nuk përkulen ; askush s’po nxjerr dorën të kërkojë lëmoshë”. Si përgjigje unë i përmenda disa vargje popullore të kohës së Ali Pashë Tepelenës. “Arvanites penemeni,/ çamidhes kamaromeni.” (Shqiptarë të lavdëruar,/ çamërit krenarë).
Av. Spiro Xhakulla, të lidhur në një karkë të mbërthyer në dysheme, me urdhër të Kranjait, e torturonin tre zervista, duke gjymtuar e nxjerrë sytë. Tok me bërtitjet dhe dhembjet thoshte: “Rroftë Shqipëria, rroftë Flamuri i Shqipërisë”. Tek tortura e fundit gati i vdekur e kanë lidhur nga këmbët, duke e tërhequr kali nëpër kalldrëmin e qytetit.
Çamëria, burgu i madh në mes të Europës
Shtëpia e Sali Hafyzit, me tre kate dhe mbi 30 dhoma ishte kthyer në burg, ku ishin mbyllur mbi 500 gra e fëmijë nën moshën 15 vjeçare si dhe 10 burra. Ushqimi, 100 gram bukë misri dhe një lugë lëng bizeleje ose fasuleje, të pa larë dhe të ngjitur me njëri-tjetrin. Morri, sëmundjet dhe uria bënë të vdisnin çdo ditë nga 6-7 veta. Bahçetë e Feti Kapolit të Sami Janos u mbushën me varre, thërritën disa mjekë anglezë, të veshur me maska. Ata pasi na vizituan, u thanë: “Ja zboni, ja vritini se brenda pak ditëve do t’ju marrin edhe juve me vete në atë botë”!
Nga kjo frikë ish e burgosura Fatime Jasini nga Paramithia (datëlindja 1925) dëshmon : Më në fund na pyetën : “doni të rrini këtu apo të ikni’? Vendosëm të iknim menjëherë. U nisëm rreth 250 gra. Nata e parë na zuri në Mininë, e dyta në Filat, e treta në Koskë dhe këndej u ndodhëm në Vërvë (Shqipëri).
Një kollonë e fuqishme ellasite (EAM) duke kaluar Janinë-Mininë, zbriti rrufeshëm në Paramithi më 26. 12. 1944, i përzuri zervistët nga Gumenica. Në tërë Çamërinë u vendos komanda e EAM-it në përbërjen e së cilës bënin pjesë luftëtarët çamë të batalionit IV të regjimentit XV të EAM-it.
Zervistët e lanë vrapin në Korfuz. Nën koloneli Palmer, në raportin e vet shënon se majori grek Sarandis i kishte thënë se në Korfuz ishin vrarë mbi 60 çamër muslimanë të cilët kishin ardhur në verën e 1944.
Qarkoria Nr. 39, datë 28. 01. 1945 e Këshillit të Përgjithshëm të EAM-it për Epirin thuhet: “Duhet të merrni të gjitha masat për pritjen sa më të mirë të çamëve nga të krishterët, për t’u sistemuar ata nëpër shtëpitë e tyre…Me çamët e rikthyer për një jetë normale”. Të tërhequr nga ftesa dhe zotimi i EAM-it, të nxitur nga dëshira për t’u kthyer në vatrat dhe pasuritë e veta, të shtytur edhe më tepër nga vuajtjet që po heqin, mbi 15.000 veta iu mbush mendja të ktheheshin në vendet e veta. Askush nga të kthyerit nuk u shtri përtej lumit Kalamait; të gjithë zunë vend në Filat dhe në fshatrat përreth tij.
Studiuesi shqiptar në Neë Jork të SHBA, Sami Rrepishti, citon: “Më 1 qershor 1944, britanikët dhe rusët kanë rënë dakort që në Rumani rusët të lejohen të marrin “inisiativën”, ndërsa në Greqi, britanikët me qëllim që të pengohen divergjencat e veprimit dhe të politikës”.
Nën diktatin e Uiston Çërçillit më 26. 12. 1944 u mblodh konferenca anglo-greke dhe u vendos në vend të mbretit Demaskinos dhe kryeministër Plastira. Oficerët britanikë deklaronin haptaz se “Greqia është britanike”. Kjo bëri që ushtria angleze zhvilloi luftimet më të rrepta kundër ushtrisë së EAM-it e cila e shkuli pas 4 muajsh luftimesh nga Pireja dhe Athina, dhe u shtri për në veri.
Më 12. 02. 1945, EAM pranoi marrëveshjen VARKIZA. Në të parashikohej çarmatimi i ushtrisë së EAM-it dhe të EDESIT. Armët do t’i dorëzoheshin ushtrisë angleze, e cila do të mbante rendin e qetësinë. Njësitë e ushtrisë së EAM-it në Çamëri u grumbulluan në fshatin Kacika (në jug të Janinës). Kur ato gati kishin mbaruar së dorëzuari armët, u sulmuan nga aeroplanët anglezë. Një pjesë u vra, një pjesë u shpërnda nga mundi. Kurse zervistët e vendosur në Korfuz u lanë të lirë të zbrisnin në Çamëri. Më 05. 03. 1945 me 4 lundra zbarkuan në skelën e Sajadhës; ata kryesoheshin nga major Gallami, Ilia Kaco, Vasil Ballumi etj.
Albert Kotini, na jep këtë episod : “Vasil Ballumi i dogji djalin në furrë Naile Gjinikës. Kur ia kapin djalin e vetë, Vasil Ballumit dhe i’a dhanë Nailes, që të hakmerrej për djalin e saj, ajo, jo vetëm që nuk pranoi , por tha : mua djalin nuk ma ka djegur ky fëmijë. Pbasi e mbajti 7 ditë, ia dorëzoi Vasil Ballumit, kriminelit të Çamërisë. Që atë ditë Vasili u betua se nuk do të qëllonte më mbi shqiptarët e Çamërisë”.
Zervistët e ardhur nga Korfuzi dhe zervistët e fshehur në Çamëri për kohën që EAM-i ishte në fuqi, u grumbulluan dhe morën fuqinë me plot pushtet pas përpjekhjes me eamistë të cilët u vranë dhe i arrestuan. Zervistët mblodhën populllsinë muslimane tek puset e mëdha në qendër të Filatit, nën shoqërimin e zervistëve i nisën për në “Shqipëri”. Me të arritur në Kodrez rreth 2 km pa arritur në vendin e quajtur Vanër, kollona e të zbuarve ndeshi me rreth 200 civila të armatosur; ndër ta Vasil Tasho, Mara Miho etj. Gjatë udhës automobilistike kishin ngritur tre prita njëra pas tjetrës. Burrat i veçonin dhe i merrnin roje të posaçme. Me të krisur pushkët e para, tërë zervistët e mbi udhës i’u vërsulën kollonës; kujt i prisnin kryet, kë e çanin me sëpatë, i zhveshnin rrobat, u rrëmbenin gjithçka dhe më pas i vrisnin. Një pamje e tmerrshme. Duke mos parë shteg tjetër për shpëtim, çamërit u derdhën në pikë të vrapit tatëpjetë pllajës thikë. Me përjashtim të Nustret Balos dhe një nuseje, tërë të tjerët ranë plasur kush këtu e kush atje. Një bari që kulloste dhitë në faqe të malit tregon : se një zervist i ra me sëpatë në zverk e i preu kokën një burri çam. Disa zervistë iu afruan dy grave të ngarkuara; njëri i mbërtheu për mjekre dhe i ngriti kryet përpjetë, kurse dy të tjerë ua prenë me thika, pastaj u hodhën lakun në këmbë dhe, duke i zvarrisur, i përplasën poshtë murit të xhades.
Mbi tragjedinë në Vanër Niko Zhango shkruan: “Me dëshminë e një zervisti” atje “U vranë 65 çamër, dhjetra të tjerë u hodhën në urën e Naçit”. Hysen Jasini nga Varfanji, thotë: “Vrasësit kryesorë në Vanar përmend : Hristo Beratin, Hristo Shetunin, Ilia Vevesen e Thodhori Kallariqotin (Fletoria “Bashkimi” Nr. 684, 11. 03. 1947).
Poeti i këndon :
O Vanër, Vanër i shretë,
Do na thuash një të vërtetë
Atë që ke parë me si
O ju dijetarë çamë shkruani.
Prof. Dr. Agron Fico, citon : “Me mërgimin tonë në Shqipëri, qeveria demokratike e Shqipërisë i dha masës sonë një fond 240.000 Fr. në muaj…”. Në mbështetje të kësaj situate, Misioni i UNRRA-s në Shqipëri pati aprovimin nga qendra e Ëashingtonit për akordimin në favor të emigrantëve 1.450.000 dollarëve si ndihmë imediate ndaj gjendjes sonë të vështirë. (Illyria, Zëri i fuqishëm i Çamërisë, 05. 09. 2005).
Viktimat dhe humbjet, sipas statistikave, gjatë masakrave të viteve 1944-1945, në kurriz të minoritetit shqiptar në Greqi, arrin numurin 2.877, të ndarë si vijon :
Filati me rrethe 1.286, Gumenica me rrethe 292, Paramithia me rrethe 673, Margëllëçi dhe Parga 626. Ky qe fati i të gjithë atyre që nuk mundën të largohen nga Çamëria. Ka dëshmitarë të gjallë të kësaj masakre ngjethëse dhe një ndër këto është libri i Sali Bollatit “Gjurmë Çame”, në faqen 14 shkruan: “…mbeta vetëm unë 7 vjeç dhe motra Qerimani 10 vjeçare, ndërsa 7 pjestarë të tjerë të familjes, si qindra çamë të tjerë u masakruan, u vranë e vdiqën nga dora e zervistëve grekë”. (botimi 2004 Tiranë).
Kjo kasaphanë përfundoi me shpërnguljen me forcë të afro 43.000 çamëve që erdhën e u strehuan në Shqipëri në konditat më të vajtueshme. U dogjën e u shkatërruan 68 katunde mbi 6500 ndërtesa banimi si dhe 85 faltore islamike.
Në llogaritjet e dëmeve rezulton të kenë grabitur në Çamëri dhe nga forcat e zervës : 17.000 kokë bagëti të holla, 1200 të trasha, 21.000 kv. bereqet, 80.000 kv. vaj; gjithashtu produkti i vitit 1944-1945 që arrijnë në 110.000 kv bereqet dhe 30.000 kv vaj. Gjatë emigracionit 110.000 bagëti të holla dhe 24.000 bagëti të trasha ngordhën dhe humbën.
Nga kjo del e qartë katastrofa e madhe ekonomike që pësoi popullata jonë, duke mbetur nëpër rrugët e emigracionit vetëm më rrobat e trupit. Kancelari gjerman Shrëder, thotë: “Një njeri mund ta largosh nga shtëpia e tij, por shtëpinë s’ia largon dot nga zemra”.“Shkretëtira dëgjon gjëmimet mbi të edhe kur duket se nuk ka veshë”. Koha që vonon aq sa diçka anësore humbet, diçka tjetër brenda saj e pjek më mirë. Për Çamërinë zëri i saj nuk është lutje lotësh për gjëra të vogla, por është zë i të gjallëve dhe të vdekurve bashkë, klithmë që vazhdon të kullojë gjak.
Dergoi për botim: Hyqmet Zane
Gazetar, studiues i çështjes çame